Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow Ragim i OVL të UÇK-së
Ragim i OVL të UÇK-së PDF Print E-mail
05 Prill 2011

Lidhur me arrestimet e fundit të ish-pjesëtarëve të brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova” të UÇK-së


Ne, veteranët e luftës së UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit (komunat Pejë, Burim, Deçan, Gjakovë) jemi tejet të shqetësuar pas arrestimeve të fundit të bashkëluftëtarëve tanë, të cilat nuk janë asgjë tjetër përveç vazhdimësi e arrestimeve tash e dymbëdhjetë vite të pjesëtarëve të UÇK-së, të komandantëve dhe luftëtarëve elitarë të UÇK-së, të cilët kanë qenë drejtues të luftës më të pastër dhe më të lavdishme që ka ndodhur ndonjë herë në faqen e njerëzimit. Së pari UNMIK-u e tash edhe EULEX-i si pasues i tij, po e luajnë lojën e Beogradit, por duhet ditur se çdo gjë ka një kufi, e ne jemi tejngopur me padrejtësi, me gjykime të montuara, me drejtësi tejet të njëanshme që po ia servojnë Qeverisë dhe popullit tonë në përgjithësi.
Populli i Kosovës vetëm në luftën e fundit për liri ka dhënë mbi 12 mijë vetë, një pjesë e madhe e tyre janë vrarë e masakruar tmerrësisht nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe, kurse edhe sot e kësaj nuk është zbardhur fati i mbi 1 800 të pagjeturve, të zhdukur pa gjurmë nga forcat okupuese serbe.

Populli shqiptar i di fare mirë vrasësit dhe kriminelët që i masakruan mijëra shqiptarë, që spastruan etnikisht e dogjën fshatra e qytete të tëra, që shuan familje të tëra, që përdhunuan mijëra femra shqiptare, që ekzekutuan barbarisht gra, pleq e fëmijë, por pothuajse askush nuk është përgjigjur për këto krime të tmerrshme, përjashtuar disa raste simbolike.
Janë tejet të papranueshme dhe antinjerëzore tendencat e vazhdueshme të UNMIK-ut dhe EULEX-it, për tjetërsimin e të vërtetës së historisë së luftës së fundit në  Kosovë, në njërën anë i burgosin çlirimtarët pa kurrfarë faktesh e me dëshmi të rrejshme, të përpunuara fillimisht në Serbi e në anën tjetër kriminelët dhe vrasësit i bëjnë “dëshmitarë”, madje edhe po vazhdojnë t’i shëtisin pa kurrfarë hezitimi nëpër Kosovë, po i kthejnë në vendin e krimit.
UNMIK-u dhe EULEX-i deri më tani janë marrë vetëm me elementin UÇK. Çuditërisht i kanë harruar kriminelët dhe krimet e tmerrshme që kanë ndodhur vërtetë në Kosovë. Ata po luajnë me dinjitetin e popullit shqiptar e këtë po ua mundësojnë një grup servilësh,  që gjithnjë kanë qenë dorë e zgjatur e Serbisë.
Ka ardhur koha të ndalen burgosjet, vrasjet, linçimet dhe presionet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Mjaft më gjyqe të montuara! Mjaft më me fabrikime! Mjaft më me dëshmitarë të përpunuar në Beograd! Mjaft më me dëshmitarë të rrejshëm, sepse është mbushur kupa. Qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë kaluar nëpër paraburgimet dhe burgimet e UNMIK-ut e EULEX-it, të cilët kanë dalë të pafajshëm, pasi kanë mbajtur dënime dy e më shumë vite, pasi ata u njollosën, pasi atyre iu shkatërrua shëndeti, familja e karriera. Qindra të tjerë vuajnë dënimet drakonike pa fakte, por bazuar në dëshmi të rrejshme.
Ka dymbëdhjetë vite që ushtarët e UÇK-së kanë mbetur pa përkujdesje shtetërore. Mbi pesëdhjetë prej tyre janë detyruar të bëjnë vetëvrasje nga presionet e UNMIK-ut, EULEX-it e disa pushtetarëve të afërt me këta të fundit, qindra të tjerëve po u kalben plagët në trup, atyre dhe familjeve të tyre po u mungojnë kushtet elementare për jetesë, mijëra të tjerë janë detyruar ta lëshojnë Kosovën në pamundësi të sigurimit të ekzistencës.
Propaganda proserbe përmes mekanizmave të caktuar ka mbushur më shumë se një dedakë që vazhdojnë ta akuzojnë UÇK-në për krime të paqena. Aty ku nuk kanë mundur të gjejnë kriminelë, janë munduar të gjejnë hajna, të korruptuar e çka jo tjetër.
UNMIK-u dhe EULEX-i kanë arrestuar dhjetëra e dhjetëra personalitete, duke filluar nga rangu i kryeministrave, deputetëve, ministrave, komandantëve të dalluar në Polici e TMK e organe tjera drejtuese, me akuza krejtësisht të pabaza, siç është vërtetuar më pastaj në shumicën e rasteve.
Deri kur do të vazhdojmë të kemi drejtësi të njëanshme? Deri kur duhet të presim që drejtësia ta thotë fjalën e vet lirshëm në të gjitha pjesët e Kosovës njësoj? Deri kur duhet t’i mashtrojnë familjarët e të pagjeturve të cilët i kërkojnë përditë bijtë e vet? Deri kur duhet të privilegjohet pala serbe, e cila ka 100 vite që bënë terror, gjenocid e spastrim etnik mbi popullin shqiptar e aktorët e këtyre krimeve pothuajse asnjëherë nuk u dënuan, përkundrazi, u dekoruan e morën pushtet më shumë.
Vetëm në shkurt të vitit 2000, Serbia i dëboi me dhunë nga pjesa veriore e Mitrovicës, 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 banorë për ta spastruar këtë pjesë nga elementi shqiptar. E tërë kjo ndodhi pasi dhjetë shqiptarë u vranë, në mesin e tyre edhe fëmijë, e gjashtëdhjetë të tjerë u plagosën nga strukturat e shërbimit sekret serb në bashkëpunim me njësitë e MUP-it dhe njësitë speciale serbe. Mbase këto operacione për vrasje, plagosje e spastrim etnik nga popullsia shqiptare, ishin të organizuara deri-diku edhe me dijeninë e elementit ndërkombëtar për ta spastruar Mitrovicën nga elementi shqiptar, sepse ndryshe nuk mund të sqarohet mosveprimi i organeve të drejtësisë ndaj kriminelëve serbë, të identifikuar me emër e mbiemër, por që pas këtyre vrasjeve morën pozita të larta njëherë në institucionet e përkohshme të Kosovës (IPVQ) e më pas në strukturat paralele serbe, në rangje ministrash e sekretarë të përhershëm.
Edhe përkundër dëshmive të shumta, UNMIK-u dhe EULEX-i nuk ndërmorën kurrfarë masash atëherë as sot. UNMIK-u dhe EULEX-i e dinë fare mirë  se struktura të njohura serbe nga radhët e MUP-it por edhe ekstremistë serbë, botërisht më 17 e 18 mars 2008 u ngritën kundër mekanizmave mbrojtës të sigurisë ku pati të vrarë e dhjetëra të plagosur nga radhët e forcave ndërkombëtare. Edhe kjo ngjarje u hesht. U heshtën edhe dhjetëra e dhjetëra vrasje të tjera që i kryen organizatat e fshehta serbe të ndihmuara nga shteti dhe organet zyrtare serbe.
Përderisa deri më tani, në të gjitha proceset e montuara gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së qoftë në Kosovë, qoftë në Tribunalin e Hagës, të gjitha rastet për të cilat është akuzuar UÇK-ja kanë qenë shqiptarë e aty-këtu ndonjë civil serb, jo pse këto raste kishin të bënin me të vërtetën por me qëllime komprometimi dhe njollosjeje të UÇK-së në njërën anë dhe në anën tjetër për të shfajësuar Serbinë për krimet e tmerrshme që kreu në Kosovë, tani në rastin e fundit të arrestimeve të ish-luftëtarëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova” të UÇK-së, akuzohen se paskan vrarë oficerë të ushtrisë serbe të ardhur nga Serbia për të vrarë e masakruar popullatën shqiptare në Kosovë!
Tani e tutje janë të patolerueshme arrestimet dhe dënimet në procese të montuara politike me “dëshmitarë” të përgatitur në Serbi, me qëllim të eliminimeve politike.
Nuk tolerojmë që të bëhen arrestime sa herë që të fillojnë bisedimet me Serbinë me qëllim të disiplinimit të dhunshëm të strukturave të UÇK-së edhe atëherë kur vendi shitet, ndahet e copëtohet!
Nuk tolerojmë që të bëhen pazare me Kosovën!
Ia bëjmë me dije edhe Qeverisë së Kosovës, por edhe organeve tjera shtetërore që të mos heshtin para këtyre poshtërimeve, që po u bëhen çlirimtarëve pa kurrfarë baze ligjore vetëm pse kështu dirigjon Beogradi e pa kurrfarë baze ekzekuton EULEX-i.
Kërkojmë që urgjentisht të rishikohet pozita, misioni dhe kompetencat e EULEX-it. Kërkojmë nga Qeveria që të mos i përfillë akuzat dhe kërkesat e Beogradit për dënimin e çlirimtarëve, sepse me proceset e montuara kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së nga mbarë Kosova, me proceset e montuara kundër komandantit Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve tanë Lahi Brahimaj e Idriz Balaj në Hagë, me proceset kundër Fatmir Limajt – komandant Çelikut të UÇK-së dhe të tjerëve, me shpifjet monstruoze të Dick Martyt e Del Pontes, të bëra nën influencimin e Serbisë e të Rusisë, janë tejkaluar të gjitha caqet e durimit. Tani e tutje ne nuk do të jemi spektatorë të këtyre padrejtësive. Të gjithëve u themi se nëse vazhdoni ta poshtëroni e ta njollosni UÇK-në do të prekni zjarrin që nuk është shuar ende e as nuk do të shuhet kurrë. Në këtë gjendje që jemi katandisur, nuk kemi asgjë për të humbur. Ne jemi të gatshëm t’i mbrojmë vlerat e luftës së UÇK-së dhe luftën e shenjtë të kësaj Ushtrie Çlirimtare.
Larg duart nga UÇK-ja! Nuk kemi ku të shkojmë më tutje.
SOS! - është fjala e fundit.
 
 
 
  Deçan, më 18.3.2011                                 Kryetari i Degës së OVL të UÇK-së,
                                                                             Kolonel Abdyl Mushkolaj



Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive