Faqe kryesore arrow Historia arrow 100-vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe
100-vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe PDF Print E-mail
05 Prill 2011

Nga Frank Shkreli

Në Shqipëri dhe në Malësi të Madhe kanë filluar festimet në perkujtim të 100-Vjetorit tëkryengritjes së Malësisë së Madhe.   Këjo kryengritje e Malesorëve kundër Perandorisë Osmane, përvec se coi në ngritjen e parë të flamurit kombëtar në token shqiptare c’prej kohës së Gjergj Kastriotit, ajo sipas historianëve ka një rëndësi të vecantë në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare, sepse veprimtaritë  dhe luftërat e Malësorëve tërhoqen, si asnjëherë më parë, vëmendjen e shteteve evropaine si edhe të opinonit publik të kohës në Evropë, mbi ato që po ndodhnin në Sqhipëri.   Lëvizja e kryesuar nga prijsi i Malësisë së Madhe Ded Gjon Luli  dallohet nga të tjerat, pikërisht nga jehona që lufta e Malësoreve bëri anë e mbanë Evropës.   Një meritë tjetër e kryengritjes së Malësisë së Madhe është fakti se këjo levizje kishte qëllime mbarëkombëtare, gjë që gjeti ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit, të cilët me patriotë teë tjereë të kohës, duke parëluftën serioze të Malesoreve, shkuan në Podgorice  të Malit të Zi, ku peërpiluan Memorandumin që përmbante, ndër të tjera, kërkesat e Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë dhe gjuhe e buxhet të vetin, dhe që Shqipëria të drejtohej nga një guvernator shqiptar, si dhe kerkesa të tjera.

 

Memorandumi, në të vërtetë, ishte një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve.  Kërkesat e Malësoreve të shfaqura ne Memorandum , i bënë kryengritësit Malësorë t’i paraqiteshin botës së atëhërshme si përfaqsues të aspiratave të mbarë kombit shqiptar.   Lufta për liri e Malësorëve, 100 vjetë më parë, dhe ngritja e flamurit të Skenderbeut në Deciq me 24 Mars, 1911, ishte symbol i vëllazërimit të kombit  shqiptar dhe tregoi se Shqiptarët kishin një atdhe që dëshironte liri dhe dritë për të dalur nga errësira  shekullore e robërisë osmane.   Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve, gazetat anë mbanë Evropës shkruanin për Shqipërinë, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të clirimit nga zgjedha shekullore  e pushtimit turk.   Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin frymëzoi  pastaj edhe kryengritjet e tjera të shqiptarëve, në Kosovë  dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ose vilajeteve të asaj kohe, duke cuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912, falë sakrificave dhe derdhjes së gjakut  të dëshmsorëve si Ded Gjo Luli me Malësorët, të cilët luftuan dhe vdiqen për idealin e shenjtë të të drejtave  kombëtare të shqiptarëve.
Presidenti  i Shqiperise, Zoti Bamir Topi, Topi  me 24 Mars,mori pjesë në shënimin e parë festiv, të kësaj ngjarjeje historike për kombin,  në Shkoder, titulluar  “Ku e muer emrin Malësia”, me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe
Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Shtetit shqiptar iu drejtua përfaqësuesve të Malësisë së Madhe duke thene:
“Është kënaqësi dhe privilegj të jem sonte me ju për të lartësuar së bashku kujtimin e një ngjarje, e cila ka ndryshuar përgjithmonë historinë tonë dhe kujtimin e atij burri, i cili e ideoi atë dhe pas shekujsh robërie, shpalosi flamurin e Kastriotit në tokën shqiptare. Nuk mund të ndahen, janë një binom nga ato që historia prodhon në orët e saj më të ndritura për një komb apo vend! Ju i dini!  E kanë emrin: Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjo Luli!
 Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Në të njëjtën kohë, ata ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj okupatorit! Kur ekzistenca e këtij kombi të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të gjatë dhe nga konjukturat politike të kohës, nën shembullin e heronjve antikë të kësaj toke, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç, ngjitet Dedë Gjo Luli si fuqi shpirtërore dhe ushtarake e një populli që do t’i thotë lamtumirë së keqes!
Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte botës mbarë kumtin e Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, shqiptarë dje dhe shqiptar sot, shqiptarë përgjithmonë!
Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin e Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që e çuan atë drejt Bratilës së Deçiçit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi drejt një vdekje prej martiri që pushtuesit ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë greminës. Jam i bindur se një rrugë si ajo e Dedë Gjo Lulit fillon me jetën dhe mbaron me pavdeksinë.
Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 Mars të vitit 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua kurrë, kryengritje pas kryengritje deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Më lejoni të pohoj se shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli.
Të nderuar të pranishëm,
Shumë kryengritje kanë shenjuar jetën e Malësisë së Madhe, identitetin e saj dhe sigurisht të gjitha janë një kontribut i vyer në konsolidimin e Shqipërisë, por njëra prej tyre më shumë se çdo akt tjetër na rreshton përkrah atyre popujve që zgjodhën ta kundërshtojnë diktaturën komuniste, pavarësisht nga rrethanat e pafavorshme në të cilat u ndodhëm. Malësorët e Kelmendit dhe të gjithë Malësisë zgjodhën luftën në vend të nënshtrimit, ashtu siç këndohet në epet e tyre të vjetra, ashtu siç ua kishin lënë amanet të parët, ashtu siç ua lypte nderi dhe zakoni, sepse malësori në dijen time i është falur gjithmonë, Zotit dhe Shqipërisë, nderit dhe besës.
Të dashur miq,
Nuk është rastësi që shumë nga visaret tona kombëtare u endën në këto male dhe u bënë testamente të përjetshme kulture në Shkodrën historike. Eposi i Kreshnikëve, baladat, këngët, përrallat kombëtare, Kanuni i Maleve e shumëçka tjetër u mblodhën pikërisht edhe në krahinën e Malësisë së Madhe nga etërit françeskanë, të cilët në letërsinë e tyre ofruan malësorin dhe gjuhën e tij si model, sepse për ta gjuha do të thotë vazhdimësi, kulturë dhe rezistencë. Nga një traditë e tillë, natyrshëm, i imponohet kulturës kombëtare dhe sinkronizon me të emra të së djeshmes dhe të sotmes, intelektualë të rangut të parë si vëllezërit Mirash e Nikoll Ivanaj, artistë me rëndësi botërore si Luk Kaçaj dje, e Angjelin Prelocaj sot, tejet i famshëm në skenat botërore, shkrimtarë e memorialistë unikë si At Zef Pllumi, mit i disidencës antikomuniste, piktorë si Ismail Lulani që kanë përjetësuar në telajo historinë e këtij vendi, klerikë të zonës, që shfaqen si elitë e lidhur me banorët dhe gjeografinë e vendit, martirë të besimit dhe fjalës së lirë, që kanë ndërtuar kultin modern pozitiv dhe të pashkatërrueshëm të malësorit shqiptar!
Me këtë vetëdije, kam kënaqësinë dhe nderin sonte të rri, të takoj, të komunikoj dhe të dekoroj të tjerë bij të Malësisë së Madhe, të tjerë personalite, që me veprën dhe punën e tyre, i kanë bërë nder Shqipërisë brenda dhe jashtë saj. Prandaj, në cilësinë e Presidentit të Republikës i falenderoj ata nga zemra për kontributin e tyre të vyer kulturor dhe patriotik.
Dhe, së fundmi, përvjetori i njëqindtë i Kryengritjes, i paraprin përvjetorit të njëqindtë të Pavarësisë së vendit vitin që vjen, përvjetor aq themelues në jetën e kombit, që duhet të nxisë një katarsis të domosdoshëm patriotik për çdo shqiptar pa dallim moshe, krahine, bindje apo besimi, duke u ballafaquar me modelet e Deçiçit dhe të Pavarësisë!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Dedë Gjo Lulit dhe i Kryengritjes së Malësisë! Rroftë Malësia e Madhe! Rroftë Shqipëria!”  

Duke shprehur admirimin dhe respektin për këte ngjarje të madhe me rëndësi te kombit shqiptar, Presidenti Topi nderoi një numër artistësh nga Malësia e Madhe e Kosova me  medalje mirënjohjeje për veprimatrinë e tyre artistsike.

Frank Shkreli

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2011-11-07 18:32:37
nje urra per te gjith keta burra te zot shqiptar


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?