Faqe kryesore arrow Kosova arrow (Pa)përgjegjësia e BQK-së me IBAN-in dhe SWIFT kodin
(Pa)përgjegjësia e BQK-së me IBAN-in dhe SWIFT kodin PDF Print E-mail
21 Dhjetor 2010

Isa Mulaj
 
Dhjetë vite pas themelimit dhe konsolidimit të Bankë Qendrore të Kosovës (BQK), e cila fillimisht u themelua dhe funksiononte si Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës me një shkurtesë si BPK që nuk i përgjigjej emërtimit as në shqip, e as në anglisht (Banking and Payment Authority of Kosova), në Kosovë ende shfrytëzohet IBAN-i (International Bank Account Number – Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare) dhe SWIFT (Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication – Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror) kodi i Serbisë. Zyrtarë të BQK-së, si për shembull zëdhënësi i saj, Besnik Kada, e identifikojnë problemin ose mungesën e SWIFT kodit dhe IBAN-it të veçantë me Kombet e Bashkuara rreth statusit politik të Kosovës, dhe një ekspert bankar, Flamur Keqa, disponimin e tyre e sheh si njohje ndërkombëtare të shtetit të Kosovës edhe në aspektin e transaksioneve dhe shërbimeve financiare. Këto deklarime ndoshta janë forma për t’i bishtnuar papërgjegjësisë së institucioneve të Kosovës, më konkretisht BQK-së, që vazhdon të përdor SWIFT kodin e Serbisë. Po të ktheheni prapa, hiç më larg se para shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, shumica e raporteve dhe analizave e identifikonin çështjen e statusit politik si një ndër pengesat kryesore për ekonominë e Kosovës, pra duket se disa ende po lozin me kartën e statusit politik edhe për çështjet që duken më shumë teknike dhe do të zgjidheshin me një përkushtim të vendosur. Nëse ka qenë e pamundur të fitohet kodi i veçantë për Kosovën, atëherë Besnik Kada dhe Flamur Keqa kanë mundur të rekomandojnë shfrytëzimin e SWIFT kodit të Shqipërisë apo të ndonjë shteti tjetër me përjashtim të Serbisë.

 

Ç’është e vërteta, arsyetimi që jepej më herët për përdorimin e SWIFT kodit të Serbisë, ishte se Kosova nuk është shtet i pavarur, prandaj nuk kishte të drejtë në kodin e saj. Përdorimi i SWIFT kodit të Serbisë e identifikon BQK-në si bankë serbe në të gjitha transferet dhe marrëveshjet e jashtme bankare. Mungesa e këtij kodi i kushton Kosovës dhe i sjellë përfitime Serbisë në transaksione. SWIFT kodin bankar e kanë mijëra institucione të ndryshme financiare nëpër botë, ndërsa Kosova si shtet i pavarur nuk e ka një të vetin.
            Qysh në vitin 2002 kur BQK kishte status më të ultë si BPK, punëtorët kishin paralajmëruar se do ta ndërprenë punën nëse UNMIK-u, që mbikëqyrte punën e BPK-së, nuk e anulon vendimin për SWIFT kodin e Serbisë dhe Malit ë Zi. Por, tash kur UNMIK-u nuk ka kurrfarë kompetencash ekzekutive dhe administrative, Kosova është shtet i pranuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe statusi i BPK-së është avancuar në BQK, atëherë përgjegjësinë duhet kërkuar vetëm tek institucionet e Kosovës dhe papërgjegjësinë e tyre, dhe askund tjetër. Kjo është punë e lehtë që mund ta rregulloj BQK-ja në Organizatën Ndërkombëtare për Standarde – ISO. Mirëpo, duket se jo kompetenca dhe neglizhenca e menaxhmentit të BQK-së është e atillë që në marrjen e SWIFT kodit për Kosovën më shumë mund të jenë njerëzit e zakonshëm jashtë saj se të punësuarit aty. Atyre u intereson një rrogë aty, mundësisht sa më e madhe, sikurse edhe shumicës së zyrtarëve tjerë nëpër institucionet e Kosovës, dhe të mburren se i kanë zënë, që do të thotë okupuar, ato vende të punës, dhe t’i tregojnë dikujt se kush janë dhe ku punojnë, por jo edhe çfarë përgjegjësish dhe kompetencash konkrete kanë.
 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?