Faqe kryesore arrow Letersia arrow E Bukura e Dheut kreh flokët me vargjet e poetit tepelenas
E Bukura e Dheut kreh flokët me vargjet e poetit tepelenas PDF Print E-mail
25 Nentor 2010

Nga Keze Kozeta Zylo

    Duke lexuar poezinë “Meridianët i mjekon bukuria” në librin e fundit  të poetit Novruz Xh. Shehu “Të vdekurit na përgjojnë”, natyrshëm të duket se je takuar me të Bukurën e Dheut, dhe se poetët vetëm aty mund të gjejnë prehjen e tyre shpirtërore, edhe pse në momente të caktuara Hëna nga xhelozia mund të skërmitet si protezë e thyer...!
Nëpërmjet poezive të tij aq të ndjera na shfaqet kudo e Bukura e Dheut, në gjokset e saposythura, apo në odat e gjetheve të virgjëra të nusërisë, që lajnë dhe fshijnë sytë, duke e veshur ajrin me një cipë të mëndafshtë laureshash.

 

    Autori Shehu ka një kod krejtësisht të veçantë lirizmi, një lirizëm të hollë që vjen pikërisht nga mënyra se si e percepton dhe e shijon ai të bukurën, me një etje të përjetshme, ndaj dhe vargu i tij këndon:
Natyrisht e pashë/ Rrrinte mes nesh e Bukura e Dheut!
Ai mjeshtërisht di ta vesh vargun me një fustan të bukur nusërie, duke hedhur në breg dallgë me valë ku dhe foletë e pranverës së blertë mbushen me vezë zogjsh, nga dashuria për të Bukurën e Dheut!
Dhe të ngjit kjo ndjesi e ëmbël ngase ka çelur në plagë poetësh, në buronjat e dhembjes të cilat me llambat e shpirtit i djegin ngadalë, fare ngadalë.
    Ndërsa e Bukura e Dheut varet në degëzat lotues të vështrimeve të poetit, ku sytë e tyre së bashku notojnë në valëza të kaltra dhe buzë të vesta...
Brenda palcës së fjalës shprehet se nuk mund ta konceptojë dot jetën njerëzore pa atë perëndeshë bukurie ndaj dhe vargëzon:
Hamall akullnajash përzënë nga ajsbergët/ do të isha/ pentagram/ me solin të humbur/              do të isha/ shpellë (gojë e hapur kufome)/ kambanë e zhveshur nga jehonat/ zog me flatra të rëna nga rebelimi do të isha/ nën këtë qiell me dashuri ulëritëse.
Eshtë nje poezi kanarinë që këndon me të mjaltat ëndërrime në krahë të gjelbërta pemësh, ku pa bukurinë do të ishte thjesht gojë e hapur kufome...
Bukuria tek autori shpërthen si sythet pranverore dhe çel gati nga magjepsja e saj në poezinë “Homeriada”:
Sonatat e perëndive i dërgojnë/ tek dashuritë e lodhura të trojanëve/ ku Helenat djegin fustanet/ e mbretërojnë nudo/ në karro të furishme të erërave...
Pena e tij është një bisturi shpirti që mundohet të mjekojë meridianet vetëm me bukurinë:
 “Mori bilë, bilë e lalës/ Mori e bukur.../ Pse më çon në monë e shkuar?...”
Këndoj si Robinson i dërrmuar/ Mbi renë e vogël të shpresës/ Vallë je ti/ Ajo që kërkoj,
Nimfë e dalë nga përrallat?
    Autori duket sikur ka lindur nga e Bukura e Dheut dhe lëshon pikëza dielli poezie, për të thurur tantella si shkumë e bardhë në maja malesh aty ku Perënditë kanë fronin.  Ja si e ndjen të bukurën në poezitë e tij:
Më prekën gjatë ecjes/ Frutat e gjoksit/ Të një vajzeje të bukur/ “Më fal!” mërmëriti/ Me skuqjen e lehtë/ Që e jep vetëm dielli!

    I lexon këto poezi në libër dhe për çdo vend në këtë botë ai fantazon ta pagëzojë me bukurinë, jo se autori është verbuar prej saj, por bukuria është verbuar pas vargut aq magjepsës për të Bukurën e Dheut.
Vargu i tij është tejet i lëmuar dhe duket sikur e ka rrëmbyer përgjithmonë të bukurën, dhe këtë bukuri do t’ja sjelle shekullit:
E Bukura e Dheut/ Flokët kreh/ në shekullin tim të kapitur... thotë autori, por në fakt shekujt akoma s’janë magjepsur nga bukuria e saj, ndaj ajo do të vazhdojë të krehë flokët e mëndafshta vetëm me vargjet e poetëve, për rrjedhojë dhe të poetit tepelenas, Novruz Xh. Shehu!
 
Të vdekurit na përgjojnë...

I veshur me pushtetin e ajërt,
Në poltronmortin qëndron,
    Mediton, vëzhgon,
        Faik Konica!

Në poezinë “Faik Konica”, poeti Shehu duket gati si shenjt, sjell botën e përtejme pranë nesh, nga se amanetet e tyre jane akoma të pakryera dhe sipas filozofisë së popullit: “Amanetet nuk i tret dheu”
Pena e tij pikon dhimbje dhe brenga për ata që ikën papritur nga kjo botë, aksidentalisht ose me tmerr.
Autori ka parë një kafkë dhe era luan me zgavrën e saj si fëmija në lisharëse, ndërsa një miush bën aerobi në këtë godinë fosforeshente.
Çuditërisht me emrin kafka lidhet shkrimtari i famshëm Kafka, por me ndryshimin se ne jemi të divorcuar me famën dhe emrin e tij.
Poezia sjell një monolog nga bota e përtejme, një monolog që e bëjmë ne me veten, sepse kafka jemi ne thotë autori, prekshëm...
    Ndërsa tek poezia “Shën Tereza”, lexuesi mjekohet nga duartë e saj si fashot e buta të mëndafshta, e cila shëron plagët e shkaktuara nga të verbërit e pasurive.
Ajo ecën bashkë me Skënderbeun, krah nesh thotë poeti, si ëngjëllore duke mbajtur diellin në dorë dhe Gjergj Kastrioti e arrin mbi kalin prej tingulli dhe i jep shpatën:
Për ty e mpreha – i thotë/ për ty i lashë pas vdekatarët/ për ty i mblodha të gjitha këngët
që m’u kënduan/ Shën Tereza e puthi/ shkriu shpatën dhe thirri Paqen/ që t’ia bekojë botës unazën më të bukur!
Brenda këtyre poezive prekim dhe bërthamën e një tragjedie që luhet në teatrot botërore apo dhe midis nesh pa qenë nevoja për amfiteatër...!
Tek vargjet për Ledi Makbeth që kanë shekuj poetët që shkruajnë për duart e saj të lyera me gjak, ndjejmë se janë vargje drithëruese dhe me një tingëllim kob të zi, që të ngjall frikë, ngase i sheh përditë, ecin rrugës me ne, vetëzgjidhen në krye të fronit mëkatar...!
Ledi Makbeth/ pret biletë për në një planet tjetër/ me Tokën në kthetër/ Ne nxitojmë, fluturojmë/ përgjumemi/ këndojmë/ në prehrin e Ledit.../ Ledi Makbeth/ kjo bushtër e vjetër/ mban globin në kthetër.
Autori jep esencën nëpërmjet lojës së vargut, metaforikisht, jep duartë e saj të shtrira si kthetra para nesh, dhe ne “buzagaz” ulemi në prehrin e saj...
Arti i fjalës në këtë libër mbart dhe transmeton tek lexuesi një ngarkesë emocionale e cila të mbërthen fuqishëm dhe të fut brenda një ansambli të tërë poetik, brenda fuqise gati hyjnore, që vetëm kjo racë poetësh di ta verë në skenë madhërishem...  
Ansambli i Deave/ sërish i kthen shpejtë tek detet/ me porosinë e vetme/ të tregojnë brigjet/ Këngëtarja Elena Mërkuri/ pi një filxhan diell/ dhe nxjerr nga gjiri/ vajzën e porsazgjuar të valëve...
Pasi e lexova u drodha e tëra, m’u shfaq pranë vajza e valëve brigjeve të detit, jo si statuja e Sirenës së Anderstenit, që ndodhet mbi ujërat e Amsterdamit, por m’u shfaq realisht, si një nimfë dashurie, si një nimfë himariote shqiptare.  
    Ndoshta, ndoshta ky libër do u bjerë në dorë një ditë dhe milionierëve shqiptarë dhe me ato para që ata harxhojnë për kazinotë dhe restorantet që kanë mbire si kërpudhat në vendet më të bukura dhe më të virgjëra të Kombit tim, shpresoj që të vijë një ditë dhe  t’i thërrasin trurit të etur për para, duke hequr perden e mjegullt që u ka zënë sytë, për të rivlerësuar kulturën dhe pjesën më vitale të Atdheut, i cili ka dekada që ka rënë në duartë e tyre...!
Pena e autorit duket sikur merr butësi dhe mirësi Vaisliqie, nga gruaja e Ali Pashë Tepelenës, bukuri hëne të Haidesë, bijës së tij, dhe ndriçim nga ylli i Jataganit...
Vasliqia shprehet autori me nje puthje e vuri në gjumë Janinën, dhe mbi kuaj hipi detin e shtrirë...
    Poeti Shehu frymëzohet nga shkrimtari botëror Aleksandër Dyma i cili në librin e tij shkruan se Hajdenë, të bijën e Aliut e çuan robinë në Stamboll së bashku me kokën e prerë të të atit.  Ja si i këndon autori në poezinë: “Ali Pashë Tepelena”:
Trupin kam në Shqipëri/ krahët kam në shpatë/ Dil Sulltan/ se dhe i vdekur/
Ditën ta bëj natë!...
Haideja- ballë përballë Stambollit/ Ali Pasha- ballë përballë Sulltanit/ Haideja- hënë e bukurisë/ Ali Pasha- yll i jataganit!
Brenda poezive gjejmë herë herë figura që flasin me gjuhën e bukur dhe misterioze të heshtjes, ato kanë thellësinë e detit dhe e bëjnë lexuesin të meditojë brenda mesazheve që përcjellin aq ndjeshëm dhe shpesh herë dhimbshëm.
Në poezinë “Letër qershisë pranë varrit të nënës”, më shfaqet imazhi i një zemër nëne, që qëndis me yje mbrëmjeve fustanin e nusërisë së përjetshme.
Ai i këndon qershisë duke e quajtur atë motër, dhe si motër vetëm asaj i drejtohet kujt tjetër?  
Nuk ka poet që të mos i ketë thurur hymn nënës, nënëmirave tona!  
Ai kuvendon me të si djali me nënën, dhe ndaj i përgjërohet qershisë si në balada, sepse është e vetmja pemë qe nuk e lë vetëm, mirpo poeti është në ankth se mos “rreshjet e fuqishme” e shkulin qershinë me gjithë rrënjë dhe përmbytet varri i nënës...
Ai vazhdon refrenin e dhimbshëm se vetëm qershisë i drejtohet e kujt tjetër, sepse është e vetmja që me deget e saj i afron hijen në zhegun e vapës, dhe iu lutet zogjve te malit t’ia shpijnë shpatullat e lodhura...
Qershiza është kaq e kujdesshme saqë dhe kur djali s’ka gjetur dot mundësinë për të shkuar tek varri i nënës, ajo i ndizte hënën në vend të qiririt, dhe nëna shikonte të birin se si thyente televizionet të nxitonin t’i jepnin pak ujë në varr Musine Kokalarit, dhe se si ai merrte ne sup nënën e Pjetër Arbnorit.  
Hëna nga dashuria për pemën e bukur i var dy qershia si vath të kuq fustanit të bardhë të perjetësisë dhe mali ulet në sup të saj e bëhet flutur.
    Poeti Shehu e mbyll librin me poezinë kushtuar princeshës Dajana e cila u përplas si kometë me bukuri marramendëse, përmbi të gjithë ishujt e botës dhe tronditi mbretërinë e përgjumur...
Dashuria e saj udhëtoi deteve të thinjur dhe paralizoi paparacët e çmendur, ndaj dhe poeti u rikujton Hamletin për tragjedinë e princeshës Dajana:
Ishujt kruajtën supet si nga insektet e  xhunglës, gazetat mblodhën leckat prej letre, kamerat shqyen sytë në pritje të një imazhi tjetër, pa kthyer shikimin nga Hamleti që luante poker me kafkën e të atit.,
Por syte e butë të saj vazhdojnë të përgjojnë që nga bota e përtejme:
Dajana u shndërrua në  qirinj, që ndizeshin mbi shtatin e saj të veshur, e me herbarin e luleve, ju përlut Parajsës:“ Shpërndajua atyre që pa ankth dashurojnë!”
Janë shumë amanete patretur në këtë botë, por mua sepse më duken shume më tepër në vendin tim, ngase kur kujtoj arkëmortin me trupin e Konicës që qëndroi vite në kishë të Bostonit, në pritje të plotësimit të amanetit të tij, “Të prehem në Atdhe”, apo Mithat Frasherit birit të Abdyl Frasherit që varri i tij akoma ndodhet ne SHBA, e sa e sa bijve të shquar që iu mohua dhe një copë tokë për varr në vendin e tyre, ndjej dhe kuptoj se ka shumë për të thënë Faik Konica, ndaj dhe s’mund te largohet lehtë nga kjo botë e mbrapshtë...!
Kujdes të vdekurit na përgjojnë...!

Tetor, 2010
Staten Island, New York

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?