Faqe kryesore arrow Kosova arrow Dick Marty po përdoret nga propaganda serbo-ruse
Dick Marty po përdoret nga propaganda serbo-ruse PDF Print E-mail
29 Dhjetor 2010

Nga Xhemil Meço

Raporti i deputetit zviceran Dick Marty u prit me habi dhe me indinjatë nga opinioni shqiptar, sepse të gjithë pyesim veten me habi se si një deputet me profesion jurist, i një vendi perëndimor me vlera humane dhe demokratike siç është Zvicra, mund të akuzojë pa asnjë provë luftëtarët e lirisë së një vendi që u përball para 10 vjetësh me një fushatë shfarosje të organizuar shtetërore dhe të hedhë baltë mbi viktimat e kësaj fushate.
 Ajo që është e çuditshme është edhe fakti që ky raport miratohet nga një nga nën-komisionet e Këshillit të Europës, në një kohë që qëndrimi i thuajse gjithë vendeve të BE-së ka qenë i qartë në dënimin e agresorit.

Po të shikojmë më me kujdes, gjejmë edhe përgjigjet për këto kontradikta.

Kush është Dick Marty?

Dick Marty është antar i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës si dhe  deputet zviceran i zonës së Luganos ku edhe ka ushtruar më parë profesionin e prokurorit. Në këtë zonë ka ushtruar edhe Karla Del Ponte dhe sigurisht që kanë njohje direkte.

Dick Marty është i pozicionuar kundër Pavarësisë së Kosovës dhe mendon se Kosova duhet të kishte qëndruar nën Serbi. Këtë e thotë në një intervistë dhënë në Bernë gazetares  Silvia Cattori më 12 mars 2008 [1]. Aty Marty shprehet edhe kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Po ashtu në raportin e fundit që paraqiti para Këshillit të Europës, Marty thotë që të gjitha referimet për Kosovën duhen kuptuar në kuadrin e Rezolutës 1244 të OKB-së e cila ende e njeh Kosovën si krahinë autonome të Serbisë.

Të gjitha këto tregojnë se Dick Marty nuk është i paanshëm në çështjen e Kosovës dhe është e çuditshme që përgatitja e raportit iu ngarkua atij.

Historia dhe përmbajtja e raportit

Pas botimit të librit "Gjuetia"[2] të Karla Del Ponte-s, ish-prokurore e Gjyqit të Hagës, ku ajo akuzon UCK-në për trafik organesh, Komisioni i çështjeve juridike dhe të drejtave të njeriut i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ngarkoi çuditërisht Dick Marty-n me përgatitjen e një raporti në lidhje me këto akuza. Dick Marty ia paraqiti Komisionit këtë raport në dhjetor dhe në janar ky raport do të diskutohet në Këshillin e Europës.

Kur e lexon raportin e sheh se nuk ka asnjë provë të vetme, por vetëm supozime dhe thashetheme. I gjithë raporti bazohet në këtë skenar imagjinar : (1) në periudhën 1999-2000 ka patur trafik organesh me origjinë nga Shqipëria dhe (2) UCK ka patur baza në Shqipëri në atë periudhë. Konkluzioni sipas Marty-t është se UCK ka bërë trafik organesh. Por  Marty nuk sjell asnjë provë. Është e çuditshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ish-prokuror.
Marty thotë se ka disa burime shqiptare, por që sipas tij kanë frikë të flasin. Pasi bën një ligjëratë të gjatë ku sulmon zakonet shqiptare që të mos denoncojnë qoftë edhe nëse u duhet të kalojnë gjithë jetën në burg, Marty tregon se shumicën e burimeve i ka nga "shërbimet represive të vendeve fqinje". Mund të merret lehtë me mend se i ka nga Serbia, e cila dy ditë pas publikimit të raportit deklaroi nëpërmjet një prokurori nga Beogradi se trafiku përfshinte 400 deri në 500 veta, në një kohë që Marty  nuk jepte asnjë shifër të saktë. Koordinim shumë i bukur, por askush nuk jep asnjë emër të vetëm dhe asnjë provë.
2 vjet më parë, Marty tentoi të vizitonte një shtëpi në Burrel, ku, sipas serbëve qenkan bërë heqje organesh. I zoti i shtëpisë, Abdulla Katuci, nuk e lejoi karvanin e Marty-t t'i futej në shtëpi. Në një intervistë të para disa ditësh z. Katuci thotë se Marty kishte sjellë me vete eshtra njerëzish të vdekur. Nëse kjo vërtetohet, kjo do të thotë se z. Marty ka tentuar të krijojë prova fallco, dhe vetëm kjo mjafton ta demaskojë qëllimin e Dick Marty-t gjoja për të gjetur të vërtetën.
Por si një deputet zviceran mund të kalojë në ekstremitete të tilla. A janë  vetëm pikëpamjet e tij që e motivojnë? Dhe si është e mundur që një raport i tillë, pa asnjë provë dhe i bazuar në thashetheme të arrijë për debat deri në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës?

Këshilli i Europës

  Për opinionin e gjerë shqiptar në Këshillin e Europës bëjnë pjesë vendet europiane. Por ajo që dihet më pak është se që nga viti 1995 është bërë antare edhe Rusia, e cila duke shfrytëzuar fuqinë e saj politike dhe ekonomike ka arritur të rrisë influencën e saj deri në atë pikë sa në vitin 2008 për pak sa nuk u zgjodh si President i Këshillit të Europës një ish punonjës i KGB-së [3]. Pra nuk është vështirë për Rusinë dhe Serbinë, gjithashtu antare, të influencojnë punën e një komisioni.

Shtypi i huaj

Për dy-tre ditë ky raport mbushi faqet e para të shtypit botëror, për shkak të karakterit të tij sensacional. Reagimet janë të ndryshme. Shumica e analistëve seriozë vënë në dukje mungesën e provave dhe e cilësojnë si një  fushatë mediatike. Me sa duket kjo fushatë ka arritur një sukses relativ dhe do të ketë njëfarë ndikimi në të ardhmen.

Si është e vërteta?

E gjithë kjo histori, ku ka akuza pa prova dhe pa dëshmitarë, viktima pa emra, prokurorë të politizuar, thashetheme, supozime, raporte në mënyrën kushtore dhe tentativa për krijim provash, nuk mund të merret seriozisht. Kemi të bëjmë edhe njëherë me shpifje dhe sajime të propagandës serbe të cilat nuk kanë munguar kurrë. Ka edhe një fakt tjetër që e përforcon këtë konkluzion: në vitin 2009 policia e Kosovës ndaloi tre agjentë të shërbimit sekret serb BIA që tentonin të gjenin në Kosovë dëshmitarë të rremë, të cilët kundrejt një pagese duhet të dëshmonin për të vërtetuar akuzat e Del Pontes.

Pasojat

Kjo fushatë propagandistike mediatike nuk do të kalojë pa pasoja. Do të ketë një ndikim direkt në njohjet e reja të Kosovës, të cilat për një  periudhë do të bllokohen. Megjithëse është e vështirë, Serbia e përkrahur nga Rusia dhe influenca e saj në Europë, do të përpiqet që ta kthejë tendencën aktuale dhe të bëjë që ndonjë vend ta anulojë njohjen e Kosovës. Dhe më pas ta sjellë përsëri në diskutim në OKB statusin e Kosovës brenda kufijve të rezolutës 1244.
Akuzat e raportit Marty nuk godasin vetëm disa persona në veçanti, por UCK-në, Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, duke i paraqitur përpara botës si kanibalë dhe njerëz të egër pa norma dhe moral. Imazhi që bota ka për një vend, zakonisht nuk kalon pa pasoja për këtë vend.
 
Reagimi shqiptar

Prishtina dhe Tirana i hodhën poshtë me neveri akuzat dhe ftuan EULEX-in për një hetim të paanshëm të akuzave. Përfaqësuesve shqiptarë në Këshillin e Europës iu bie tani barra që ta demaskojnë këtë montazh mediatiko-propagandistik dhe të sigurojnë përkrahjen e duhur për të hedhur poshtë  akuzat.
Por puna nuk mbaron me kaq, sepse Serbia ka një plan afatgjatë dhe mbështetjen e Rusisë për të shkatërruar pavarësinë e Kosovës.
Një gabim i shqiptarëve të Kosovës ka qenë që, të këshilluar nga administrata ndërkombëtare e Kosovës, nuk e kanë pasqyruar sa duhet tmerrin e krimeve serbe në Kosovë. Me arsyetimin e krijimit të një klime të qetë bashkëjetese me komunitetin serb. Sot duket qartë se kjo strategji  ka qenë e gabuar, sepse i jep sot mundësinë Serbisë të kundër-sulmojë dhe të  paraqitet përpara botës si viktimë e shqiptarëve, duke arsyetuar edhe ndërhyrjen e Milloshevicit në Kosovë.
Do të jetë me rendësi që në të ardhmen ajo çka ndodhi në Kosovë të pasqyrohet me saktësi përpara opionit kombëtar dhe atij ndërkombëtar. Duhet parë edhe mundësia e akuzës për genocid ndaj Serbisë, si një akt i cili do të nxirrte në dritë përpara botës terrorin dhe krimet e Serbisë në Kosovë.
E vërteta është aleati më i mirë i Shqiptarëve, prandaj nuk duhet hezituar për ta thënë me zë të lartë.


[1] http://www.voltairenet.org/article155903.html
[2] Libri i Del Pontes ka bashkautor  Chuck Sudetic
[3] http://blogs.independent.co.uk/2010/12/23/the-human-organs-of-the-council-of-europe-evidence-please/

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2011-01-29 00:08:28
Jam i mendimit se shqiptaret ne kosove , shteti i kosoves duhet duhet dhe vetem duhet te krijoj nje komision per grumbullimin e fakteve mbi krimet qe ka kryer serbia ne 100 vjecarin e fundit kunder kosovarve, te indetifikohet faktet e treguar te fotografura te zbulohen planet e akademis serbe qe jane evidente edhe sote per shfarosjen e shqiptarve nuk duhet fole vetem per miloshevicin por per serbin. keto te jene pjese e detyruar ne programet shkollore, ne televizion ne internet , te informohet bota. veten ne kete menyre duke investuar per kete ceshtje do te mund te arrijm te fitojme mbi barbart sllav. Harresa , vonesa eshte fatalitet per kombin shqiptar. Duhet te marrim shembull nga alaeatet tane Izrailit qe kane pesuar pothuajse te njejten katastrof. Me respek Lulezimi nga Vlora.


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?