Faqe kryesore arrow Aktualiteti arrow Shteti shqiptar dhe 21 janari
Shteti shqiptar dhe 21 janari PDF Print E-mail
29 Janar 2011

Në 21 janarin e këtij viti, shteti shqiptar u vu në një sprovë të rëndë. "Demostrata" e organizuar nga PS degjeneroi kur një turmë prej disa qindra vetësh sulmoi kryeministrinë  duke arritur të hapin edhe një portë të saj dhe duke e detyruar Gardën e Republikës të qëllojë në ajër me të shtëna paralajmëruese. Në këtë demostratë pati tre viktima fatkeqe për të cilat PS thotë se u vranë nga gardistët, kurse qeveria thotë se janë vrarë nga civilë brenda manifestuesve me qëllimin për të krijuar rrethanat e realizimit të një grushti shteti. Këtë qëndrim e mbështesin edhe disa video turbulluese që tregojnë momentin e vrasjes së njërit prej viktimave   dhe sjelljen mjaft të çuditshme të një personi që rri ngjitur me të. Po le t'ia lëmë ekspertëve të kriminalistikës që ta hetojnë këtë çështje dhe le të përqëndrohemi tek problemi që na intereson : aftësia e shteti shqiptar për të përballuar situata të tilla.  

Në rastin e 21 janarit shteti shqiptar tregoi një brishtësi të madhe. Pamë një opozitë të papërgjegjshme që nuk hezitoi të sulmonte   as kryeministrinë.  Pamë policinë   dhe gardën që u përpoqën të mbronin institucionet, ashtu siç është detyra e tyre. Pamë një kryetare Parlamenti që përkrahu policinë e shtetit në punën e saj. Por pamë edhe një Kryeprokurore jashtë mase të nxituar në nxjerrjen e fletë-arresteve  ndaj komandës së gardës. Ajo që është shqetësuese këtu nuk janë akuzat, sepse një hetim i imtë i asaj që ndodhi do të duhet patjetër, por është shqetësues nxitimi dhe mos-koordinimi me institucionet e tjera të shtetit, duke patur parasysh se Kryeprokurori bën pjesë në Këshillin Kombëtar të sigurisë.  Kjo do të thotë se ky këshill nuk funksionon duke e dobësuar së tepërmi shtetin shqiptar.

 

Nuk është e vështirë të kuptohet se kjo situatë vjen nga ambiciet politike të kryetarit të  PS-së Edi Rama. Sigurisht që z. Rama deklaron se ai manifeston për zgjedhje të lira dhe për luftë kundër korrupsionit.  Por pakkush e beson këtë në Shqipëri. Është e vërtetë se zgjedhjet në Shqipëri manipulohen nga komisionerët, por këtë punë e bëjnë si komisonerët e PD-së ashtu edhe ata të PS-së. Është ndoshta e vërtetë se pozita përflitet për korrupsion, por jo më pak përflitet Edi Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit në Tiranë. Për këtë arësye fjalimet dhe premtimet e Edi Ramës nuk i mallëngjejnë jashtë mase shqiptarët, me përjashtim të militantëve dhe simpatizantëve të PS-së.
 
Por sido që të jetë kryetari i PS-së justifikohet me manipulimin e zgjedhjeve të qershorit 2009. Dhe për sa kohë nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të pamanipuluara në Shqipëri, shteti shqiptar do të jetë në rrezik, sepse çdo aventurier mund ta rrezikojë. E kemi parë këtë më 1997 pas zgjedhjeve të manipuluara të majit 1996, e kemi parë më 1998 pas zgjedhjeve të manipuluara dhe nën kërcënimin e armëve të vitit 1997, po e shikojmë edhe sot pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2009.

Prandaj për të garantuar një shtet të fortë dhe institucione të pakontestueshme, duhet arritur që të kemi zgjedhje të lira dhe rezultate të pakontestueshme. Siç e kemi sugjeruar edhe në raste të tjera, për të realizuar këtë do të duheshin ndryshime rrënjësore të sistemit të zgjedhjeve. Në radhë të parë zgjedhjet duhet të dalin nga kontrolli partiak dhe të eleminohet funksioni i komisionerit, shpesh militant ose i korruptuar. Numëruesit e votave duhet të jenë njerëz të besueshëm puna e të cilëve mund të ndihmohet nga mjete teknologjike të numërimit. Numërimi duhet të jetë transparent dhe të mund të ndiqet nga votuesit në kohë reale. Nga ana tjetër duhet të krijohet tradita e mos-kontestimit të zgjedhjeve pas mbarimit të procesit të ankimimit.
 
Është me rëndësi të krijohet edhe tradita e bashkëpunimit dhe unanimitetit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili duhet të vendoste mbi çdo gjë interesat kombëtare dhe jo ato partiake, cilatdo qofshin rrethanat që kalon vendi.

Opozita ka kërkuar tashmë zgjedhje të parakohëshme.  Por pa u ndryshuar kodi zgjedhor është e kotë të bëhen zgjedhje të parakohshme sepse do të përballemi sërish me të njëjtin problem të manipulimit. Ajo që duhej bërë aktualisht është nisja e punës për ndryshimin e kodit zgjedhor në kuadrin e një komisioni të përbashkët pozitë-opozitë. Do të kishte  ende kohë që ndryshimet e para të aplikoheshin në zgjedhjet lokale që janë parashikuar të mbahen këtë vit.

Ditët dhe javët që do të vijnë mund të jenë të vështira për shtetin shqiptar. Vazhdimi i manifestimeve të dhunshme nga ana e opozitës ose reagimi i tepruar nga ana e qeverisë mund ta rrëzojnë përsëri shtetin e brishtë shqiptar. Le të shpresojmë që opozita të ndërpresë manifestimet  e dhunshme. Do të ishte po ashtu më e arësyeshme që edhe pozita t'i ulte tonet dhe së bashku të fillonin hartimin e ndryshimeve të mësipërme të kodit zgjedhor. Kjo do të ishte në të mirën e shtetit shqiptar. Sepse shteti shqiptar nuk mund ta ketë lluksin që ta fillojë nga e para çdo 10 vjet!


A.M


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2011-01-29 23:10:20
Ngushllimet e mija Familjarve te 3 Burrave, qe humben jeten me 21 Janar, dhe u vran ne menyren ma te pa skrupullt nga dora Trathtare ,si gjithmon tuj vra i vllau te vllan, e tui mos e dit se pse, per ke, e per cfar arsyjet.Shqiptaret ma shum se 70 vjet nuk po din me xan mend, e nuk po e kuptoijn hala se cka don me than, me ju shkue mrapa komunistave e klyshave te tyne qe se kan ardhe ne pushtet, ne vitin 1944 e deri me sot Shqipnija nuk e pau hala nji dit te mire por vetem krime, burgje, internime per 50 vjet, e tash mas 20 vjetve, me demek Demokraci Korrupsion Imoralitet Kriminalitet Fukarallek

Koment nga GUEST më 2011-02-19 01:15:33
I vran ramo-ngjelo-gjinusho-milo-majkot. 
cdohere kuleshedra e kuqe ka hanger kelusht e vete 
per interesa te veta. Mjer ato qe ia lejojen vetit te bien viketim e  
se keqes mbetjes envero-staliniste. Dhuna vetem viketima prodhon. E keqja vetem dhune kerkon, pa dhune smun te jetojen kanibalet e kuq.

Koment nga GUEST më 2011-02-19 01:18:28
O POPULLI SHQIPETARE : PO AKOMA MERENI ME POLITIKANET, TAN QE NA KANE SHUITUR HERE PASE HERE DHE KOH PAS KOHE.POPULLI SHQIPETARE NUK MERITON TE TILL QEVERISJE SI PS DHE PD SE TE DY NJESOJ JAN SA PER VETEN E TYRE E NUK SHOFIN POPULLIN SE SI ESHT KATANDISURE.PO SHOFIN SE KUSHE TE BEHET ME LORD SE TJETRI PORE POPULLI SHQIPETARE PRAP I BESON RRENAT E TYRE QE KURRE NUK BEHEN REALITET.TE TILL POLITIKAN DUHEN ZHDUKURE NJE ORE E ME PER PARE.E TI JAPIN SHQIPERIS NJE IMAZH TE RI DHE TE BESUESHEM PER KE DO?PER ATO QE JETOJN KETU DHE PER ATO QE NA VIZIITOJN.JU FALEMINDERIT PET MUNDESIN NDAJ MELLEFIT PER POLITIKANET TANE TE TE 2 LLOJEVE


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?