Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Politizimi grek i aksidentit shqiptar
Politizimi grek i aksidentit shqiptar PDF Print E-mail
04 Shtator 2010

Nga Valon Kurtishi

Aksidenti i para një jave në Himarë ku në një ndeshje automobilistike humbi jetën shqiptari i ri etnik Aris Guma, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit publik grek. Pas reagimeve të ashpra të të a.q “organizata ekstremiste greke” dhe të partive politike e deri qeverisë në Athinë, dje u ndje i detyruar vetë ministri i jashtëm plotësues i këtij vendi Dhimitër Druka (Demetrios Droukas), që të ndërhyjë në këtë debat për të qetësuar gjakrat. Ministri grek kërkoi që të mos keqpërdoren ngjarje të tilla dhe riafirmoi edhe njëherë qëndrimin e qeverisë së tij për një hetim dhe zgjidhje sa më të shpejtë të rastit. Kjo u duk si një tërheqje e zyrtarëve grekë pasi më herët zëdhënësi i tij Grigoris Delavekuras u shpreh me një fjalor shumë më të ashpër duke e quajtur aksidentin pa shumë hezitim “një akt kriminal i papranueshëm i cili kishte për qëllim ti ngrisë tensionet ndëretnike me konsekuenca të paparishikueshme për ti rrënuar marrëdhëniet bilaterale mes Greqisë dh Shqipërisë“. Dhe kur duhet të ndërhyjë një grek për të ndaluar disa grekë të tjerë në aktivitetin e tyre të çoroditur antishqiptar, kuptohet se në ç’nivele kanë aritur punët.

 

Kolona e pestë shqiptare nuk qëndroi prapa as kësaj radhe në reagimet, protestat dhe deklaratat e ashpra kundër qeverisë dhe popullit shqiptar. Shqiptari i tjetërsuar dhe greqizuar Vasil Bollano, i ndjerë shumë keq ditë më parë me gjithë ato flamuj shqiptarë prapa shpinës së kryeministrit Berisha gjatë inaugurimeve të shumta infrastrukturore në këtë zonë, sulmoi i pari. Korit të hienave antishqiptare iu bashkua edhe nomadi rom i vetëshpallur si grek etnik, kyetar i PBDNJ, Vangjel Dule. Këta dy në bashkëveprim të plotë me banda të kriminelëve të thjeshtë që i paguan dhe ruan Athina për këso momente tensionesh, bllokuan madje për disa orë rrugët nacionale që çojnë në bregun e Jonit. Këta banda të kriminelëve të thjeshtë së bashku me Bollanon, Dulen e Kserën, janë në fakt mercenarë që kanë ndryshuar përkatësinë etnike shqiptare në këmbim të pensioneve dhe beneficioneve të tjera greke.

Të ashpër si zakonisht edhe deputetët grekë në Parlamentin europian, të cilët në qëndrimet e tyre më shumë u ngjajnë administratorëve dinakë dhe gjakpirës të oboreve mesjetare bizantine sesa kulturës dhe tolerancës së Parlamentit europian në vitin 2010. Këta ranë madje deri në nivele të tilla çoroditjeje sa të kërcënojnë publikisht me bllokim të procesit eurointegrues të Republikës së Shqipërisë.

Reagoi edhe i kudondodhuri, “hirësia e fortlumturia e tij”, d.m.th vetë “krishti në tokë”, përndryshe uzurpatori i Kishës autoqefale ortodokse shqiptare, shtetasi, etniku dhe nacionalisti grek Anastasios Janullatos. Njeriu i cili para gjithë kamerave të botës kërkoi ndalimin e menjëhershëm të bombardimeve të NATO kundër Sërbisë së Millosheviqit dhe njeriu i cili aspiratën legjitime të kombit tonë për bashkim kombëtar e ka quajtur publikisht “Shqipëri të madhe” dhe “fundamentalizëm islamik”, e çoi zërin e çjerrë dhe foli përsëri. “Hirësia” e tij shpeshherë është distancuar nga media shqiptare kur kanë qenë në pyetje interesat nacionale shqiptare duke arsyetuar se nuk meret me politikë. Të kujtojmë abstenimet e tij nga “marja me politikë” në çështjen çame, çështjen arvanite, çështjen e bllokimit të integrimit europian të Shqipërisë nga Greqia, çështjen e keqtrajtimit të emigrantëve shqiptarë nga policia dhe populli grek bashkërisht, çështjen e operacioneve “Fshesa” dhe deportimit çnjerëzor të mijëra emigrantëve të varfër shqiptarë nga Greqia, çështjen e Kosovës, çështjen e Camërisë, çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi, çështjen e diasporës shqiptarë, çështjen e autoqefalisë së kishës ortodokse, çështjen e varrezave çame dhe të atyre të ushtarëve grekë (rasti i Kosinës), çështjen e vrasjes së fundit të të rinjve shqiptarë në Greqi apo vrasjet e ushtarëve shqiptarë më 1994 në Peshkëpi, etj.., e deri tek konflikte ndërkombëtare që skanë asnjë lidhje me shqiptarët e Shqipërinë si konflikti greko-turk për Qipron p.sh.

Mirëpo kësaj radhe foli me gjithë shpirt për këtë aksident të rastit në rrugët shqiptare duke kërkuar qetësi, tolerancë e diçka tjetër. Sipas statistikave të MPB shqiptare si rezultat i shtimit të trafikut në rrugët tona, kanë humbur jetën mbi 35 qytetarë vetëm në muajin korrik. Por shkëlqesia e tij nuk hapi gojë për këto 35 viktima të pafajshme. Janullatos doli para mediave dhe bërtiti sa mundi për një aksident të këtillë fatkeq që ndodhi në Himarë, pikërisht atje ku i ka ngulur piketat e tij për ti shkaktuar probleme demokracisë dhe kombit shqiptar nacionalizmi i zi primitiv grek. Shkëlqesia i jep të drejtë vetes që të ndryshojë përkatësitë etnike të zonave të tëra brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Madje shkëlqesia e tij, i jep liri vetes të vizatojë edhe ndarje të brendshme administrative politike të hartës së Shqipërisë, duke e ndarë Himarën nga qarku i Vlorës si bashki në vete. Me reagimin e tij të fundit, Janullatos  hyri në një fazë të re të veprimit antishqiptar, duke kaluar nga keqpërdorimi nacionalist i eshtrave të fëmijëve të vdekur shqiptarë si në rastin e Kosinës, në keqpërdorimin nacionalist të të vdekurve në aksidente të ndryshme rrugore si në rastin konkret të Himarës.

Reagimi i fuqishëm i ekstremistëve të sëmurë grekë kaloi edhe Atlantikun. Zëri i Amerikës, programi në gjuhën shqipe, i cili në skemën e vet programore përveç qëndrimeve zyrtare amerikane duhet të pasqyrojë brengat dhe dëshirat e 8 milionë shqiptarëve në Ballkan, emetoi një kronikë kushtuar kësaj ngjarje. Nuk e kuptuam kush e detyroi Zërin e Amerikës të bëhet pjesë e propagandës greke në këtë rast, por qëndrimi i tyre në raste të ngjashme është çuditërisht shumë jonormal dhe i padrejtë. Zëri i Amerikës, programi në gjuhën shqipe, nuk transmetoi fare lajme apo kronika për vrasjet e disa të rinjve shqiptarë nga banda terroriste ekstremiste greke gjatë javëve të fundit në Greqi. Duket se influenca e lobit grek vazhdon të jetë e rëndësishme në politikën amerikane së paku në raportet shqiptaro-greke, në pajtim me formulimin shumë të gjetur të Karl Deutsch për ndikimin e tepruar në disa raste të “lobeve etnike” në vendimmarjen federale në Uashington.

Gjithë kësaj propagande falsifikuese dhe gjithë këtij sulmi të paprecedent grek, iu përgjigj një qeveri e frikësuar shqiptare si dhe një opinion i publik i përçarë dhe i frikësuar deri në shpërfytyrim e panjohësi. Në fakt ky reagim i dobët është pasqyrimi më i mirë i mundshëm i mungesës së frikshme të kohezionit nacional dhe social në shoqërinë shqiptare. Qeveria shqiptare pranoi në një mënyrë qëndrimet greke për këtë çështje, duke u shprehur haptazi kundër “fanatizmit etnik”. Vetë përmendja e një mundësie të tillë nga kreu i qeverisë është lëshim i pafalshëm dhe afirmim i tezave falsifikuese greke për grekësinë e disa zonave në këtë rajon shqiptar. Edhe opozita socialiste e cila në kësi raste do të duhej të mbante qëndrim më pozitiv me vetë faktin që si opozitë ka një mundësi më shumë të jetë më realiste, doli me deklarata akoma më dobët se qeveria. Është mëse e vërtetë se politika jonë u step edhe kësaj radhe. Reagoi Partia e Ballit Kombëtar me zotin Roshi, zoti Idrizi nga PDU si dhe z.Spahija nga Lëvizja e Legalitetit. Megjithatë këta janë parti të vogla në skenën politike shqiptare e cila dominohet nga elefantët e binomit PD - PS. Reagimi i këtyre siç u tha më lartë ishte gati inekzistent, e për më tepër edhe kur erdhi doli të jetë shumë negativ dhe i papërcaktuar.

Si gjithnjë, reagimet e vetme të drejta, të matura, të argumentuara, të paanshme dhe shumë europiane erdhën nga kreu legjitim i Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, Hirësia e tij Nikolla Marku në Elbasan. Sipas At Nikolla Markut, i cili për gjithë shqiptarët është kryepeshkopi i ligjshëm i Kishës ortodokse shqiptare, politika shqiptare u gjunjëzua edhe këtë herë para “dyshes Bollano-Janulltaos, që me deklaratat e tyre cënuan rendin kushtetues”. Reagoi edhe një pjesë e shoqërisë civile shqiptare zëri i së cilës ose u bojkotua nga një pjesë e papërgjegjshme e mediave ose humbi në shkretëtirën mediale të orkestruar nga qarqet e zeza antishqiptare.

Ngjarja e Himarës tregon për të satën herë me radhë dobësinë strukturore të shtetit dhe shoqërisë shqiptare bashkë, dhe në proporcion të drejtë me këtë pafuqi tonën, fuqinë e Greqisë dhe shoqërisë greke nga ana tjetër. Grekët janë në gjendje të manipulojnë opinion shqiptar dhe botëror duke keqpërdorur politikisht edhe vdekjet aksidentale të shqiptarëve. Shihet se ata e kanë mundësinë që kur të duan nga hiçi të prodhojnë një lajm, një çështje, një mosmarëveshje që dominon edhe median apo opinionin publik “shqiptar”. Pra grekët kanë fuqinë të “krijojnë lajm” si dhe të ndikojnë në politikën shqiptare në mes të Tiranës, kur të duan, si të duan dhe sa të duan ata.

Përtej kësaj, Himara  dhe ngjarjet reth saj shfaqin edhe njëherë, qëndrimin dhe qasjen katërcipërisht të gabuar që kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë ndaj këtyre fenomeneve të rëndësishme të gjitha qeveritë konsekutive dhe partitë politike më të mëdha shqiptare. Lënia në mëshirë të fatit të kësaj problematike dhe mospasja e një strategjie të qartë vepruese dhe bile edhe parandaluese ndaj strategjive të qarta nacionaliste greke për gjithë zonën e bregut, bën realitet pastaj fenomene të tilla të pimagjinueshme për Europën e sotme si ndryshimi brenda natës i përkatësisë etnike të komuniteteve të tëra në teritorin shqiptar. Ky është edhe rasti me Himarën shqiptare historikisht. Himara tregon, Himara pasqyron, Himara apelon, Himara lutet për një veprim të koordinuar shtetëror kundër nacional-shovinizmit dhe manipulimit gjigand grek me shtetin shqiptar, me kombin shqiptar, me territorin shqiptar, me komunitete të caktuara shqiptare. Shteti shqiptar, shoqëria shqiptare, kombi shqiptar në raste të këtilla kontestesh si të Himarës, do të tregojnë a kanë identitet të konsoliduar nacional dhe shtetëror si gjithë kombet dhe shtetet tjera në kontinentin tonë. Himara e vjetër me kalanë e saj të Gjon Kastriotit tonë të ri dhe kthimi apo jo i komunitetit të atjeshëm në gjirin e kombit shqiptar, do të vërtetojnë se a meritojmë dhe a kemi vend ne si shqiptarë në komunitetin e kombeve të lira, të barabarta dhe krenare europiane. Deri më sot nuk e kemi merituar këtë. Të shohim çdo të ndodhë në një të ardhme të afërt.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive