Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Mid'hat Frasheri, sherbestari i Shqiperise
Mid'hat Frasheri, sherbestari i Shqiperise PDF Print E-mail
30 Mars 2010

Adriatik Alimadhi

 Lindur bashkë me Lidhjen e Prizrenit, në atë kohë kur lindnin shpresat për një mëmëdhe të lirë dhe rritur me frymën e nxehtë të Ringjalljes Kombëtare, ishte e shpjegueshme që Mid’hat Frashëri të bëhej fanatik i një feje, pra i fesë “Shqipëri”. Dhe këtij kulti ia kushtoi të tërë punën, të tërë jetën e tij, për një gjysmë shekulli, veprimtaria e këtij fanatiku shqiptar shtrihet në të gjitha drejtimet e jetës kombëtare. Mid’hat Frashërin e interesonte çdo gjë që lidhesh me jetën Shqiptare, me gjuhën, me historinë, me nevojat e vendit, me çështjet e Shqipërisë. Që në rininë e hershme të tij, Mid’hat Frashëri u rrit dhe u edukua me ndjenjat e vyera të atdhedashurisë , me mallin e pashuar për Frashërin,  vendlindjen e të parëve të vet, si dhe me idetë për ta parë Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e pushtuesve. Babai i tij Abdyl Frashëri, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, internohet dhe burgoset, dhe i dënuar me vdekje, nuk pranoi ti lutet Sulltanit për falje jete, në gjyq, ai do të shprehej: Mbretit nuk i sillem për të kërkuar mëshirë: Një dëshirë të vetme kam për të shprehur, që Mid’hat Frashëri, djali im, në ka ndër deje gjakun tim, dua të vazhdojë veprën time, që unë bëra detyrën ndaj kombit tim.

 

Kështu që Mid’hat Frashëri i vogël vihet nën kujdesin e vazhdueshëm të dy kolosëve të letrave dhe të atdhetarisë, Sami dhe Naim Frashëri. Të dy këta burra të shquar, të cilët me veprat e tyre dëshmuan guximin e të qenit shqiptarë të vërtetë, me mësimet dhe porositë e tyre, me atë se çfarë transmetuan tek Mid’hat Frashëri, kanë padyshim vlera të pallogaritshme. Zakoni, tradita familjare, që kishte marrë në rininë e tij ishte të këshillonte Shqiptarët të donin vendin e tyre, të bëheshin punëtorë të mirë e të urtë,,të ruanin me dhembshuri trashëgiminë kombëtare, ishte i thjeshtë e madhështor, të fliste më shumë me sy sesa me gojë, ishte i pastër. Nuk i’u jepte rëndësi premtimeve, sa veprimeve. Të gjitha punët e vogla dhe të mëdha, ia fali çështjes së kombit të lirë, sepse ishte çështja më fisnike të cilën e kishin zgjedhur më parë frashërllinjtë . Erdhi koha e Mid’hat Frashërit. Ende i ri në moshë, kur ishte vetëm 17 vjeç, Mid’hat Frashëri do të jepte shkëndijën e parë, se kishte nisur të ecte në udhën e ndritur të frashëllinjve. Në një letër që ai i dërgonte patriotit tjetër, Ibrahim Temos, midis të tjerave do t’i thoshte se ai e pati zgjedhur rrugën e vet, atë të shërbestarit të kombit, ky zotim i tij në jetën politike për mbarësinë e Shqipërisë ishin frymëzim i familjes sonë kombëtare të frashëllinjve. Tradita familjare, pjekuria politike, diplomatike e Mid’hatit, do të dukej qartë, kur ai ishte vetëm 28-vjeç, dhe zgjidhej në Kongresin e Manastirit, si kryetar i këtij Kongresi. Së bashku edhe me patriotë të tjerë shqiptarë ai do të luftonte për shkronjat shqipe, duke luftuar për kauzën e shenjtë të renditjes së Shqipërisë në familjen e popujve modernë të Evropës. Pjesëmarrja dhe nderimi i tij në këtë Kongres, si dhe botimi në Selanik i gazetës “LIRIA” në vitet 1908-1910, do të bënin që emri i Mid’hat Frashërit të përcillej tanimë me respekt, jo vetëm në qarqet intelektuale, por edhe ato atdhetare të Shqipërisë në ato vite. Një ngjarje tjetër kulmore në historinë e popullit tone, ishte lufta për shpalljen e pavarësisë, do ta përfshinte në vorbullën e saj edhe Mid’hat Frashërin. Përpjekjet e tij me vendet përparimtare të Evropës së qytetëruar, do ti përcillte në mënyrë të natyrshme me takimet që bënte me burra të tillë si: Ismail Qemali, Dhimitër Berati, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Myfit Bej Libohova, Luigj Gurakuqi, Stil Mosi, etj. Ka qenë veprimtaria e tij, ajo që pati lënë gjurmë të thella në qarqet patriotike, e cila bëri që si rrallë ndonjëherë në historinë tonë, Mid’hat Frashëri, të zgjidhej delegat për në Vlorën e 28 nëntorit të vitit 1912, i propozuar nga tre krahinat. Këto krahina të cilat patën për nder të përfaqësoheshin nga Mid’hat Frashëri ishin: Kosova, Gjirokastra dhe Përmeti. Përgjegjësia e madhe politike dhe morale, të cilat i pati ndjerë qysh në fillim, bënë që biri i denjë i Frashërit të ndihmonte me mish e me shpirt lëvizjen autonomiste shqiptare dhe më pas ai do merrte përgjegjësit si Ministër i Punëve Botërore në të parën Qeveri shqiptare. Në fillim të viteve 20 të shekullit që lamë pas, Mid’hat Frashëri do të kryesonte disa delegacione shqiptare në Paris, Lozanë, Gjenevë, etj...duke u shndërruar në një shtyllë të fuqishme për çështjen tonë kombëtare. Qoftë në seancat e Lidhjes së Kombeve, qoftë edhe në ato të Konferencës së Paqes, zëri i tij do të gjëmonte fort në mbrojtje të interesave të nëpërkëmbura të kombit të vet.   
Oratoria e rrallë dhe ajo frëngjishtja ekselente, do të bënin që kancelaritë evropiane të dëgjonin me vëmendjen e duhur këtë diplomat dhe shqiptar të shquar. Por ajo që dua të theksoj në këtë fjalë është fakti, që tërë këtë veprimtari të madhe atdhetare, Mid’hat Frashëri e ndërthuri dhe e plotësoi më tej, duke shkruar një varg artikujsh polemikë nëpër gazetat më prestigjioze të Evropës. Pikërisht në këtë periudhë, ai do të shkruante dhe do të botonte në frëngjisht veprat monumentale si ”Shqiptarë dhe Sllavë” apo “Shqiptarët brenda dhe jashtë vendlindjes”, “Çështja e Epirit” apo “Rivendikimet Italiane”. Gjithë kjo veprimtari kombëtare, bëri që në vitet 1923-1926 shteti shqiptar ta emëronte Mid’hat Frashërin në funksionin e Ministrit Fuqiplotë në Athinë. Në këtë funksion kaq të rëndësishëm, Mid’hat Frashëri do të ishte i qartë të shpaloste idetë e tij atdhetare, ëndrrën e madhe të gjithë patriotëve shqiptarë, se pa Kosovë dhe Çamëri, nuk ka Shqipëri. Në 3 shkurt 1923, në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Ministri i Shqipërisë, Pandeli Evangjeli është shprehur se “cilësitë që e dallojnë këtë diplomat, është zelli i tij dhe përkushtimi i tij, më japin sigurinë se ai do të bëjë çmos për të rifituar nderin dhe respektin e Shkëlqesisë Suaj”. Periudha e tij të qenit si Ministër Fuqiplotë në shtetin helen, ka koiciduar me dhunën e pashembullt të Athinës ndaj banorëve shqiptarë të Çamërisë. Këtë dhunë, Shqiptari i madh u përpoq ta ndalte me të gjitha mjetet, duke zbutur kështu në një farë mënyre plagët e shqiptarëve etnikë në viset e Çamërisë. Në një letër të Mid’hat Frashërit drejtuar Ministrit tonë të Punëve të Jashtme z.Pandeli Evangjeli më 21 prill 1924, shprehet se Qeveria greke i konsideron shqiptarët mysliman turq, u rrezikon shtëpitë, u merr tokat dhe pasuritë dhe i detyron të ikin refugjatë. Për këtë ministri fuqiplotë i Shqipërisë i ka paraqitur mbi 200 nota Qeverisë Greke. Korrespondenca më e madhe e ruajtur e administruar dhe e pasqyruar saktësisht në vitet 1923-1926, tregon inteligjencën, diplomatin, atdhetarin, shpirtin e një patrioti të madh të familjes sonë kombëtare të frashëllinjëve ndaj kulturës dhe çështjes shqiptare. 
Në këtë frymë, Mid’hat Frashëri për të mos dëmtuar asnjë vlerë dokumentare dhe kombëtare, shitjen e pasurisë së frashëllinjve, për kombin shqiptar, ai la testamentin e tij në 4 mars të vitit 1929. “Ç’kam pasuri timen të tundshme apo të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka, etj, lë për krijimin e një “ISTITUTI ALBANOLOGJIJE”, që të jetë një qendër e studimeve shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë, të qendërzojë dhe të udhëheqë një studim që t’i përkasin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjithë pasuria sa më ka mbetur nga im atë dhe nga ungjërit e mi dhe që sot formojnë muzeun tim familjar, dëshirojmë të ruhet pranë këtij ISTITUTI”... I zbardhur mbi libra dhe nuk mërzitej edhe pse ishte librashitës, dyqani dhe shtëpia e tij ishin bërë faltore, dhe plaku i bardhë dukej si kryefetari i një misioni të caktuar prej vetë perëndisë. Libraria e tij në Tiranë ishte një shkollë shqiptare ku bisedohej për jetën kombëtare, nxënës, mësues, shkollar të çdo dege, njerëz të mësuar dhe të pamësuar hynin në librarinë e tij si në shtëpinë e tyre. Dikujt i jepte një këshillë, tjetrit i tregonte diçka nga ajo që kishte parë dhe dëgjuar, dikujt i thoshte se sa të shkathët ishin shqiptarët jashtë Atdheut. Pastaj binte biseda për Kosovën. Aty rrëmohej plaga më e madhe e tij dhe Mid’hat Frashëri fliste orë të tëra për Kosovën dhe kosovarët, i tregonte ngjarjet një e nga që nga Lidhja e Prizrenit, ”Shqipëria Etnike” thoshte me mallëngjim, duhet të punojmë për ta bërë Shqipërinë etnike dhe sytë e plakut mbusheshin me lot. Rrebeshi i prillit të vitit 1939 shkundi nervat e tij dhe i dha forcë të riu të kuptojë se po hapej një periudhë e re për Shqipërinë, i pëlqeu të hidhte hapin e parë me hovin e një djaloshi, afroi patriotët e vjetër, afroi të rinjtë e ndezur, afroi arsimtarët, intelektualët dhe u tha të shtrëngoheshin për një luftë të gjatë.   

Ka qenë tradita e frashëllinjve, pjekuria politike, guximi atdhetar i Mid’hatit Frashërit, këta faktorë që nxitën atë të kundërshtonte energjikisht 7-prillin e zi, pushtimin e vendit tonë nga okupatori italian. Dy javë pas këtij pushtimi, kur pa se qeveria kukull shqiptare po i shiste parimet atdhetare, në bashkëpunim edhe me Hasan Dostin, Fuad Dibrën, Faik Qukun dhe Lef Nosi, Mid’hat Frashëri ideoi dhe filloi nga puna për krijimin e frontit të rezistencës kundër pushtuesve italianë. Ky front do të mblidhte në gjirin e vetë ajkën e patriotizmit, atdhetarët dhe inteligjencën shqiptare, lidhjen gjenetike me familjen e frashëllinjve, kjo përbërje më pas u quajt: “Organizata Balli Kombëtar”. Trakti i parë i hedhur nga fronti i rezistencës në ditët e fundit të prillit 1939, i cili titullohej “Nacionalizma Shqiptare”, në tetë pikat e saj shprehte në mënyrë shumë të qartë, se shqiptarët nuk do t’i reshtnin për asnjë moment përpjekjet e tyre për të çliruar atdheun nga okupatori, dhe do të ndërtonin më pas një shoqëri demokratike sipas modeleve të Evropës së qytetëruar. Të ruajë kufijtë e saj etnikë, të mbledhë në një Atdhe djemtë e saj, “Nacionalizma Shqiptare” dëshiron që parimet e saj të jenë patriotike dhe mundohet ta shtojnë e ta forcojnë këtë patriotizëm. Të njëjtat ide të “Nacionalizmës Shqiptare” u përcollën më pas tek “DEKALOGU” i Ballit Kombëtar, në vitin 1942, duke u dhënë ideve një përshtatje sa më të qartë me momentet që po kalonte vendi. Ky atdhetar, në pikat e para të “DEKALOGUT”, do të hidhte me penën dhe mendjen e tij se luftojmë për flamurin kuq e zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar, luftojmë për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike, me bazë shoqërore moderne, luftojmë për një Shqipëri, ku do të mbretërojë liria e fjalës dhe e mendimit. Mid’hat Frashëri i vuri detyrë vetes e shokëve, të fitonin Shqipërinë e humbur, ai dëshiroi Shqipëri etnike, të bashkuar dhe të vëllazëruar. Por kjo nuk u realizua sa ai ishte gjallë, ashtu sikundër nuk u realizuan edhe dëshira të tjera të patriotëve tanë, zemra e të cilëve lëndohej tek shihnin se si vuante atdheu i tyre nga murtaja komuniste. Jo vetëm unë, por shumica e historiografisë shqiptare, sot është e bindur se të dy këto dokumente me vlera të mëdha për gjithë kombin shqiptar, mbajnë vulën e mendimit të Mid’hat Frashërit. Si “Nacionalizma Shqiptare” ashtu edhe “Dekalogu” përcaktuan dhe përbëjnë veprim për krejt nacionalizmin shqiptar. Ky nacionalizëm u shfaq si marrëdhënie vëllezërish edhe me shqiptarët e tjerë dhe për këtë, vlera dhe merita i takon pa dyshim shërbestarit të Shqipërisë, Mid’hat Frashërit. Mukja, 2 gushti i vitit 1943 nuk mund të vinte rastësisht, ajo vinte nga fryma e bashkimit të shqiptarëve qysh nga Kuvendi i Lezhës dhe Lidhjes se Prizrenit. Edhe në këto momente të vështira, i biri i Abdyl Frasherit, Mid’hat Frashëri me patriotë të tjerë e panë plotësisht të arsyeshëm bashkëpunimin me komunistët duke kërkuar bashkimin si një trup i vetëm në luftën kundër okupatorit dhe më pas vendosjen e pluralizmit politikë në Shqipëri. Ka qenë kjo arsyeja që Mid’hat Frashëri e përgatiti me kujdes këtë takim dhe me përgjegjësinë e plotë për fatet e kombit të tij. Mukja u kuptua prej burrave të atëhershëm të kombit tonë si moment kyç në historinë e bashkimit të gjithë shqiptarëve. Mid’hat Frashëri u përpoq me të gjitha format edhe mbas prishjes së kësaj marrëveshje nga sllavo-komunistë t, që në Shqipëri të mos ndodhte gjakderdhje, që vëllai të mos vriste vëllanë, që djali të mos vriste babanë,por kjo ishte e pamundur. Sido qoftë rrjedha e ngjarjeve të luftës së dytë botërore kishin përcaktuar në një farë mënyre fatin e shqiptarëve. Triumfi i së ashtuquajturit internacionalizë m proletar ishte në krahun e kundërt të nacionalizmit të kulluar shqiptar dhe kjo ka qenë arsyeja, që për ti shpëtuar barbarizmës komuniste, Mid’hat Frashëri me dhjetëra nacionalistë të tjerë, morën rrugën e hidhur të mërgimit. Në 28 nëntorin e parë në mërgim, Mid’hat Frashëri i mbledh shqiptarët në Gruma të Italisë dhe iu tha, ”nga lind dielli gjendet Shqipëria, drejtoni sytë e trupin dhe shpirtin nga Atdheu i robëruar”. Në Itali, Francë dhe SHBA, zemra e Mid’hat Frashërit, rrahu me të njëjtin shqetësim për çështjen tonë Kombëtare Shqiptare. Më 26 gusht të vitit 1949, zgjidhet në krye të Komitetit “Shqipëria e Lirë” duke dashur të ndikojë sa më shumë në kancelaritë e vendeve demokratike, për të shembur një orë e më parë, telat me gjemba pas të cilave komunistët e Tiranës dhe ata të Beogradit gjakosnin gjeneratat e vjetra e të reja të nacionalistëve shqiptar. Dikush e pyeti në mërgim, se emrat e të gjithë baballarëve i shohim në internat e gazetave, po emri juaj, ai i përgjigjet, -djalë shqiptar, djalë shqiptar, biri im; dhe kështu mbeti deri në fund të jetës shqiptar i vërtet. Mid’hat Frashëri , deri në momentin e fundit të jetës së vetë, ka qenë dhe mbetet jo vetëm në rrugën e ndritur të frashëllinjve, por shërbëtori më besnik i kombit shqiptar. Dy periudha me rëndësi në vazhdimin e historisë shqiptare patën protagonist atë e birë, Abdylin dhe Mid’hat Frashërin. Babait të tij i caktoi historia për të përmbajtur me fuqi Shqipnin e të katër vilajeteve, Mid’hat Frashëri i vuri detyrë vetes e shokëve të fitonin Shqipërinë e humbur, Shqipërinë Etnike. Ishte krenari në historinë e Shqipërisë, që frashëllinjt të dilnin në Ballin e Kombit në kohët e rrezikut. Rrallë herë paraqitet rasa të kujtojmë, përkujtojmë, nderojmë një familje si kjo e Frashëllinjve, e cila i fali pishtarin kombit shqiptar,kjo e përcaktoi djalin e Abdyl Frashërit të ecte me zotësi në rrugën e të atit, në rrugën e frashëllinjëve. Vetëm vdekja e shkëputi Mid’hat Frashërin nga detyrat e veta, të familjes kombëtare të Frashëllinjëve, kjo shënonte një humbje për ardhmërinë e shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij, tërë ajo ç’ka Mid’hat Frashëri pati bërë për Shqipërinë, meriton pa dyshim një përcjellje tjetër të këtij burri të shquar të frashëllinjve. Ai lindi në vitin 1880 në Janinë, brenda kufijve të Shqipërisë etnike dhe mbylli sytë shumë larg atdheut në Amerikën e largët. Shërbestari i Shqipërisë, besonte me devacjon fetar se: “Dita e shqiptarëve” do të vijë!

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2010-04-01 13:29:34
NDER DHE LAVDI TE PERJETSHEM SHERBERESTARIT TE SHQIPERISE ETNIKE, BIRIT TE DENJE TE FRASHELLINJVE MITHAT FRASHERI.JU PERSHENDES ZOTNI ALIMADHI PER KETE ARTIKULL.


International
English
Faqe interaktive