Faqe kryesore arrow Shoqëria arrow Dhjetori i shqiptarëve
Dhjetori i shqiptarëve PDF Print E-mail
21 Dhjetor 2010

Nga Ajet Nuro

Tradicionalisht, për shqiptarët, nëntori është muaji i tyre. Ai lidhet me rikthimin e Skënderbeut në Krujë dhe sidomos me kthimin e shqiptarëve në shtetas të një shteti të tyre. Pavarësia e Shqipërisë nuk mund të krahasohet me asnjë ngjarje tjetër në historinë shqiptare sepse pa këtë akt shqiptarët do ishin sot, le të themi, një Kurdistan ballkanik.
Megjithatë, muaji tjetër që shqiptarët jo vetëm nuk duhet ta harrojnë, por edhe t'i referohen, duhet të jetë dhjetori, muaj ky i lidhur me dhjetorin 1990.


Para dhjetorit të vitit 1990, dhjetori, për mua personalisht, ishte një muaj që edhe pse në varfërinë e atyre viteve (varfëri që ne nuk mund ta shihnim por që e konstatuam shumë më vonë...) përbënte diçka magjike tek mezi prisnim vitin e ri me ato zbukurime që ndonëse modeste, i jepnin ngjyra ndërrimit të viteve e me ndonjë pako shoqëruese ku një portokalle merrte një rëndësi që sot nuk mund të gjenden fjalë përshkruese. Shto edhe kartolinat që shkëmbenim me shokë e miq. Nga ato kartolina kam njohur vise të vendit tim që ndonëse i vogël i ëndërrova ti shkelja me këmbë, i rritur kurr nuk munda t'i shikoj. E megjithatë ndonëse dhjetori na dhuronte një pushim prej 15 ditësh, aty nga viti 1990 zbuluam se në ditët e fundit të dhjetorit kishim « shkelur » mbi një ditë të shenjtë duke mbjell heshtje apo më mirë duke dënuar çdo zë që e  artikulonte këtë ditë. Bëhej fjalë për Krishtlindjen apo Kërshëndellat siç quhet ndryshe në Shqipëri. Në botën Perëndimore, edhe pse sot nuk bëhet fjalë për një festë plotësisht fetare, sidoqoftë kjo ditë përbënë një nga ngjarjet e vitit, ngjarje që e shpreh magjinë me ngjyrat, dritat, blerjet, dhuratat... Edhe sot pyes veten se si ia dolën të  pafetë të evitojnë këtë festë apo edhe festa të tjera që mund të kenë patur ndonjë kuptim qoftë edhe të largët fetar. Dita e verës ishte një nga ato viktima. Por le t'i kthehemi dhjetorit...

 

 Nuk ka një muaj tjetër që të jetë mbushur me ngjarje aq të ngjeshura dhe të ngarkuara si dhjetori i 20 viteve më parë. Kur flasim për ngarkesë, themi në rëndësinë historike të njërit apo tjetrit vendim, në ngarkesën emocionale, frikën, guximin, rrezikun e përplasjeve, e panjohura...
Jo më larg se një vit më parë, në dhjetorin e 1989, në Rumaninë ballkanike, rrëzimi i regjimit komunist ishte shoqëruar me rreth 60 mijë të vrarë.  E ndonëse për Ramiz Alinë Shqipëria nuk ishte as Lindje e as Perëndim, viti 1990, provoi se Shqipëria, ndonëse nuk ishte Perëndim, ajo ishte përfaqësuesja më e vuajtur e Lindjes. Fatkeqësisht. Nëse Lindja kishte disidencë të organizuar ose pak të organizuar, Shqipëria e varfër nuk kishte asnjë gjë që të mundej të ngrihej kundër së keqes që e kishte kapur. Mund të gjendet këtu shpjegimi se pse Shqipëria kaloi 11 muaj pa një lëvizje që të bënte komunistët të harronin se Shqipëria nuk ishte as Lindje e as Perëndim. Ndonëse 11 muajtë e tjerë veç dhjetorit nuk kaluan edhe aq në heshtje, po të kemi parasysh levizjet në Shkodër apo Kavajë, ngjarjet e 2 korrikut, apo edhe disa artikuj « ndryshe », ishte dhjetori i 1990 që do të ishte muaji që do të ndryshonte historinë e shqiptarëve.  

Ndonëse ka nga ata aktorë dhjetoristë që i kanë përshkruar orë pas ore ngjarjet e mëdha të dhjetorit '90 unë do ta ndaja atë muaj në tre pjesë sipas dhjetëditëshve që e përbëjnë. Kështu, në dhjetë ditëshin e parë kemi lëvizjen studentore, në dhjetëditëshin e dytë lindjen e Partisë Demokratike dhe forcave të tjera opozitare, dhjetëditëshi i tretë rihapi portat për boshatisur vendin. Themi « rihapi portat » po të kemi parasysh hapjen e tyre për herë më 2 korrik po të atij viti. Ngjarjet e dhjetorit 1990 qoftë në dhjetëditëshin e parë të dytë apo të tretë, na kanë shoqëruar për 20 vjetë. 20 vjetë më pas gjykojmë çdo gjë që e kemi « dhuratë » nga ai dhjetor i largët. Pakënaqësi, krenari, cinizëm, hipokrizi, urrejtje, adhurim, nostalgji e të tjera ndjenja shoqërojnë këtë pikë që shënon një kthesë në historinë e popullit shqiptar.
Pa dashur të gjykoj gjithshka ka të bëjë me këtë muaj të madh të historisë sonë, dua vetëm të nënvizojë entuziazmin politik që ngjalli tek shqiptarët dhjetori i vitit 1990. Nja dy fakte që ilustrojnë atë entuziazëm dhe shpresë që ngjalli tek shqiptarët lindja e pluralizmit politik dhe e partisë së parë politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Në janar 1991, disa ditë pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri u ndodha në Tiranë. Ato ditë doli numri i parë i Rilindja Demokratike. Ndonëse nga ai janar i largët i vitit 1991 kanë dal edhe gazeta e revista të panumërta dhe ndoshta sot RD është kthyer në një gazetë të dorës së dytë, në ditët e para të saj ajo zhdukej pa dal ende në treg. Madje ngaqë kërkesa për këtë gazetë e tejkalonte ofertën, gazeta shitej me një çmim dy apo trefish. Ata që shisnin gazetën pra nuk delnin keq... Aty për aty mua nuk më bënte përshtypje një gjë e tillë, por me kalimin e kohës gjërat duken ndryshe. Aty mund të gjenden edhe shenjat e para të korrupsionit apo të mpleksies së interesave publike me ato private. Sidoqoftë, RD-ja e atyre ditëve përpihej, jo lexohej. Sot, largimi nga at'dheu nuk përbënë më krim por në janarin e 1991 një artikull si « Kush e braktisi i pari Shqipërinë ?» që jepte emrat e bijëve apo bijave të bllokistëve që me paratë e shqiptarëve rendnin nëpër botë kur shqiptarët e thjesht merrnin plumbin kokës të shoqëruar me damkën « armik i popullit », përbënte ngjarjen e ditës.
Në shkurtin e 1991, pas ngjarjeve tragjike në shkollën e oficerëve të nxitura nga rrëzimi i bustit të diktatorit, shkova tek qyteti studenti. Ende aty, në krah të trotuarëve, ishin vulosur në baltë gjurmët e atyre që bënë histori. Dhe aty në mure mund të lexoje parrulla si « E duam Shqipërinë si gjithë Europa! ». Vetëm sot, pas njëzetë vjetësh, në ditën që po shkruhen këto radhë, shqiptarët mund të lëvizin të lirë, pa viza në kontinentin e tyre natyral...

Në muajin dhjetor të gjithë festojnë mbylljen e një viti me urimin për një vitë të ri edhe më të mbarë. Kudo bëhen bilance e analiza. Kjo është e natyrshmja për të gjithë botën. Për shqiptarët, dhjetori përbënë pikën e ndarjes së dy epokave. I takon këtij muaji që shqiptarët të vlerësojnë vetveten se ku kanë arritur, ku janë me ëndrrat e tyre të thurura në atë dhjetor të vitit 1990, ku janë në krahasim me Europën, ku janë me të drejtat e njeriut, ku janë me të drejtën pronësore. Duke u parë në pasqyrë, shqiptarët mund të korrigjohen dhe kështu kur të urojnë një vit të ri të mbarë, mos të ngelet veç një urim...

Ajet Nuro

Montreal, 15 dhjetor 2010

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?