Faqe kryesore arrow Diktatura Komuniste arrow Nexhat Peshkëpia, i shquar dhe i panjohur
Nexhat Peshkëpia, i shquar dhe i panjohur PDF Print E-mail
21 Mars 2010

   Njërin nga shkrimet e mia me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Nexhat Peshkëpisë e pata titulluar “Prof. Nexhat Peshkëpia, penë e shquar e Diasporës”, kjo për dy arsye; e para se aktiviteti  tij letrar e kulturor u zhvillua kryesisht në diasporë dhe e dyta se atje është deri diku i njohur, ndërsa në Shqipëri lexuesi e njeh fare pak. Me këtë botim nuk kam marrë përsipër të paraqes figurën e tij poliedrike, por ta quaj si hap të parë drejt botimit të plotë të veprës së Nexhat Peshkëpisë. Ajo është e gjërë dhe përfshin krijimtarinë e tij letrare të cilën e konsiderojmë të zgjedhur e të përmbledhur tek libri i tij “Një zemër në mërgim”, quajtur dhe si xhevahir i letërsisë shqiptare, shtojmë këtu dhe librin “Fan Noli si poet dhe si poet përkthyes” si vepër me përmasa të plota për tu konsideruar vepër e mirfilltë kritike, si edhe veprën e tij voluminoze publicistike.

 

   Si biografi është lënë në libër ajo e shkrojtur nga Hasan Dosti i cili e njihte mirë duke e pasur shok fëmijërie, bashkëluftëtar e mik së bashku. Duhet saktësuar datlindja, gjë e vështirë tashmë kur familjarët bashkëmoshatarë nuk jetojnë më.
    Gjatë viteve 30-40 ai shquhet si një penë rebele kundër realitetit të atëhershëm, tipike kjo për atë brez “të humbur” intelektualësh. Theksojmë se ishte antizogist e antifashist sic e thotë vetë në një letër drejtuar Hasan Dostit. Meqë refuzuan veshjen e këmishës së zezë bashkë me të vëllain Manushin i transferojnë në Elbasan. Atje ai bie në sy për organizimin e rinisë antifashiste. Për aktivitetin e treguar survejohet dhe më 13 Shkurt 1940 arrestohet bashkë me pedagogët Ilmi Cico e Mihal Zallari. Nën presionin e protestat e kolegëve si edhe nxënësve të Normales mbas një kohe jo të gjatë detyrohen ti lirojnë.
   Gjatë gjithë pushtimit fashist aktivizohet me Ballin Kombëtar ku mbahet mënd si një nga përpiluesit e Dekalogut si edhe një nga eksponentët e Konferencës së Mukjes.
   Në vitin 1943 (5 Prill) gradohet  “ Profesor“ i grupit “A“ simbas rendit organik të administratës arsimore.
   Në ditët e fundit të Nëndorit 1944, 150 nacionalistë ndër ta  dhe Nexhati, largohen nga bregdeti i Shqipërisë së veriut me dy varka për në Itali. Për të filloi emigracioni i dhimbshëm që e ndoqi deri në fund të jetës. Më 1951 i pushkatojnë në Tiranë të
vëllain Manushin me 21 vetë të tjerë nën pretekstin e hedhjes se bombës në ambasadën ruse, ngjarje kjo e kurdisur nga sigurimi nën regjinë e Hoxhës e Shehut.
   Mbas jetës në kampet e Italisë në Santa Maria de Leuca, në Reggio Emilia e Cinecita afër Romës dhe endjeve në Francë, më 1956 shpërngulet definitivisht në SHBA. Pjestar të Komitetit “Shqipëria e lirë” e shohim Prof. Nexhatin gjithashtu përfaqsues të Shqipërisë në
 Asamblenë e Kombeve të robëruara të Europës ( The Assambly of Captive European Nations A.C.E.N. ). Natyrshëm militon tek “Vatra”. Atje, gjatë punës lidhet në  miqësi të ngushtë me Imzot Fan Nolin. Me të humbisnin në diskutime për letërsinë. Nolin si duket e kishte mahnitur horizonti i Nexhatit të cilit i drejtohej nëpër letrat që i shkruante “I dashur Vëlla”.
   Profesor Nexhati e shtyu Nolin të përkthente nga Hygo-i “A Villequier” (Vajtimi për të bijën). Në bisedat e tyre letrare zinin vënd letërsia franceze e persiane. Nga Hygo ata hidheshin tek “Gazhelet” e Hafizit, nga romantizmi i Mickievicz-it tek liriku Kasprovic, nga mistiku Lao –Tse tek stoiku Epiketet. Letërkëmbimi ndërmjet tyre do përbënte një thesar të vërtetë por ende nuk e kemi të plotë. Deri tani njohim disa letra që janë botuar në Amerikë dhe pesë letra të Nexhatit drejtuar Fan Nolit, botuar tek libri “Fanoliana“ nga Z. Nasho Jorgaqi në Tiranë
   Gjatë udhëtimit tim të parë në Amerikë me ndihmën e madhe të Z. Agim Karagjozi si dhe të zonjës së tij Rosi, sigurova një seri materialesh me rëndësi në të cilat gjeta mjaft gjurmë të aktivitetit të Nexhat Peshkëpisë. Si bashkëpuntor me të  ai më tregoi mjaft për jetën e Nexhatit. Më shoqëroi në ndërtesën ku ai kishte pasur zyrën, klubin ku takohesh me shqiptarët e restorantin e arabit që ai frekuentonte…
  Nga një letër që kishte marrë nga “Biblioteca dell`Istituto storico italiano per l`eta moderna e contemporanea” mendova se aty gjëndej koleksioni i gazetës “Shqiptari i lirë” të cilën ai e drejtonte deri në fund të jetës së tij. Dhe vërtet në rrugën “M. Caetani” në Romë shfletova pranë atij institucioni jo pa emocion këtë koleksion ku shpaloset pjesa më e madhe e publicistikës së tij. Afër Romës jetonte kunati i Ernest Koliqit Dr. Petro Vucani, i cili më dhuroi foton e cmuar ku Nexhati ka dalë në mes intelektualëve më në zë të Diasporës më 1968 kur mori pjesë në aktivitetet e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, foto të cilën po e botojmë në këtë libër. Ai me tregoi episode të ndryshme nga jeta e tij si emigrant si edhe bashkëpunimin e rëndësishëm që kishte pasur me “Shejzat” e Koliqit.
   Edhe korrespondenca me Janet Byron që po botojmë, është krejt e vecantë .Njohja e tij me Znj.Byron e ka zanafillën në vitin 1963, kur ajo e ndrojtur troket në zyrën e babait të saj të ardhshëm adoptiv për ti kërkuar ndihmë në mësimin e gjuhës shqipe.Këtë e mësojmë nga një letër që Prof. Nexhati i dërgon Prof.Ernest Koliqit. Nexhati fillimisht e ndihmon në leximin dhe shqiptimin e gjuhës.  Më vonë e përkrah duke e rekomanduar te miqtë e tij profesorët: Karl Gurakuqi, Stavri Skëndi, Martin Camaj, Arshi Pipa etj. në mënyrë që ajo të pregatitej sa më mirë për marrjen e doktoratës në gjuhësi indo-europiane duke mbrojtur  dizertarcionin mbi gjuhën shqipe. Ai përpiqet
 ta ingranojë znj Byron në jetën kulturore të diasporës. Kështu ajo mban një referat në një konferencë të organizuar nga ‘Vatra’ në Boston. Ai i krijon mundësinë dhe e nxit të botojë një artikull tek ’’Shejzat’’në Romë Janet Byron-i me sjelljen e saj, me inteligjencën e rrallë, me talentin për gjuhë dhe zellin për mësime i fitoi zemrën Prof. Peshkëpisë, i cili luajti rol të rëndësishëm në jetën e saj “tamam si një at i vërtetë”,sic shprehet ajo. Ai e quan bijë. Një afeksion i madh që vlente si mbështetje në tallazet e jetës së tyre. Ai sikur shuan mallin e dashurisë që ka për bijën e tij të vërtetë që ka në Shqipëri,që i përvëloi “Zemrën në mërgim” zhuritur larg gjithë dashurive. Emrin Janet e përpunoi në një mënyrë të atillë që në shqip të tingëllojë  si “shpirt i vogël”. Ai e quajti Xhanete.
   Nga letrat dërguar Byron-it zotëroj vetëm 13 copë. Sic do të shihni,në përkujdesjen dhe këshillat e tij vihet re jo vetëm qëllimi që ajo të mësojë në perfeksion shqipen por edhe orientimi i saj ndaj kulturës botërore ,të cilën ai e njihte si rrallë kush. Kjo vajzë inteligjente dhe e talentuar me premisa të qarta intelektuale, por me një natyrë të ndrojtur kërkonte mbështetje , inkurajim. Në letërkëmbim ne gjejmë shkëmbime mendimesh nisur nga gjërat më të rëndomta e deri për filozofitë, për të cilat sic thotë Byron-i kishin mjaft shije e preferenca të përbashkëta..
   Për të ruajtur autenticitetin, për të parë evoluimin gjuhësor të znj. Byron, gabimet gjuhësore (gramatikore ,ortografike etj) nuk janë korrigjuar. Përshtypje të bën nga ana e saj përdorimi i fjalëve të rralla e jo të zakonshme në të folurin e përditshëm.
   Materialet që disponoj m’i kanë siguruar në Amerikë z.Agim Karagjozi, Idriz Lamaj e Eqrem Peshkëpia të cilëve u jam shumë mirënjohës. Në të ardhmen me kompletimin e korespondencës së Prof. Nexhat Peshkëpisë si edhe të publicistikës së tij mendoj se do të kemi një përshtypje më të qartë për figurën e tij poliedrike, së cilës i ka ardhur koha të zërë vendin që meriton në letrat shqipe, në kulturën shqiptare dhe  në rreshtin e atyre që u rrahu zemra deri në fund plot dashuri për atdheun, lirinë, njerzit të cilëve ju përkushtua plot devotshmëri deri në frymën e fundit.
   Shpresoj se së shpejti ashtu sic është vepruar me figurat e tjera të Diasporës eshtrat e tij do të sillen në atdhe për tu rivarrosur me nderimet e duhura “për ti shuar mallin për atdhe, për të cilin u shkri si vesa…” 

Nga parathënia e librit "Nje zemer ne mergim" me autor z. Nexhat Peshkëpia  botuar nga  Gëzim Peshkëpia dhe Fatos Lubonja.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?