Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Tradhëtorëtë
Tradhëtorëtë PDF Print E-mail
04 Shtator 2011

Shokë, kemi në mest tënë

Shum' armik' e trathëtorë! 


Popo! mos u qoftë thënë! 


Veç që s'kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë 


Dh' e lanë kombinë tënë

E një tjatërë na gjenë! 


Popo! mos u qoftë thënë!

 

Lanë zonjën e lëvduar

E zunë një kurvë shtrigë,

Të ndyr' e të mallëkuar, 


Të fëlliqur e të ligë.


Lanë mëmën të xhveshur

Dhe mundohenë për botë, 


Pa dhe bota duke qeshur

U thotë: mundohi kotë!


Qysh u bënë Efialtë

E nuk e njohin të mirën,

Uthullën pandehin mjaltë 


Edhe dritë errësirën!

 

Buk' e mëmëdheut zëntë 


Tradhëtorët e pabesë! 


Dhe Zoti dërrmën u dhëntë, 


Kurrë mos paçinë pjesë!

 

Miqt' armiq i kanë bërë, 


Armikëtë miq i zunë,

Qysh janë fyell të tërë! 


Ç'është kjo e madhe punë!

 

Fajn' e math kur do ta njohin

Njerëzit e mallëkuar? 


Dritënë pse nuk e shohin,

Apo janë të verbuar?

 

Janë së gjithash të marrë

Dhe të liq me të vërtetë, 


Mëmëdheut bëjnë varrë,

Po do të bienë vetë,

 

Se mbretëron e vërteta, 


S'del kurrë gënjeshtr' e shkretë

T'ish ashtu, qe prishur jeta, 


S'kish mbetur gjë e vërtetë.

 

Ata turpinë fitojnë, 


Nder' e tyre posht' e hedhin 


Dhe armikëtë gëzojnë

E në errësirët bredhin.


Nuk është kurrë haruar 


Dh'e mira dh'e lig' e shkretë,

Të gjitha janë paguar,

S'ka mbeturë gjë në jetë.

 

Lerini, pa do ta gjejnë, 


Të vërtetën do ta njohin,

Se tani s'e dinë ç'bëjnë, 


Janë të verbër e s'shohin.


O, popo ç'turp kanë marrë!

Janë bërë tradhëtorë 


Dhe s'janë më shqipëtarë, 


Se nga kombi hoqnë dorë.

 

Me të huajnë u bënë,

Me armikn' e Shqipërisë,

S'duanë gjuhënë tënë 


Armikët' e Perëndisë!

 

Ndjej, o Zot, se nukë dinë 


Se ç'bëjnë, janë mahnitur, 


Rrahin të prishin shtëpinë 


Pun' e lig' edh' e mërzitur.

 

Të gjorët janë në gjumë, 


Të vërtetënë s'e dinë, 


Do të mundohenë shumë,

Pasdaj mënttë do t'u vinë.

 

Vëllazërin' e harrojnë 


Dhe kombin e mëmëdhenë, 


Dhe armikëtë dëgjojnë 


Edhe s'dinë se ku venë.

 

Hiqni dorë, hiqni dorë! 


Mblithni mëntt' e tupërohi, 


Mos u bëni trathëtorë, 


Se pasdaj do të pendohi.

 

Naim Frashëri

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2011-09-24 22:15:49
ah sikur te lexonte çdo shqipetar...


International
English
Faqe interaktive