Faqe kryesore arrow Kosova arrow Mbledhja e Rambujesë dhe çështja e Kosovës
Mbledhja e Rambujesë dhe çështja e Kosovës PDF Print E-mail
19 Mars 2011

Abas Ermenji*, Nëntor 2001

Kur terrori serb në Kosovë arriti kulmin dhe kur u deshën të merreshin disa masa ndërkombëtare të forta për të ndaluar shpërthimin e një lufte ballkanike, fuqitë ndërkombëtare të grupit të kontaktit me Jugosllavinë vendosën të bënin një mbledhje në Rambuje të Francës, duke ftuar përfaqësitë serbe dhe kosovare me shpresë që të arrihej në një marrëveshje midis tyre.
Kjo mbledhje, ku merrte pjesë edhe Rusia, mundi të bëhej më 6 shkurt 1999, pas shumë vështirësish nga ana serbe. Sepse Serbia problemin e Kosovës e quante si një çështje të brendshme serbe dhe nuk donte që të bisedohej jashtë kufijve të saj. Kurse shqiptarët kanë kërkuar gjithmonë që çështja e Kosovës të shikohet si një problem ndërkombëtar për t'u zgjidhur, prandaj kjo mund të bisedohej nëpër qendra politike të jashtme.
Nga ana tjetër, qarqet ndërkombëtare, për të zbutur qëndresën e Serbisë dhe sidomos të Rusisë që mban gjithmonë anën e kësaj, kishin parashikuar si zgjidhje të problemit të Kosovës një autonomi të gjerë ndënë Serbinë. Kjo nuk i kënaqte Shqiptarët, sepse e kishin provuar se ç'mund të ishte "autonomia" që jepnin serbët, domethënë një fjalë e kotë ku thundrat shtypëse të Serbisë vazhdonin më keq se përpara. Prandaj shqiptarët kërkonin pavarësinë e plotë të cilën vetë populli kosovar e kishte vendosur unanimisht në votime të fshehta disa vjet më parë. Tani punët ishin acaruar më keq akoma, sepse po krijohej Ushtria Clirimtare e Kosovës, e cila e kërkonte pavarësinë me armë në dorë.

Nacionalizmi i vërtetë shqiptar i kuptonte shkaqet e kësaj gjendjeje, por edhe e shihte se kjo ishte e para herë që bota ndërkombëtare po interesohej disi për Kosovën. Prandaj nuk do të ishte mirë që shqiptarët t'a humbisnin një rast të këtillë. Për këto arësye, rryma nacionaliste, sidomos Abas Ermenji, e shpalli hapur, me anën e fjalës dhe të shtypit, se Kosovarët duhej të merrnin pjesë në mbledhjen e Rambujesë për të paraqitur kërkesat e tyre, dhe prishja nuk duhet të vinte nga këta. Përfaqësuesit e Kosovës e kuptonin mirë edhe ata vetë gjendjen, dhe vendosën të merrnin pjesë në mbledhjen e Rambujesë. Më në fund, e siguruar si duket prej Rusisë, Serbia e Millosheviçit pranoi edhe ajo të merrte pjesë në konferencë.
Por tani filloi kundërshtimi ndërmjet dy palëve në lidhje me propozimet që bënte konferenca. Grupi ndërkombëtar i kontaktit fjalën "pavarësi" s'e kishte përdorur kurrë për Kosovën, por edhe një autonomi e gjerë me shkarkimin e përkohshëm të fuqive të NATO-s për të siguruar organizimin e vendit, nuk pranohej në asnjë mënyrë nga Serbia. Këtij propozimi shqiptarët mundoheshin t'i shtonin një plebishit pas tre-katër vjetësh për popullin e Kosovës, që të vetëvendoste për statutin e vendit, nën kontrollin ndërkombëtar. Vetëvendosja e popujve është në themel të Kartës së Atlantikut dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së). Prandaj nuk do të kishte asnjë arësye që kjo e drejtë t'i mohohej vetëm kombit shqiptar. Sa për serbët, ata s'kanë marrë kurrë me seriozitet asnjë bisedim mbi Kosovën, të cilën e shikojnë si vendbanimin e hershëm të tyre, ose si "djepin e qytetërimit" mesjetar të Serbisë qysh prej kohëve kur kanë zbritur në Ballkan. Sepse serbët besojnë në një histori folklori dhe legjendash të krijuara rreth figurave të Stefan Dushanit, i cili u shpall për pak kohë car i Ballkanëve, dhe të mbretit Lazar, i ashtuquajturi hero i luftës së Kosovës të vitit 1389 kundër turqve, që serbët e kanë idealizuar dhe përvetësuar si të tyren. Kurse ajo ka qenë një kryqëzatë e popujve ballkanikë, ku shqiptarët merrnin pjesë më shumë nga të tjerët. Të nisur prej legjendash, është e vështirë të gjejsh ndonjë serb me të cilin mund të bisedosh normalisht mbi Kosovën. Dhe aq më pak me një fanatik të "Serbisë së madhe", si Millosheviçin, i cili nuk mund të pranonte kurrë as njohjen e një autonomie të gjerë, as zbritjen e trupave ndërkombëtare në Kosovë.
Për shkak se të dy palët, për arsyet e veçanta të secilës anë, ishin kundër propozimeve të grupit ndërkombëtar të kontaktit, mbledhja e Rambujesë u ndërpre për pak kohë. Por pastaj rifilloi me një insistim më të fortë.
Nacionalizmi i vërtetë shqiptar, sidomos Abas Ermenji, e parashihte se serbët nuk do t'i pranonin propozimet e grupit ndërkombëtar të kontaktit, prandaj nuk donte që ajo përgjegjësi t'iu mbetej të dy palëve, domethënë edhe shqiptarëve. Përgjegjësia e dështimit përpara opinionit botëror duhej t'iu mbetej shkaktarëve të vërtetë të tij, domethënë serbëve. Prandaj Abas Ermenji iu bëri thirrje Kosovarëve dhe tërë opinionit shqiptar që propozimet e konferencës të pranoheshin dhe përgjegjësia e dështimit të saj t'iu lihej vetëm serbëve. Cështja e Kosovës do të vazhdonte sigurisht më tutje, kur qëndresa e shqiptarëve të ishte më e organizuar dhe më e fortë për të ndjekur qëllimet e saja. Përfaqësia kosovare e kuptonte vetë se kjo ishte rruga më e drejtë për atë, dhe i nënshkroi propozimet e konferencës, me një pjekuri të rrallë politike, më 15 mars 1999. Nënshkruesit e përfaqësisë kosovare kanë qenë: Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Rexhep Qosja.
Serbët, duke i quajtur gjithmonë të papranueshme ato propozime, qëndruan kundër gjer në fund, megjithë kërcënimet e NATO-s që po bëheshin sa më të dukshme. Rusia u mundua me fjalë të mbronte pikëpamjen serbe, por nuk ishte në gjendje të vepronte kundër fuqive të NATO-s, veçse i quante përpjekjet e kësaj si një ndërhyrje agresive kundër një shteti sovran. Millosheviçi qëndroi i patundur edhe kur e pa se fuqitë e NATO-s po grumbulloheshin sa më shumë rreth Serbisë. Rusia i paraqiste ultimatumet e NATO-s si një agresion ndërkombëtar, por nuk ishte në gjendje t'i jepte frikë Perëndimit, e sidomos Amerikës, sepse ishte në mëshirën e ndihmës perëndimore.
Ultimatumet e NATO-s kundrejt Serbisë nuk mund të përfundonin në asgjë, sepse atëhere NATO-ja do të mbaronte krejt dhe s'do të mbetej më asnjë autoritet ndërkombëtar në botë. Kështu NATO-ja vendosi sulmin ajror kundër Serbisë më 23 mars dhe e filloi më 24 të marsit. Mjetet më të rënda dhe më të sofistikuara që u vunë në veprim ishin të Amerikës, por edhe fuqitë e mëdha europiane si Anglia, Gjermania dhe Franca u treguan të patundur në këtë luftë. Kjo eksperiencë lufte ajrore bëhej për të parën herë në Europë, dhe kishte për objekt shkatërrimin e tërë sistemit mbrojtës serb nga ana e ajrit, deri sa Serbia t'i tërhiqte fuqitë e saja prej Kosove dhe t'ua lëshonte atë vend trupave të NATO-s. Cdo luftë ka të papriturat e saja, por e vërteta është se NATO-ja, gjatë kësaj periudhe, u tregua e bashkuar, e paepur, dhe i kapërceu me një vendosmëri të pashembullt të gjitha vështirësitë lokale ose ndërkombëtare.
C'ngjau në Kosovë gjatë kësaj periudhe? Përpara se të fillonin veprimet e NATO-s, Serbia u vu të zbatonte menjëherë planin e saj politik mbi Kosovën, domethënë zhdukjen rrënjësisht të popullsisë shqiptare me zjarr e me hekur. Rrallëherë kishte parë bota një gjenocid të atillë, me një egërsi vrasjesh, djegiesh, përdhunimesh e shkretimesh të gjithanshme, si ajo që ngjau në Kosovë gjatë atyre dy muajve: rreth një milionë frymë prej popullsisë shqiptare u përzunë prej vatrave të tyre dhe u ndoqën këmba-këmbës gjer në Shqipëri, Maqedoni, Mal-të-zi e gjetkë. Kurse në Kosovë, fshatra e qytete digjeshin me radhë njëri pas tjetrit, me mijëra vajza e gra të reja shnderoheshin përdhuni, pastaj vriteshin me gjithë fëmijë dhe hidheshin nëpër gropa të thella, të cilat nuk janë zbuluar akoma të tëra. Djemtë e rinj vriteshin pa përjashtim, ose përdoreshin si mburojë njerëzore kundrejt bombardimeve të NATO-s. Me mijëra të arrestuar mbaheshin burgjeve të Serbisë dhe janë duke vdekur urie sepse nuk po lirohen akoma. Të gjitha këto krime i ngarkohen ushtrisë serbe në përgjithësi, por sidomos trupave të veçanta paraushtarakësh të stërvitura dhe të dërguara posaçërisht për të kryer këto krime në një popull të dënuar me zhdukje.
Në këtë periudhë tragjike, më shumë se një gjysëm milioni Kosovarësh hynë në Shqipëri, ku gjetën një pritje me të vërtetë vëllazërore prej popullit shqiptar, i cili i mori nëpër shtëpi me aq sa mundi dhe ndau kafshatën e bukës me aq sa kishte.
Ky ishte nacionalizmi i vërtetë, instinktif, që s'e kanë zhdukur dot akoma politikanët e mafjeve ose të ideologjive të tregut që shfrytëzojnë sot gjer në palcë popullin shqiptar.
Nuk duhet të harrojmë se, në këtë rast, bota e jashtme u interesua shumë për refugjatët shqiptarë dhe i ndihmoi aq sa mundi, si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni.
Pas një bombardimi të gjithanshëm prej fuqive të NATO-s, Serbia u shkreh dhe kërkoi armëpushimin me të gjitha kushtet, i cili u nënshkrua më 10 qershor 1999. Më 12 të qershorit, trupat e NATO-s, të grumbulluara në Maqedoni dhe në Shqipëri, hynë në Kosovë prapa trupave serbe që po lëshonin vendin.
Pas hyrjes së fuqive të NATO-s ku vepronte edhe Ushtria Clirimtare e Kosovës, shumica e madhe e emigrantëve kosovarë të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi u kthyen menjëherë nëpër vendet e tyre të djegura dhe të shkretuara duke treguar një atdhedashuri të thellë dhe të paepur. Edhe u vunë menjëherë të rindërtojnë vatrat e dashura të tyre.
Kosova e komanduar prej fuqive të NATO-s, është nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara. Vështirësitë e rindërtimit dhe të normalizimit të brendshëm janë jashtëzakonisht të vështira, sepse shkatërrimet dhe shpërdorimet nga ana e serbëve kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha.
Të ngarkuarit me punë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara janë plotësisht të vetëdijshëm të këtyre shkaqeve e prandaj po e marrin me durim zhvillimin e ngjarjeve. Dhe shpresojmë që këtë durim t'a kenë gjer në fund, sepse dy kombësi armike që kanë qenë vrarë e prerë vazhdimisht gjatë shekujve, nuk mund të pajtohen brenda një dite me një "ferman" prej s'di se kujt. Kosova nuk është pjesë e natyrshme e Serbisë, por një vend i huaj që ka qenë pushtuar me forcë.
Përpara çdo veprimi, duhet pasur një kuptim real i gjendjes dhe i faktorëve. Se pa një kuptim real të punës që duhet bërë, asgjë s'mund të bëhet mbi baza të vërteta, e prandaj asgjë s'mund të qëndrojë në këmbë.
Porsa shpërtheu çështja e Kosovës, përjashta është folur vetëm për një "autonomi" të kësaj krahine, nën kontrollin e shtetit serb. Por ç'lidhje ka shteti serb me Kosovën? Sikur të kishte një lidhje reale, të natyrshme, do t'i kishte shikuar Kosovarët të barabartë me serbët. Kurse Serbia i ka shikuar gjithmonë si armiq të brendshëm, të rrezikshëm, që duhen zhdukur në rastin më të volitshëm, megjithëse Kosovarët përbëjnë 95 përqind të popullsisë së vendit.
A nuk e pa bota, gjatë luftës me NATO-n, qëndrimin e serbëve kundrejt shqiptarëve që ishte ai i spastrimit etnik radikal të Kosovës, domethënë ai i zhdukjes së krejt popullsisë së saj? Dhe që popullsia e saj përbën 95 përqind të banorëve të vendit? Atëhere ç'do të thotë "autonomi" e Kosovës nën Serbinë? Që t'i lihet rast Serbisë për t'a zhdukur herët a vonë nga faqja e dheut këtë popullsi prej dy milionë frymesh? Përse ky popull të lihet si një holokaust në dispozicion të serbëve, për t'u zhdukur porsa që serbët të gjejnë rastin e volitshëm? Dhe përse këto veprime të lejohen në një kohë kur flitet aq shumë për të drejtat e njeriut? Këto lloje veprimesh mund të bëhen vetëm për hatër të serbëve dhe nuk kanë asnjë bazë morale, juridike apo politike përveç ligjit të më të fortit.
Prandaj ideja e autonomisë së Kosovës, që paraqitej si një zgjidhje e problemit në kohën e Konferencës së Rambujesë, nuk ka asnjë kuptim tani që e tërë bota e pa se ç'deshën të bënin serbët mbi popullin e Kosovës gjatë luftës me NATO-n. E përse shqiptarët të hyjnë përsëri nën serbët si një popull i dënuar me zhdukje? C'lidhje kanë shqiptarët që ndodhen në Ballkan ç'prej dy mijë vjetësh përpara Krishtit, me serbët që kanë zbritur në këto vende në shekullin e VII-të pas Krishtit?
Pra pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje e problemit të Kosovës.
Kur të huajtë flasin për bashkësinë e të gjitha etnive në Kosovë, cilat janë këto etni? Shqiptarët përbëjnë 95 përqind të popullsisë së Kosovës, kurse të gjitha etnitë e tjera s'përbëjnë dot as 5 përqind. A mund të mendohet se 10.000 serbët e Mitrovicës peshojnë më shumë se dy milionë shqiptarët? Në Republikën e Serbisë, përveç Kosovës, ka me qindra mijë shqiptarë të tjerë, të cilët s'i zë në gojë njeri dhe s'i përfill askush. Nëqoftëse vlefta e serbëve çmohet aq shumë, kurse shqiptarët s'përfilleshin fare deri dje, kjo vjen ngase Serbia dhe Rusia kanë shumë më tepër peshë në ballancën ndërkombëtare dhe pretendimet e tyre mbahen për të vërteta, ndërsa thirrjet e shqiptarëve s'i dëgjon askush. Të gjitha arsyetimet sofistike që bëhen pastaj rreth pavarësisë së Kosovës janë tendenca e natyrshme për të anuar andej nga është forca. Dihet se kjo tendencë është në kundërshtim flagrant me të drejtat e njeriut.
Në tetor 1999, Abas Ermenji vajti në Prishtinë për të biseduar me udhëheqësit e sotshëm të Kosovës mbi të gjithë këto probleme dhe për të përcaktuar metodat më të sakta që mund të çojnë tek çlirimi i plotë i shqiptarëve. Kryetari i Ballit Kombëtar u prit shumë mirë prej të gjithëve, dhe mbeti fort i kënaqur kur shikoi se tek të gjithë Kosovarët nuk kishte tjetër ide çlirimi për Kosovën përveç pavarësisë. Nuk pranonte askush të hynte përsëri nën kontrollin e shtetit serb, nën çfarëdo forme autonomie. Sepse Kosovarët e kanë provuar se ç'do të thotë "autonomi" e dhënë prej Serbisë. Mbas kaq sakrificash të hatashme dhe provash genocidi të dhëna prej serbëve, ideja e autonomisë kishte mbaruar përgjithmonë.
Abas Ermenji bisedoi me të gjitha partitë, foli sidomos gjerë e gjatë me zotërinjtë Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Rexhep Qosja, dhe u kënaq shumë kur u sigurua se mendimi i të gjithëve ishte Pavarësia.
Por Abas Ermenjit iu desh t'a sqaronte pak fjalën pavarësi. Se disa Kosovarë kishin menduar që Kosova të dilte shtet më vete. Kurse Ermenji mendon se për rrethana të ndryshme, është shumë e vështirë të krijohen në Ballkan dy shtete shqiptare njëri përbri tjetrit. Kombi shqiptar s'mund të qëndrojë veçse në një shtet të vetëm, të forcuar nga kombësia e përbashkët, domethënë nga gjuha, kultura, historia dhe tradita mijëvjeçare. Fjala pavarësi duhet kuptuar për Kosovën bashkimi me Shqipërinë, qoftë menjëherë, qoftë pas pak kohësh. Përndryshe Serbia do të mundohet t'a shfrytëzojë çdo përçarje të shqiptarëve duke e quajtur Kosovën si një tokë të sajën. Vendi i natyrshëm për Kosovën është në trup të kombit shqiptar, sepse ajo është pjesë e kombit shqiptar. Në këtë mënyrë do të bashkohet një komb i ndarë prej forcës dhe prej diktatit të fuqive të mëdha.
Nën çfarëdo forme raportesh me Serbinë, nuk do të ketë asnjë të ardhme të sigurt për Kosovën, sepse Serbia do të kërkojë të zhdukë çdo mëvehtësi të sajën, porsa gjendja ndërkombëtare të kthehet në favor të Serbisë.
Në këtë rast, ata që flasin për "Shqipëri të madhe" i bjenë karadyzenit kot duke i bërë jehonë propagandës serbe. Sepse shqiptarët, populli më i vogël dhe më i vjetër i Ballkanit, nuk e kanë pasur kurrë atë prirje që të shtrihen mbi kombësi të tjera më të mëdha. Këtë prirje e kanë pasur serbët vetë, në të gjitha kohët, dhe sot po e tregojnë më fort se kurrë.
Kurse shqiptarët kërkojnë vetëm të jetojnë në paqe, brenda caqeve të tyre, dhe në marrëveshje të mira me fqinjët. Por nuk mund të lejojnë që këta të pushtojnë trojet e shqiptarëve me pretekste gënjeshtrash. Kosova është gjysma e Shqipërisë, të cilën duhet t'a mbrojmë me të gjitha mjetet, deri në vdekje. Përndryshe do të mbetemi të turpëruar përpara botës dhe fajtorë të vetëvrasjes kombëtare.

* Me rastin e 8-vjetorit të vdekjes së Prof. Abas Ermenjit
http://www.ermenji.org


 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?