Faqe kryesore arrow Aktualiteti arrow Shqipëria përballë dy Turqive
Shqipëria përballë dy Turqive PDF Print E-mail
23 Gusht 2011
Ideja që shqiptarët kanë sot për Turqinë është e dyfishtë dhe në pamje të parë kontradiktore. Të gjithë e dimë nga historia se perandoria osmane ose Turqia e vjetër i ka pushtuar trojet shqiptare pas 25 vjet rezistence nga ana e Skënderbeut dhe i ka mbajtur të pushtuar rreth 400 vjet, deri në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912. Pasojat e këtij pushtimi kanë qenë të rënda sepse ndërprenë zhvillimin natyror të vendit, shtuan një fe të tretë duke shtuar ndasitë fetare dhe më e keqja, kur erdhi koha e shteteve-kombe në fund të shekullit të XIX-të  shqiptarët nuk arritën të kenë një shtet të vetëm dhe tokat shqiptare u ndanë midis fqinjve, në një masë të madhe për shkak të pazareve gjeo-politike të Turqisë e cila i përdorte tokat shqiptare si monedhë shkëmbimi me fuqitë e mëdha të asaj kohe Angli-Francë-Rusi.
Nga ana tjetër të gjithë e dimë se Turqia e sotme është një shtet i cili ka mbajtur një qëndrim pozitiv ndaj Shqipërisë dhe ka përkrahur Pavarësinë e Kosovës. Madje në lidhje me problemet që kemi me fqinjët tanë të jugut, Greqinë, Turqia mund të shihet edhe si një vend aleat brenda NATOS-s.
Duke patur paraysh të gjitha këto, lind pyetja se çfarë marrëdhëniesh duhet të kenë Shqipëria dhe Kosova me Turqinë. A është Turqia një vend mik apo armik? Kjo pyetje meriton një përgjigje, duke u nisur dhe nga kërkesa e Ministrit të Arësimit të Turqisë z. Dincer drejtuar para disa ditësh qeverisë së Kosovës për heqjen nga tekstet mësimore të historisë të disa pjesëve që ai i konsideron "fyese" për Turqinë.

Për t'iu përgjigjur kësaj pyetje, duhet parë me kujdes historia e Turqisë moderne që nga krijimi i saj e deri dje, dhe në mënyrë të veçantë zhvillimet aktuale në Ankara.

Turqia moderne u ideua nga Qemal Ataturku, i cili mbi rrënojat e Perandorisë osmane, arriti të krijojë një shtet të ri, modern dhe të kthyer drejt Perëndimit. Turqia moderne e hodhi poshtë hijen e perandorisë osmane dhe ka arritur sot që të jetë një fuqi rajonale ushtarake por edhe ekonomike.

Por Turqia  e sotme përballet me çeshtjen e së ardhmes së saj. Deri përpara disa vitesh si shumë vende të tjera Turqia synonte të hynte në Bashkimin Europian (BE). Kjo prespektivë u mbyll para disa vitesh kur disa vende të BE (si p.sh. Franca ) e kundërshtuan hyrjen e Turqisë në BE. Që atëherë politika e Turqisë ka ndryshuar dhe ka marrë drejtimin e krijimit të një zone të influencës me qendër Turqinë. Ndonëse nuk mund të flitet për një perandori osmane të re, ky proces nuk mund të mos na e kujtojë Turqinë e vjetër. Për më tepër që politikanët turq e shprehin këtë thuajse hapur. Në mbëmjen e fitores së partisë së tij AKP në zgjedhjet e fundit (qershor 2011)  kryeministri i Turqisë z. Erdogan tha : "Jehona e kësaj fitoreje do të dëgjohet nga Sarajeva (Bosnje) në Aman (Siri)". Vetëm kjo frazë përmban esencën e politikës zyrtare të Turqisë sot, e cila zonën nga Bosnja në Siri e shikon si zonë të sajën të influencës. Nuk është vështirë ta kuptosh se Shqipëria dhe Kosova ndodhen në këtë zonë.

Kjo politikë e shpjegon edhe kërkesën e pazakontë të një ministri arsimi turk për ndryshimin e teksteve shkollore të historisë në Kosovë. Kërkesa e ministrit turk ka si objektiv rehabilitimin e prandorisë së vjetër osmane në historinë zyrtare shqiptare. Si e tillë nuk mund të mos na vejë mendja, se një kërkesë e tillë synon në realitet përgatitjen e një "perandorie" të re.

Kërkesa e ministrit turk është absolutisht e papranueshme, sepse nyja historisë së re të kombit shqiptar është e lidhur pikërisht me luftën 25-vjeçare të Skënderbeut kundër pushtimit osman si dhe me shpalljen e Pavarësisë nga ky pushtim osman në vitin 1912. Pranimi i kësaj kërkese është thjesht mohim i kombësisë shqiptare.

Për këtë arësye, autoritetet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë duhet të tregohen shumë të kujdesshme me këto lloj kërkesash që tentojnë të rehabilitojnë perandorinë osmane dhe duhet t'i refuzojnë ato.

Nga ana tjetër, nëse është e mundur, marrëdhëniet me Turqinë zyrtare duhen mbajtur të mira, sepse ekzistojnë  disa interesa të përbashkëta me këtë vend. Por ato nuk janë vitale dhe mund të anashkalohen në rast se nuk ka rrugë tjetër. Ajo që ka rëndësi është të evitohen këto ndërhyrje që mund të cilësohen si neo-osmane dhe bashkëpunimi të bëhet mbi bazat e interesit reciprok të dy shteteve sovrane që nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të njëri-tjetrit.

Xhemil Meco

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2011-09-24 22:16:28
te lumte pena o z. xhemil kete gje thome gjithnje ne fb me shoket e sa njof por me ne fund shof dhe partine qe me perfaqeson e beri me ne fund buletin jam plotesisht dakorte me ato qe shkruan dhe mbi te gjitha eshte e verteta le te na thone ekstremiste ne duam vendin tone dhe trojet tona njesoj sic do ujin nje ne shkretetire e barabarte me jeten e vet......... 


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?