Faqe kryesore arrow Historia arrow 72 vjet Balli Kombëtar
72 vjet Balli Kombëtar PDF Print E-mail
06 Maj 2011
 Asnjë lëvizje kombëtare në Shqipëri nuk ka pasur jetën dhe gjallërinë e Ballit Kombëtar. Asnjë parti politike nuk ka qëndruar me punë, me luftë e ballëhapur sikurse ka qëndruar partia e Mithat Frashërit.

Asnjë lëvizje shoqërore nuk ka përcaktuar një drejtim aq të qartë për përmirësimin e jetës shqiptare sesa Balli, i lindur në luftë, i rritur në luftë, i burrëruar dhe i brumosur me djersë dhe gjak në kohën e robërisë fatale.

E deshi fati i atdheut që Balli Kombëtar të lindte në shtëpinë e Lumo Skëndos. Në atë shtëpi ku grumbullohej kultura arbërore në mijëra volume, të mbledhur e të ruajtur për ditë më të kthjellëta, ku u përtëri Nacionalizma Shqiptare. U derdhën lumenj dhe përrenj të qëndresës kombëtare, u shkrinë energjitë e veçanta, u ngjeshën dhe u ngjitën vullnetet e mira dhe në dritën e një llambe buruan nga penda e plakut parimet e para kombëtare në tetë pikat të Nacionalizmës Shqiptare. Më vonë u zbërthyen idetë e kohës në Dekalogun e famshëm, mbi të cilin u betuan “me një dëshirë, me një qëllim” ushtarët fisnikë të atdheut. E deshi qëndresa kombëtare që Balli prej 72 vjetësh të jetë boshti i papërkulur, i pathyeshëm i të gjitha zhvillimeve historike brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Karakteristika e qëndresës kastriote, e Lidhjes së Prizrenit ishte për të mos llogaritur forcën e armikut, por për të qëndruar deri në fund me armët e trashëguara. Veçoria e Ballit Kombëtar ka qenë dhe është ecja drejt në rrugën e mirë, në rrugën e mbarë, në rrugën kombëtare, pa marrë parasysh luftën kundër pushtuesve dhe pengesat e kundërshtarëve politikë, pa u mallëngjyer nga keqkuptimet e miqve, pa u dobësuar nga degët e thara që bien gjatë murranit të egër. Për këtë arsye flasin luftërat e Ballin Kombëtar, duke luftuar kundër pushtuesit në Tiranë, në Gjorm të Vlorës, në Ruzhdie, në Berat, në qarkun e Korçës, në Reç të Shkodrës, Mallakastër, në Lushnjë, Elbasan e në të gjithë Shqipërinë pa marrë parasysh fuqinë e armikut. Për këtë arsye e kemi parë dhe lexuar shtypin e Ballit Kombëtar, duke lulëzuar me ide të guximshme dhe të shëndosha në kohët e frikës. Për këtë arsye deri më 1943 dëgjohej vetëm pushka dhe penda e Ballit Kombëtar në malet dhe sheshet e atdheut, që gufonte. Qysh nga Lidhja e Prizrenit nuk ishte parë në Shqipëri një fuqi vullnetare e armatosur prej 15 mijë vetash që t’i bënte ballë kundërshtarit dhe ta shtrëngonte sikurse e bëri Balli Kombëtar. Edhe kur nxori kokën komunizmi në fund të vitit 1941 për të ndihmuar frontin rus, edhe kur radhët e shtuara të agjentëve të Moskës u bënë një rrezik për Shqipërinë, vetëm Balli Kombëtar u tha “ndal!” mohimtarëve të kombit.

Sikur të mos ishte Balli Kombëtar me frymën e tij patriotike, qëndresa kundër suazave të huaja do të kishte qenë një ndërmarrje me episode të ngurtë, që bëjnë histori. Vetëm Balli Kombëtar shpërtheu kufijtë e individëve, të krahinave, shpërtheu hallkat e vjetra të ideve të ndryshkura dhe ndriti në dritë të pushkëve në ditët më të errëta të kombit. Komunistët i patën aq frikë pushkët e Ballit Kombëtar sa patën frikë dhe idetë e tij. Doemos, lufta për liri sjell me vete dhe grumbullime të padëshiruara e të pakontrolluara. Por këto ngjitje të papërshtatshme me trupin e shëndoshë të Ballit Kombëtar erdhën e ranë vetë sa herë që u paraqitën kalime të rrezikshme. Kështu, Balli Kombëtar mbeti ushtria e guximtarëve, që nuk llogaritnin veten sa herë që i thërret zëri i atdheut. Dukuria më e çuditshme është se në këta 72 dy vjet asnjë lëvizje nuk ka lindur me jetë, as në atdhe e as në mërgim, për t’i zënë vendin Ballit Kombëtar. Kështu, partia e Mithat Frashërit u skalit si krijesë pa moshë në zemrat e shqiptarëve, kjo është patriotizmi i vërtetë e shqiptarizmit. “Partia jonë është Shqipëria”, - la testament shërbesëtari i Shqipërisë. Dhe Shqipëria e Ballit Kombëtar nuk doli si trup i cunguar me traktate të padrejta, por si një tokë e gjallë, ku rreh zemra e miliona shqiptarëve nga Kosova deri në Çamëri. Shqipëria e Ballit Kombëtar nuk është vendi i atyre që dinë të punojnë vetëm për veten, por është atdheu i ushtarëve, i bujqve, i punëtorëve, i mendimtarëve, të cilët duke punuar për liri dhe demokraci i japin frymë përparimit, u japin fuqi reformave, u japin qëndresë vullneteve të mira. Rruga e Ballit Kombëtar ka qenë dhe është rruga më e vështirë e kombit. Këtë rrugë nuk mund ta kuptojnë veçse ata që heqin dorë nga vetvetja, nuk mund ta ndjekin veçse ata që nuk topiten nga sakrificat, nuk mund ta përmbajnë veçse ata që kanë besim në fatet e Shqipërinë, kjo është vendosmëria jonë në të ardhmen për të vazhduar në këtë rrugë të ndritshme të përcaktuar nga shërbesëtari i Shqipërisë, i madhi Mithat Frashëri.

Parimet morale të Ballit Kombëtar

Emri vetë s’është gjë tjetër veçse përkthimi në shqip i Partisë Nacionaliste. Si çdo organizim similor i çdo vendi tjetër, Nacionalizma Shqiptare ka për detyrë të ruajë, të vlerësojë trashëgimet e gjyshërve, duke i lënë si trashëgim për stërnipërit një gjendje më të prefeksionuar dhe më të përmbaruar. Edhe titulli “Nacionalizma shqiptare”, që në fillim, domethënë që në prill të vitit 1939, të nesërmen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, nuk është se u pranua pa një diskutim të gjatë dhe të imët. Pati disa individë që e kundërshtuan, duke u bërë viktima të keqkuptimit të fjalës “nacionalizëm”. Në popujt e mëdhenj dhe të fortë kujtonim se ajo shprehje do të ngjallte njëfarë imperializmi, do të lindte ambicia e sulmimit kundër popujve të tjerë, do të bëhej një rrezik për paqen dhe do të zgjonte armiqësinë e botës mbarë. Pas shumë shoshitjesh u pranua se nacionalizmi i një populli të vogël si yni nuk mund të jetë veçse një vetëmbrojtje dhe nuk kishte tjetër qëllim përveçse përpjekjet e kombit tonë për një paqe, për një rregull, për një disiplinë, pra për një qetësi brenda dhe miqësi jashtë. Në bisedimet që u zhvilluan në atë kohë, disa prej miqve tanë bënë një arsyetim të tillë: “Fjala «nacionalizëm» mos vallë na zgjon grindje dhe mosmarrëveshje me disa të paktë grupe të vogla brenda në Shqipëri dhe mos na ngjall një moskuptim dhe në këtë mënyrë nacionalistët e vendosur të mos kenë një mundësi për të bërë luftë fjalësh dhe akuzash me ata që do t’i quajnë «grekomanë», «turkomanë» etj.?”

U desh gjykimi i disa miqve të Ballit Kombëtar për të ndarë çështjen, duke pranuar se grindja, sherri dhe mosmarrëveshjet vijnë nga mungesa e nacionalizmit dhe nuk mund të lindin kurrë ndonjëherë nga ekzistenca e saj. Ishte një gjë e natyrshme që në hapat e parë të saj organizata të kujdesej për çdo send që ka të bëjë me Shqiptarizmin, me Shqipërinë, me kombin. Të zgjojë rrënjët më të thella në shpirtin e njerëzve, ndjenjën e patriotizmit, të ekzaltojë çdo gjë në lidhje me shqiptarësinë, të zgjojë mistikën e atdheut, të lëkundë dhe të zhdukë indiferencën nga zemra dhe nga mendja e njerëzve. T’i mbushë këto mendje dhe këto zemra me lëngun shpirtëdhënës të vullnetit dhe të vendosmërisë. Pa dyshim që fjala “atdhe” nuk mund të merrej në kuptim të krahinës, të komunës etj. Për Ballin Kombëtar ajo fjalë do të përfshijë jo vetëm vendlindjen e ngushtë, por tërësinë e gjithë tokës shqiptare pa marrë në konsideratë kufijtë administrativë ose kufijtë politikë të sotëm. Me një fjalë, themelohet kështu parimi i përgjithësisë (universitetit) të shqiptarizues, i cili imponon detyrën për kujdesimin e kufijve etnikë të Shqipërisë. Larg prej nesh mendimi se Balli Kombëtar pretendonte të ishte themeluesi i patriotizmit shqiptar, por kishte bindjen se duhej të bëhej rregullatori dhe organizatori i përpjekjeve patriotike. Ishte e nevojshme dhe e domosdoshme që në Shqipëri të krijohej një klasë njerëzish të interesuar për jetën e mëmëdheut. Duhej që këta njerëz të përqendrojnë gjithë aktivitetin moral dhe intelektual të tyre në mbrojtjen dhe lartësimin e kësaj Shqipërie. Vogëlsia e vendit tonë, pakica e numrit të popullit tonë, duhej medoemos të gjente një mënyrë force dhe fuqie në ndjenjat intelektuale dhe morale të çdo shqiptari. Duhej që vullneti i çdo shqiptari të formonte një mburojë për atdheun dhe të bëhej një garanci për të ardhmen e tij. Për të arritur përmbushjen e parimeve të tij, ishte e natyrshme që Balli t’i hynte punës së rifitimit të indipendencës së Shqipërisë. Në të vërtetë Balli lindi nga kjo nevojë dhe ngarkonte veten me këtë detyrë, kështu që parimet e tjera duhet të konsiderohen një kusht dhe mjet për rrojtjen e kombit dhe për mbrojtjen e tij. Rrojtja nuk mund të thuhet se ka vlerë, në qoftë se nuk manifestohet në konditat njerëzore, qytetërimi dhe morali. Pra, lufta që fillohej e detyronte Ballin Kombëtar të mendonte për konditat dhe për situatën e atëhershme. Nuk mund të mohohet se në shumë raste fuqitë shqiptare, aspiratat individuale dhe pasionet personale kanë pasur një forcë larguese nga qendra një forcë centrifugë. Duhet, pra, që ajo forcë, në qoftë e mundur të shtohet edhe më tepër, të transformohet në një fuqi që mblidhet drejt qendrës dhe të hyjnë në një veprimtari të dobishme dhe prodhimtare. Ujërat, rrëketë, përrenjtë duhen kanalizuar drejt mullirit të madh të jetës kombëtare dhe shtetërore dhe jo të lihen të largohen nga mulliri dhe të mbetet e tharë korita. Në qoftë se i vëmë re jetës sonë historike, gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur jo nga mungesa e forcave, por nga shpërndarja e këtyre fuqive dhe nga të bërët shkatërrimtare. Balli, që përpiqej të mblidhte copat shqiptare në një trup të vetëm, kishte detyrë që edhe shqiptarët t’i afronte me njëri-tjetrin dhe t’i bënte të dobishme energjitë e secilit. Kjo kujdesje e ka shtyrë Ballin që të mos konsiderojë si armik asnjë shqiptar që mund të zhvillojë një shërbim. Me përjashtim të atyre që ishin shfaqur haptas si shërbëtorë të armikut dhe zhvillonin një aktivitet krejt antikombëtar, Balli donte që të afronte dhe të vëllazëronte gjithë të tjerët. Ishte gati të hidhte një mbulesë keqardhjeje dhe dhembshurie mbi këto faje, në qoftë se s’kishte rrjedhur syresh një dëm për kolektivin. Balli donte të ishte i pamëshirshëm dhe i ashpër kundrejt vetes së tij, por prapë kjo e shtynte që fajtorët e mëdhenj moralë t’i mbante larg radhëve të organizatës. Prapë ky parim e nxiste që të provonte afrimin me partitë politike pak a shumë me rëndësi që ndodheshin në ato kohë brenda në Shqipëri. Që ditët e para dhe sapo doli në shesh ekzistenca e një grupi komunist brenda tokës sonë (dhe kjo dalje në shesh u bë të nesërmen e hyrjes në luftë të Rusisë kundër Boshtit), Balli bëri tentativë të bisedonte dhe të arrinte në një marrëveshje me komunistët. Më vonë organizata mori iniciativën e mbledhjes së Mukjes, në të cilën kishte shpresë se komunistët do të edukoheshin dhe do të bëheshin një element pak i vlefshëm për Shqipërinë. Balli u ofroi bashkëpunim për arritjen e indipendencës së plotë të vendit pa cenuar politikën e partive të brendshme, që do të ndihej pasi të arrihej qëllimi kryesor. Lexuesit tanë nuk kanë nevojë t’u shpjegojmë këtu se si komunistët një javë pas firmës që kishin dhënë në Mukje e hodhën poshtë atë marrëveshje në mbledhjen e tyre në Labinot. Sot flasin faktet, dokumentet e shumta të vendit dhe ato të huaja mbi prishjen dhe tradhtinë e kësaj marrëveshjeje dhe fillimin e luftës vëllavrasëse nga komunistët.

Më vonë organizata bëri mbledhjen e Lurës, në të cilën morën pjesë gjithë krerët e Lurës, Dibrës, Lumës dhe Matit. Pak më vonë, pra në ditët e para të kapitullimit të Italisë, organizata nxitoi në Dibër dhe mundën të bëhen mbledhjet e Peshkopisë dhe të Dibrës së Madhe. Në këtë mes komunistët kishin marrë haptas qëndrimin e tyre armiqësor kundër nacionalistëve dhe nuk e fshihnin aspak përpjekjen e tyre për të shfarosur çdo ndjenjë shqiptare e për të arritur qëllimin e tyre që Shqipëria të bëhej vasale e shteteve sllave, duke filluar nga Jugosllavia për të mbaruar te Rusia. Pa ardhur prapë mbi këtë temë, të zëmë në gojë akoma dy lidhje të bëra prej Ballit: atë të Shkodrës më 25 mars 1944 dhe atë të Prezës pesë muaj më vonë. Qëndrimi i komunistëve kundër Ballit ishte i theksuar me qarkoren e tyre të datës 9 shtator 1943. Pak nga pak filluan veprimet tradhtare duke ngritur prita kundër ballisteve, duke bërë atentate individuale dhe më vonë duke zhvilluar luftime të rregullta midis çetave të tyre dhe çetave tona. Balli ndodhej midis dy zjarreve: të okupatorit dhe të një partie të brendshme. Një pamundësi për të përballuar dy fronte njëherësh Balli u detyrua të ulej nëpër qytete dhe përqendron kujdesin në mbrojtjen nga armiqtë e brendshëm - komunistët. Theksojmë këtu fjalën “në mbrojtjen”. Që në fillim Balli ishte përpjekur të edukonte, të civilizonte komunistët, të zbuste shpirtrat e zinj të tyre dhe të arrinte që ata të bëheshin elementë, në mos të vlefshëm, të paktën jo të rrezikshëm. Balli as nuk parashihte që një ditë të arrinte në luftë me njerëz që merrnin urdhra nga Jugosllavia dhe Rusia, siç bënë kriminelët komunistë. Njerëzit e Ballit Kombëtar, të mëdhenj e të vegjël, merrnin gjithmonë mendim për të bërë më tepër propagandë të qetë kundër komunizmit, kjo ishte detyrë parësore. Të gjitha këto bëheshin për të evituar luftën vëllavrasëse. Ballistët në çdo fjalim të tyre kujtonin mësimin që u jepte historia e shenjtë në jetën e profetit Salomon, kur nëna e vërtetë zuri kordhën e Salomonit për të shpëtuar jetën e djalit të saj. Balli Kombëtar ishte nëna dhe dhembshuria dhe me ndjenja njerëzore në Shqipëri. Nuk mund të pranonte hapjen e një lufte, në të cilën askush nuk mund të parashikonte ku do të mbaronte derdhja e gjakut. Ishte një nënë që kishte dhembshuri edhe për më të voglin shqiptar, cilido të ishte. E jo vetëm njeriu, por edhe pula, edhe kasollja e Shqipërisë i dhimbsej dhe duhej t’i dhimbsej. Le t’i kujtojmë lexuesit se manifestimi më i madh dhe më serioz që u bë në Tiranë në kohë të pushtimit italian, ai i 20 janarit 1943, nuk u bë kundër vrasjes së ndonjë ballisti, por kundër ekzekutimit të katër komunistëve në Vlorë. Edhe kur lufta në mes antishqiptarëve dhe shqiptarëve (dhe këtu është mirë të kujtojmë se Balli ishte fare vetëm në këtë luftë dhe se në Lidhjen e Shkodrës që përmendëm më lartë nga partitë e tjera u refuzuan kategorikisht të angazhoheshin çiltërsisht për një luftë kundër komunistëve) dhe themi kur lufta në mes të komunistëve u bë një luftë fronti, prapë çetat balliste dhe kryetarët e tyre janë sjellë si luftëtarë të vërtetë, duke respektuar parimet më elementare të një lufte të ndershme. Kundrejt kësaj sjelljeje partia e kuqe, kriminale nuk kursente asnjë masakër, asnjë torturë, asnjë shkatërrim. Duke bërë luftën e tyre kundër Nacionalizmës së Ballit dhe aksionet e tyre të vogla kundër okupatorit, komunistët ndiqnin parimet kryesore dhe udhëzimet e ardhura nga lartë, d.m.th. shfarosja e elementit dhe shkatërrimi i truallit shqiptar: një pushkë zbrazej prej komunistëve, me qëllim që të digjej një katund dhe një i huaj të vritej me shpresë që të ekzekutoheshin disa dhjetëra shqiptarë, pikëpamje diametralisht në kundërshtim me ato që ndiqte Balli, i cili edhe në luftërat dhe aksionet e tij kujdesej që me çdo mënyrë të mbrohej jeta e një shqiptari dhe të mos mbetej fëmija e tij rrugëve. Pra, në përpjekjet me forcat shumë superiore që dispononte pushtuesi, Balli nuk mund të linte pas dore mbrojtjen dhe mosdëmtimin e popullit. Nga ngjarjet e një çerek shekulli më parë kishte prova se rrënimet mund të bëheshin për dy ditë, por rindërtimet donin sa e sa çerekë shekujsh të bëheshin.

***

Prapë nga ky shpirt i Ballit Kombëtar rrjedh kujdesja e tij për të paraparë dhe për të përgatitur kushtet që sjellin moralizmin dhe përparimin e kombit, çdo reformë që do të ketë si përfundim lumturinë dhe ndritësimin e kombit.

Partia Nacionaliste do të dojë të mbrojë dhe të aplikojë reformat shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë, e në këtë mënyrë të forcojë lirinë e njeriut dhe barazinë ndërmjet të gjithë shqiptarëve. Këto projekte na urdhërohen nga nevoja që ndien Balli Kombëtar për të arritur realizmin e një shteti të përparuar dhe të lulëzuar me anën e përpjekjeve morale dhe njerëzore, duke pasur kurdoherë për bazë patriotizmin. Partia jonë që në fillim ka fituar bindjen se çdo orvatje politike duhet të mbështetet në parime morale, duhet të burojë nga një ideal jo vetëm i lartë, por dhe praktik, një ideal që ka për cak ta bëjë shqiptarin të ndiejë ëmbëlsinë e jetës, duke gëzuar vëllazërinë, lirinë dhe virtytet njerëzore...*** Një gjë e re që ka themeluar organizata jonë është ideja që Balli Kombëtar të vihet plotësisht në shërbim të Shqipërisë, të bëhet një shërbesëtar i atdheut dhe kombit dhe jo të shihet Shqipëria në shërbim të Ballit Kombëtar.

Edhe sot në program dhe statut thuhet se partia “Balli Kombëtar” është formacioni politik që bashkon shtetasit shqiptarë me qëndrim brenda dhe jashtë kufijve shtetëror të Republikës Shqiptare. Partia “Balli Kombëtar” vepron në të gjithë shtrirjen tokësore të Republikës së Shqipërisë, në tokat etnikisht shqiptare, në respektim të lirive dhe të drejtave të njohura prej konventash ndërkombëtare. Balli Kombëtar i ngarkon vetes këto detyra: lufton për të krijuar kushtet e bashkimit shpirtëror dhe politik të popullit shqiptar, për lartësimin ekonomik dhe kulturor të tij, kërkon të forcojë ndërgjegjen kombëtare te shqiptarët dhe të hedhë bazat e një morali politik kombëtar, ndihmon për forcimin ligjore të shtetit shqiptar, mbron idealin e drejtësisë shoqërore.

Lufton për një shtet shqiptar të lirë brenda kufijve natyrorë të tij

Detyra jonë parësore ka qenëm është dhe do të mbetet ideali kombëtar. Ne i kemi afruar historikisht shqiptarëve alternativën e bashkimit kombëtare, për këtë alternativë janë vrarë, janë pushkatuar, janë burgosur, janë përzënë nga atdheu i tyre i dashur qindra dhe mijëra shqiptarë, ku vazhdojnë të vriten edhe sot. Parimi themelor i Nacionalizmës Shqiptare ishte dhe do të jetë që të mbledh copat shqiptare në një trup të vetëm, t’i afrojë shqiptarët me njëri-tjetrin me frymën e vëllazërimit dhe bashkimit kombëtar.

Për të përmbushur dhe vazhduar këtë detyrë madhore dhe kombëtare, për të realizuar amanetin e atit të Shqipërisë etnike, shërbesëtarit të Shqipërisë Mithat Abdyl Frashërit dhe të qindra e mijëra burrave patriotë dhe atdhetarë, të baballarëve tanë, ne do vazhdojmë kauzën tonë t’i drejtohemi opinionit publik mbarëkombëtarë shqiptarë se fryma jonë vëllazërore ngrihet mbi parime të drejta, thellësisht kombëtare dhe patriotike. Sot të gjithë shqiptarët, në Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Mal të Zi, e gjithë klasa politike janë kthyer në rrugën që kërkoi Balli Kombëtar 72 vjet më parë, bashkimi i shqiptarëve ka filluar me pavarësinë e Kosovës. Natyrisht, për këtë akt kombëtar kishte të drejtë Balli Kombëtar, prandaj shqiptarët duhet ta mbështesin këtë proces bashkimi shpirtëror të popullit shqiptar. Qëndresa kombëtare prej 72 vjetësh bëri që Balli Kombëtar të ishte boshti i papërkulur, i pathyeshëm i të gjitha zhvillimeve historike brenda dhe jashtë Shqipërisë, aspirata për bashkimin e shqiptarëve ka filluar. Ne mendojmë se vetëm bashkimi i të gjitha tokave shqiptare gjen ekuilibrin e saj të natyrshëm, të bindur se kjo i shërben stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon për t’u bërë dhe ne shqiptarët një shtet i plotë dhe i konsoliduar në Ballkan, kjo është kërkesë për realizimin e aspiratës shekullore nga të gjithë shqiptarët. Një komb i vuajtur, që kërkon lirinë, bashkimin e tij, të drejtën e vetëvendosjes së popujve, e cila qëndron në bazë të Kartës së Atlantikut dhe të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, profesor Abas Ermenji ka thënë: “Asnjë vepër e madhe nuk mund të kryhet pa një besim të patundur në fund të vetëdijes.” Kjo e drejtë jona duhet të na bëjë shumë më të fortë, më të bindur, më të disiplinuar e sidomos të bashkuar si një trup i vetëm. Të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen duhet të ndërgjegjësohen dhe të përgatiten për zgjidhjen përfundimtare të saj. Ne duhet të kuptojmë një herë e përgjithmonë se nuk mund të ketë ditë të bardha, as ditë gëzimi derisa të mos sigurojmë kushtet e zhvillimit të lirisë, derisa të mos sigurojmë pavarësitë kombëtare dhe liritë e plota demokratike, kjo Shqipëri nuk ka qetësi, nuk ka mirënie, nuk ka ekonomi të konsoliduar kombëtare. Këto ne nuk mund t’i sigurojmë derisa në politik të mos dimë t’i matim vlerat shoqërore në bazë të një morali shoqëror kombëtar, derisa të mos dimë të ndajmë atdhetarët nga tradhtarët, të drejtët nga hileqarët. Të gjitha partitë edhe sot e kanë frikë programin e bashkimit kombëtar dhe mashtrojnë shqiptarët me slogane të ndryshme, kurse Balli Kombëtar nuk është larguar asnjëherë nga kjo alternativë kombëtare, prandaj kërkojmë mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i japin Shqipërisë atë që i takon, që të vendoset përfundimisht në shtratin e duhur kombëtar. Ne jemi të vendosur që t’u ofrojmë shqiptarëve vazhdimësinë e Nacionalizmës Shqiptare dhe të Dekalogut. Balli Kombëtar nuk ka bërë dhe nuk bën lëshime në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë, ju drejtohemi sërish shqiptarëve se do të vazhdojmë të kërkojmë të valëvitet një FLAMUR KOMBËTAR në trojet shqiptare, do të kërkojmë të këndohet një HIMN KOMBËTAR nga të gjithë shqiptarët, do të kërkojmë një KOMB për të gjithë shqiptarët brenda kufijve natyror të tij.

Ishte shumë e vështirë rruga që përcaktoi Balli Kombëtar, por i doli për zot shumëkujt i dukej luftë e pashpresë, por vetëm shpirti i madh i Ballit Kombëtar mundi ta mposhte dyshimin dhe tha se “Shqipëria medoemos do të bëhet, se duam ne që të bëhet. Liria, demokracia, pavarësia medoemos do të vijë, se duam ne që të vijë. Bashkimi medoemos do të bëhet, se thamë ne që të bëhet”. Dhe u bë. Pavarësia e Kosovës është proces i bashkimit për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, është një rizgjim i ndjenjës kombëtare. Balli Kombëtar shkon drejt së ardhmes i pathyer. Ai i drejtoi vazhdimisht shqiptarët duke u thënë se “këtej është udha juaj”. Ne sot po u përgjigjemi të parëve tanë pas 72 vjetësh se andej është edhe udha jonë.



Siç na edukuat dhe na mësuat ju, kjo alternativë kombëtare do të kalojë nga ne te bijtë tanë, te bijtë e bijve tanë, te stërnipat më të largët dhe do të ndriçojë i gëzuar gjithmonë që shqiptarët të tregohen të denjë për t’u bërë shërbesëtarët e Shqipërisë.

Lufta për liri medoemos do të sillte me vete grumbullime të padëshiruara e të pakontrolluara, por këto ngjitje të papërshtatshme me trupin e shëndoshë të Ballit Kombëtar erdhën e ranë vetë sa herë që u paraqitën kalime të rrezikshme, kështu Balli Kombëtar mbeti ushtria e guximtarëve. Koha vërtetoi vizionin largpamës të Ballit Kombëtar, këto parime kombëtare po realizohen sot nga e gjithë klasa politike, po mbështeten nga e gjithë shoqëria shqiptare dhe për këtë ne ndihemi shumë krenarë. Pavarësia e Kosovës është proces i bashkimi të shqiptarëve, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, Shqipëria sot është një kandidate ponteciale për në Bashkimin Europian, këto kanë qenë parimet kryesore të partisë Balli Kombëtar dhe për këtë ne kishim shumë të drejtë dhe ndihemi shumë krenarë që Shqipëria u radhit midis shteteve më demokratike dhe perëndimore. Sot të gjithë shqiptarët po flasim mirë, sot po nderohen personalitetet, sot po realizohet e tërë dhe gjithçka që ka thënë Balli Kombëtar. Ne kemi krijuar bindjen se të gjithë shqiptarët kanë nxjerr një konkluzion se rruga jonë rreth 72 vjet më parë ka qenë thellësisht kombëtare dhe tërësisht në shërbim të kombit shqiptar. Shqiptarët sot duhet të kenë krijuar një vetëdije kombëtare, ata i kanë një borxh Ballit Kombëtar: t’i kthejnë sytë nga kjo rrugë e ndershme, e drejtë dhe kombëtare që për hir të këtij ideali kombëtar janë vrarë, janë pushkatuar, burgosur, internuar, dëbuar, përbuzur padrejtësisht me mijëra shqiptarë në trojet etnike. Sot shqiptarët e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Kishte të drejtë Balli Kombëtar, për këtë u martirizua. Sot shqiptarët në Maqedoni kërkojnë të drejtat e tyre, për këtë u pushkatua Balli Kombëtar. Sot në parlamentin e Malit të Zi ka deputetë shqiptarë dhe shqiptarët kërkojnë të drejtat e tyre, dhe për këtë kishte të drejtë Balli Kombëtar. Sot shqiptarët e Çamërisë kërkojnë pronat e tyre, për këtë kishte shumë të drejtë Balli Kombëtar. Me këto akte të drejta doli Balli Kombëtar kur tha se pa Kosovën dhe Çamërinë nuk ka Shqipëri. Këto parime kishte Balli Kombëtar, ai vjen sot në politikën shqiptare madhështor dhe historik, vëllazëror dhe kombëtar, ai nuk i ka gënjyer asnjëherë shqiptarët, por u ka thënë gjithmonë të drejtën dhe të vërtetën.

Prandaj ne kemi të drejtën morale të kërkojmë mbështetjen e shqiptarëve, ta mbajnë vetë këtë parti, që u martirizua për liri, demokraci, bashkim dhe vëllazërim kombëtar. Ne i sigurojmë shqiptarët se do të jemi gjithmonë në shërbim të Shqipërisë. Do vazhdojmë të sensibilizojmë faktorin ndërkombëtar që të respektojë të drejtat e shqiptarëve për vetëvendosje, do të kërkojmë që të zgjidhet përfundimisht kjo padrejtësi e shqiptarëve. Ne i ftojmë shqiptarët që në vazhdimësi të mbështesin procesin e bashkimit shpirtëror të kombit shqiptar.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?