Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Sheshi 2014, simbolika dhe zgjidhja e vetme
Sheshi 2014, simbolika dhe zgjidhja e vetme PDF Print E-mail
03 Mars 2010

 

Nga Valon Kurtishi

Paralajmërimet e fundit në lidhje me mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët apo kompromisi mes partnerëve qeveritarë në lidhje me pamjen e re të sheshit të kryeqytetit të vendit, duhen shqyrtuar me kujdes të madh. Komuniteti shqiptar këtu duhet ti qaset me një seriozitet dhe vëmendje maksimale çështjes në fjalë. Kjo pasi sheshi i Shkupit duke qenë pjesa qëndrore e kryeqytetit të vendit, paraqet në një mënyrë fotografinë kolektive të gjithë elementëve përbërës të identitetit të banorëve të këtij shteti.

 

Nga ana tjetër, përshtypja që në pamje të parë i jep çdo vizitori të huaj ky shesh është e barabartë me përfytyrimin që do ketë personi në fjalë gjithë jetën e tij për vendin tonë. Imazhi i dhënë në pamje të parë bëhet pjesë përbërëse e ndërgjegjes dhe ndërdijes individuale e cila nuk shqitet kurrë na mendja. Por jo vetëm kaq. Përtej përsiatjeve të tilla psikologjike individuale, etnizimi dhe në raste të caktuara edhe fetarizimi i zonave qëndrore të qyteteve apo hapësirave publike kanë për qëllim dhënien e mesazheve të caktuara politike nacionaliste apo edhe etno-kulturore në lidhje me përkatësitë kombëtare ose administrative-politike të qyteteve e territoreve të caktuara. Civilizimet e mëdha botërore karakterizohen nga ndërtime masive të cilat kanë simbolizuar suksesin e botëkuptimit të kulturës mbizotëruese në ato shoqëri. Tradita e ndërtimeve monumentale është prezente në gjithë kulturat e mëdha botërore duke filluar me Babilonin historik e duke u ardhur deri tek qiellgërvishtësit e sotëm të metropoleve amerikane që simbolizojnë në një mënyrë ose tjetrën madhështinë dhe suksesin ekonomiko-social të civilizimit perëndimor.
Zgjidhjet arkitektonike, urbanizimi i ambientit, forma që do ti jepet apo pamja fizike e hapësirave publike janë të lidhura ngushtësisht sa me projektet politike shtetërore aq edhe me kulturën apo shpirtin e një populli në momentin e dhënë historik. Në një kuptim, nga arkitektura apo pamja fizike e hapësirave publike ne zbulojmë edhe pushtetin politik të kohës, pasi ndërtimet publike duke qenë në funksion të administratës japin edhe mesazhe të fuqishme politike.
Impakti kulturor shkon dora dorës me ndikimin dhe mesazhin politik. Ndërtimet e objekteve me karakter social apo monumenteve për figura të mëdha kulturore, tregojnë në mënyrë të qartë mbizotërimin e asaj kulture në atë territor, në atë periudhë historike. Me një fjalë, arkitektura e në kuadër të saj edhe përmendoret e monumentet e ndryshme si pjesë e trashëgimisë kulturore materiale të një populli, janë pasaportë e atij populli për kulturat tjera me te cilat është në kontakte dhe me të cilat ndërvepron. Në këtë kuptim, ndërtimet që parashihen të realizohen në sheshin e Shkupit marin një karakter dhe kuptim shumëdimensional, historik, politik, kulturor, e deri psikologjik.

Sheshi i Shkupit duke qenë qendra e kryeqytetit të vendit mer një rëndësi shumë herë më të madhe se rasti me qytetet tjera të vendit. Pikërisht për këto arsye proporcionet e numrave të figurave apo objekteve me karakter historik që do të vendosen aty nuk mund të reflektojnë përbërjen etnike vetëm të qytetit të Shkupit, i cili sot popullohet në shumicë nga komuniteti sllav. Raporti numerik i ndërtimeve duhet të jetë në pajtim të plotë me treguesit realë të përkatësisë etnike të qytetarëve në rang republike. Në këtë mënyrë kërkohet që së paku 40% e të gjitha ndërtimeve publike, përmendoreve, busteve, apo monumenteve tjera aty, të jenë pjesë e arealit politik e kulturor të kombit shqiptar.

Sa i takon përmendjes së shpeshtë dhe vend e pavend nga ana e figurave të caktuara publike shqiptare të termit “multietnik”, për IRJM në përgjithësi apo për rastin konkret për sheshin e Shkupit në veçanti. Nuk është aspak në interesin e shqiptarëve këtu që të përdoret ky nocion, kjo fjalë, ky term për të ilustruar përbërjen etnike apo fetare të popullsisë së këtushme. Politika shqiptare, institucionet shqiptare dhe gjithë figurat tjera publike duhet të përdorin gjithmonë termin “dyetnik” në vend të atij “multietnik”, pasi nocioni “vend multietnik” është një makinacion sllav për të relativizuar peshën dhe rëndësinë e faktorit të dytë më të madh etnik në vend - atij shqiptar. Edhe në rastin me figurat apo objektet që do të ndërtohen në zonën e gjerë qëndrore të Shkupit, duhet të përdoret në mënyrë obliguese dhe strikte vetëm termi “dyetnike”, dhe kursesi dhe në asnjë rethanë fjala “multietnike”. Vetëm elementët e paditur antikombëtarë dhe shërbetorët e politikës nacionaliste sllavomaqedonase përdorin fjalën multietnik për të treguar karakterin e këtij vendi, term i cili relativizon në maksimum prezencën shqiptare këtu.

Nga ana tjetër, duke parë rëndësinë historike të projektit të propozuar për kryeqytetin e vendit të vogël ballkanik, kërkohet qasje shkencore dhe publike nga ana shqiptare këtu. Parë nga ky këndvështrim, projekti në fjalë duhet të bëhet çështje debati të gjerë shoqëror të shqiptarëve në gjithë shtrirjen e tyre gjeografike, nga Kumanova në Manastir. Çështja e simboleve apo ndërtimeve tjera publike në sheshin e Shkupit nuk ka dhe nuk mund të ketë karakter lokal, por ka dhe duhet të marë përmasa gjithëkombëtare.
Janë për tu përshëndetur qëndrimet e një numri të intelektualëve e historianëve shqiptarë të cilët në raste të caktuara kanë dhënë propozimet e tyre konkrete për këtë çështje. Shoqata e historianëve shqiptarë të Fyromit, katedrat e historisë pranë Universiteteve shqiptare në IRJM, intelektualët e vërtetë shqiptarë këtu duhet të jenë syçelë në këtë rast. Fakultetet e arkitekturës, shoqatat e arkitektëve shqiptarë, sociologët urbanë, filozofët mendjemprehtë, e shumë institucione e figura tjera nga Shqipëria dhe Europa perëndimore të bëhen detyrimisht dhe urgjentisht pjesë esenciale dhe konstruktive e debatit në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje sa më të mirë për interesin shqiptar në rastin konkret.
Për më tepër, është e domosdoshme kyçja e instituteve të historisë nga Tirana dhe Prishtina si dhe e akademive respektive të shkencave të cilat kërkohet të japin mendimin e tyre profesional shkencor për këtë rast. Shkenca shqiptare nga Tirana dhe Prishtina ti vijë në ndihmë elementit të pakët shkencor shqiptar të Maqedonisë shqiptare, në mënyrë që qëndrimi i përbashkët dhe propozimet shqiptare për projektin “Shkupi 2014” të jenë sa më shkencore dhe dinjitoze. Shoqëria civile shqiptare në IRJM nga ana tjetër, ti unifikojë qëndrimet dhe të bëhet krah i fortë i intelektualëve tanë dhe i palës shqiptare në qeveri, në mënyrë që të mbrohen vendosmërisht propozimet e bazuara shkencore. Kjo duket të jetë zgjidhja më e mirë dhe optimumi i mundshëm i aritshëm për çështjen në fjalë. Të bëhen gjithë bashkë duke filluar nga qeveritarët shqiptarë në poste të larta publike, opozita politike shqiptare, komunitetet tona shkencore, komunitetet civile dhe fetare shqiptare etj, në mënyrë që “Shkupi 2014” të fitojë përbërësin arkitektonik dhe kulturor shqiptar që i takon.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2010-03-09 23:04:19
tung :tegjithve ata qe e lexojn kete koment :o popull shqiptar a nuk ka ardhur koha qe kokat me te shquara patriotike shqiptare te deshmuar te mblidhen dhe te perpilojn nje kushtetut te perbashket per te gjith ne, qe te ket dhe organet e saja te kontrolit per per ata qe punojn dhe te denohen ata qe punojn kunder saj me regulla te sinqerta . gjithashtu te organizohet fondacion i perbashket per te shkolluar gjenit prej mosh 5-25 VJEC qe i zbulojn ato komisionet te atyre kokave shqiptare qe e din kush eshte . me respekt ..


International
English
Faqe interaktive