Faqe kryesore arrow Letersia arrow Lirika mërgimtare dhe vlerat e saj
Lirika mërgimtare dhe vlerat e saj PDF Print E-mail
04 Qershor 2010
Baki Ymeri
 
Pas shpërthimit të revolucionit antikomunist në Shqipëri, diaspora shqiptare filloi të pasurohet me një valë të dyfishtë mërgimtarësh. Derisa valën e parë e përbëjnë demokratë të persekutuar nga sistemi që ua kishte cenzuruar të drejtën për një jetë normale dhe studime universitare, valën e dytë e përbën një numër i parëndësishëm komunistësh me përvojë universitare për të kultivuar talentin, për të botuar libra të një tirazhi të lartë, për të denigruar edhe në mërgim shqiptarët e valës së parë. Krahas disa autorëve kosovarë, Vitore Stefa Leka, Vlashi Fili, Mardena Kelmendi dhe Ylli Dilo, janë disa nga emrat e talentuar të valës së parë që e kultivojnë atdhetarizimin poetik me një gamë subjektesh ku defilon edhe stili klasik i romantikëve tanë.  Nuk është fjala këtu për pena që kanë shkruar letërsi të cilësisë më të mirë, por për shqiptarë me një biografi të kristaltë, për engjëj të diasporës që digjen “për shqiptarë të lirë dhe një Shqipëri të lirë”, siç digjej gjyshi i autorit të kësaj vepre, Ilia Dilo Sheperi në kohën e tij.

 Në vargjet e Ylli Dilos defilon një memorje e historisë sonë të mohuar, për të cilën ka shkruar me admirim edhe Vilhelme Vranari-Haxhirja, duke përshkruar bijtë dhe bijat që u vranë dhe u burgosën në burgjet e diktaturës, duke bërë fjalë për Vlorën kreshnike, por që na e përkujton edhe martirizimin e familjes së Ilia (Ylli) Dilos apo atë të Vitore Lekës, me pjestarë të masakruar, të djegur e të likuduar nga hijet e zeza të diktaturës komuniste.       Libri i Ylli Dilos (poet shqiptar me banim në Greqi), e zbukuron spektrin e vlerave lirike të diasporës shqiptare me motive të ndjeshmërisë dhe nostalgjisë ndaj të parëve tanë, me kushtrime të inspiruara kushtuar Flamurit, Marigosë, Lame Kodrës, Ismail Kadaresë, Agim Shehut...
Sipas Jorgo S. Telos, këto janë perla poetike që burojnë nga frymëzimi i begative të autorit të talentuar që asnjë hap nuk e ndan nga poezia e vërtetë, qoftë klasike, qoftë bashkëkohore. Ylli Dilo, poet i ri i shpirtit të lirë, na befason me figura poetike spontane e mjaft të qëlluara, por mbi te gjitha të kënaq me larminë tematike, me gjetjet e mrekullueshme dhe shpërthimet e këndshme që të emocionojne dhe entuziasmojnë deri në asht. Tema e tij e preferuar është fshikullimi i një stine plot egërsi dhe evidentimi i gjithë atyre që përjetuan të zitë e ullirit  nga ai regjim barbar. Tufën e tij poetike e përshkon humanizmi vizioni i një perspektive që anashkalon urrejtjet dhe padrejtesitë.” Në këtë kontekst shkrepin vargje kushtuar njerëzve të mirë, familjes, mikpritjes dhe vatrës shqiptare, lashtësisë sonë fisnike dhe dëshmorëve të kombit, kujtimeve të fëmijërisë dhe rrugëve të mërgimit. Poeti kërkon poetin e s’e gjen “Maje malesh me dëborë/ Apo në fushat me baltë”, poetin që ”Jeton bashkë me ne/ Apo në tjetër epokë”, poetin që “Qesh e luan me fëmijë”, si një dritë kalimtare: “Muzë e zbritur në tokë/ Që fjalët i thur në vargje”.
             Në kuadrin e këtij albumi poetik defilon jeta shqiptare dhe mërgimtare në totalitetin e saj: ritmi e rima, fauna e flora, jeta dhe natyra, maçoku me zile, stani me lepuj, shqiponja e skifteri dhe dasma, ujku e dhelpra dhe lepuri e breshka që “U zgjua kur binte muzgu/ Breshka e priste tek ara/ Dhe qetësisht e pyeti, mik/ Kush erdhi më përpara?” Sipas Evi Kokoshit, “përmes përmbajtjes së këtyre poezive, në të vërtetë flet dëshira dhe vullneti i të gjithëve, etika dhe filozofia e tyre, flet historia dhe shtrohen çështje me rëndësi vitale edhe për drejtësinë. Ndjenjat e mendimet e autorit ftojnë për harmonizim marrëdhëniesh ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke mos e fshehur bërthamën e funksionit dramatik edhe nëpërmjet informatash të shkurta që zëvëndësojnë përshkrimet e gjata dhe të tepërta. Janë vlera lirike që ngrihen në shkallë më të lartë dhe bëhen obligim vetëdijes kolektive.”
                                 
 
 
------
 
  Ilia (Ylli)  M. Dilo u lind në Sheper të Zagorisë, në vitin 1951, vendlindja e Andon Zako Çajupit dhe Ilia Dilo Sheperit. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme (Gjimnazin Qemal Stafa), e mbaroi në Tiranë, me rezultate shumë të mira. Dyert e shkollës së lartë ishin të mbyllura për të  me gjithë përpjekjet e mëdha që iu bënë nga prindërit e tij, deri në udhëheqjen e atyre viteve, edhe pse nëna e tij ishte motër e Pano Xhamballos, e martuar me Margarit Ilia Dilon. Ka filluar te shkruajë poezi e prozë që në vitet e shkollës së mesme, gjë që e vazhdon edhe sot. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak mbaroi një kurs për Topograf në Institutin e Naftës (Fier), ku ushtroi dy vjet  profesionin që përvetësoi. Pushohet nga puna si “person me biografi politike të dyshimtë”. Më vonë punoi si teknik ndërtimi në Ndërmarrjen e Bonifikimit, Gjirokastër, ku mbaroi   me sukses të shkëlqyeshëm shkollën, si gjeometër. Me triumfin e "demokracisë" në Shqipëri, kërkoi përsëri  në të gjitha organet e nomenklaturës shtetërore  të drejtën për të vazhduar  studimet, por përsëri kjo e drejtë iu mohua. Në vitin 1992, merr rrugën e mërgimit dhe vendoset familiarisht në Greqi. Herëpashere ka botuar shkrime në gazetën Illyria të Shqiptarëve të Amerikës, duke qenë i përfshirë edhe në antologjinë poetike Shpirti i fjalës (Bukuresht, 2009). Ky është libri i tij i parë i tij që e sheh dritën e botimit në vatrën e shenjtë të rilindësve tanë.


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2010-06-29 00:35:43
Udhè tè mbarè i urojmè librit"DHURATA E ZOTIT" pèr nè zèmrat shqiptare,pèr nè bibliotekè tè ç'do familjeje nacionaliste, duke falnderuar autorin,YLLI DILO pèr vlerat qè i shton kulturès shqiptare me mjaltèsinè e fjalès sè tij dhe shpirtin beharor sheperjot. 
Etja e shoqèrisè pèr pena tè tilla si e Zotit YMERI dhe Zotit DILO aq te admirueshme edhe pèr brezin e ri .nuk do shuhet asnjèherè. 
Respekt dhe Mirènjohje  
Parashka


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?