Faqe kryesore arrow Gjuhesi arrow Prof. dr. Simon Pepa (1936 - 2002),albanolog i palodhur i letrave shqipe
Prof. dr. Simon Pepa (1936 - 2002),albanolog i palodhur i letrave shqipe PDF Print E-mail
02 Janar 2007

Klajd Kapinova, New York

Simoni u lind në qytetin e Shkodrës në familjen Ndoc e Kjara Pepa, ndër njerëz të mirë e zanatçinj mjaft punëtorë. Ai jetoi në lagjen Arra e Madhe, areal enciklopedik, ku gjendej kuvendi i vogël françeskan O.F.M. (Organizata e Minore Françeskane), i mbushur me klerik të urtë, të mençur, dijetarë të mirënjohur mbarëshqiptarë, ardhetarë e prelat të devotshëm, që lanë gjurmë të pashlyeshme në formimin e tij.

Ai, njohu shumë prej tyre, u përpoq të hulumtojë, studiojë e publikojë veprën e tyre. E shqetësonte derisa ndërroi jetë fakti, se askush si pati kërkuar klerikëve falje, për krimet e bëra ndaj të pafajshëmve. Studiuesi i palodhur, me miq të tjerë të udhës së dritës e vërtetës historike, nisi të botoj punimet e tyre në shumë organe të ndryshme, një pjesë e të cilave ishin kujtime, që kishte akumuluar e ruajtur me kujdes gjatë vitëve me shumë prej tyre.

Sa herë bisedonim me orë të tëra me Prof. Simonin në Arqipeshkëvinë Metropolitane të Kishës Katolike në Shkodër, ai kishte një pasion të pashuar, që kërkonte vetëm të tregonte e nxirrte në pah të vërtetën e jetës dhe veprës së paharruar të lënë qëllimisht në harresë.

Jeta e rinore e Simon Pepës nga vitet 1954-1972, ishte udhëtimi i përditshëm me biçikletë për 19 vjet nëpër katundet e Shkodrës si mësues. Në vitin 1973, emërohet pedagog në Insitutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”), ku deri më 1976 dha leksione në lëndët “Dialektologji e Gjuhës Shqipe” dhe “Metodika e Gjuhës Shqipe”. Prof. Pepa, deri sa kaloi në amshim, mbuloi lëndët: “Leksikologji e Gjuhës Shqiper” e “Fonetika e Gjuhës Shqipe”.

Prof. Simon Pepa e miku i tij i ngushtë pedagogu e albanologu Prof. Dr. Tomorr Osmani, dhanë ndihmë të madhe në Sektorin Shkencorë të Albanologjisë në Universitetin e Shkodrës. Prof. Osmani, mbas 4 vitësh, kujton: “Nga fjala gjurmëlënëse tek studentët në leksionet e leksikologjisë e të fonetikës, deri tek fjala e shtypur tek librat tuaj me vlerë, nga bashkëpunimi në redaktimin e librit “Leksiku historik i shqipes” (Vëll. I & II) të Prof. Dr. Kolë Ashta e kolanës “Studime shqiptare” (5 volume), gjer tek marrja e titujve “Doktor i shkencave” (1989), “Profesor i asocuar” (1995) e më pas “Profesor”(1999), është buzagazi i përhershëm i qytearit dhe hetimi skurpoloz i shkencëtarit…”

Ndërsa, drejtori i Bibliotekës “At Marin Barleti” në Shkodër, studiuesi Gjovalin Çuni, kujton: “Thuhet, se një filozof ka thënë, që një ndër detyrat e burrit është edhe shkrimi i një libri. Nuk e dimë, nëse Profesori e dinte këtë thënie, por dimë që me veprat e tij shkroi për shumë burra e jo vetëm për ata, por për të gjithë shtresat e popullsisë që me endje lexuan, shijuan, por edhe dëgjuan në takime tek recitonte krijimet e tij, që ngjallnin ndjesi të jashtëzakonshme.”

Gjatë vitëve studentore të shkollës së lartë, Prof. Pepa, ka nisur të bëjë kërkime mbi gurrën burimore popullore shqiptare në trevat e zonës së Mbi e Nën Shkodrës. Ai është bashkëautor në 4 tekste mësimore për shkollat e larta e 2 monografive. Është autor i librave: “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor” Pjesa I (Në viset veriore të Shqipërisë në përqasje me të folme të tjera të shqipes,  Shkodër, 2002, 208 f.) dhe Pjesa II (Fjalor viset veriore të Shqipërisë në përqasje me të folme të tjera të shqipes, Shkodër, 2002, 222 f.), “Gjurmë kulturore” (Shkodër, 2000), në të cilën, qysh në hyrje autori Pepa, thotë: “Ua kushtoj atyre dijetarëve të shquar, që dhanë aq shumë për kulturën shqiptare, por si shpërblim u hodhën në detin e harresës ose u martirizuan egërsisht.”

Albanologu shkodran, punoi një jetë të tërë dhe 12 vitët e fundit i mori shumë kohë e enërgji këmngulëse, duke takuar njerëz në të katër anët e viseve veriore të Shqipërisë, shfrytëzoi një literaturë të gjerë gjuhësore, por vende vende edhe historike, etnografike, mitologjike etj.

Dorëshkrimet e përfunduara shumë vite më parë, për shkaqe të ndryshme u ruajtën në sirtarët e shtëpisë së tij, si një dokument tepër i vlefshëm jetësor. Duke ruajtur origjinalitetin e tyre familja gruaja Bruna, djali Albani e vajza Arieta, u kujdesën që t’i botojnë njera mbas tjetrës. Ato sot gjendën të shpërnadarë në të gjithë trojet enike shqiptare Europë e Amerikë.

Albani, sa herë takon intelektualë në shtete të ndryshme të Amerikës, u dhuron libra të albanologut të paharruar, që punoi një jetë të tërë, për të mbledhur si bleta punëtore nektarin shumëshekullorë të gurrës së pashtershme popullore në krahina e zona të ndryshme të Veriut të Shqipërisë.

Në këto vepra të botuara, përfshihen: studime, artikuj, kumtesa, kushtuar figurave të shquara, si: Ipeshvit Imzot Frang Bardhit; dy vëllëzërve luftëtarë e atdhetarë Filip e Kolë Kraja; misionarit, albanologut diturak e udhëtarit e hulumtuesit të palodhur të Malësisë Veriore At Prof. Fuglio Cordignano; studiuesit akademik të letrave shqipe At Justin Rrota O.F.M; themeluesit të leksikografisë krahinore dhe asaj onomastike Dom Nikollë Gazulli; Kardinal Mikel Koliqi, një emër i madh shqiptar; At Dr. Donat Kurti, vigan i martirizuar i folkloristikës shqiptare; misionarit e mikut të Shqipërisë, italianit të pamposhtur At Ciacoma (Jak) Gardini (që bëri 10 vjet burg në kohën e diktaturës ateiste); Prof Eqrem Çabej, Prof. Kolë Ashtës, Prof. Fadil Podgoricës, Gjon Kujxhisë etj.

Ndërsa vepra tjetër voluminoze: “Zadrima dhe bijtë e ndritur të saj” (Shkodër, 2003), botuar nën kujdesin e bashkëshortes Bruna dhe fëmijëve të vet Albanit në Conneticut (ShBA) e vajzës Arianitës në Itali. Libri, është i ndarë në 8 krerë: “Zadrima – krahinë e lashtë e Shqipërisë”, “Bij të ndritur të Zadrimes”, “Katoliçizmi dhe Shqipëria”, “Martirizimi i Klerit Katolik të Zadrimës”, “Meshtarë zadrimorë të martirizuar”, “Martirizimi i At Dajanit e At Faustit”, “Kujtime dhe mbresa”, “Jehona në shtypin italian”.

Studiuesi Pepa, në kohë të lirë ka derdhë frymëzimin e dashurisë së madhe, që kishte për qytetin e lindjes. Krijimet poetike, i ka përmbledhur me përkujdesje, në vëllimin me lirika e humor të titulluar: “Brengë dhe gaz nga Shkodra ime” (Shkodër, 2001).

Kritiku letrar e pedagogu i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Prof. Hasan Lekaj, i përshkruan kështu poezitë e lirikut Dr. Pepa: “Krijimet poetike të këtij vëllimi nuk janë nxjerrë nga arkivat, përkundrazi, shprehin tharme me bukuri lirike dhe aromë gazmore, shoqënue me vokacion rinor dhe pjekuni artistike. Poeti dëshmon estetikisht rrjedhën e jetës dhe, pse jo, edhe jetëshkrimin poetik që, falë përkushtimit të sinqertë, me hove rinore dhe meditim moshor, poezitë, jo vetëm që nuk e kanë humbë fresnikë, por edhe mbijetojnë. Fjala poetike e Simon pepës asht e lirë dhe, njëkohsisht, model papajtueshmënie midis përjetimit dhe jetës artistike në hapësinëne traditës poetike qytetare shkodrane.”

Prof. Pepa, ka botuar me dhjetra studime e artikuj shkencorë në shtypin shkencorë e atë periodik në Shqipëri, Kosovë, ShBA, Itali etj. Ai ka mbajtur kumtesa e sesione shkencore në universitetet shqiptare në Shqipëri, e i ftuar në katedra universitetesh, si: në Kosovë, Zagreb, New York, Itali etj. Disa herë është ftuar nga departamenti i Linguistikës pranë Universitetit të Padovës, ku ka mbajtur cikël leksionesh.

  Sodis 

Sodis dritares tretur n’ëndërrime

Dhe sytë e lodhur ngultas larg vështrojnë

Atje ku malet dridhen me gjënime

Zemërim rrufetë e qiellit ku lëshojnë.

 

Përpara meje shtrihet fusha e blertë

Ku lulja e zverdhë vjeshtake po venitet

Ku rrjedh ngadalë ky lumi si përherë

Në tokën e zhuritur që vaditet.

 

Por jo! S’e dua fushën e bleruar

Në lulet e randshme syri sm’ndahet

Atje ku shfren rrufeja e tërbuar

Atje ku gjënon moti larg në malet.

 

Veç atje larg vështroj dritares vazhdimisht

Ku n’mjegull mbuluar Cukalit i ësht’ fytyra

Sa t’dua, o pamje e egër malësore

E shpirtit tim të lodhur i je pasqyra…

 Kur mbramja zbret… 

Muzgu po zbret…, e dielli prapa mali

Lodhur nga dita ngadalë po përëndon

Me sy t’ngulitur larg kqyrë mos erdh djali

Pse zemra e nënës gjithher’ keq mendon.

 

E kur këputur, vonë nga puna kthen

E hana sipër n’qiell ngadalë rrëshqet

N’shtëpizën tënde t’vogël nata vjen

Shiko, një dritë t’venitur, nana pret…

 

Edhe atëher’ kur n’mbrëmjet pranverore

Me shoqëri, n’gëzim natë kalon

Gjer n’orë të vona mbështetur në dritore

Për ty një zemër nane pret e andrron…

 Dimër 

Ësht’ dimër, vashë, një dimër pa blerime

Që gjeth’t e zverdhur i tretë pa mëshirë

I la bilbili t’ëmbla cicërime

E gurra këngëtare krejt është ngrirë.

 

Porse s’ka gjë n’se gjethet zverdhur

Le t’rrijë gjithherë kjo gurra në heshtim

Dimër mos t’ketë, o vashë, në sytë e shkuar

Pse veç atëher’ zbret dimri n’shpirtin tim…

 Këndo! 

Në degët e luleviles, kur krahët t’ketë shtri nata

Nuk prajnë këntarët bilbila tue k’ndue kangën e vet

At’ këngë që un’ gjithherë thellë në shpirt ruejt’ e pata

Për gazin e bilbilit veç ajo këngë flet.

 

Ai shend që t’ka mbulue sonte, o bilbil nuk mund tmatet

Këndo! Këndo! pa pra, me heshtur ësht’ e kotë

Sa kam dëshir’ me t’die tue circërue këngëtar nate

Pse ti nuk di së paku se ç’halle ka kjo botë…

Mbas teje

 

Dua të të shoh jo kur nata e mbulon fshatin

As kur hana nis heshtas t’udhëtojë

Por kur dielli përvëlues e djeg shpatin

E n’orë të zhegut shkon tufa tmrizojë.

 

Ti i prin tufës n’për shtigje t’zharitur

Prej një rrezes përvëluese që djeg

Vetëm ecën, gjithhera pa e ditur

Se një hije ty hijen ta ndjek.

 

Kur ti ndalesh pak hijet afrohen

Ecin, ecin në tokën zharitë

Nganjëhera t’dy hijet ngatërrohen

E un’ kënaqem ngatërrue tue i soditë…

 Një peng nderimi  Kujtimit të Prof. Kolë Ashtës 

Vetëm studime ti s’dite gjë tjetër

Mbi tryezë të punës sa herë mesnata t’ra

Buzuku, Bardhi e t’gjith’ autorët e vjetër

Të patën mik, të patën shok e vëlla.

 

Si për fëmijët tuaj për ta s’kurseve fare

Pse n’jetë të udhëhiqte një qëllim i lartë

Fjalën e bukur e të pastër shqiptare

Ti e skalite aq mjeshtërisht me dalë.

 

Por tash s’je ma, bilbili ndër rudina

Bashkë me një zanë çdo vit vajtojnë n’pranverë

Atje n’Ermaj sa t’endet moti e stina

Pushon n’amshim nën qiparizat t’blerrë.

 

Por jo, ti s’vdes, sa herë të thërret Shqipëria

Ty ta përcjellin emrin male e kodra

E vjen i gjallë ku rrjedh djersa e dija

Pse n’vepra tuaj, i Kolë, të kujton Shkodra…

 Kur përzihen shkronjat 

Ngadal’ ky deti i lodhun sa ra në qetësi

U heshtën britma e gaze që vlonin pak më parë

Me vel të mugët nata l’shoi t’veten errësi

Nga lart hëna shtegtare end rreze t’lame n’ar.

 

Pushojnë njrëzia, në ëndrra t’bukura tretur

(E ku ka ngre kjo botë të endet kot si ne)

Ne vetëm, veç të dy, tek bregu kemi mbetur

Nuk flasim, thua se heshtja, do t’na falë diçka t’re.

 

Vështroj fytyrën tënde, ti larg shikimin ngulur

E hjedh ashtu pa dashur, n’ca drita që kaluan

As sonte një fjalë s’flet, po rri me kokën ulur

Edhe n’ranishte t’bregut, si kot ti diçka shkruan.

 

Skalit dy emrat tanë, pa folur asnjë fjalë

Ah! sa do të dëshiroja që emrat t’rrinë pa humbë…

Por deti i pamëshirë sjell të palodhurat valë

Duke i përzier shkronjat me ranë, me valë, me shkumbë…

 Mirë se erdhe! 

Si dallëndyshe shtegëtare

Ike n’male e kodra

Të përcollën me lot n’sy

Zemërdjegurat motra.

 

Nëna plakë, zhuritë nga malli

T’priste strukë te votra

Kishte shpresë, ah! Shpresë të fikur

Syrin ngulë nga porta.

 

Oh! Sa e egër qe shtërngata

Me të s’kishte lodra

Ra martir, vëlla Myzaferi

Vdiq dhe një nga motrat.

 

Por më në fund dallëndyshja u kthye

N’çerdhe t’vet te porta

Qan e këqyrë me sy t’përvajshëm

Vendet bosh te votra.

 

Qeshet shpirti i lënduar

Gëzohen t’vuajturat motra

Mirë se erdhe n’qytet t’lindjes

T’thotë Rozafa e Shkodra!

 

Shënim: Poeti Prof. Arshi Pipa, gjet të vdekur: babain (vdekur në internim), nënën, vëllain, Myzaferin, të cilin e mbytën në tortura, sot me varr të paditur, motrën, Bledi Pipa, që e lanë të shuhet nga tubërkolozi, pa e kuruar, mbasi ishte “ e prekur politikisht”.

 

Botuar në revistën kulturore “Jeta Katolike” New York, 4/2006


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-01-09 11:58:26
nje shkrim model. urime z. klajd kapinova. ish student i Prof. Simon Pepes. Elton Guri Tokio.

Koment nga GUEST më 2007-01-09 12:02:13
a eshte edhe ne internet kjo reviste, sepse dua te gjej adresen per t'u abonuar?

Koment nga GUEST më 2007-01-16 11:58:26
PO kjo reviste eshte dhe ne intenet. Mjafton te shkruash www.jetakatolike.com. Te fala Hektor Kujxhia Paris, France.

Koment nga GUEST më 2007-01-16 11:59:51
shkoni tek 
http://jetakatolike.com/


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?