Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Kanuni - forma dhe thelbi
Kanuni - forma dhe thelbi PDF Print E-mail
18 Dhjetor 2009
Astrit Lulushi

Historia eshtë hetim. Ky është edhe kuptimi i mirëfilltë i fjalës. Si e tillë, historia shihet në kontekst me kohën që ka ndodhur, por edhe në kontekstin e kohës së historianit. Dhe këtij të fundit jo-shumë i duhet besuar, pavarësisht nga burimi a dokumentacioni në të cilin mbështetet. Ato që historiani thotë janë vetëm përfundimet e hetimit të tij.  Sepse në fund të fundit, ai ofron thjesht një të vërtetë që nuk e ka jetuar dhe kurrë nuk do të jetë në gjëndje t’a mësojë, edhe pse e njeh në parim. Ato që hetuesi-historiani sjell janë rezultate të nxjerra nën ndikimin e kohës, shoqërisë, sistemit politik a interesave vetjake, e me mënyra të pranueshme për kohën e tij, por të padrejta për kohë tjëtër - si tortura mënyrë hetimi, e pranueshme në një system dhe e dënueshme në kohë tjetër.

Prandaj cdo brez shoqëror nxjerr a ka nevojë për historianët e vet, të cilët sjellin interpretime a hetime të ngjarjeve. Dhe nuk është lajthitje që historianët shpesh arrijnë në perfundime kundërthënëse. Sepse mënyra e hetimit varet nga koha a sistemit ku ata jetojnë. Të rrallë janë historianët e pavarur. Historianë për hir të historisë a së vërtetës, pak ka. Që prej lashtësisë e sot, shumica e tyre, në mos të gjithë, kanë vepruar në shërbim a interes të mbretërve, princërve, partive, secili për të vetin.

Rrethanat sundojnë njerëzit, dhe jo njerëzit rrethanat, mendohet të ketë thënë Herodoti, kur e kritikonin për historitë e tij. Me Herodotin, që është cilësuar “ati i historisë”, studjuesit bashkëkohorë nënqeshin. Atë e kanë quajtur edhe “ati i gënjeshtrave” sepse ishte i nje anëshëm, pro-athinas dhe tepër ëndërrimtar, per shkak të mënyrës së këndshme të rrëfimimeve që herë-herë lexohen si përralla. Ndërsa  tek “ati i poezisë”, Homeri, studiuesit mësojnë për ngjarje historike, pa dëshmitarë, “të njohura vetëm në parim”, sepse Homeri shkroi mbi luftën e Trojës njësoj sikur një poet shqiptar i kohës sonë të përshkruante me hollësi ngjarje e heroizma të 500 viteve më parë, dhe të besohej sikur t’i kishte jetuar.

Nga shqiptarët që të kujtojnë Homerin, kur i lexon, ndoshta është vetëm Barleti me rrëfimet rreth heroizmave të Skënderbeut dhe luftëtarëve të tij. Si Herodoti, ky Homer shqiptar, pak besohet. Një Homer i dytë, por në një tjetër fushë, mund të thuhet se është Gjecovi. Kur ky prift i përkorë filloi odisenë etnografike për mbledhjen e kanunit të Lekë Dukagjinit, shumica e shqiptarëve as që kishin degjuar se ekzistonte, megjithëse qeveriseshim natyrshëm sipas ligjeve të tij; kanuni për ‘ta ishte mënyrë e të jetuarit, si ajri që thithnin a gjaku që u rridhte në deje; ata nuk e ndjenin e as nuk shihnin, por pa ‘to nuk mund të jetonin.

Forma dhe substanca nuk janë sinonim, thotë maksima. Prandaj edhe nuk ka asnjë rëndësi nëse Kanuni quhej “Lex of Duke Jean” apo se gjatë të folurit “Lex” u bë Lekë  dhe ky kod ligjor morri emrin  “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Gjithashtu pak rëndësi ka nëse portretit në krye të librit është i Markagjonit apo Dukagjinit. Thelbi i këtij Kanuni, thotë perkufizimi, janë fjalët e urta, që u ruajtën - dhe u pasuruan - brez pas brezi për gati gjashtë shekuj, duke u përcuar gojarisht. Kjo sikur u përgjigjet edhe dyshimeve rreth shprehjeve “kafe”, “duhan” e "pushkë" që hasen në Kanun. Ato janë dukuri të më vonëshme, që i përkasin formës, anës së jashtme ku bëjnë pjesë edhe gjakmarrja e ngujimi. Forma gjithmonë këmbëngul për t’u bërë pjesë e thelbit, thoshte Aristoteli, ndërsa thelbi shkatrrohet nëse ushqen formën. Prandaj Kanuni sulmohet, megjithëse janë njerëzit që vrasin.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive