Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow PDIU: Konsulli grek në Korçë të shpallet persona "non grata"
PDIU: Konsulli grek në Korçë të shpallet persona "non grata" PDF Print E-mail
19 Mars 2011

 Me habi mësuam se konsulli grek i Korçës, Theodhors Ikonomu, autori i famshëm i shpalljes së betejave për Vorio Epirin është kthyer në detyrë. Kthimi i tij pasoi një ndërhyrje të patolerueshme në punët e brendshme të Shqipërisë prej zëdhënësit të ministrisë së jashtme greke Delavekuras në lidhje me shtyrjen e procesit të regjistrimit. Ikonomu në fakt e kishte paralajmëruar kthimin e tij me një intervistë të egër në shtypin nacionalist grek. Më parë kishim deklarimin e Nikolas Geixhit për procesin e regjistrimit, skandalin me varrezat e Boboshticës, etj, etj. 



Të gjithë këto fakte na lënë të dyshojmë se deklarimet e këtij konsulli nuk ishin qëndrim individual i një diplomati, por vijë politike e vendit fqinjë. Shkallëzimi i presionit në këtë mënyrë, insistimi në figurën e konsumuar publike të këtij konsulli që fyen ndjenjën kombëtare të shqiptarëve, tregon se regjistrimi i popullsisë duhet të jetë vërtet një betejë për Greqinë në territorin tonë. Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë qeverisë greke të distancohet nga deklarata që dëmtojnë rëndë imazhin e fqinjve tanë në sytë e gjithë kombit shqiptar, në respekt të qëllimit për marrëdhënie të mira fqinjësore.

 

Për fat të mirë Shqipëria e sotme nuk mund të tolerojë as si shoqëri, as si administratë shtetërore një arrogancë të tillë. PDIU u bën thirrje të gjithë intelektualëve, organizatave patriotike dhe shqiptarëve që të reagojnë ndaj kësaj parodie me shumë akte, që na serviret vazhdimisht kohët e fundit. Në përshëndesim reagimin e Këshillit Bashkiak të Korçës dhe të opinionit publik korçar, të njerit nga qytetet më të lavdishme në historinë tonë kombëtare ta bojkotojë këtë personazh të errësirës. 

PDIU kërkon zyrtarisht nga qeveria shqiptare shpalljen e konsullit grek të Korçës “persona non-grata”. Reagimi mbarëkombëtar kundër deklaratave të papranueshme të tij është një shenjë e qartë se Theodhoros Ikonomu nuk është një person i dëshiruar në vendin tonë. Ministria e jashtme duhet ta përkthejë këtë reagim mbarëkombëtar në një veprim administrativ. Në rast të kundërt, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të përshkallëzojë reagimin e saj kundër konsullit grek, deri në zëvendësimin e tij.

PDIU: Partia Drejtësi Integrim Unitet
http://www.pdu.al/
 

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive