Faqe kryesore arrow Diktatura Komuniste arrow Cila kohe eshte fajtore...?
Cila kohe eshte fajtore...? PDF Print E-mail
18 Dhjetor 2006

Nga Pierre-Pandeli Simsia
Nju Jork

Skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë ajo e kishte shkelur që kur ishte vogëlushe 5 vjeçare, atëhere kur e ëma e saj këngëtare lirike në atë Teatër e merrte për dore, ndërsa shkonte të bënte provat e punës. Nëna këngëtare në atë kohë, duke parë talentin, zhdërvjelltësinë, zërin shpërthyes të një nga tre krijesave, fëmijëve të saj nuk kishte gabuar në atë çfarë mendonte, të ardhmen e vajzës së saj për të ecur në udhën e gjatë e të bukur të artit, veçanërisht në atë të këngës. Dëshira dhe parashikimi i nënës këngëtare në TOB në vitet e ardhshëm do t'i kalonte përmasat e atij parashikimi.


 

Ajo, fëmija e saj u rrit me skenen e TOB, ajo skene, ku përveç operave, valleve dhe poemave te ndryshme simfonike, do të zhvilloheshin edhe festivalet e këngës në RTV. Nga ajo skenë Shqipëria do të shpaloste artin dhe folklorin e saj nëpërmjet Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në atë skenë do interpretoheshin operat dhe baletet klasikë të autorëve të mëdhenj botërorë dhe autorëve shqiptarë.
Dhe erdhi një ditë që vajza e ish këngëtares së TOB të "pushtonte" atë sallë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTV në moshën e saj 13 vjeçare, duke marrë edhe çmimin e tretë në këngën që iu besua për t'a kënduar. Vogëlushja 13 vjeçare do rritej me skenën ku çmimet e ndryshme që merrte do ta shoqëronin gjithë kohën, deri sa erdhi një ditë... Derisa erdhi një ditë!.. Ah ajo ditë...!... Ajo ditë e mallkuar...!
Kulmin e saj të suksesit vogëlushja 13 vjeçare do ta arrinte disa vite më vone, atëhere kur mbi supet e saja të njoma kishin marrë udhën të çelte pranvera e saj e 17-të.
Dhe ajo do ta priste vitin e saj të lindjes, pranverën e 17-të si fituese e çmimit të parë në festivalin e kengës në RTV, mes dhjetra konkuruesëve të tjerë, këngëtarë të njohur dhe të suksesshëm të këngës shqiptare.
Në atë natë finale suksesi, duke interpretuar këngën fituese edhe pse u mundua, nuk e përmbajti dot veten në skenë, qau nga gëzimi ndërsa këndonte këngën e fitores, duke fshirë lotët me duart e saja të brishta që i rrëshkisnin në faqe.
U bë e dashur nga të gjithë ata që e panë në skenë dhe në televizor dhe ata që e dëgjonin zërin e saj në radio. U bë shumë popullore siç ishte edhe vetë ajo këngë fituese popullore, e kapshme dhe e kendueshme nga te gjitha moshat.
E papritura ndodhi edhe në vitin e ardhshëm. Përsëri mes konkurentëve të shumtë shpallet fituese e çmimit të parë në festivalin e këngës ne RTV. Fitorja e saj e dy çmimeve të para në aktivitetin më të rëndësishëm artistik kulturor të viti, siç ishte festivali i këngës në RTV, u duk se vajza 18 vjeçare me zërin dhe talentin e saj shpërthyes po shkonte të prekte majën e Olimpit. Vajza e brishtë, në kulmin e moshës së saj të formimit si njeri, artiste këngëtare, duke ecur e sigurtë drejt suksesit të saj të pakthyeshëm, ndoshta nuk e kishte menduar ndonjëherë se vendi, ku ajo u lind dhe u rrit kishte një të vetëshpallur Zeus, që priste koka njerëzish të pafajshëm, shkatërronte familje të tëra, degdiste në burgime dhe internime njerëz pa faj, priste kokat e atyre, që kërkonin të ngjiteshin në majën e suksesit...
Duke ecur në rrugën e suksesit nëpër vite vajza e re artiste këngëtare arriti moshën e saj 22 vjeçare, ku përveç gëzimit dhe lumturisë që po jetonte, Jeta e padrejtë do ta godiste fort. Papandehur, padrejtësisht, duke i shkaktuar një dhimbje të madhe, të thellë, të pamenduarën ndonjëherë, 22 vjeçares artiste në atë kohë do t'i ikte njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë njeriu i saj më i dashur, nëna. Ah dhimbja e nënës...!
Me gjithë helmin që po e pinte me kupë atë vit të dhimbshëm pas humbjes së nënës, ajo nuk e mendonte kurrë, se një kupë e pashtershme helmi, dhimbje dhe vuajtje do kalonte në vitet në vazhdim. Këtë radhë jo nga Jeta, por nga vetë Zeusi, që do shtrinte dorën me shpatën e tij të mprehtë (ishte ndryshe shpata e tij, ajo ishte Shpata e Diktaturës së Proletariatit) mbi trupin e saj të njomë për ta gjymtuar, për ta dënuar, për ta ''burgosur'', për ta arrestuar, për ta çuar në spitalin psikiatrik, për ta....
Pse?! Hë, pse! Ndalu beg se ka hendek. Ku kërkon të shkosh? Kërkon suksesin, majen e Olimpit? Maja e Olimpit më takon vetëm mua. Ashtu edhe ti si gjithë të tjerët, armiqtë e partisë, të vuash, të dënohesh. Ishte vazhdimësia e radhës e Zeusit që shpata e tij e mprehtë e Diktaturës së Proletariatit t'i "priste" kokën artistes këngëtare 22 vjeçare.
"Nuk na duhen këta njerëz me ideologji perëndimore... Ka plot njerëz të paaftë që mund edhe të këndojnë...." mendonte dhe thoshte Zeusi.
Dhe Zeusi për ta dënuar artisten këngëtare gjeti shkak një ditar, që vajza jetime me dhimbjen e humbjes së nënës kishte menduar të mbante ditar, duke menduar për vetë moshën e saj në atë kohë, se ditari do të ishte i vetmi vend, ku artistja te qetësonte pak dhimbjen e madhe për humbjen e nënës.
Ah ai ditar i mallkuar! Ah ajo vigjëlencë e klasës heroike punëtore që e kishte projektuar dhe skalitur Zeusi, duke infektuar një pjesë të mirë të njerëzve...
Ditari i artistes këngëtare të suksesshme do shkatërronte jetën e saj, familjen e saj, të ardhmen e saj, shëndetin e saj, psikologjinë e saj...
E mbetur e vetmuar, me familje të shkatërruar, e përbuzur nga shoqëria dhe miqësia..., vajza artiste këngëtare, nëna e dy fëmijëve të vegjël e të parritur, po kalonte kohën e saj më të vështirë, çmendurinë e saj, vrasjen e rinisë së saj. Po Po! Çmendurinë e saj. Dhuna psikologjike qe ajo po kalonte ato ditët e tmershme të arrestimit të saj në birrucat e ftohta të qelisë së burgut, ishin fillimi i vuajtjeve në ditët në vazhdim ku artistja këngëtare do ta pasonte me shtruarjen disa herë në spitalet psikiatrike.
Kjo ishte edhe kënaqësia e vetë Zeusit, kur e njoftonin se viktima e tij e gdhinte natën, poshtë pallatit të saj të banimit, duke pirë cigare, nën shoqërinë e fshirësve të rrugëve dhe të babait të saj që i rrinte pranë në çdo kohë, i pagjumë, i shqetësuar, i plagosur nga fatkeqësia e fëmijës së vetë.
Vitet kaluan, derisa erdhi një ditë që jo vetëm i vetëquajturi Zeus ngordhi, por edhe ajo që vetë Zeusi e ndërtoi po kalbej, po shkatërrohej.
E vetmja shpresë për artisten fatkeqe ishte largimi i saj nga atdheu i saj i dashur, ashtu siç po largoheshin pjesa më e mirë e shqiptarëve.
Në vitet e ngordhjes së kolerës diktaturë komuniste, artistja këngëtare bashkë me dy djemtë e saj të vegjël në moshë, e braktisur, udhëtoi drejt një bote të lirë dhe të qytetëruar, pa e ditur se ku po shkonte, kush do ta priste, ashtu si pjesa më e mirë e shqiptarëve, vetëm të ikte nga atdheu...
Pas një rruge të gjatë, të lodhëshme dhe të dhimbëshme, duke kaluar nëpër disa shtete perëndimore arriti në shtetin ku ishte shembur muri ndarës i dy botëve, në Gjermani.
''Fëmijët, i dua fëmijët t'i kem pranë. Ngado që të shkoj dua fëmijët e mi t'i kem pranë...'' thoshte nëna e dhimbsur, e vuajtura nënë në shtetin e huaj pa përkrahje. Dhe ngado që shkonte për të punuar në atë shtet të huaj dhe të panjohur, merrte me vete edhe ata, fëmijët, dy djemtë e saj ende të parritur.
Pas shumë vuajtjeve dhe sakrificave të mëdha, fati e solli që një ditë të gjente një strehë të re, të dashurin e saj të zemrës, mjekun e njohur me emrin Thomas, i cili do të ishte edhe bashkëshorti i saj i ardhshëm i jetës së saj, edhe kujdestari i dy fëmijëve që në atë kohë kishin më shumë nevojë për ngrohtësi prindërore.
Dukej se çdo gjë e kaluar ishte përmbysur dhe ata të gjithë së bashku po vazhdonin fillimin e jetës së re të sapokrijuar.
Artisten këngëtare e brehte diçka në shpirtin e saj që shpesh herë e ngacmonte edhe pse rreth vetes kishte ''mrekullitë e botës''
Atdheu i saj Shqipëria, populli i saj, kënga e bukur shqiptare që ajo i këndoi për vite me radhe ishin ngacmimi që e shoqëronin ngado artisten.
Donte t'i rikthehej vendit të saj me një mision, ndoshta edhe për të kënduar përpara publikut të saj që sa e sa herë i dhanë duartrokitjet e fuqishme në skenë.
Ajo iu rikthye vendit të saj me një mision tepër të rendësishëm, tepër humanitar, pa zhurmë, pa lavdërime, pa e ditur dhe pa ia rekomanduar askush.
Lufta në Kosovë në vitin 1999 u bë shkas që ajo t'i drejtohej vendit të saj me atë mision humanitar.
Çmendurisë së makinës vrastare serbe kundër vëllezërve dhe motrave të saja të një gjaku, kosovarë, i lindi edhe një ide e ''çmendur'' në kokë: I plasi revolta e hakmarjes dhe deshi të ndërmerte një aksion... Të shkonte ne Beograd e të sillesh rrugëve të atij qyteti të madh, deri sa të binte në gjurmët e kasapit Sllobodan. T'i bënte atentat që ta merrte vesh e gjithë bota në emër të të gjithë nënave, që çmendëria serbe po vriste bijtë e popullit të pafajshëm kosovar. Në këtë ndërmarje që kishte vendosur i vjen në ndihmë edhe bashkëshorti i saj, mjeku Thomas Keune, i cili së bashku me bashkëshorten e tij shqiptare kishte bërë planin e tij personal për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat e gruas së tij.
Nëpërmjet shumë të njohurve të tij gjermanë mundi të sigurojë ilaçe, ushqime, artikuj higjiene, sapun, shampo....etj. Filloi kështu aksioni personal i çiftit Keune, pa ndërhyrjen e askujt tjetër. Në një kohë rekord, per 5-6 ditë mblodhën afro 62 ton ndihma. Mirëpo si duheshin transportuar keto ndihma!? Thomas Keune (Tomi) bisedoi me Ministrine e Brendeshme Gjermane dhe siguroi 5 aeroplanë ushtarakë në dispozicion për ngarkesat e tyre në drejtim të Rinasi, që në atë kohë ishte bllokuar per avionat civil dhe ishte bërë bazë e Natos. Me një punë intensive dhe të shpejtë, sepse nuk priste koha, organizuan nga qytetet e ndryshme gjermane që i gjithë malli të mblidhej në Köln ku ishte edhe baza ushtarake e avionëve.Të gjithe atë transport me maune të mëdha spedicioni i paguan vetë ata, kurse për aeroplanët (i cili bënte vetëm 1 000000 DM një fluturim për në Rinas) që vetëm çifti Keune kishte pesë , e sponzorizoi ushtria gjermane per Tomin, Thomas Keune. Gëzimi i madh i çiftit shqiptaro-gjerman Keune ishte ngarkimi i të gjithë mallit nëpër aeroplanë dhe, në mesin e natës u nisën nëpërmjet Francës, meqenëse Nato bombardonte në orën 2-3 të mëngjesit. Nga dritaret e vogla të avionit ku rrinin ulur çifti shqiptaro-gjerman shikonin artilerinë e serbëve dhe të Natos që qëllonin në qiell. Lufta, bombardimet dhe të papriturat e saj u ishte bërë të qartë që më parë, prandaj edhe e firmosën vetë në rast të ndonjë të papriture, siç ishte vrasja e tyre, që do të thotë vdekje me deshirë dhe që shteti dërgues për qytetarët e saj nuk mbante përgjegjësi. Gjithashtu nënshkruan më parë edhe një testamentet, duke e noterizuar atë...
Gjithësekush e imagjinon dhe e mendon tani se cfarë tmerri kanë ndjerrë ata, ndërsa fluturonin mes reve dhe altilerisë. Më në fund arritën në Rinas. Koha nuk priste. Malli dhe dashuria për vendin dhe njerëzit e saj po e ngacmonte. Si nëpër ëndërr që kishte shkelur në tokën e saj shpejtonte për atë çfarë kishte ardhur. Aeroplanët gjermanë duhet të ktheheshin përsëri sa më parë dhe prandaj duhej shpejtuar që malli i sjellë të shkarkohej sa më parë. Si përgjegjëse e 62 ton mall të sjellë nga Gjermania për vëllezërit dhe motrat e saj të një gjaku, artisten këngëtare nuk e lejuan të dilte jashtë Rinasit. Në Aeroportin e Rinasit vinin aeroplanë nga e gjithë bota dhe sillnin bazat e tyre e që andej shperndaheshin për tokë nëpër destinacionet e tyre. Ç'të bënte shqiptarja humanitare? Merr në telefon disa nga njerëzit e saj që ta ndihmonin dhe me vështirësi dhe lutje të mëdha arriti që ata njerëz të hyjnë brenda në zonën e Natos, në Rinas. Këtë ndihmë ia kërkoi edhe policëve shqiptarë që ruanin depot e bazave të Francës,Gjermanëve..etj. Edhe pse kishte 10 ditë larguar nga fëmijtë e saj, Alina, vajza e saj në atë kohë ishte 4 vjeçe, duke ia besuar kujdesin e saj dy djemve Aldinit dhe Albinit e harroi për një çast atë çfarë kishte lënë atje, në Gjermani. Ishte gëzimi dhe suksesi i misionit të tyre humanitar që po e shoqëronin në ato çaste. Më në fund, malli i sjellë nga Gjermania për popullin e pafajshëm kosovar u shkarkua. Ishin 4 soba të mëdhaja për gatim, nga ato që përdorin ushtarët në pyll për të gatuar supën.
Duke menduar se çdo gjë po shkonte për mrekulli, sipas parashikimit të tyre, ditën tjetër u del një problem i madh. Malli i sjellë me peshë 62 ton duhej çdoganuar kundrejt një pagese doganore 25000 DM, sepse ai mall i sjellë ishte për popullin kosovar e jo për shqiptarët e Shqipërisë. Malli iu bllokua në Rinas. Frika se mos policët bënin diçka me mallin e tyre të sjellë i trokiste shpesh në ndërgjegjen e tyre. Po po! Mos t'ju duket çudi. Një gjë të tillë e ka pësuar edhe Dr. i nderuar Selahedin Velaj, kur një ndihmë të tillë personale Ai së bashku me djalin e tij Drinin fluturuan nga Amerika drejt Shqipërisë në fillimvitet 90-të për të sjellë medikamente të ndryshme për spitalin e Vlorës dhe hasën vështirësi të ndryshme...
Kështu çiftit Keune iu desh të paguante edhe policët... Çdo gjë më në fund u regullua. Malli i sjellë nga Gjermania filloi të dilte jashtë Rinasit. Nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, ata të dy vetë filluan shpërndarjen e mallit në pikat ku ishin refugjatët kosovarë, në Kopështin Botanik, Pallati i Sportit Partizani, ne dy spitale private prane atij ushtarak. Gjysmën e mallit i shpërndanë vetë ato të Ministrisë së Shëndetësisë, sepse koha po shkonte dhe ata ishin vetem, punonin ditë e netë pa pushar. I gjithë ai aksion i rëndësishëm humanitar është i filmuar. Gazetat gjermane në atë kohë nuk rreshtën së shkruari për çiftin Keune, duke e quajtur artisten këngëtare shqiptare nuse në Gjermani një HERO që merr një aksion të tillë, të rëndësishëm, të vështirë dhe të madh, aksion humanitar personal i asaj vetë dhe i bashkëshortit të saj gjerman... Lufta ishte e tmerrshme. masakrat ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës që ata shihnin nëpërmjet ekranit të televizorit ishin çnjerëzore. Ndjenja e thellë vëllazërore për popullin e vuajtur kosovar bëri që ata të mos llogarisnin asgje në ato çaste, as veten e tyre dhe as fëmijët që i kishin lënë vetëm. Nuk menduan asgjë edhe pse në një kohë rekord 12 ditë, bashklëshorti i saj Thomas Keune e mbylli fare firmën e punës së tij.
Herën e dytë, bashkëshorti i këngëtares Dr. Thomas Keune niset vetëm nga Gjermania në Shqipëri, pasi këngëtarja i ishte nënshtruar kurave mjekësore, që po kalonte një ftohje të rrëndë. Në dy maunet që Dr. Keune çoi në Shqipëri ndodheshin 2 salla operacioni; 20 krevate; 20 komodina; 10 karoca elektrike për të plagosurit e operuar, apo për të moshuar... Vajtja e tij e në Shqipëri për të dytën herë duhej edhe për t'u treguar kolegëve të tij se si funksiononin kompjutrat e sallës së operacionit. Në spitalin ushtarak e shoqëroi ndihmës mjekia e spitalit, yonja Afërdita Gazi.
 
Nuk u ka shkuar asnjëherë ndër mend të ulen e të bëjnë llogaritë e asaj ndihme, pavarësisht se ajo shumë ndihme ishte gjysëm milion marka gjermane vetëm malli, plus 5 aeroplanët dhe ato gjysëm milion marka. Edhe të tjera shpenzime si këto siç ishin transporti nga Gjermania ne Shqipëri dhe anasjelltas, plus edhe policët. Bashkëshorti i saj Tomi humbi dy javë pa bërë asnjë markë në punën e tij, por të gjitha këto nuk kishin rëndësi sa vuajtjet e vëllezërvet tane atje. Atë aksion humanitar në ndihmë të popullit vëlla kosovar ata e quajnë një aksion normal që ndërmorën ata të dy me një shpirt humanitar të madh. Është edhe kjo arësyeja që ata nuk kanë dashur të tregojnë, ndoshta edhe për mburje me atë çfarë kanë bërë.Çdo gjë ata kanë bërë është e protokolluar.
 Artisten këngëtare shqiptare e dënuar nga regjimi komunist shqiptar me banim sot në Gjermani e gëzon ndjenja se edhe pse grua kontribuoi pak për t'u ardhur ne ndihme vëllezerve dhe motrave të saja në kohën e vështire...
Dera e shtëpisë së saj në Gjermani qendron përherë e hapur për njerëz të njohur dhe të panjohur. Me dhjetra e me qindra janë emigrantët që kanë gjetur strehë në Familjen Keune në fillim të jetës së tyre të re në shtetin e huaj. Jo vetëm emigrantë shqiptarë, por edhe të huaj, turq, rumunë, boshnjakë, kroatë...
Janë të gjithë ata emigrantë dëshmitarë që nuk ia harrojnë kurrë Familjes Keune çdo të mirë që kanë bërë për ta. Kjo është edhe arësyeja që e duan, respektojnë, vlerësojnë më shumë shqiptaren artiste, jo vetëm si këngëtare, por edhe si humanitare...
Artistja këngëtare humanitare edhe pse prej vitesh jeton në shtetin evropian me familjen e saj atë e breh nga brenda shpirtit të saj lima e bezdisshme, rinia e vrarë, endra e mohuar nga regjimi komunist që ajo me të drejtë e quan kohë fajtore...
Duke e lënë pas atë kohë, ajo kërkon të nxjerrë nga sirtari përsëri zërin e saj, ëndrën e vrarë, talentin e madh në të kënduar, këngën e bukur shqiptare që e do marrëzisht...
25 vjetë, gjysëm shekulli zëri i saj i vrarë dhe i mohuar, ajo kërkon ta risjellë përsëri atë zë. Dhe ka shumë besim, sepse edhe pse i "burgosur" ai zë është më i fuqishëm se kurrë, më i kthjellët, më i ëmbël. Mund të jetë edhe zëri më i fuqishëm në botë që, pas 25 vjetësh heshtje, burgim, vrasje..., të jetë përsëri shpërthyes si në atë kohë, i pacënuar.
Përsëri në "ndihmë" i vjen bashkëshorti i saj gjerman Dr. Thomas, një shtytës dhe përkrahës i fuqishëm i talentit të saj. Edhe Dr. Thomas, diçka e breh nga brenda për bashkëshorten e tij këngëtare, ndërsa imagjinon një kohë të çmendur të pajetuar Ai vetë, kohën vrastare komuniste shqiptare...
Djali i saj i dytë Albini, është një tjetër përkrahës dhe bashkëpunëtor me nënën e tij këngëtare. Ashtu si edhe vetë nëna e tij edhe ai kërkon me zërin e tij të ecë në udhën e nënës së tij, pse jo edhe të kapë suksesin...
Dhe këngëtarja shqiptare i rikthehet përsëri publikut të saj, atij publiku që e kanë dashur dhe duartrokitur sa e sa herë. Jo në skenat e dikurshme shqiptare si atëhere, por në skenat e njohura evropiane, atje edhe ku janë bashkëatdhetarët e saj.
Dalja e saj në skenë me një zë të fuqishëm shokon, huton, gjithë bashkatdhetaret e saj. Ata, sikur nuk duan ta besojnë që e kanë aq pranë këngëtaren e tyre të dënuar padrejtësisht; po e shohin, po e dëgjojnë. Duartrokitjet e tyre asaj i japin forcë dhe krahë dhe ajo "fluturon" si një pulëbardhë në skenë me suksesin e saj të jashtëzakonshëm... "Të jetë kjo këngëtarja jonë e madhe me të njëjtin zë, si atëhere para 25 vjetësh...?! Bravo, bravo. Të lumtë motër, bravoooo"
Suksesi i saj jashtë kufijve shtetërorë shqiptarë duket sikur e zgjon shtetin e saj të kujtohet, që ka pas qenë dikur një këngëtare e sukseshme, fituese e shumë çmimeve, e dënuar dhe që vazhdoka të këndojë me të njëjtin ritëm si 25 vjetë më parë.
Një ftesë drejt Gjermanisë për këngëtaren nga organizatorët e spektaklit "100 Këngët e Shekullit" (Kështu u quajt ai spektakël i përjavshëm që u zhvillua në Tiranë vitin e kaluar, por që nuk ishin kurrësesi 100 këngët e zgjedhura, për t'u quajtur Këngët e Shekullit të zgjedhur për atë spektakël, duke lënë shumë e shumë këngë të tjera të bukura e të suksesshme nëpër vite. Edhe zgjedhja e këngëtarëve nga organizatorët e atij spektakli për të interpretuar ato "Kengë të Shekullit" ishte e gabuar) bëri që ajo ta riputhte përsëri skenën shqiptare përpara spektatorit shqiptar. Këngën "Si Agim i Kuq" edhe pse e kishte kënduar para 33 vjetëve duke fituar çmimin e dytë në Festivalin e 12-të të Këngës në RTV, në atë spektakël këngëtarja e këndoi pa më të voglin ndryshim dhe sforcim, njësoj si atëherë. Po kështu edhe këngët e tjera të kënduara nga ajo vetë shumë vite më parë, "Njerëzit e Agimeve", "Këngët e Rinisë"... u kënduan me të njëjtin vokal dhe timbër si atëhere. Jo vetëm publiku, por edhe vetë ata, organizatorët e atij spektakli sikur nuk donin t'u besonin veshëve të tyre për c'farë po dëgjonin, zërin e saj...
"Jam rritur me skenën dhe dua të vdes në skenë..." do thoshte këngëtarja përpara të pranishmëve në atë spektakël. Fatkeqësisht, zëri i saj po "vritet" edhe tani në këtë kohë demokratike që po kalon vendi dhe populli i saj dhe me atë vrasje që po i bëhet zërit të saj sikur duan ta rilargojnë përsëri nga skena e të kënduarit, për të mos e lënë të vdesë në skenë...
Menjëherë, pas "Këngëve të Shekullit" i premtuan rikthim në skenën e madhe të Festivalit të Dhjetorit dhe këngëtarja fluturimin Gjermani Shqipëri e bëri disa herë me shpenzimet e veta. Nuk u kujtua njeri për shpenzimet e saja se.... dihet...çdo emigrant ka të ardhura, ndërsa, ata të Shqipërisë janë për të qarë hallin...
Nuk do vononte shumë që këngëtarja të merrte zhgënjimin e saj të madh, duke ia lënduar dhe gërvishur përsëri atë plagë të vjetër. Mospjesëmarja e saj në Festivalin e Dhjetorit, u justifikua për mossjelljen në kohë të këngës, kur dihet, që në festivale kënga u jepet këngëtarëve nga juria për t'u kënduar dhe jo të sillet nga vetë këngëtari.
Një vit tjetër i ri plot ëndra dhe shpresa do kalonte këngëtarja bashkë me djalin e saj këngëtar për të pritur sërish Dhjetorin, muajin e Festivalit të madh shqiptar, festivalin e vazhdimësisë.
Dhe përsëri ata të dy do fluturonin disa herë nga Gjermania për të shkuar andej, nëpër Evropë, ku ka shqiptarë për të dhënë koncertet e tyre të suksesshme. Brezi i sotëm i ri, ata që janë fëmijtë e saj në moshën e tyre, e dëgjojnë dhe e shohin për herë të parë të këndojë dhe kanë të drejtë të mahniten dhe të mrekullohen, ndërsa dëgjojnë shpërrthimin e atij zëri...
Me gjithë vështirësistë ekonomike që ka sot nxjerrja në treg e një krijimi letrar, artistik, muzikor, këngëtarja këtë vit mundësoi të nxjerrë albumin e saj të parë me këngë të reja, të padëgjuar ndonjëherë.
"Kthimi" e quajti këngëtarja albumin e saj, fjalë, që është edhe vetë titulli i një prej këngeve të atij albumi, tekstin e së cilës këngëtarja e ka shkruar vetë: "I'u nisa unë një rruge përpara një drite/ Shkëlqimi më thërriste, doja të arrij./ Dhe isha shumë e re, e pasionuar/ kjo rrugë u mbyll një ditë, gjithshka m'u errësua/ I ngrita syte, drita ishte fikur, Njerëzit rreth meje, të gjithë kishin ikur/ E vetme unë mbeta, Kisha një dëshirë, Atë dritë prap' ta gjeja, Mos të rrija n'errësirë/ Mësova se ç'është vetmia, Shpresën e gjeta te krahët e mija, Dhe një rrugë tjetër kërkova, Atë zhgënjim unë ta harroj/ Dhe kjo rrugë ishte e gjatë, por këtë herë ajo s'u pre, Dritën time e arrita dhe ja, ndjehem prap' e re./ Sonte mes jush jam përsëri dhe dritën në dorën time mbaj, sonte për ju këndoj, me forcë e me zjarr, me zjarr".
Dhe ja, erdhi përsëri Dhjetori i këtij viti 2006. Zhgënjimi, në vend që këngëtarja ta harroj, ai po endjek përsëri pas, për të mos kënduar për spektatorin e saj shqiptar.
Pas disa fluturimeve vajtje ardhje Gjermani Shqipëri, përsëri me shpenzimet e veta, duke iu besuar fjalëve të drejtorit dhe organizatorëve të festivalit të Dhjetorit, këngëtarja nuk donte t'i besonte veshëve të saj për ato çfarë dëgjonte. Çfarë të ishte kjo, hipokrizia e organizatorëve të festivalit apo prerje në besë?! Në fillim i thanë se do këndosh në festival. Pastaj i thanë se vetëm do ta përshëndesësh festivalin. pastaj i thanë, jo përshëndetje, vetëm një strofë të një kënge tënden fituese dhe me në fund... Nuk do jesh fare në festival.
Përse kjo sjellje ndaj kësaj këngëtareje të suksesshme dhe të dënuar padrejtësisht, që fatmirësisht me të njëjtin zë shpërthyesvazhdon të këndojë?
Përse të mos jetë edhe kjo këngëtare ashtu si çdo vit kur janë të ftuar dhe përshëndesin festivalin këngëtarë e vjetër të suksesshëm? Po kjo këngëtare nuk është njëra prej atyre këngëtarëve që i ka dhënë shumë skenës dhe këngës shqiptare? Pjesëmarrëse në 10-të festivale këngësh në RTV, dy herë fituese e çmimit të parë në ata festivale dhe pothuajse në çdo festival fituese e çmimeve të dyta dhe të treta, Pa përmendur këtu edhe aktivitetet e tjera muzikore si pjesëmarrëse në anketat muzikore, Koncertet e majit, festivalet e ushtarit, festivalet e kenges popullore shqiptare...
Mos vallë vazhdojnë akoma persekutimin e këngëtares?
Fëmijtë e saj tani janë në moshë madhore dhe me të drejtë e pyesin nënën e tyre, që as ajo vetë nuk di si t'u përgjigjet: "Çfarë kanë ata me ty mami? Pse sillen ata kështu me ty?"
Me çfarë gjuhe duhet t'u flasë ajo fëmijëve të saja, dy djemve Aldinit dhe Albinit, si dhe vajzës së saj Alinës?
Si duhet t'i përgjigjet ajo bashkëshortit të saj, zotit Thomas Keune kur e pyet: "Përse veprojnë kështu ata me ty"? T'i thotë prapaskenat dhe pazarllëqet që bëhen në prag festivali apo t'i thotë që drejtori i festivalit zoti Edmond Zhulali e priti në zyrën e tij, i premtoi gjithshka dhe më në fund... harroi ato çfarë kishte premtuar.
Me çfarë gjuhe duhet t'i flasë ajo tani edhe mbesave të saj për vendin e gjyshes së tyre? Çfarë duhet të dëshmojë, rininë e saj që ia vranë padrejtësisht apo injorimin dhe arrogancën e organizatorëve të festivalit?
Këngëtarja me të drejtë pyet veten e saj: "Cila kohë është fajtore me mua? Koha e perënduar apo koha që jetojmë?"
Për këngëtaren nuk ka rendesi të këndojë apo jo në festival, të përshëndesë apo jo spektatorin, megjithëse ajo këto i dëshiron shumë, shumë.
E rëndësishme për të është që ajo i këndon përsëri vendit të saj, publikut të saj që e duartroket dhe e falenderon, ne Shqipëri dhe në skenat e tjera botërore.
Çdo gjë, ajo e bën me dëshirën dhe vullnetin e saj, me ndjenjën e saj, pa e menduar ndonjëherë për një çmim apo dekoratë...
Dekorata dhe çmimi më i bukur për të është vlerësimi që i bën publiku, populli i saj i mrekullueshëm dhe i kulturuar, sepse ajo ka një emër të njohur dhe të nderuar;
  Ajo quhet ALIDA HISKU, KEUNE

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-01-02 13:10:07
nene me zemer te madhe ku vetem nena mund ta kete 

Koment nga GUEST më 2007-01-02 13:10:37
Desha tju falenderoj, nga thellesia e zemres cifitn KEUNE si dhe ju Pierre-Pandeli Simsia per ndihmat e kontributin tuaj kundrejt popullit tone te dashur e te vuajtur nga dora e zeze e komunistve, me lot e lexova artikullin e me dhimbje te madhe, jane akoma rrenjete e kommunizmit qe me menyra te ndryshme pengojne daljen e artistes tone te dashushur, ju uroj jete te gjate te gjithe te familjes Keune dhe uroj gezuar vitin e ri te gjithe shqiptarve kudo qe ndodhen Poshte dora e zeze e komunizmit Rrofte Shqiperia e bashkuar me Kosoven

Koment nga GUEST më 2007-01-09 11:59:51
Zoti Pierre-Pandeli Simsia ju falenderoj me gjithe shpirt per kete shkrim kaq prekes dhe te shkelqyer qe na ke dhene. Je nje penearte te te shkruar. Kam lexuar shume shkrime nga ju dhe jeni i madherishem ne cdo gje qe shkruani. Ke bere shume mire qe ke shkruar per yllin e muzikes shqiptare Alida Hisku qe dora vrastare gjakatare komuniste shqiptare qelloi edhe atehere mbi Aliden 22 vjecare, duke i shkaterruar jeten, endren e saj te ardhme. Te vjen keq per shtetin shqiptar qe akoma e le e harrese Alida Hiskun. 
Me vjen mire qe Alida paska gjetur njeriun e saj te jetes nje doktor me shpirt te madh dhe humanitar. 
Zoti e bekofte ciftin Keune. 
Zoti te bekofte edhe ty zoti Simsia qe nuk pushon kurre se shkruari.


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?