Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow Ninulla e lirisë
Ninulla e lirisë PDF Print E-mail
21 Dhjetor 2010
Muharrem BLAKAJ

Tregim
Kushtuar dëshmorit të UÇK-së Skënder Maraj


E përgatiti mitralozin, duke ia bërë kontrollin e fundit. Ndihmësi i tij përdatej me arkën e fishekëve duke rrafshuar dheun që ta vendoste drejt mbi truall. Nga çanta nxori granatat, bombat dhe, kërcënueshëm i vendosi pranë një guri të madh në anën e djathtë të krahut të tij. Ngadalë dhe, me një heshtje të thellë, nga brezi nxori revolen. Pasi e kontrolloi, tërhoqi siguresën dhe e bëri të gatshme për zjarr dhe prapë e futi në brez.
I strukur në istikamin e tij, të maskuar mirë prapa shkurreve, e mbështeti faqen në kondakun e mitralozit dhe sikur ishte duke marrë nishan i bëri edhe disa lëvizje të trupit për të bërë vend më të përshtatshëm. Pastaj nuk lëvizi më. Ashtu i shtrirë, i lodhur dhe i rraskapitur siç ishte, mbylli sytë. Po kotëm pak, mendoi dhe në çast, si në vegime ju bë se pa djalin e vogël, me faqe të skuqura pranë stufës, i lodhur nga lodrat e ditës, duke dëgjuar përrallën e gjyshit Malë e kishte zënë gjumi. Një buzëqeshje ju ngri në fytyrë dhe, si pa dashje hapi sytë duke kundruar në drejtim të lindjes. Si një hije nate dallojë kodrinën e vogël me kaçuba dhe për një çast mbeti i tretur në kënaqësinë e asaj nate kur fshehurazi ishte takuar me vashën. Ajo kishte qenë nata më e lumtur në jetën e tij. Edhe tani iu bë se ajo me hapa të lehtë po afrohej drejt tij, me pelerinën e hedhur krahëve, të hapur valëvitshem nga fresku i asaj nate me hënë… Eh, tani atje janë çetnikët!

Vërshëllima e një granate ia këputi fillin e vegimit. Ashtu i trembur u mbështet edhe më fortë pas mitralozit. Pasi e mori pak vetën, vështrimin ia hodhi peizazhit që shtrihej para tij. Vendin e gjëmimit të fuqishëm në veshët e tij e zuri jehona, në fillim e fuqishme pastaj duke u përplasur faqeve shkëmbore të Lugut të Madh, sikur bënte thirrje misterioze: „Ejani pas meje“ dhe pastaj ajo jehonë u zhduk lugshtave të Lugut të Butë.
Kur agimi u teh mbi majat e maleve, pushuan edhe granatimet. Mugëtira fashitej dalë nga dalë. Sa vinte e shtohej drita duke e bërë peizazhin të dukshëm. Diku në thellësi të prapavijës dëgjoheshin zëra të mbytur, që të lenin përshtypjen se dikush po vajtonte, apo ishte ndonjë gjëmë, një ushtimë e dalë nga dheu, sikur vinte nga mali, atje tutje, pranë shpellave ku ishin mbledhur për shpëtim pleq gra e fëmijë. Diku afër, në zabelin e Derrpave u dëgjua një blegërimë, kurse si përgjigje e asaj blegërime u dëgjuan krrokatje sorrash.
Në vijën e frontit mbretëronte një heshtje e frikshme, e mbushur plot me pezëm. Nuk ishte frika e sulmit sepse sulmin ata e prisnin nga çasti në çast por ishte frika se mos ushtarët e armikut do të sulmonin pa u diktuar. Gjatë gjithë kohës së granatimeve, kjo frikë kishte qëndruar pezull mbi kokat e tyre. Dyshohej se ata, me anë të zbuluesve të tyre sekret, kishin arrirë të zbulonin ndonjë shteg dhe, përmes tij pastaj ti fusin në grackë. Ky dyshim, si ogur i zi, kishte udhëtuar nga njeri ushtar të tjetri. Pëshpërimat shtoheshin kurse, zymtësia vërehej në fytyrën e çdo njërit.
Tamam kur këto re dyshimi ishin davaritur, kishte ndodhur ajo që vetëm të menduarit e saj, kohë më parë i kishte tronditur. Ushtarët e armikut kishin gjetur shtegun dhe ishin futur në prapavijë.
Për një çast në mbarë vijën e frontit u bë rrëmujë e paparë. Të zënë në befasi, ata qëllonin kuturu. Pas pak, ata që i shpëtuan sulmit të parë zunë vende të reja duke u përqendruar filluan të merrnin nishan. Sulmuesit e prapa krahëve, në fillim qëndruan por, pas pak ata filluan të tërhiqeshin. Tani frika nga ndonjë grackë ishte edhe më e besueshme ndaj tërheqjen e armikut e morën me rezerva. U duk se u bë një përparim por, sulmi i dytë nga ana e përparme ishte shumë më i rreptë se i pari. Duke e parë rrezikun se do të ziheshin në qark, komandanti urdhëroi tërheqjen. Një pjesë e ushtarëve filluan të tërhiqeshin. Skënderi u përqendrua në mbrojtjen e krahëve të shokëve që po tërhiqeshin. Edhe komandanti kishte zënë një pikë strategjike dhe qëllonte duke ua lehtësuar ushtarëve të plagosur tërheqjen.
Pas tërheqjes së organizuar, komandanti i dha shenjë Skënderit të mos qëllonte.  Kishin mbetur rreth dhjet ushtar bashkë me komandantin. Ata kishin vendosur që t’i lenin të afroheshin dhe pastaj në mënyrë të rrufeshme të sulmonin mbi ta. E vetmja mënyrë për të penguar përparimin e tyre drejt popullsisë civile kishte mbetur qëndrimi dhe flijimi.
Ushtarët e armikut po afroheshin. Ata marshonin ngadalë me një distancë nga njëri tjetri rreth një metër. Për krah tyre lëviznin tanket dhe autoblindat.
Skënderi mori nishan dhe priste urdhrin.
„Zjarr“ – klithi thekshëm komandanti dhe i pari i dha zjarr automatikut. Mitralozi i Skënderit buçiti fuqishëm. Ndihmësi i tërhiqte krehrit e fishekëve që rrëshqisnin në duart e tij si gjarpër. Disa gjëmime të fuqishme i mbytën krismat e armëve të tyre. Komandanti u rrokullis dhe ra në mes të istikamit. Skënderi i dha urdhër ndihmësit t’i vinte në ndihmë. Por eksplodimi i gjyles së topit para këmbëve të tij e plandosi për dhe. Skënderi mori nishan. Ushtarët armiq ishin afruar në disa metra. Pas heshtjes së gjatë, ata duke menduar se nuk kishte shpëtuar askush u hodhën në sulm, por nuk e dinin se ai sulm do të ishte fatal për ta. Breshëria e plumbave të Skënderit ishte fatale. Njëri pas tjetrit binin të vrarë. Ata që ishin fare pran istikamit ranë të vrarë mu në grykën e përvëluar të mitralozit të Skënderit që villte plumba e zjarr pa ndërpre.
Prapa krahëve dëgjoi zëra, deshi të kthente kokën por në shpatull ndjeu therje djegëse dhe, pas pak e kaploi një plogështi në tërë trupin. Më vranë të pa besët, mundi të mendonte dhe rrëshqitshëm pa se si po i afrohej dheu i përzier me guralecë drejt fytyrës duke e goditur, si grusht i ngurtë. U përpoq t’i mbante sytë e hapur për t’i parë ata që e vranë, për t’ju treguar se as në prag të vdekjes nuk ua kishte frikën por, qepallat nuk i bindeshin më. Për një çast ju duk se ishte duke u kotur në gjumin e ëmbël si atëherë kur nëna ishte duke e përkundur në djepin e drurit dhe, nga larg ju bë se e dëgjoi zërin e saj duke i kënduar ninullën. Sa mirë është të flesh kur nëna të këndon ninulla!…por zërat në gjuhë të huaj e kthyen edhe një herë në realitet. Me mundim të madh arriti t’i hapte sytë. Të koka, fare pran syrit të tij pa një çizme gjigante, pastaj shikimi u ngjit lartë dhe pa një këmbë të gjatë dhe çuditërisht shumë të brishtë. Në një moment tjetër do të çuditej se si kishte mundësi që një çizme gjigante të komandohej nga një këmbë kaq e brishtë? Në vegimet e fundit ju bë se nga çasti në çast këmba do të copëtohet, do të thyhet, apo do të zhbëhet duke e bllokuar çizmen. Ashtu si në agoni, pa kur ajo çizme lëvizi duke u larguar nga optika e syrit të tij. Pastaj, pa se ai që pak më parë kishte qëndruar pran tij me atë çizmen gjigante, ishte kthyer nga ai. Në dorë kishte thikën. Duan të me masakronin, mendoi dhe ngadalë ju mbyllën sytë. Si në ëndërr të keqe, ndjeu tehun e ftohët të thikës duke u fërkuar thellë në mishin e gjoksit të tij. Në fillim ai ndjeu një therje, pastaj edhe një tjetër, pastaj shpërthime të shpeshta dhe më vonë ato therje ju shndërruan në përkundje të lehta… si tundjet e djepit para se të flinte!… dhe ju bë se vërtetë ishte në djep… kurse nëna ishte duke e përkundur dhe duke i kënduar ninullën…
…dhe ninulla e nënës sa vinte e venitej... venitej e tretej!… dhe qetë qet, atë e zuri gjumi… Ky ishte gjumi i fundit, gjumi i përjetshëm… ishte gjumi i lirisë!


Korrik 2000

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive