Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Sporti arrow Diktatura eleminoi atëhere Tiranën kampione
Diktatura eleminoi atëhere Tiranën kampione PDF Print E-mail
16 Janar 2007

Skifter Këllici 

Historia e futbollit botëror njeh shumë skandale që kanë ndodhur brenda dhe jashtë fushave të futbollit-përjeshje të futbollistëve në fushë dhe jashtë saj,ndërhyrje të  tifozëve të njërës, a tjetrës skuadër,kërcënime dhe joshje të drejtuesve të klubeve ndaj gjyqtarëve,allisheverishe, shfaqje korrupsioni që kanë sjellë si pasojë përjashtime futbollistësh,trajnerësh, drejtuesish,por kurrë përjashtimin e ndonjë skuadre nga vazhdimi  i kampionatit.Dhe kjo sepse rregullorja e futbollit  nuk parashikon veprime të tilla..Nuk përfshihen këtu raste kur janë përdorur makinacione për të favorizuar një skuadër a një tjetër, sic ndodhi në sezonin 2005-06 në Itali,ku, si pasojë e procesit  të ashtuquajtur“calciopoli”, “Juventusit” iu  hiq titulli kampion dhe u dënua të luante në kategorinë e dytë, dhe “Milani,”Fiorentina”,”Lacio”, “Rexhina” etj.,u deturuan  ta fillonin kampionatin me disa pikë më pak.

    Por ajo që ndodhi më 24  qershor të vitit 1967, pas ndeshjes “17 Nëntori”-“Partizani” kur të dyja këto skuadra u përjashtuan nga vazhdini i këtij kampionati, është një shëmbull i paparë  dhe unikor.
    Cfarë kishte ngjarë?
    Deri në kampionatin e vitit 1965-66,kur “Vllaznia” ishte shpallur dy herë radhazi kampione më 1945 dhe 1946,vetëm dy skuadra kishin fituar kampionatet në vazhdim:Këto ishin “Partizani”,i krijuar më 1946,(11 herë) dhe “Dinamo”,i krijuar më 1950 ,(6 herë).
    Dhe ja,në ndeshjen e fundit të kampionatit të vitit 1996-66 “17 Nëntori” i Tiranës, duke mundur “Partizanin” 2-0, fitonte për herë të parë në historië e kampionateve të pas Luftës së Dytë Botërore, titullin kampion.
    Ishte me të vërtetë një shuplakë shumë e rëndë që i jepej  këtyre dy skuadrave të privilegjura të udheheqjes komuniste,dy skuadrave, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtes dhe Ministrisë së Brendshme.Thyhej kështu një mith.
    Në dukje, këtu nuk kishte agjë të keqe.Madje,po zgjerohej kështu gjeografia e kampionëve.Por udhëheqjes komuniste i pëlqente që kampionatin ta fitonte cdo skuadër tjetër, por jo “17 Nëntori”,pra, “Tirana”, gjashtë herë kampione që nga 1930 kur ishte zhvilluar kampionati i parë,për t’u ndërprerë më 1939,si pasojë e  pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. .
    Përse kjo dëshirë, përse ky mllef?
    Urrejta kundër diktaturës komuniste ka qenë e heshtur, sepse  dhuna e saj nëpërmjet armës së kësaj diktature,Sigurimit të Shtetit,ishte shumë e madhe .Kështu kjo urrejte përpiqej të gjente shprehje në mënyra të tërthorta.Dhe një nga këto mënyra u bë futbolli.
    Sportdashësit t e “17 Nëntorit”,dhe këta nuk ishin vetëm tiranas vendas, por edhe mijëra e mijëra te tjerë në kryqytet e qytete të tjera të vendit,gëzoheshin pa masë kur skuadra e tyre fitonte ndaj “Dinamos” dhe, vecanërisht, ndaj “Partizanit”.Këtë gëzim ata e  shprehnin hapur me thirrjet, “Forca Tirana,(Tirona)” dhe në ndeshjet e “Partizanin” edhe me thirrjet,  “Bjeruni të kuqëve!”,sepse futbollistët e saj luanin me fanella me ngjyrë të kuqe.(Madje në vitet 50-të ata mbanin edhe  të mbathura të zeza,si të përfaqësueses sonë).)
    Ishte një dukuri e përafërt me thirrjet e sportdashësve tiranas në vitet 1942-43, kur “Shprefeja”,skuadër e të rinjve të lagjeve te Tiranës, luante kundër skuadrave fashiste italiane.Kur ushtarakët fashiste thërrsnin:”Forca li axurri!”,ata u kundërpërgjigjeshin me thirrjet:“Forca të kuqtë!”,sepse fanellat e “Shprefësë” ishin të kuqe dhe të mbathurat e zeza, pra, si ngjyrat e flamurit kombëtar.
    Në dukjen e jashtme,thirrja “Bjeruni të kuqve!”, vertët disi e ashpër, ishte thjesht një thirrje e natyrshme në një ndeshje sportive.Pra, sulmoni dhe mposhtni të kuqtë,ashtu si edhe tifozët e “Partizanit” mund të thërrsinin:”Bjeruni bardhebluve!”.
    Mirërpo kjo thirje nuk u tingëllonte mirë në vesh anëtarëve të Byrosë Politikë që ndeshjet midis këtyre dy skuadrave i ndiqnin nga tribuna e udheheqjes,sepse ajo mund tekuptohej edhe kështu:”Bjerini së kuqes!”,që ishte simboli i komunizmit.
     Me përjashtim të Enver Hoxhës,Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos,të gjithë byroistët e tjerë do t’i shihje  cdo të diel në tribunë.Dhe të  tërë,vec Kadri Hazbiut, ishin  tifozë fanatikë të “Partizanit”.Bile,gjeneral Petrit Dume kishte  raste që në pushime të ndeshjes së “Partizanit” edhe të zbriste në dhomat e zhveshjes dhe  të ndërhynte që të hiqej ky, apo ai futbollist që,sipas tij nuk po luante mirë.Madje një herë,sic dëshmon Mico Ndini, ish-futbollisti i njohur i “Partizanit”të viteve 60-të, ky gjeneral, pas një humbjeje të “Partizanit” me “Skënderbeun”,të arrinte me  makinën e tij autobusin e “Partizanit”, që udhëtonte për më Tiranë, ta ndalte atë e t’i fyente futbollistët.
    Po të kthehemi të “17 Nëntori”.Pas një fitoreje të skuadrës së tyre kundër”Besës në Kavajë,në fillim të  dimrit të vitit 1967, tifozët tiranas, me të ardhur në stacionin e trenit, nuk u shpërndanë,por u drejtuan në Klubin e Shtëpisë së Oficerëve, (sot Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve),  dhe atje vazhduan me thirrjet: “Tirana, Tirana!”Dhe të mos harrojmë se na ato caste në klub ndodhej  pikërisht gjeneral Petrit Dume, bashkë me jerarkë të tjerë të diktaturësës,të cilët,s’do mend,mbetën të habitur.
    Qe ky ishte një provokim i kapur, për këtë nuk kishte dyshim,Por, a mund të arrestohej ndokush, kur fare mire ai mund dtë përgjigjej “Nuk bëra asgjë,vecse thira më shokët e mi: “Forca Tirana!”.
    Byroistëve nuk u pëlqente dhe fakti tjetëer që sportdashësit tiranas e quanin skuadrën e tyre me emrin e e vjetër, “Tirana, dhe jo “17 Nëntori”, sic u quajt ky klub pas ardhjes se komunisteve në fuqi, për nder të clirimit të kryeqytetit.
    Ja,pra,në këtë atmosferë zhvillohej kampionati i vitit 1967.Kasta e kuqe nuk mund të gëlltiste një fitore të dytë të “17 Nëntorit” në këtë kampionat pas fitores së një vitit më parë.
    Duke parë që kjo skuadër po shkëputej nga “Partizani” e “Dinamo”,paria e Ministrisë së Mbrojtjes filloi të përdorë  makinacione nga më të cuditshmet.Pikërisht në  këtë periudhe, futbollistët e “17 Nëntorit”,Ali Mema dhe Gëzim Kasmi, të dy pedagogë të kultures fizike, u dërguan, i pari në Shkodër,(gjashtë muaj) dhe i dyti në Skparar(18 muaj),që të kryenin… zborin usharak.(I tërë ky makinacion u krye drejtpërdrejt drejt me urdhër të Petrit Dumes).Kështu skuadra tiranase u detyrua të luante gjatë tërë këtij sezoni pa këta dy lojtarë tutullarë.
    E, megjithatë, valanga e “Tiranëss”, (kështu po vazhdoj ta quaj tani këtë skuadër), ishte e pandalshme.
    Dhe,ja, erdhi 24 qershori i vitit 1967.Ditë e shtunë.Pse kjo ndeshje të shtunën e jo të dielën,kur nuk kishte ndeshje tjetër sipas kalendarit?
    Edhe këtu kishte një dredhi:të dielen “Vllaznia” priste në Shkodër “Dinamon”.Deri atë javë “Tirana” kryesonte me 33 pikë,”Dinamo” kishte 31 e “Partizani” 25, jashte cdo lufte për t’u bërë kampion.Por duhej me doemos që “Tirana” të mos përsëriste suksesin e një viti më parë.Pritej, pra, që “Partizani” të fitonte kundër “Tiranës”. E atëherë të bëhej c’ështe e mundur,madje, të ushtrohej në një mënyrë a një tjetër, trysni ndaj “Vllaznisë” edhe ajo pa pretendime për titull, që “Dinamo” të fitonte.
    Në këtë mënyrë, si “Tirana”, ashtu edhe “Dinamo”, barazoheshin me pikë e, kësisoj, krijohej mundësia që kampionatin ta fitonte “Dinamo”,me fjalë të tjera, një tjetër skuadër ushtarake, por  këtë radhë,e Ministrisë së Brendshme.
    E vertëta është se kjo dëshirë e udhëheqjes komuniste nuk ishte kaq e lëhte të realizohej,sepse në tri ndeshjet e fundit të kampionatit “Tirana” do të ndeshej me “Tomorin”,”Lokomotivën”dhe “Traktorin”, që ndodheshin në shkallët e fundit të renditjes së kampionatit të sezonit 1966-67.
    Mirëpo “Tirana” shpartalloi cdo hamedësim të parisë së kupolës së kuqe:;ajo mposhti në sy të tyre “Partizanin” me rezultatin 2-1.
    Të dyja skuadrat aktivizuan në atë sezon këta futbollistë:
Tirana:Tafai,Elini,Frashëri,Dhales,Gjoni,Bytyci,O.Mema,Xhacka,Bukoviku,Hyka,Kazanxhi,Ishka,(trajnerë, M.Alla.e E,Shehu.)
   Partizani:Janku,Jozja,M.Gjika,S.Gjika.Dingu,Rragami,Shule,Karriqi,Shllaku,Dani,Rudi Pano,Jashari,Shaqiri…(trajnerë, R.Resmja e M.Ndini.)
    Nuk po futemi në përbërjen e skuadrave dhe në kronikën e lojës, e cila për turp, as nuk është pasqyruar në faqet e gazetës “Sporti Popullor”.Por nga fundi i pjesës së dytë ,pra, dhe të krejt ndeshjes, pati raste të një loje të rëndë,të shkaktuar  nga lojtarë  të  të dyja palëve.Kjo atmosferë e nderë vazhdoi edhe pas përfundimit të ndeshjes para dhomave të zhveshjes.Por nuk pati skandale,nuk pati përleshje, nuk pati,për më tepër, as  ndërhyrje  të shikuesve tifozë të njerës, a tjetrës palë në fushë.
    Gjyqtari mund të kishte përjashtuar futbollistë nga të dyja skuadrat, deri aq sa lejon rregullorja.Edhe lojtarët që shkaktuan përleshje, mund të ishim përjashtuar për kaq, ose aq ndeshje.Të gjitha këto mund të kishin ndodhur, përsëri duke u zbatuar rregullorja e futbollit.
    (Ndërkohë, “Dinamo” nuk mundi të arrinte vecse në barazim në Shkodër dhe kështi mbeti tri pikë larg “Tiranës”, që, duke pasur, sic e thamë dhe më sipër, ndeshje më të lehta, tashmë po cimentonte rrugën për të fituar për të dytën herë radhazi  titullin kampion.)
    Si pasojë,pas përfundimit të ndeshjes “Tirana”-”Partizani”,në stadium shpërthyen sërishmi brohoritjet entuziaste,”Tirana,Tirana!”,të cilat,si gjithnjë, u vrisnin veshin udhëheqesve komunistë.Ndaj ata u larguan të mvrenjtur nga stadiumi dhe ua hipën makinave të tyre të zeza, për t’u zhdukur në bllokun e udhehëqësve.Megjithatë, duke menduar dicka të ligë…
    Dhe ja ligësia skandaloze:në gazetën “Sporti Popullor”, të datës 27 qershor të vitit 1967 u botua vendimi  i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit të  dyja skuadrat përjashtoheshin nga kampionat i vitit 1966-67 për shfaqje te theksuara antisportive.
    Ku vendim absurd  ra si bombë në opinonim sportiv shqiptar.Si ishte e mundur që FSHF-ja të guxonte të  merrte një vendim të tillë dhe mbi cfarë faktesh,kur vetëm  disa futbollistë  u grindën  me njeri-tjetrin?
    Vite më pas, kur jam marrë më këtë ngjarje tmerrësisht dramatike,kam pyetur ish-drejtues të FSH të Futbollit,madje të Komitetit Shtetëror  të Kulturës Fizike dhe Sporteve.Por, për fat të keq,të tërë kanë ngritur supat duke më shpjeguar se nuk mbanin… mend hollësi të këtij vendimi.Atëherë jam drejtuar në Drejtorinë e Përgjithme të Arkivave të Shtetit dhe kam hapur dosjet përkatëse të këtij institucioni të lartë shtetëror.Mjerisht, nuk kam gjetur as ndonjë procesverbal të ndonjë mbledhjeje të  FSHS-së për këtë ndeshje,asnjë vendim,asgjë…
    Atëherë lind pyetja:Kush e mori këtë vendim?Kryesia e F.SH.të Futbollit?Cili nga anëtarët, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e saj, a kryetarin a kryesinë e  e Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve,do të  kishte marrë guximin të ndërmerrte një hap të tillë për të përjashtuar dy skuadra nga vazhdimi i kampionatiti,aq më tepër kur njera prej tyre nuk ishte as më shumë e as më pak,por “Partizani” i Ministrisë së Mbrojtjes, skuadër e zgjedhur e Kupolës së Kuqe?
    Eshtë e qartë që u ky vendim u diktua nga vetë Byroja Politike.Dhe më mirë se kushdo tjetër,këtë e di Ramiz Alia, që ishte shefi i propagandës në Byronë Politike dhe ai që nuk mungonte kurrë  jo vetëm në ndeshjet e “Partizanit”,por edhe të skuadrave të tjera.
    Motivi ështe shumë i qartë;duke përjashtuar “Tiranën”, “de jure”  kampione, “de facto” e tillë bëhej “Dinamo”,pra, në fund të fundit, një tjetër skuadër e diktaturës.Dhe në opinon krijohej ideja:”Ja,bashkë me “Tiranën, përjashtohej edhe “Partizani”,pra dënimi ishte i barabartë për të dyja skuadrat.
    Por harrohej,ose bëhej sikur harrohej,se kështu “Tiranës” iu mohua titulli kampion  në një kampionat thuajse të fituar tri javë para mbylljes së kampionatit.Kjo ishte një goditje shumë e fortë që iu dha kësaj skuadre dhe spordashësve të saj.Ishte një luftë e filluar që në shtator të vitit 1966. ..
    Atëherë futbollisti i njohur i Tiranës,Skënder Halili,një nga qendërmbrojësit më të mëdhej të futbollit shqiptar të të gjithë kohëve,pas shërbimit ushtarak të kryer në radhët e “Dinamos”,nuk pranoi propozimin e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme që të vazhdonte të luante në radhët e kësaj skuadre,edhepse iu afruan kushte te mira pune e jetese.Ai u kthye te “Tirana e tij e shtrenjtë, te shokët e skuadrës,të sportdashësit  që e pritën krahëhapur.
     Por drejtuesit e Ministrisë së Brendshme ia mbajten vath në vesh këtë refuzim.Dhe ja, u gjet një shkas për ta shkatërruar përfundimisht.Befas u arrestua, para se  “Tirana” të nisej për  një ndeshje  jashtë shtetit.Urdhëri u dha drejtpërdrejt nga vetë ministri, Kadri Hazbiu,sepse atij iu gjetën ..60 dollarë amerikanë dhe, si pasojë, u dënua me disa vjet burgim.
    Kështu në moshën 24-vjecare u mbyll jeta sportive e këtij futbollisti që do t’i kishte dhënë aq shumë futbollit shqiptar.Por dikaturës aq i interesonte.Rëndësi kishte që një  “armik” të asgjësohej.
    Vdekja e tij e parakohshme më 1981 dhe varrimi i tij, ku, me gjithë kohën e keqe, morën pjesë qindra e qindra spotdashës,ishte një shfaqje e heshtur proteste ndaj dikaturës.Pastaj,kjo luftë,sic e pamë,vazhdoi me… “kryerjen” zborit ushatark jashtë Tiranës  të Ali Memës dhe Gëzim Kasmit.
    Sidoqoftë,kjo nuk e mposhti “Tiranën”.Që  ishte skuadra më mirë e atyre viteve, ajo e dëshmoi këtë duke  fitur kampionatet e vitive 1968, 68-69 dhe 1969-70 dhe duke shënuar kështu një nga faqet më të lavdishme jo vetëm të këtij klubi,por edhe të futbollit shqiptar.
    Vite më pas kam pasur rast të bisedoj me Skënder Jarecin, ish-futbollist dhe pastaj edhe trajner i “Dinamos”.Duke rikujtuar përjashtimin e “Tiranës” nga kampionati i sezonit 1966-67, ai ma pati thënë:”Kur futbollistët e mi me kupën në duar filluan të bënin të ashtuquajturin rrotullim rreth stadiumit,mua më erdhi shumë rëndë.Ajo kupë dhe ai rrotullim i takonte “Tiranës” dhe vetëm “Tiranës”.
    I nxitur nga kjo dramë e madhe sportive, më 1997 nisa të shkruaja romanin me titull “Tirana” ,dy orë para dënimit”.M’u desh të bisëdoja me futbollistë të asaj kohe,portierin Elini,mbrojtësit Frashëri,Osman Mema,vëllai i Ali Memës,me portierin e “Partizanit” Janku,me Panajot Panon legjendar…Por edhe me trajnerin e “Partizanit” të atyre viteve,Refik Resmja.
    “Përjashtimi i Tiranës”,-më tha ai  atëherë,- qe një akt i shëmtuar i diktaturës.
Unë u indinjova së tepërmi,ndonëse nuk më erdhi mirë që ne e humbëm atë ditë  ndeshjen me të.Por “Tirana”  e meritoi fitoren,sic  do të meritonte dhe fitoren e atij kampionati.”

                                             * * *

    Shkurt i vitit 1998.Për një muaj nisem së bashku me gruan dhe djalin për në SHBA,ku jetoj prej gati tetë vitesh.Sapo është botuar romani im “Dy orë para dënimit”,kushtuar kësaj ngjarjeje të dhëmbshme.Në pjesën e parparme të mbulesës është fotografia e “Tiranës” së atyre viteve, e mjeshtrit të fotografisë,Petrit Kumi,dhe në pjesën e pasme, foto të një kësaj  ndeshjeje, të botuara për herë të parë dhe të nxjerra nga arkivi i fotorepoterit të njohur sportiv,Enver Shabani.
    Lutfi Nuri,një ndër sponsorizuesit e botimit të romanit dhe aso kohe edhe president i SK “Tiranës”,organizon në sallën e madhe të Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve paraqitjen e librit.Në krye  të sallës, në kolltukë në formë gjysmë rrethi, janë ulur një pjesë e mirë e futbollistëve të të dyja skuadrave që u ndeshën atë ditë qershori të vitit 1967,dhe pranë tyre,Myslym Alla,trajner i “Tiranës”dhe ndihëstrajneri i “Partizanit”, Mico Ndini.
    Promovimi bëhet në formë bashkëbisëdimi, i ndërthurur me një koncert nga disa nga aktorët e nohur të Estradës së Shtetit,ku nuk mungojnë Skënder Sallaku, Mariana Kondi dhe këngëtarët Ema Qazmi e Kasem Hallulli, që këndojmë këngë për “Tiranën”e atyre viteve..
    Janë shumë të ftuar, ndër të cilët ish-shefi i klubit të ‘”17 Nëntorit “,Lame Konomi, ish-futbollisti dhe intelektuali  i njohur, pr.Skëndër Begeja,komentatori tashmë popullor  i Radio Tiranës,Ismet Bellova që ka komentuar këtë ndeshje,gazetarë sportivë…Dhe sjellin kujtimet e tyre   për këtë ndëshje,shprehin keqardhjen  dhe indinjatën për këtë akt të shëmtuar të diktaturës që vrau “Tiranën”,kampione të pa shpallur të sezonit 1966-67.
    Në fund të këtij takimi,e ndjej veten të rrethuar  nga futbollistë  e sportdashës që më urojnë për botimin e këtij romani dhe më falenderojnë që pas paë 31 vjetësh bëhem nismëtar për të rikujtuar këtë ndeshje dhe për të bashkuar futbollistë të të dyja skudrave në një takim të tillë.
    Kështu marr me vete për në Amerikë një nga kujtimet më të prekshme të jetës sime në mjediset sportive,ku kam kaluar rreth 50 vjet…


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-01-22 10:40:41
e ndjej vehten ne atmosferen e 20ces se (Tirones) kur lexova shkrimin tuaj,dhe pse si kam perjetuar ato kohe (66-67).kam ndjekur komentimin tuaj ne vitet 80te,dhe tani mundohem te kuptoj ate komentim te vecante me nje gjuhe te spikatur disi moderne per kohen ne fjale,kompliment. Tirana (skuadra) eshte identifikimi i brezit tone (se ate argetim na kish lene diktatura) ne ato vite. s'me harrohet goli SH.Muces nga 40metra ne nje parti me Partisanin , qe u anulua :cfar arrogance nga ana e pushteit . ju falenderoj ,dhe me rspekt per ju ne pritje te lekturave te ardhshme. eugen mentor Shehu

Koment nga GUEST më 2007-01-22 10:38:05
shume e vertete

Koment nga GUEST më 2007-05-29 10:34:32
reale, e vertete, e perjetuar nga qindra/mijra/miliona shqiptare. 
tironsit kane qene te persekutuarit numer 1 te atij sistemi, aq sa po te beje tifozllik per tiranen ne stadium te priste rrajoni.


International
English
Faqe interaktive