Faqe kryesore arrow Aktualiteti arrow Dita Ndërkombëtare e Demokracisë
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë PDF Print E-mail
24 Shtator 2011

Nga Frank Shkreli

Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007 ka  shpallur se data 15 Shtator duhet të festohet çdo vit nga e gjithë bota, si Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, me qëllim për të  theksuar nevojën e vazhdueshme për të promovimin e demokratizimit të shoqërive të ndryshme anë e mbanë botës, si edhe për të theksuar rëndësinë e e zhvillimit dhe të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore  të çdo individi kudo.
Me miratimin e rezolutës, Asambleja e Përgjithëshme  rithekësoi se ‘’ndërsa demokracitë ndajnë shumë gjëra të përbashkëta, nuk ekziston asnjë model i vetëm i demokracisë (për të gjithë) dhe se demokracia nuk i përket një vendi ose një rajoni.....por demokracia është një vlerë universale, e bazuar në shprehjen e lirë të popujve për të  vendosur vetë sistemet  e tyre politike, ekonomike, shoqërore e kulturore, si edhe për të vendosur lirisht pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e jetës.’’

 

 

Edhe sivjet,  Asambleja e Përgjithëshme  u bëri thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, organizatave ndër-qeveritare dhe jo-qeveritare, si edhe individëve dhe medias që të shënojnë këtë ditë në mënyra të përshtatëshme festimi e përkujtimi, ashtuqë të përforcohen dhe të shtohen programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demkoracisë.  Këjo ditë u përkujtua anë e mbanë botës duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.  Simbolikisht, në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua me dyzina studentësh shqiptarë dhe në Kosovë, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi hapi godinën e parlamentit për qytetarët.
Festimi vjetor i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë shërben si një kujtesë e përherëshme mbi nevojën e vazhdueshme që parlamentet dhe qeveritë të përqendrohen  mbi promovimin e demokracisë së vërtetë, përfshirë realizimin e objektivave sç janë, pjesëmarrja aktive e një shoqërie civile, sigurimi i mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të drejta, përkrahja e partive efektive politike, të cilat si prioritet kanë mirëqenjen e popullit dhe jo interesat e tyre personale, si edhe respekti dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, pa marrë parasyshë gjininë, etnicitetin, fenë ose statusin politik ose ekonomik të njerëzve.
Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë këtë javë, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon përmendi ngjarjet e këtij viti në Afrikën Veriore si dhe 20-vjetorin e rrëximit të komunizmit në Evropën Lindore.  Duke folur për ngjarjet dramatike dhe transformimet masive të 20 vjetëve më parë në Evropën Lindore,  Sekretari i Përgjithëshëm,  në deklaratën e tijë, u shpreh se ‘’shumica e vendeve të rajonit (të Evropës Lindore) gjënden gjithnjë në fazat fillestare të zhvillimit të tyre demokratik.  Ato janë të vetdijshëme për punën e madhe dhe durimin që nevojitet për vendosjen e shtetit të ligjit, për transparencën dhe përgjegjësitë si edhe për nevojën e doemosdoshme për të ndërmarrë një ndryshim të gjithanshëm  të sistemeve politike dhe ekonomike të tyre. (Vendet e Evropës Lindore) i njohin mirë dështimet të cilat mundë të prishin shpresat, por  në të njëjtën kohë posedojnë edhe pasionin që u nevojitet për të shkuar përpara.  Përvoja e tyre është një pasqyrë e rëndësishme mësimesh për të gjithë’’, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Sekretari Amerikan i Shtetit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut,  Majkël Posner tha me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, se ‘’Parimet e demokracisë nuk i përkasin asnjë vendi ose grup njerëzish, por ato përbëjnë një të vërtetë universale për të gjitha kohërat. Unë jam i frymëzuar nga vendosmëria e aktivistëve të të drejtave të njeriut, udhëheqësve të shoqërisë civile, gazetarëve dhe  qytetarëve të thjeshtë në të gjithë botën, të cilët në mënyrë paqësore, punojnë për të çuar përpara kauzën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.  Njerëz me kurajo, anë e mbanë botës, marrin qëndrime kundër shtypjeve e padrejtësive – dhe është detyra jonë që këta njerëz t’i ndihmojmë e t’i përkrahim.’’  
Udhëheqës e zyrtarë të lartë ane mbanë botës shënuan  këtë ditë me deklarata dhe pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme.  Ministri i Jashtëm Britank,  Uilliam Hague tha se ‘’Ndërkohë që Kombet e Bashkuara festojnë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ne duhet të celebrojmë sakrificat e jashtëzakonshme  që shumë veta kanë bërë, gjatë dekadave, për të çuar përpara vlerat demokratike anë e mbanë botës.’’
Temë e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit ishte , ‘’Ç’presin qytetarët nga parlamenti i tyre?’’   Kryetari i Parlamentit të Evropës Jerzi Buzek, me  këtë rast tha se ‘’Parlamentet janë pasqyrë dhe shprehje  e drejtë për drejtë e     vullnetit demokratik të popullit dhe luajnë rolin kyç në  përkrahjen dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.  Parlamenti Evropian, posaçërisht, është në  ball të përpjekjeve të diplomacisë parlamentare dhe të mbikqyrjes së zgjedhjeve, ndërkohë që njeh dhe përkrahë kërkesat e lëvizjeve  për demokraci, në Tunizi, Egjipt, Libi dhe kudo tjetër në botë.’’
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një ditë që na kujton se respekti për të drejtat e njeriut dhe për shtetin e ligjit, mbrohen më së miri në shoqëritë demokratike.  Kombet e Bashkuara, në këtë ditë, na kujtojnë gjithashtu  të vërtetën themelore mbi demokracinë kudo, e që  është se demokracia vendoset, ruhet dhe zbatohet më së miri nga një shoqëri civile e fortë, aktive dhe që nuk ka frikë të ngrejë zërin e saj në mbrojtje të interesave të përbashkëta.   Na kujton gjithashtu se nuk ka demokraci të vërtetë pa tolerancë.
Sidomos toleranca politike është parimi numër një i demokracisë dhe në shumë vende demokratike, parlamenti konsiderohet si institucioni kryesor i zbatimit të një demokracie të suksesshme.  Toleranca politike, fetare, gjinore, etnike e kulturore do të thotë pranim dhe respektim i të drejtave dhe lirive bazë  të personave ose grupeve të ndryshme, pikpamjet politike, kulturore,fetare e të cilëve ndryshojnë prej mendimeve e qendrimeve tona.   Në thelb, ky është  mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për çdo vend anëtar të Kombeve të Bashkuara dhe për të gjithë botën mbarë.

Frank Shkreli


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?