|
Në përvjetorin e rënies së dëshmorëve Arben e Luan Qerimaj nga Gllogjani

Dymbëdhjetë vjet, përkatësisht njëmbëdhjetë vjet më parë, ranë për liri luftëtarët e denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit Arben Qerimaj, luftëtar i dalluar i Shtabit të Gllogjanit dhe Luan Qerimaj, zëvendëskomandant i Batalionit të Dytë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” dhe komandant i Njësisë “Komando” të kësaj Brigade. Bashkë u rritën, bashkë ushqyen ëndrrat për liri, bashkë luftuan dhe çuditërisht të dy ranë heroikisht në të njëjtën ditë, më 26 maj, të viteve 1998 dhe 1999, duke hyrë bashkë në përjetësi.
Fatin e vet e kishte lidhur ngushtë me fatin e luftës për liri
Arben Qerimaj, u lind më 11 gusht 1976, në një familje me tradita atdhetare në Gllogjan të Deçanit. Qysh si fëmijë e rëndoi pesha e regjimit serb. Babën ia burgosën më 1981, sepse i përkiste grupit të veprimtarëve në LNÇKVSHJ-së nga Gllogjani, që vepronin në krye me mësuesin atdhetar Smajl Haradinaj. Pas vuajtjes së burgimit, babai i tij Shaqa, pa dëshirën e tij detyrohet të mërgojë jashtë atdheut. Vendoset në Zvicër. Arbenin me të vëllezërit më të vegjël, Faulinin e Ilirin, me një përkujdesje të veçantë i rriti dhe i edukoi e ëma Dyka. Që në fillim kjo nënë ia dha bekimin birit të saj, luftëtarit të dalluar të Shtabit të Gllogjanit, i cili që nga Beteja e 24 marsit të vitit 1998, që shënon fillimin e luftës frontale në Rrafshin e Dukagjinit, mori pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara në Dukagjin. Disa herë ishte në krye të aksionit në përcjellje të grupeve të furnizimit me armë për në Shqipëri dhe anasjelltas.
Arbeni fatin e vet e kishte lidhur ngushtë me fatin e luftës për liri, prandaj kudo e gjeje në ballë të luftës. Edhe shtëpinë e tij, aty ngjitur me shtëpinë e atdhetarit Smajl Haradinaj – ku ishte selia e Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, e kishte shndërruar në bazë të UÇK-së. Arbeni pandërprerë do të luftojë në vijat e para të frontit në Baballoç, Gramaçel, Prejlep, Rastavicë etj., gjithnjë duke e mbajtur pushkën përfaqe. Luftën për liri e kishte shumë për zemër. Dallohet në aksionet kur është bllokuar rruga magjistrale Gjakovë-Deçan në Prejlep e Rastavicë, ku janë zhvilluar luftime tepër të rrepta dhe forcat pushtuese detyrohen të tërhiqen me humbje të mëdha.
Dëshmori i parë i rënë në vijën e frontit në Rastavicë
Në pozicionet e luftës në Rastavicë, që ishin mjaft të papërshtatshme, ku komandant i vijës së frontit ishte Nasim Haradinaj, i emëruar nga Shtabi Operativ i Nënzonës së Dukagjinit, luftëtarët e UÇK-së bënë një qëndresë vërtetë titanike. Pushkës së Arbenit në Rastavicë do t’ia ndiejnë krismën edhe inspektorët e lartë të MUP-it serb të Pejës, të Deçanit e të Gjakovës. Vetëm dy ditë para se të bie heroikisht, Arben Shaqa bashkë me shokë, në magjistralen Deçan-Gjakovë, në Rastavicë, do të qëllojë dy automjete të inspektorëve të MUP-it serb, duke lënë disa të vrarë e të plagosur. Ai qëndroi i pamposhtur edhe në kundërpërgjigjen e forcave serbe më 25 maj 1998. Edhe pse forcat serbe gjatë tërë ditës përdorën gjithë arsenalin e rëndë e të lehtë, me një zjarr të gërshetuar edhe të artilerisë së rëndë nga Suka e Baballoçit, Baza Ushtarake e Hulajve dhe Podi i Gështenjave, edhe pse luftimet zhvillohen edhe në 20-30 metra afërsi, duke tentuar të depërtojnë edhe me tanke e këmbësori, nuk ia arritën qëllimit. Pushka dhe kënga e luftëtarëve të lirisë jehonin gjer në qiell. Ata ishin bërë barrikadë e pakalueshme. Në mesin e luftëtarëve tanë nuk kishte asnjë të vrarë, ndërsa në anën e armikut humbjet ishin të mëdha… Gëzim e krenari e pa përshkruar në radhët e çlirimtarëve. Njëri ndër protagonistët e kësaj beteje ishte edhe Arbeni...
Në mëngjesin e 26 majit, sërish fillojnë luftimet. Nga istikamet e luftëtarëve të lirisë po jehonin edhe krismat e armëve të lirisë edhe kënga kushtrim... Sapo kishte kaluar ora tetë e mëngjesit... Një predhë minahedhësi godet në hyrje të istikamit. Aty merr plagë vdekjeprurëse Arben Qerimaj, që ishte në mes, dhe plagosen rëndë bashkëfshatarët dhe bashkëluftëtarët e tij, Agron Mustafaj dhe pak më lehtë Shefqet Mustafaj (dëshmor). Arbeni do të jetë dëshmori i parë i rënë në mbrojtje të kësaj vije të frontit ku më vonë do të bie heroikisht edhe luftëtari Rexhep (Brahim) Kadrijaj nga Rastavica. Arbeni varroset të njëjtën ditë me nderime të larta ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.
Amaneti
Atë ditë maji kur ra heroikisht Arbeni në Rastavicë, Luan Qerimaj ishte me të... Dëgjoi thirrjen e fundit të Arbenit që e kishte sivëlla, e kishte shok, e kishte bashkëluftëtar.
Me një fanatizëm të paparë Luani do ta ruajë pushkën e Arbenit, por edhe do ta përdorë për një vit radhazi. Ajo pushkë do të bëhet tmerr për pushtuesit serbë, flaka e saj do të shkrepë si rrufe në betejat e zhvilluara në Gllogjan e Irzniq, në Baballoç e Gramaçel, në Rastavicë e Prejlep, në Shaptej e Carrabreg, në Qëndresë, në Pozhar e Lumbardh, në Shqiponjë e Kralan, në Zhebel e Maznikë, në Dashinoc e Shaptej…
Luan (Isuf) Qerimaj u lind më 2 mars të vitit 1980 në Gllogjan. Ende pa e mbaruar maturën u radhit përkrah çlirimtarëve. Edhe pse vetëm 18 vjeçar, do të shquhet për përdorimin e të gjitha llojeve të armëve, do të shquhet në beteja të shumta. Ishte njëri ndër shenjëtarët më të dalluar. Ai do të përdorë me sukses: mortajën e krahut, tromblonët, minahedhësit, snajperin 12.7 mm, mitralozët e rëndë etj.
Luan Qerimaj nuk do të ndahet për asnjë çast nga komandanti i UÇK-së së ZOD-it, Ramush Haradinaj, nga Shkëlzeni legjendar dhe shokët e tjerë. Ai ishte betuar në gjakun e shokëve se për të gjallë nuk e lëshon Kosovën, nuk ndahet nga lufta. Do të jetë në mesin e luftëtarëve të rrethit të ngushtë që nga Broliqi kalojnë në Shqiponjë (ish-Jabllanicë), në shtator të vitit 1998. Falë luftës së këtyre djemve trima, të gjithë dëshmorë të kombit, si: Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Qerimaj e Luan Nimanaj, Agim Selmanaj, Hasim Halilaj, Burim Mustafaj, Shpend Malaj, Elez Gecaj, Naser Brahimaj e shumë të tjerë, zona e lirë e UÇK-së brenda një kohe të shkurtër do të zgjerohet nga Kralani deri në Gllogjan të Rekës, do të zhvillohet UÇK-ja dhe do arrihet fitorja e plotë.
Luani shquhet edhe në betejën e 17 dhjetorit 1998 në Gllogjan, në betejën e pandërprerë dhjetëditore në Ratishë (tash Qëndresë) në janar të vitit 1999, ku forcat serbe pësuan humbje të mëdha dhe thyerjen më të rëndë që u është bërë deri atëherë, pa mundur të shtyjnë për asnjë pëllëmbë vijën e frontit. Në këtë betejë derisa në pozicionet e luftës në Dashinoc, Luani ishte duke shtënë me mitraloz të rëndë të tipit “Golinov”, forcat serbe me “pragë” e qëllojnë mitralozin e Luanit, duke ia këputur mbajtëset. Ai vazhdon të gjuajë sërish sikur të mos kishte ndodhur asgjë, dhe që nga ai çast shokët e thërrisnin “Luan Golinovi”. U shqua në betejën për çlirimin e Lumbardhit e të Pozharit, në mars të vitit 1999, që shënon një epope më vete të luftës sonë, ku bien heroikisht eprorët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Elez Gecaj e Maxhun Berisha, ku mbetën të vrarë dhjetëra policë serbë.
Prej shtatorit të vitit 1998 deri në rënien heroike, Luan Qerimaj, si komandant i njësitit “Komando” të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” për veprime në prapavijë të armikut, me sukses kreu një varg aksionesh edhe në zonat më të thella të kontrolluara nga forcat serbe. Bashkë me shokët e pandarë Lecin, Zhujën, Naimin, Abedinin hynte në pikat më të vështira, në aksionet më të rrezikshme, por për të, tek luftëtarët ishte krijuar bindja se nuk e merr plumbi.
Luani do të gjendet pranë trimave Shkëlzen Haradinaj e Fatmir Nimanaj, në ditërënien e tyre të lavdishme në mbrojtje të popullatës civile, në luftimet e zhvilluara në malet e Maznikut, kur ranë heroikisht edhe dëshmorët Hasim Halilaj e Luan Nimanaj. Në këto luftime të zhvilluara dhëmbë për dhëmbë me forca të shumta policore serbe, Luani do të luftojë vërtetë heroikisht. Atë ditë, pas rënies së Shkëlzenit, viganit të luftës, Luani lufton me pushkën e Arbenit, me pushkën e Shkëlzenit, me pushkën e Fatmirit… Herë njërin, herë tjetrin do t’i tërheqë nga vendi i rënies Shkëlzenin e Fatmirin, dy heronjtë legjendarë. As trupat e shokëve, as bashkëluftëtarët e rënë në ballë të luftës, as armët e tyre s’i lë dot në duart e armikut. Dhe me rënien e Shkëlzenit, të Fatmirit, të Luanit, të Hasimit e më vonë edhe të Agimit (Selmanaj), amaneti i shumëfishohet. Kurrë nuk e kishte besuar se mund të vritej Shkëlzeni, se mund të vritej ai që e mbajti pranë vetes, e këshilloi, e mësoi në luftë, i dha zemër dhe e bëri vërtet Luan.
Por ishte mësuar që dhimbjen ta kthejë në forcë, ta kthejë në qëndresë, të hakmerret për shokët, të mos flasë shumë, por të veprojë e të luftojë, të jetë tepër i afërt e i sinçertë me shokët, modest për bëmat e tij...
Edhe pas kësaj rënie luftimet në Zonën e Dukagjinit vazhduan me intenzitet të lartë. Luani sërish do të gjendet në ballë të luftës, në ballë të frontit në Qëndresë (ish-Ratishë).
Sikur të mos ishte Luani në këtë aksion të gjithë do të kishin mbetur të vrarë në vend
Më 26 maj rrethi i luftimeve ishte ngushtuar shumë. Kishte shumë të plagosur, të cilët duhej të deportoheshin në drejtim të Shqipërisë. Dhe kush mund ta kryente më mirë se Luani përcjelljen e tyre nëpër ato terrene të rrezikshme që i kishte shkelur qindra herë. Luan Qerimaj urdhërohet nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit që të bëjë përcjelljen e grupit të luftëtarëve të plagosur nga Qëndresa deri në Hereq, për të vazhduar në drejtim të Shqipërisë. Bashkë me ta ishte edhe një grup luftëtarësh që kishin ardhur nga Zona Operative e Drenicës për të shkuar në Shqipëri për furnizim me armë.
Atë ditë kishte përvjetorin e njeriut që e deshi më së shumti në jetë, kishte përvjetorin e Arbenit që kurrë s’e hiqte as nga goja, as nga mendja. Dhe, sikur të kishte parandjenjë, ishte e vetmja ditë që nuk e mori me vete pushkën e tij, sepse, siç u kishte thënë shokëve, kishte frikë se mos i humbte. E atë armë e kishte shenjë të shenjtë...
Edhe kësaj radhe Luani vëhet në ballë të aksionit, ishte pararojë e kolonës që po udhëtonte natën. Forcat serbe, duke e konsideruar si kanal të rëndësishëm qarkullimi, të ndihmuar edhe nga disa kolaboracionistë shqiptarë, që në atë kohë njiheshin si policë lokalë të Serbisë, kishin zënë pritë te Lejthijat, në një vijë mjaft të gjerë.
Ora 23 e natës kishte kaluar... Luani sikur po shpejtonte të zinte vend në përjetësi brenda qarkut kohor të 26 majit.
Me të dëgjuar të krismës së parë, Luani i kundërpërgjigjet me sukses sulmit dhe i godet forcat armike edhe me një “zolë” që e kishte me vete. Lufton vërtet si luan deri në fishekun e fundit, duke mundësuar tërheqjen e shokëve dhe të të plagosurve. Dikur një plumb e godet në ballë Luan Qerimajn, zëvendëskomandantin e Batalionit të Dytë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” dhe komandant i Njësisë “Komando” për veprime diverzive në prapavijë të armikut, luftëtar që rrallë mund t’ia gjeje shokun. Ra dëshmor bashkë me Rexhep Tafën, nga Beci, Ndihmëskomandant për Mjekësi pranë Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, i ngarkuar për përcjelljen e të plagosurve. Trupat e tyre tri javë mbetën mbi dhe. Në atë përleshje ishin vrarë edhe Haki Krasniqi nga Vranoci e Bislim Aliaj nga Dujaka, të ngarkuar për bartjen e të plagosurve. Atë natë, nga plagët e rënda, të marra më herët gjatë luftimeve të zhvilluara në Vranoc, kishte ndërruar jetë Fetah Selca, nga Barani, luftëtar i Brigadës 135 “Agim Zeneli”.
Të gjithë ata që ishin pjesëmarrës, kanë thënë se sikur të mos ishte Luani në këtë aksion, të gjithë do të kishin mbetur të vrarë në vend... Prita ishte e tillë. Gjithherë në atë pozicion lufte ku ishte Luani forcat serbe nuk mundën të depërtonin dot. Vetëm për së vdekuri... Luani ra për të mbrojtur shokët, për të kryer me nder e përgjegjësi detyrën e ngarkuar. Ai ishte kthyer në roje besnike të truallit të vet.
Populli shqiptar do të kujtojë kurdoherë me nder dhe respekt heroizmin e këtyre trimave të lirisë.
Fetnete Ramosaj
|
Koment nga GUEST më 2010-05-26 17:43:44 I lehte qofte dheu qe i mban ne gjirin e vet keta visare te medhenje te popullit Kosovare... Bjem te tille i lind shume rralle Kosova....Lavdi per jete ketyre heronjeve ,Do te jen Kurdohere burim frymezimi per ne dhe brezat qe do vijne!! Ju nderon me shume respekt Lutfi Coka Tirane.. | Koment nga GUEST më 2010-06-04 18:03:58 Me te till djem Shqiperia mund cdo lloj armiku..... Keto jane krenaria e kombit tone, LUTFI COKA SHQIPERI | Koment nga GUEST më 2010-06-04 18:05:23 Keto trima nuk duhej te binin ne lufte,pasi Kosova do te kishte nevoje per keta djem edhe ne kohe paqe.! Do te ishin model i nje demokracie te vertete dhe moderne ne keto kohe moderne! Le te mbeten ne zemrat tona yje te pashuar ,ne te sotmen dhe ne te ardhmen!!!!!! Me perkulje dhe respekt per ju djem te ri ,per fomiljet qe u rriten dhe u ushqyen me dashuri per atdhe e liri.. Ne themelet e lirisie ,pavaresise qendron gjaku i tyre.. Nga lutfi coka Tirane | Koment nga GUEST më 2010-06-04 18:05:32 Lavdi te perjeteshme bijvet te Kosoves martire. Sepse ata dhane jeten e tyre ne lulen e rinise sot Kosova eshte e lire nga serbet e urryer dhe nje dite do ti bashkohet atdheut meme. | Koment nga GUEST më 2010-07-24 23:50:01 NJe gje ta ken parasyshe udheheqesit e uck,qe sot jane ne udheheqje te kosoves,:-Te mos haarrojne gjakun e te reneve,qe iu siguruan karriken jo per te pasuruar veten ,por per te udhehequr popullin ne lufte per te realizuar idealet e tyre per te cilen dhane jeten e tyre,,!!!!???? lutfi coka | |