Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow Daut Zenuni-Kabashi mbeti përjetësisht shembull si duhet mbrojtur atdheun
Daut Zenuni-Kabashi mbeti përjetësisht shembull si duhet mbrojtur atdheun PDF Print E-mail
21 Dhjetor 2010

Daut Zenuni u lind në vitin 1942 në Kabash. Shkollën fillore e kreu në vendlidje, kurse Shkollën e Mesme Bujqësore në Viti. Ndërkohë e kryen Shkollën Normale në Prizren. Pa shkëputje nga puna e kryen edhe SHLP për mësues klasor në Gjilan. Punoi si mësues në katundet Lubishtë, Beguncë e Binçë.... Gjatë shërbimit ushtarak kreu kursin e oficerëve rezervë. Pas kthimit nga ushtria një kohë ka mbajtur lëndën Siguria dhe Mbrojtja në Shkollën e Mesme “Kuvendi i Lezhës” në Viti. Në vitet e 70-ta punësohet në Sekretarijatin e Mbrojtës në Viti. Ketë profesion e ushtroi deri sa e larguan nga puna serbosllavët. Dauti më 14 prill 1992 nga Hajzer Hajzeri përgjegjës i Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës ngarkohet me detyrën për formimin e Shtabit të Mbrojtjes në komunën e Vitisë, kurse “më 12 maj 1998 në takimin e Këshillit incues me strukturat politike emërohet komandant lufte për Komunën e Vitisë.” (Xhemal Meçi, “Kabashi që në lashtësi” , Tiranë, 2008, faqe 482). Përshkak aktivitetit të tij serbet e mbanin nën vëzhgim të rreptë Dautin, prandaj pas kthimit të tij nga Drenusha (12 prill 1999) ku para dy ditëve kish formuar njësitin ushtarak prej 26 vetave, kthehet në Kabash dhe në mbrëmje të asaj dite serbet i bëjnë pritë te vendi i quajtur “Përroi i Kabashit” dhe e vrasin mizorisht bashkë me Zylfi Agushin nga Smira. Ushtria gjakatare serbe të vrarët i groposin jo më thellë se një tehe beli (lopate) në vendin ku u ekzekutuan.

 

Familjarët e Dautit jetuan një vjet në ankth pa ditur për fatin e tij, është gjallë apo... “Sa herë hapej dera e oborrit ditën, sa here dëgjohej ndonjë zhurmë apo kërcitje natën mendonim se u kthye baba”. – tregon djali i madh i Dautit, Abdullahu. Më 16 prill 2000 trupat pa jetë të Dautit dhe Zylfiut i zbulon Beqir Sallahu. Dëshmori Daut Zenuni u varros me nderime të larta në varrezat e katundit Kabash në praninë e një numri të madh miqësh e shokësh nga gjitha viset e Kosovës. Puna, sinqeriteti, guximi e devotshmëria ishin virtyte të theksuara të Dautit. Ai mbeti përjetësisht shembull si duhet të mbrojtur atdheun. Autori i këtij shkrimi, u takua ditën e natën me Dautin deri pesë ditë para se të vritej. Gjatë takimeve fliste me optimizëm: “Fituesi i kësaj lufte, thoshte ai,  do të jetë NATO e Kosova, por ka me pas dhunë, vrasje dhe presione nga më të ndryshmet që shqiptarët  me  i lëshue vatrat e tyre. Zatën, ata (serbët) pastrimin e Kosovës nga popullata vendase e kanë paralajmëruar shumë herë. Nuk përsëriteshin pa ndërprerë rrenat kot në mediat elektronike e të shkruara serbe se 700 mijë shqiptarë janë emigrant nga Shqipëria, të cilët duhet përzënë.  Dhe tash, shteti që është ngritur mbi krime e rrena, përfundimisht synon t’i realizojë planet për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët dhe rrënimin gjithçka tjetër që është shqiptare.” Duke lëvizur dorën e rrahur e të thekur nga dielli e puna, vazhdonte plot temperament: “Edhe në këto rrethana rrethimi të hekurt, ne duhet të gjejmë shteg, forcë për të vepruar, për t’u mbrojtur... “  Si ushtarak i zoti që ishte kish gjetur ose pastruar vetë nga minat një dalje drejt malit, për t’u vu në lidhje me luftëtarët e UÇK-ës, të cilët vepronin në malet e Sharrit.  

Sabit Abdyli,  Auckland, dhjetor 2010

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive