Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow "Lidhja Kosovare" - një vepër e munguar në historiografinë shqiptare
"Lidhja Kosovare" - një vepër e munguar në historiografinë shqiptare PDF Print E-mail
25 Nentor 2010

Nga Tomë Mrijaj, New York


Për brezat e rinj shqiptarë, e në veçanti të atyre kosovarë, kjo vepër e Prof. Dr. Riza Sadikut do të mbetet si një zbulim i pa njohur në historiografinë shqiptare i një aktiviteti 50-vjeçar, të zhvilluar në mërgim nga organizata patriotike Lidhja Kosovare, e cila ishte krijuar me amanetin dhe porosinë e gjeniut të kombit Mit’hat Frashërit (Lumo Skendo), si një degë e organizatës politike kundërkomuniste gjithëkombëtare, me emrin kuptimplotë: “Balli Kombëtar”.
Mendoj, se pikërisht këtu qëndron merita e autorit dhe vlera e madhe e veprës studimore voluminoze, e punuar me një kujdes dhe përkushtim shumëvjeçar dhe e pershkuar nga fillimi e deri në fund nga një ndjenjë përgjegjësie serioze të lartë morale dhe patriotike, për të thënë gjithçka të vërtetë dhe vetëm të vërtetën të bazuara në fakte dhe dokumente autentike historike.

Libri "Lidhja Kosovare" me autor Prof. Dr. Riza Sadiku
Kësisoj mjafton t’i referohemi burimeve dhe literatures së pasur të shfrytëzuar me imtësi nga autori, ku dëshmohet sasia e madhe e materialeve të vjelura, që janë ofruar në veprën e mirëfilltë historike, si: dokumente, raporte, proklamata, kujtime, thirrje etj., për të ndërkombëtarizuar çeshtjen shqiptare në përgjithësi dhe ate kosovare në veçanti.

Përmes një metode faktografike dhe krahasuese në kohë dhe hapësirë historike, janë shfrytëzuar gjithashtu me dhjetra artikuj të gazetave, që botoheshin jashtë atdheut, gjatë periudhës së regjimit komunist, si në: Itali, Australi, Francë, ShBA, Turqi, etj., dhe me dhjetra libra, studime, broshura, simpiziume ose përkujtimore të figurave të shquaratë të nacioanlizmit shqiptar në emigracion, shkruar nga autorë të ndryshëm për të njejtën temë.
E gjithë kjo punë e madhe hulumtuese voluminoze, është bërë me qëllimin e fortë patriotik të autorit Prof. Sadiku, për të nxjerrë në dritë historinë e lavdishme të Lidhjes Kosovare (1949-1999), duke sensibilizuar kësisoj mbarë opinionin publik ndërkombëtar për çeshtjen shqiptare dhe atë kosovare në veçanti, nën rregjimin shovinist serbosllav në ish Jugosllavi.
Nëse do ta shohim në esencën e vet të gjithë aktivitetin e pasur patriotik të organizatës thellësisht patriotike Lidhja Kosovare, del se ajo është një ndër antarët më të vjetër të “Bashkimit Federal të Grupeve Etnike Europiane” dhe pjesëmarrëse active pothuajse në të gjitha kongreset e saj, që nga 19-20 Nëntori i vitit 1949, që u mbajt asokohe në Versajë të Francës e deri në Kongresin e Nacionaliteteve Europiane, mbajtur në Budapest, më 9 Maj 1991.
Në historinë e organizatës në fjalë, sot me krenari shohim se Lidhja Kosovare ka marrë pjesë në 41 kongrese, sikurse dëshmojnë edhe burimet autentike arkivore historike të nxjerra sot në dritë nga autori.
Kanë qenë këto aktivite të gjithanshme të organizatës nacionaliste Lidhja Kosovare, të zhvilluara pandërprerje për 50 vjet me radhë, që na japin krenarinë e të qenurit vijues të tokës së Arbërit dhe Dardanisë martire.
Të tillë mund të përmendim organizimin e mitingjeve të shpeshta, protestave e demostratave me simbole të mirëfillta kombëtare me tematika thellësisht patriotike para selisë së OKB-ës në New York, para Shtëpisë së Bardhë në Washington, në Chicago, Detroit, në qytete e shtete të ndryshme, deri në Australinë e largët, me mbledhjen e ndihmave materiale dhe financiare për UÇK-në e plot të tjera; që u bënë kësisoj një kontribut i madh në luftë për fitoren vendimtare të  Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.
Mbledhja dhe dhënia e gjithë informacionit kaq të pasur, të shoqëruar edhe me mëse 100 fotografi origjinale dhe të pabotuara ndonjëherë për aktivitetin e organizatës Lidhja Kosovare, nuk ka qenë aspak një punë e lehtë për Prof. Dr. Riza Sadikun, sepse autorit i është dashur të hulumtojë me kujdes në shumë biblikoteka dhe arshiva private dhe shtetërore në vende të ndryshme; me shumë organe shtypi të botuara gjithashtu në vende dhe periudha të ndryshme kohore; të kontaktojë me shumë protogonistë veprimtarë dhe drejtues të organizatave për të mbledhur dëshmi dhe fakte reale.
Historia e organizatës Lidhja Kosovare, ka qenë një temë sa patriotike aq edhe e vështirë për t’u mbrojtur si tezë diplome, për vetë aktivitetin e dendur të një periudhe të gjatë 50-vjeçare të organizates në fjalë, jo vetëm në favor të çështjes kosovare por gjithëshqiptare; që kërkonte studime, hulumtime, ballafaqime, analiza, dëshmi dhe prova të pakundërshtueshme.
Por Prof. Dr. Riza Sadiku, me këmbënguljen, pasionin dhe vullnetin e tij të admirueshëm, ia doli me sukses të plotë në krye kësaj pune, duke na dhënë një vepër, që do të zërë një vend nderi në fondin e artë të historiografisë shqiptare.
Të gjitha këto kanë patur një kosto të konsiderueshme financiare, të cilën e ka mbuluar nga xhepi i tij personal dhe një grup miqësh dhe dashamirësh të kësaj organizate. Kjo nuk ka qenë një sacrificë e vogël, por përkundrazi mjaft e madhe dhe e vështirë për t’u përballuar.
Para shumë viteve e takova Prof. Dr. Riza Sadikun, në aeroportin J.F.K. në New York. Unë po përcjellja një mik, që kishte ardhur për vizitë në SHBA.
Sapo mbërrita midis shumë njërëzve, që po lëviznin në drejtime të ndryshme, më ra në sy një pasagjer me një numër të madh valixhesh. Në moment iu drejtova mikut tim me fjalët: “Sa familjarë i mirë qënka ky udhëtar me gjithë këto valixhe që ia sjell familjes së tij?”
Miku që e njihte pasagjerin e panjohur për mua, mbas një buzëqeshje shtoi: “Udhëtari është shqiptar. Valixhet që ju shihni nuk kanë asgjë personale. Ato janë të mbushura me materiale dokumente, të cilat i ka mbledhur me shumë vështirësi në shtete të ndryshme të Amerikës për Muzeun Historik të Kosovës. Personi që i mban ato për t’i kthyer në vendlindje quhet studiuesi dhe punëtori i palodhur i Muzeut të Kosovës Prof. Dr. Riza Sadiku.”
Më pas iu afruam Profesor Sadikut, u përshëndetëm dhe nga ajo ditë mbetëm miq të mirë. Ai ka bërë edhe udhëtime të tjera në Amerikë dhe gjithnjë është kthyer i mbushur me materiale historike arkivore të dhuruar nga komuniteti shqiptaro-amerikanë.
Duke e parë me një admirim dhe respekt të veçantë Prof. Sadikun, thashë me veten time: të kishte shumë njerëz të tillë Kosova e Re, do të radhitej shumë shpejt me shtetet e përparuar me muzetë e tyre të pasura, që janë pasaporta identiteti për çdo komb.
Në vizitën e fundit në New York, Profesori i nderuar Riza Sadiku më dhuroi me autograf librin historik voluminoz prej 456 faqe, kushtuar organizatës nacionaliste, me titull: “Lidhja Kosovare 1949-1999”, botuar në Prishtinë në vitin 2006.
Këtë vit Profesori ishte mik në New York, pranë arkivës së Lidhjes së Tretë të Prizrenit (1962-2010) në mërgim, ku Kryetari Ismet Berisha dhe unë si Sekretar i Përgjithshëm, i ofruam me bujari dokumente dhe burime historike autentike që i interesonin Muzeut Historik të Kosovës.
Me Profesor Sadikun, jemi pjesëmarrës në nëntë simpoziume të së Djathtës Shqiptare në Mbrotje të Shqipërisë Etnike si dhe në stafin e redaksisë së botimeve të përvitshme (që po bëhen mbas tubimeve historiko-shkencore), për shumë figura të shquara të nacionalizmit shqiptar në trojet etnike.
E në mënyrë të veçantë, duhet thenë se penda dhe mendja e begatë e Profesor Riza Sadikut, gjithnjë ka lëvruar figurat e harruara të nacionalizmit shqiptar, të cilat kanë qenë lenë në pluhurin e harresës për 50 vjet të rregjimit komunist në Shqipëri dhe trojet shqiptare nën ish Jugosllavi.
Ai edhe sot vijon të punoi me plot enërgji pa u lodhur në veprimtarinë patriotike të mërgatës shqiptare nëpër botë.
Dhe është pikërisht për këtë që meriton Mirënjohjen e të gjithë bashkatdhetarëve dhe urimet më të mira, për një jetë të gjatë dhe të suksesshme në dobi të çeshtjes kombëtare!


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2010-12-07 22:56:58
Me vend dhe shume i rendesishem eshte ky artikull i shkruar nga z. Tome Mrijaj se jo vetem qe vlereson mrekullisht librin "Lidhja Kosovare" por e mirecmon dhe punen e pa lodhur te shkrimtarit e historianit, Dr. Prof. Riza Sadiku. 
Nderime. 
Nga Australia, Petrit Kello.


International
English
Faqe interaktive