Faqe kryesore arrow Bota arrow Humbje e madhe për diplomacinë amerikane dhe botërore
Humbje e madhe për diplomacinë amerikane dhe botërore PDF Print E-mail
21 Dhjetor 2010
Nga Valon Kurtishi

In Memoriam
Richard C.Hoolbruke


Media të shumta ndërkombëtare njoftuan para ca ditësh për vdekjen e diplomatit të njohur amerikan Riçard Holbruk. Ishte një lajm sa i befasishëm aq edhe i dhimbshëm për gjithë ne. Në fakt, ambasadori i ndjerë gjendej në mision të përcaktuar diplomatik nga Stejt Departamenti (Ministria e jashtme) amerikan për paqësimin e zonave të nxehta të Azisë jugperëndimore, kur edhe ndodhën komplikimet shëndetësore dhe tragjedia e jetës së tij.

Riçard Holbruk na pati mbetur në mendje neve shqiptarëve, por edhe kroatëve, boshnjakëve dhe sërbëve për mënyrën shumë origjinale dhe efikase të negocimit me lidershipin nacional-shovinist në Beograd, gjatë agresioneve sërbe të viteve 90 në Ballkan. Sidomos mbetet e pashlyeshme për kujtesën tonë historike, fjalia e tij drejtuar Millosheviqit në Beograd disa ditë para fillimit të bombardimeve, “We will bomb you mister President”.

Megjithatë, kariera politike, diplomatike, shoqërore e zotit Holbruk pati filluar shumë herët. Nga jetëshkrimet e publikuara pas vdekjes së tij, shihet se ai është angazhuar shumë i ri, madje që me mbarimin e studimeve në shërbimin diplomatik amerikan, duke i shërbyer me besnikëri dhe vetëmohim interesave kombëtare të vendit të vet. Në fillim ai është angazhuar në sferën e Think Tanks të presidentit amerikan Lindon Xhonson për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit të përgjakshëm në Vietnam. Atje ka dhënë kontributin e tij në ndihmë të qeverisë së Vietnamit të jugut si në demokratizimin dhe reformimin e skenës politike ashtu edhe në paraqitjen e ekspertizave të shumta ekonomike. Më vonë, ambasadori Holbruk angazhohet në misione të ndryshme diplomatike dhe civile në Marok.

Gjatë presidencës së Xhimi Karterit, ai emërohet në pozita të larta për çështjet e Azisë lindore si dhe meret drejtpërsëdrejti me problemet e refugjatëve të ndryshëm që vërshuan SHBA nga zonat e tërheqjes së madhe pas disfatës dhe evakumit perëndimor nga Vietnami më 1975. Më vonë gjatë karierës së tij ka shërbyer si ambasador i SHBA në Republikën e federale Gjermane, kur edhe emërohet si ndihmës sekretar për çështje europiane dhe kanadeze.

Pikërisht në këtë periudhë ambasadori Holbruke fillon të njhet përsëafërmi me situatën tragjike në Ballkan si dhe ndihmon në përpilimin e politikave dhe formësimin e qëndrimit amerikan në lidhje me ish Jugosllavinë dhe Europën juglindore në përgjithësi. Në këtë periudhë ai bën përpjekje të shumta dhe ndërmer iniciativa të ndryshme për të ndaluar konfliktin e përgjakshëm në Bosnjë e Hercegovinë. Këtu njihet si një ndër arkitektët e marëveshjes së Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund masakrës trevjeçare në Bosnjë, si dhe shpëtoi këtë shtet të vogël si dhe kombin e vetëm mysliman të Europës, atë boshnjak nga zhdukja e plotë dhe e sigurtë nga harta e botës.

Në vitet 1998/99 zoti Holbruk ishte i dërguar special i Presidentit Klinton për Kosovën. Këtu ai luajti rolin e vet historik për të cilin kombi dhe shteti ynë kombëtar, Republika e Shqipërisë ynë do ti jenë mirënjohës përgjithmonë. Fushata 78 ditore e SHBA dhe aleatëve të NATO si Gjermania, Britania e Madhe Franca e tjerë, u paralajmërua disa ditë para se të fillonin sulmet pikërisht nga ambasadori Holbruk në zyrën e Millosheviqit në Beograd.
Pas çlirimit të Kosovës nga forcat sërbe, ambasadori ka bërë lobime të fuqishm në botë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme me qëndrime neutrale ndaj palëve kontestuese. Qëndrimi tij ka qenë konstant në mbrojtje të kauzës së drejtë, demokratike e europiane të shqiptarëve të Kosovës. Në një ligjëratë të mbajtur pas luftës në Prishtinë, ai pati thënë edhe këtë: "Përgjigjja më e mirë që vendi juaj i vogël mund t'i japë Beogradit dhe Moskës është hapja e vendeve të punës. Ju duhet t'i ndërtoni rrugët e autostradat, ju duhet të keni qasje në Portin Detar në Shqipëri, në Durrës”. Nga këtu shihet qartë jo vetëm njohja e thellë e problemeve me të cilat përballet shteti i ri Kosovës në skenën ndërkombëtare apo edhe brenda vendit, por edhe simpatia, respekti dhe serioziteti me të cilin i qaset rethaanave dhe sfidave aktuale të Kosovës së pavarur.

Në fund, autoritet më të larta afgane dhe pakistaneze kanë shpehur keqardhjen e thellë dhe shumë të sinqertë për humbjen e tij. Nga kjo del se zoti Holbruk ka bërë përpjekje të drejta dhe parimore sa  në luftimin e patologjive sistemore të këtyre dy shoqërive aziatike aq edhe në demokratizimin dhe zhvillimin e përgjithshëm social të tyre.

Përveç shërbimit në diplomacinë e vendit të tij, ai ka kontribuar vazhdimisht me artikuj të shumtë publicistikë dhe analiza shkencore për ofrimin e alternativave për  zgjidhje paqësore të kontesteve e konflikteve të shumta në të katër e globit. Këtu dallohen për nga kthjelltësia, thellësia e trajtimit si dhe shumëdimensionaliteti i analizës, shkrimet e tij të botuara në revistën “Foreign Policy”, ku ishte një kohë redaktor, por edhe në revista e gazeta tjera anembanë botës perëndimore. Një kohë ka shërbyer edhe me Komisionin “Karnegi” si këshilltar për aspekte të ndryshme shoqërore në ndihmë presidentit të ri të zgjedhur në fillimvitet 90. Nga funksionet ekonomike mund të përmendet periudha kur ishte dejtor i bankës, “Lehman Brothers”.

Dimensioni njerëzor, human qenë pjesë përbërëse dhe e pandarë e filozofisë së tij diplomatike gjatë gjithë periudhës kohore që shërbeu në punët e jashtme të shtetit amerikan. Trajtimi i çështjes së refugjatëve të ndryshëm, në zona të ndryshme gjeografike, në periudha të ndryshme kohore ka qenë i drejtë, parimor, human, njerëzor. Një pjesë të energjisë së tij pozitive ambasadori Holbruk e ka shpenzuar edhe në organizata të tilla si “Koalicioni global i Biznesit për Sidën”. Gjithashtu ndihma e tij për refugjatët boshnjakë si anëtar bordi i organizatës “Refugees International” ka qenë e madhe, e drejpërdrejtë dhe shumëplanëshe.

Peshën, rolin dhe kontributin që ambasadori Riçard Holbruk ka dhënë për Amerikën e ka çmuar presidenti aktual Obama, i cili në deklaratën e tij dhënë menjëherë pas njoftimit për humbjen e tij, pati karakterizuar ambasadorin si” një gjigant i vërtetë i politikës amerikane dhe si një figurë unike i cili do të mbahet mend për diplomacinë e tij të palodhshme, dashurinë për vendin dhe kërkimin e paqes”.
Sekretarja e shtetit Zonja Hillary Klinton e ka karakterizuar ambasadorin Holbruk si një “burrështetas të vërtetë, një nga kampionët më të rreptë dhe një nga shërbyesit publikë që Amerika pati, që e bën humbjen e tij akoma më të rëndë”.

SHBA humbi një burrështetas të madh, një gjigant siç e quajti presidenti amerikan. Kombi shqiptar humbi një mik të mirë, të sinqertë dhe me peshë në Stejt Deprtamentin amerikan, pikërisht ay ku për momentin meren vendime me rëndësi për rajonin tonë të trazuar ballkanik. Ballkanasit e tjerë, marokenët, vietnamezët, timorezët, afganët, pakistanezët, dhe popujt të tjerë të goditur nga kriza dhe konflikte të ndryshme ushtarako-politike përgjatë dekadave të veprimtarisë diplomatike të ambasadorit Holbruk, humbën një paqebërës dhe ndërmjetësues të zotë i cili dha shumë për ta. Bota demokratike, bota e lirë humbi një luftëtar të sinqertë për demokraci dhe liri.


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?