Faqe kryesore arrow Diktatura Komuniste arrow Kujtime: Petrit Estref Kello
Kujtime: Petrit Estref Kello PDF Print E-mail
21 Shkurt 2010

Nga Petrit Kello

Pjesa I

Petriti, i biri i Estref dhe Bejxhe Kello, lindur në Bilisht  më 5 Janar 1934.

Babë Istrefi, në Shkurt të vitit 1938 shkoi në Australi si emigrant  ekonomik duke më lënë mua në moshën 4 vjeç dhe vëllanë tim Irfanin në moshën 2 vjeç, nën kujdesin e Mëmës dhe të Xhaxhallarve në shtëpinë e togut që jetonim  asikohe  në Bilisht të gjithë së bashku.
Lufta Botnore po trokulliste tek dera dhe fatkeqësisht neve në Shqipëri  jo vetëm që u zhytëm në mjerimet e luftës por e humbëm dhe pamvarësinë si Shtet!  Që nga viti 1939 edhe deri më 1944 vendi u okupua prej Italisë, Greqisë, përsëri prej Italisë, Gjermanisë dhe komunistave te pa-shpirt të nxitur nga sllavo Popoviçët e Mogushoviçët. Okupatorët ngrinin dhe rrëzonin qeveritë e tyre kukulla ku çrregulluan e shkatrruan shkollat; çakërdiseshin dhe nxënsit. Une vetë me mundime, deri më 1948, mezi bëra 5 vjet shkollë.

Okupatorët italianë jo vetëm që formuan në Shqipëri një qeveri me shqiptarë të pa dëshiruar nga populli, por shkuan edhe me tej dhe në tetor të vitit 1940 filluan luftë me Greqinë. Këtu unë vetëm do të orvatem të tregoj disfatat e humbjet e pa pritura qe ushtritë barbare Italo-Greke i prurën familjes tonë. U dha urdhër ushtarak që e gjith popullata të tërhiqesh 15 kilometra larg vijës kufitare dhe ky urdhër na përfshiu dhe neve te Bilishtit. Ishim familje e përbërë nga disa kurorë.  Xhaxha Naimi mori qerren e bagëtitë e mëdha si dhe fëmijët e tij dhe shkoi ne Zvezdë. Neve të gjith të tjerit nën kujdesin e Xhaxha Mehmedit, morëm bagëtitë e vogla, nja 70 krerë dhen dhe kafshën ngarkuese e bashkë me familjen e Daj Adilit të Stropanit shkuam në miqtë e Tishnicës. Lufta po bëhesh e rreptë; ushtria greke mbas një  muaj lufte i theu dhe i shtyu forcat italiane nja 25 a 30 km por nuk i luajti dot më nga fronti i dytë, Korça, Gjinokastra u okupuan nga ushtërite greke, kështu që muhaxhirët e strehuar nëpër miqtë u lejuan të ktheheshin nëpër shtëpijat e tyre, edhe neve si gjith të tjerët u kthyem në Bilisht. Shtëpinë e gjetëm të plaçkitur por dëmi më i madh ishte që Grekërit na kishin marrë krejt zairenë e dhenve, dhe plevicën dhe haurin e kishin mbushur me municion lufte; kështu që u detyruam ti shesim të gjitha bagëtitë e vogla me nje çmim krejt të ulët dhe ekonomikisht si familje mbetëm përballë një varfërije të pa pritur. Pllakosi dhe një dimër i madh dhe popullatës iu shumëfishuan mjerimet se mungonte çdo gjë dhe ishin të detyruar të strehonin dhe ushtërine greke. Ishim nën Greqine deri në Prillin 1941 dhe na zuri prapë  Italia - nje armik ikte tjatri vinte. Italia e shtriu okupimin e saj deri ne Greqi.
Italianët u tërhoqën nga Bilishti më 11 Shtator 1943. Atë ditë u mbush Bilishti me çetat partizane, kishte midis tyre dhe komunista grekër që i kishin ardhur për ndihmë komunistave shqiptare që në 8 Shtator goditën pabesisht çetën e Ballit në Katundin Ziqisht. Partizanët-komunista e mbajtën Bilishtin vetëm 24 orë dhe përveç sharjeve dhe kërcënimeve qe i bënë Bilishtarve, ata, të nesërmen i bëneë pritë dhe autokollonës Gjermane që po vinte që nga Greqia. Në pritë e sipër partizanët dogjën dy kamiona të gjermanëve dhe ja mbathën këmbëve e u mbajtën në malin e Bradvices duke e lënë gjith krahinën në duart e okupatorit të ri. Banorët e Bilishtit dhe të fshatrave përreth, të llahtarisur nga Lufta e pa pritur gufuan të tërhiqen nër fshatrat e largme dhe në malin e Moravës sa për të shpëtuar kokën. Mua atë ditë më  kishin dërguar Denehanët për të korrur ca mistrishta për qetë. E lidha gomarin në stërnishten e Ali Zakës dhe fillova punën. Dëgjoheshin të shtënat e pushkëve nga të gjitha anët dhe gjithkush që punonte nëpër ara filluan e largoheshin nga lufta. Aty afër arave tona ishte në  arën e tij dhe Sheme Halimi, kushëriri i Babajt, nga Bitincka, i cili më mori nën mbrojtje dhe bashkeë me të shkuam ne Bitinckë dhe së andejmi bashkë me familjen e Shemkës ikëm në Rakickë. Familja jonë mundi të ikte vetëm me plaçkat e trupit në Pilur dhe nga andej në  Stropan. Nga kjo luftë e papritur u vranë dhe shumë civila, prej fisit toneë humbën jetën Xhaxhaica, Fatime Myslym Kello dhe kushëri Sabri Hasim Kello. Edhe për mua pati dyshim vdekje se mori 6-7 ditë sa u bashkuam me familjen! Edhe kësaj here familja tonë pati humbje të  mëdhaja se gjith bagëtinë e gjënë e gjallë na i mori gjermani por dhe gjith pasurinë e lujtshme na i grabitën rebelat. Gjermanët qëndruan në Shqipëri deri në Nëndor 1944.

Regjimi komunist i Enver Hoxhës që nguli këmbët në Shqipëri në fund të Nendorit 1944, natyrisht edhe me ndihmat e mëdha që pati gjatë luftës edhe nga aleatët perndimorë, jo vetëm që vrau dhe burgosi patriotët më të mirë, shqiptarët më të ndershëm, por filloi t'i ndjeki e persekutojë edhe  ma të thjeshtit pa pasur asnjë faj, të mëdhenj e të vegjël që nuk i bëheshin vegël ideollogjisë së tyre fallco!
Im ungj, Nevrus Kello, deri në atë kohë  kishte shërbyer si zyrtar ne xhandarmërine shqiptare rreth 20 vjet, por, në mbrëmjen e 14 Dhjetorit 1944  shkuan  patrullat e sigurimit komunist dhe e arrestuan në shtëpinë ku banonte me familjen në Tiranë. Në hetimet e bëra ku kishte shërbyer, Tiranë, Shkodër dhe Elbasan nuk pati as një ankesë; kështuqë, mbas 3 muajve e sollën në Burgun e Korçës  dhe mbas nje viti, me datën 8 Nëndor  1945, e dënuan me 20 vjet burg.
Më tej, më daten  19-11-1946, me anën  e ligjeve të dobta,  me vendimin  Nr. 245 të Komitetit të Partise dhe me Nenin Nr. 115  është bërë dhe sekuestrimi i pasurisë të Familjes Kello.

Koha kalon, skamjet, vuajtjet dhe mjerimet e shumta të shkaktuara nga pushtetaret xhahila  po pllakosnin krejt vendin.

Unë duke parë se si familje po rrëshqismin nga ekonomia, u detyrova ta lë shkollën që më 1948 dhe po në atë vit hyra si nxënës në kooperativën e këpucarve të Bilishtit. Puna filloi e më pëlqente por mbas afro një vitit ardhi një i deleguar i artizanatit nga Korça dhe mblodhi antarët dhe nxënsit e kooperatives dhe duke folur për komunizmin e Partinë dha udhëzime të reja, se meqenëse  mungonte materiali për bërjen e këpucëve të reja,  duheshin larguar nga kooperativa një pjesë e punëtorve, e të shkonin në punëra të tjera sidomos në hekurudhën që  po ndërtoheshe dhe kur të vinin materialet do të ishim të pranuar përsëri! I deleguari i Partisë u shfry sa mundi kundër Anglo-Amerikanve që, gjoja, brohorisnin klikën e Titos e të Koçi Xoxes: këta janë dhe shkaktarë që na mungon dhe furnizimi i materialeve të artizanatit, tha ai! Emri im figuroi në listën e largimit nga kooperativa e këpucarve.  Ishte vjeshtë e vitit 1949. Bashkë me një kushëri  vendosëm e shkuam për punë në Sukth, rreth i Durrësit.  Udhëtimin e kemi bërë më këmbë dhe na mori afër 4 ditë duke fjetur rrugve, ku të arrinte nata, derisa u degdisëm  në Sukth. Atje filluam punë në sektorin e Rushkullit ku shpyllëzohesh toka. Une isha i ri nga mosha dhe megjithse punoja si të mëdhenjtë, merrja vetëm gjysmë rroge. Punuam deri në fillim të Marsit 1950 dhe prapë me trastat në shpinë ku me mjete e ku më këmbë arritëm në Bilisht.  Mos e pyet hallin, shtëpinë e gjetëm edhe më të  varfër nga se ç'e lamë!   Ehu! Pa u çmallur mirë me familjen  më thirrën  një natë në mbledhjen e Rinisë të unifikuar që mbahesh në sallën e shkollës të Bilishtit. Ekipet e Partisë prapagandonin ndër popull që të shkruheshin  vullnetarë për 3 muaj punë në hekurudhë por në të shumtat e rasteve i caktonin emrin dhe kërkush nuk guxonte të thonte JO! Duhet të ketë qenë mbrëmja e datës 20 a 21 e Marsit.  Mbledhja u hap me të bërtitura ENVER-STALIN-DIMITROV, Dimitrovi i Bullgarisë e kishte zëvendesuar Titon e Jugosllavisë! Fjalimin  e mbajti bashkfshatari komunist X-i dhe mbasi tregoi me mburrje përparimet që kishte arritur Partia, kërkoi vullnetarë për 3 muaj punë në hekurudhë, e mbas tre muajve, tha, ai që dëshiron të qëndrojë e vazhdojë  punë në hekurudhë do të paguhet me rrogë të plotë. U bënë e ca diskutime të thata por nuk doli të regjistrohet as një vullnetar! Fjalim mbajtësi, shoku X mbas pak heshtje, u ngrit dhe filloi t'i shpegojë orientit të mbledhjes se si në radhët e rinisë të unifikuar i futëm të gjithë, edhe të rinj qe vinë nga familje të prekura, këta tha ai, duhet të dënojnë rrugën e familjeve të tyre  dhe të punojnë pa rezerva në aksionet që ka hapur Pushteti dhe Partia. Ja, tha ai, si shembëll kemi Petrit Kellon,  të riun e unifikuar që do shkruhet vullnetar për  në aksionin Durrës-Elbasan!  Më ra pika kur dëgjova të përmendet emri im dhe u ngrita të justifikohem duke i thënë  se ishim mjaft mbrapa me punët e bujqësisë  dhe duhet ta bëjmë punën sa më mirë që të realizojmë detyrimet ndaj shtetit. Ai qëndronte më këmbë dhe tha se Bilishti  ndoshta ka 80% bujq por ti mundet të zgjedhish 3 mujorin e vjeshtës  a të dimrit se nga aksioni s'ke për të shpëtuar. Në shtëpinë e X-it  flisnin Maqedonisht, bile, edhe  shqipen e flisnin si te thyer (po të ishte kritika e lejuar do t'i kisha thënë që padronët e tu  kanë gabuar e të kanë bërë komunist më parë se të të bënin shqiptar!).  Kur u shpërnda mbledhja unë me Fiqret  Hysenin udhëtuam bashkë se i kishim dhe shtëpiat afër, në lagjen poshtë,  me atë fjalosesha hapët dhe me dolli besnik. Atë natë e kalova pa fjetur fare me të  menduar se ç'mund të ndodhte po të më merrnin në hekurudhë pa aprovimin e familjes  ose përpara çfarë rreziku  do të isha në qoftë se do të arratisesha për të mos u bërë servil i komunizmit. Gjithë javën e kalova me të menduar pa i thene kërkujt për merakun që po më hante. E  gjeta më me vend arratisjen.

(vazhdon)

12 Dhjetor 2009


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?