Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Shqipëri-Kosovë, aleanca shqiptare që nuk po ndodh
Shqipëri-Kosovë, aleanca shqiptare që nuk po ndodh PDF Print E-mail
04 Shtator 2010

nga Valbona Mehmeti


E ardhmja nuk është e parathënë të shihet. E shkuara është themeli i parashikimit të së ardhmes dhe historia është fjala kyçe. Marrëdhënia dypalëshe shqiptaro-kosovare duhet ta kalojë cakun e dashamirësisë vllazërore për t’u ndërfutur në realitetin e pragmatizmit.


Rrjedha llogjike e sjelljes së fqinjëve tanë veriorë e jugorë është e përsosur. Ajo nuk çalon gjëkundi. Muaji gusht, që merret si i mirëqenë për nga varfëria në ngjarje, nuk ishte aspak i tillë sa i përket politikës së jashtme të Serbisë e të Greqisë. Në qendër të arenës së marrëdhënieve ndërkombetare të rajonit duhej të ishte pashmangshmërisht edhe Shqipëria, por Serbia s’ka reshtur së tërhequri vëmendjen qysh prej dhënies së vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pragmatizmi serb është vite dritë larg situatave të fitoreve të barabarta të diplomacisë perëndimore. Kush priste të shihte “fytyra të trishta që shikojnë si hije” u gabua. Sërish, edhe kësaj here, drejtëza e hequr qysh prej themelimit të këtij entiteti politik nuk pësoi shkëputje, ashtu siç duhet të ndodhë. Greqia gjithashtu vijon në të njëjtat gjurmë. Diplomacia shqiptare ndërkohë mjaftohet me riparimin e dëmeve.

 

* * *


Vendimi i GJND-së  parashihte në qendër të vëmendjes edhe Shqipërinë. Ai lidhej drejtpërsëdrejti me ligjshmërinë e shtetit kosovar. Kosova është tashmë  fqinji ynë verior, vend i cili shtrihet në hapësirën territoriale mes Shqipërisë e Serbisë. Historia e marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë tregon, më e pakta, se Shqipëria duhet të shfaqë kujdes të veçantë për këtë zonë jastëk tashmë të krijuar e të legjitimuar. Në trekëndëshin ballkanik të fushës kemi qenë gjithmonë një kundër dy. Aleanca e qëndrueshme dyshe mes serbëve e grekëve përballë shqiptarëve duhet ta ketë patjetër një domethënie. Nuk është mister që  kemi qenë në planet e tyre për të mos ekzistuar aspak. Shqipëria është një realitet ndërkombëtar që ka në dorë të prishë rregullin e politikës trekëndore. GJND-ja nuk ka gjetur thyerje të së drejtës ndërkombëtare në shpalljen e pavarësisë nga Kosova. Tashmë jemi dy kundër dy. Kësaj të vërtete të madhe pala shqiptare duket se nuk i është qasur ende.
Kur Kosova shpalli pavarësinë, ajo çka më shumë çonte në hezitimin për njohjen e shtetit të ri ishte fakti i krijimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan. Ekuilibrat u prishën. Deri në marrjen e vendimit nga GJND-ja mund edhe të kuptohej një lloj droje e politikës së jashtme shqiptare në promovimin e një marrëdhënie aleance dypalëshe pa kushte me kufitarët tanë të ri veriorë. Prejardhja dhe historia na e justifikojnë çdo lloj hapi, gjë që serbëve e grekëve u mohohet. Ne jemi aleatë në lindje, por, pavarësisht kësaj, kjo aleancë nuk mund të merret si e mirëqenë duke mos investuar në të.
Në vijim të njohjes edhe ligjore të Kosovës, serbët ndërmorën një sërë lëvizjesh që, megjithatë, nuk mund të kthejnë mbrapsht vendimin. Pyetja që shtrohet është nësë serbët vërtët synojnë këtë?!
Mund të jetë që në këtë lëmë të vështirë që është diplomacia ta kenë më të lehtë serbët të ndërtojnë marrëdhënie me palën kosovare sesa vetë shqiptarët mes njëri-tjetrit. Rastet kur shtete të treta, duke parashikuar rrezikun e aleancave të qëndrueshme e plangprishëse, kanë investuar gjithçka në parandalimin e tyre janë të njohura botërisht. Shqiptarët dhe serbët nuk janë vëllezër. Marrëdhënia dypalëshe shqiptaro-kosovare duhet ta kalojë cakun e dashamirësisë vllazërore për t’u ndërfutur në realitetin e pragmatizmit. Askush nuk na e mohon dot prejardhjen, origjinën, kombësinë. Ajo që, në një skenar të mundshëm, fqinjët tanë mund të bëjnë është të na zënë gabim e të na mbajnë gabim.
Kosova mund të personifikojë në të ardhmen gabimin tonë më të madh. Ka diçka që nuk shkon në njëtrajtshmërinë e sjelljes së serbëve e grekëve ndaj shqiptarëve. Secili vend është, në fakt, i lirë të zgjedhë politikën e vet të jashtme përkundrejt një vendi tjetër. Kjo bën pjesë në rregullat e lojës. Në këto rregulla, ndërkohë, bën pjesë edhe ndryshimi i këtyre politikave, veçanërisht kur besohet tashmë se je partner e faktor në rajon. Por, qëndrimi i të dy palëve vijon i njëjtë. Tejet të vëmendshme ndaj asaj çka ndodh në Shqipëri, dy shtetet nuk lënë rast pa shfrytëzuar për të  turbulluar ujërat.
Për sa i përket palës shqiptare, duket se, në këmbim, luan pikërisht politikën që nga të tjerët pritet. Shqipëria humb nga vëmendja atë që duhet të jetë priotiteti i saj numër një në politikën e vet të jashtme, Kosovën. Prej 10 vitesh tashmë Kosova jeton lirinë dhe prej thuajse tre gëzon pavarësinë. Kosova është shtet. Tëresia e saj territoriale popullohet nga shqiptarë, por kjo nuk ndryshon asgjë. Përkujdesja për të ndërtuar një politikë të jashtme të përbashkët frytdhënëse s’ka lidhje me këtë.
Serbët e grekët janë mëse të ndërgjegjshëm se çeshtja kosovare ka marrë fund. Loja që ata luajnë s’është tjetër veçse strategji për ta shtyrë sa më gjatë ndërgjegjësimin e shqiptarëve mbi risinë që do të sillte rreshtimi dypalësh krah njëri-tjetrin në politikën e jashtme në Ballkan.
Gjithçka në këtë botë luhet nga interesi. Kush është i zoti të thotë që, për hir të interesit të tyre të brendshëm, Serbia e Greqia nuk do t’i qepen pas Kosovës për të ndërtuar marrëdhënie dypalëshe me të, ndërkohë që vazhdojnë politikën e ‘maces me miun’ me Shqipërinë?!
Prishtina duhet të jetë kryeqyteti i diplomacisë shqiptare. Më 24 shtator do të mbahet mbledhja e rradhës e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Takimi është i rëndësishëm, por është vetëm një ndër shumtët me të cilët Kosova do të duhet të pajtohet derisa historia e shtetformimit të saj të mbyllë plotësisht ciklin. Ky nuk është një zhvlerësim, por thjesht një mënyrë për të treguar që përcaktuese nuk janë rastet, por strategjitë. Realiteti faktik i Ballkanit do që në të të ketë dy shtete shqiptare dhe bazën e çfarëdolloj stategjie na e jep pikërisht ky realitet.
Shqipëria nuk është e vetme, por vazhdon të sillet si e tillë. Jemi gabim. Justifikimi i përhershëm mbi mbajtjen e peshës edhe të Kosovës në politikën e jashtme nuk është i vlefshëm. Kosova është shtet, e mban vetë peshën e saj. Të qenurit në vëmendje të qëndrueshme të diplomacisë së rajonit e ka një domethënie. Kosova është shtet i pavarur dhe merret në konsideratë si i tillë. Serbia, në gjithë vazhdën e lëvizjeve të pas vendimit të GJND-së, ka treguar se, në mënyrë paradoksale, është shteti që më shumë merr në konsideratë këtë entitet të ri që vetë ajo e kundërshton.

* * *

Fqinji tjetër i yni nuk e njeh ndërkohë Kosovën si shtet. Duket, në pamje të parë, se grekët as që merren me të. Në fakt, s’kanë pse merren. Mjaf të ngrihen pa ndërprerë mjegullnaja në Shqipëri dhe loja kryhet. Ne nuk mund as të grindemi me njëri-tjetrin në shtëpinë tonë sepse çeshtja ndërkombëtarizohet nga grekët.
Shpeshherë hutimi i përgjithshëm që na jep sjellja e grekëve ndaj shqipëtarëve lidhet me një pyetje shumë të thjeshtë: “Çfarë duan nga ne?” Hë pra, çfarë duan?!
Vorio Epiri nuk është përgjigja. Kjo është pak, por e sigurtë. Më 22 korrik, GJND-ja legjitimoi shpalljen e shtetit të Kosovës. Tërësia territoriale e tij iu shkëput dikur Shqipërisë për t’iu dhënë Serbisë, ashtu siç edhe Çamërisë iu dha Greqisë. Grekët nuk kanë nevojë të flasin për Kosovën, historia qartëson gjithçka. E shkuara e jep përgjigjen.
Grekët janë të detyruar të ndjekin politikën që ndjekin. Është zgjedhja e duhur dhe ata e zbatojnë me përpikmëri. Vorio Epiri është ‘gozhda e Nastradinit’ ku qëndrojnë varur frika e ndërgjegjësimit të shqiptarëve në shtetin e Kosovës e të Shqipërisë për forcën që kanë. Një ndërgjegjësim i tillë do të sillte padyshim ndryshiminn e kursit të politikës së jashtme të Shqipërisë. Refreni, të paktën i muajve të fundit, ngrihet mbi rolin që mund të luajë Greqia në pengimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët?! Ky është në thelb një diskutim i mbyllur, por, edhe nëse nuk do ishte i tillë, në djall vizat përballë një të ardhmeje afatgjatë e jo të rastësishme. Shqiptarët e dinë që kanë ende një llogari të madhe të pambyllur me grekët.
Serbia, me shkëputjen e Kosovës, nuk ka më asnjë hesap të palarë me Shqipërinë, megjithëse ky nuk ishte fundi që parapëlqehej. Nga ana tjetër, pozita gjeopolitike e Çamërisë justifikon plotësisht çdo lloj qëndrimi grek. Interesi ynë i brendshëm gjithashtu do të justifikonte çdo lloj qëndrimi tonin.
E jona nuk ka përse të jetë politikë agresive, por nuk ka përse të jetë as e nënshtruar apo e kufizuar në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga politika e jashtme gjithnjë aktive dhe e vëmendshme e fqinjëve. Emri i rrugëdaljes për të fituar terren në ringun marrëdhënieve në rajon është Kosova.


Valbona Mehmeti


Studente
Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare
UFO University, Tiranë


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive