Faqe kryesore arrow Çeshtja Kombetare arrow Kontributi i Shqiptarëve të Australisë në afirmimin e Shqipërisë Etnike
Kontributi i Shqiptarëve të Australisë në afirmimin e Shqipërisë Etnike PDF Print E-mail
28 Shkurt 2012

Prof.Dr.Riza Sadiku

Kontributi i Shqiptarëve të Australisë, respektivisht i Ballit Kombëtar, në afirmimin e Shqipërisë Etnike

Populli shqiptarë gjatë periudhave të ndryshme historike, disa për shkak të pushtimit të territoreve shqiptare, disa për shkak të pjesëmarrëjeve të tyre në kryengritje, disa për shkak të copëtimit të territoreve dhe ushtrimit të dhunës nga regjimi i Beogradit dhe Athinës, disa për shkak kushteve sociale, kurse më vonë për shkak përcaktimeve ideologjike kanë qenë të detyruar të shpërgulen nëpër shtete dhe kontinente të ndryshme të botës. Në mesin e vendeve ku janë shpërgul shqiptarët është edhe kontinenti i Australisë.
Në bazë të shënimeve që posedojmë nga Petrit Kello, emigrant në Australi, në të cilat thekson se shqiptarët e parë në këtë kontinent janë shpërgulur para lufës së Dytë Botërore, kurse intensifikimi i shpërnguljeve të shqiptarëve në këtë vend bëhet pas vendosjes së regjimeve komuniste në trojet shqiptare, me të cilat raste fillon ndjekja e pa shpirtë e nacionalistëve, të cilit në bazë të platformave të tyre politike, kanë luftuar për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar. Në mesin e atyre organizatave politike të cilat kanë luftuar dhe propaganduar për Shqipërinë Etnike, pa dyshim është edhe Balli Kombëtar, andaj idhëtarët e kësaj organizate politike kanë qenë personat më të ndjekur dhe më të rrezikshëm të regjimit komunist, si në Shqipëri ashtu edhe në ish Jugosllavi. Regjimet e lartëpërmendura antikombëtare, në këto rrethana politike, nacionalistëve në tërësi, e në veçanti Ballit Kombëtar i shpallën luftë të pa kompromis, jo vetëm personave që ishin simpatizant të organizatave politike, por edhe familjeve të tyre. Regjimi komunist numrin më të madh të nacionalistëve i pushkatoi në mënyrën më mizore, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, pa procedura gjyqësore, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një numër i konsiderueshëm i tyre u dënua me pushkatime dhe dënime me burgime të përjetëshme, kurse një numër që arriti t’u shpëtoj vrasjeve dhe burgosjeve u shpërngulën nëpër shtete të ndryshme të botës, në mesin e atyre vendeve edhe në Australi.

Në bazë të disa hulumtimeve të fundit që janë bërë, në kontinentin e Australisë,  jetojnë dhe punojnë rreth 22,000 shqiptarë, nga të cilët mbi  11, 000 jetojnë në Sydney, i cili qytet sot numron afër pesë milion banorë.
Në këtë kontinent, shqiptarët fillojnë të emigrojnë me numër më të madh prej vitit 1948, të cilët kryesisht në fillim vendoseshinn në qytetin Perth, kurse nga viti 1949, në këtë qytet organizojnë Këshillin  e Lidhjes të Shqiptarëve në Australi, i cili Këshill, prej vitit në fjalë boton edhe BULETININ e Lidhjes të Shqiptarëve në Australi, me qendër në Perth, përmes të cilit Buletin, shqiptarët informohen me ngjarjet që zhvillohet nga regjimi komunist në territoret etnike shqiptare, veprimtarinë kombëtare të mërgimtarëve jo vetëm në Australi, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadas, Turqisë dhe shtetet Evropiane.

Vlenë të theksohet se mërgimtarët shqiptarë që vendoseshin në kontinentin e Australisë nga viti 1948, kryesisht ishin simpatizant dhe anëtarë të Ballit Kombëtar, të cilët i qëndruan besnik deri në fund të jetës së tyre platformës politike të Mit’hat Frashërit, dhe gjithëmonë u angazhuan në afirmimin e vlerave politike të Dekalogut të Ballit Kombëtar, qëllimi i të cilit ishte Shqipëria Etnike.


Mit’hat Frashëri i biri i Abdyl Frashëri, themelues i klubit dhe shkollës së parë shqipe
“ Liria¨ në Selanik në vitin 1908, kryetar i Kongresit të Manastirit të vitit 1909, nënshkrues i aktit të Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Ismail Qemalit, pjesëmarrës në Konferencën e Paqës në Paris në vitin 1919, Ambasador i parë i qeverisë shqiptare në Greqi, themelues i Ballit Kombëtar në vitin 1939, themelues dhe Kryetar i Komitetit Demokrat “Shqipëria e Lirë¨, në vitin 1949 në Paris. Në foto është në momentin e informimit të mërgimtarëve shqiptarë përmes radio BBC, me të cilin rast ka shpalosur programin e Komitetit Demokrat ¨Shqipëria e Lirë “, 6 shtator 1949, Londër.  Ndërron jetë më 3 tetor 1949 në Nju Jork, ku edhe varroset, eshtrat e të cilit gjenden edhe sot e kësaj dite në këtë qytet.


Në bazë të informatave që posedojmë nga z.Petrit Kello, gurin e parë në themelimin e organizatave politike kombëtare e ka vënë përfaqësuesi i Ballit Kombëtar Ali Agushi në Perth.Më vonë, gjatë vitit 1949, në këtë qytet, kanë ardhur edhe disa intelektual dhe veprimtarë të dalluar të Ballit Kombëtar si: Said Demneri, Bahri Bregu, Hysni Cico, Halil Balla, Njazi Zeqo etj, të cilët pa rezerva e kanë ndihmuar Ali Agushin si në themelimin e Komitetit të Ballit Kombëtar në Perth, ashtu edhe në nxerrjen e Buletinit të Shqiptarëve të Australisë, kurse më vonë edhe me themelimin e Komiteteve tjera të Ballit Kombëtar në Australi. Duhet theksuar se të gjitha Komitetet, Këshillat, Grupet dhe individët që vepronin në Australi në emër të Ballit Kombëtar, kanë mbajtur jo vetëm lidhje të rregullta me Sekretarin e Ballit Kombëtar, Profesor Vasil Andonin me seli në Romë dhe kryetarin e Komitetit Demokratik Shqipëria e Lirë, Profesor Abas Ermenjin me seli në Paris, por edhe sipas sygjerimeve dhe këshillave të tyre kanë vepruar dhe punuar në mërgim. Gjatë kontakteve dhe lidhjeve që i kishin veprimtarët e Ballit Kombëtar të Australisë, me Vasil Andonin  dhe Abas Ermenjin, ato  përmes tyre furnizoheshin me  Boletinin  “Qëndresa” , organ i Komitetit Demokrat Shqipëria e Lirë, i cili botohej në Paris dhe gazetën “Flamuri”, organ i Ballit  Kombëtar, që botohej në Romë, të cilën gazete e udhëhiqte Vasil Andoni, Sylejman Meço dhe Zef Pali. Botimet e  gazetave dhe revistave   financoheshin  nga mërgimtarët e  Ballit Kombëtar, në shumë raste  kontribute  financiare për botimin e tyre kanë dhënë edhe mërgimtarët e Australisë, respektivsht anëtarët e Ballit Kombëtar.

Në vitin 1952, veprimtarëve të mërgatës shqiptare të Ballit Kombëtar në Australi u bashkangjiten edhe Profesor Ibrahim Kelmendi më vonë edhe inxhinier Adem Gllavica, ardhja e tyre në Australi, të cilët kanë gëzuar autoritet dhe respekt, jo vetëm te simpatizantët e Ballit Kombëtar, por te të gjithë nacionalistët e kombit shqiptarë, të cilët kishin për qëllim çlirimin dhe Bashkimin Kombëtar. Prezenca e Prof. Ibrahim Kelmendit dhe ing. Adem Gllavicës në Australi, për të gjitha Komitetet e themeluara të Ballit Kombëtar ka qenë një frymëzim i ri dhe një vullnet i veçantë për zhvillimin e veprimtarisë kombëtare në Australi, lidhur me afirmimin dhe ndërkombëtarizimin e  çështjes mbarëkombëtare në këtë kontinent të largët.

Siç kemi theksuar më lartë, simpatizantët e Ballit Kombëtar, në fillim edhe pse u vendosën në Perth të Australisë, duke themeluar edhe Komitetin e Parë të Ballit Kombëtar, numri i madh i tyre nuk qëndrojë gjatë në këtë qytet, për arsyje se në te, nuk ka qenë e zhvilluar industria dhe nuk kanë mund të punësohen, andaj kanë filluar të shpërngulen në qytete tjera të Australisë.

Pas shpërnguljes të disa aktivistëve të Ballit Kombëtar nga Perthi në Melburn, me iniciativën e Said Demnerit,ka fund i vitit 1951 u themelua Këshilli Drejtues i Ballit Kombëtar, kurse më 28 Nëntor, me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit në këtë qytet u zgjodhë Komiteti i ri Ballit Kombëtar me përbërje : Hysni Cico, Kryetar, Halil Balla, Sekretar, Said Demneri, arkatar, kurse anëtar u zgjodhën: Muharem Sovjani, Kajo Tresova dhe Xhevdet Dosti.

Në bazë të shënimeve që posedojmë nga veprimtari i dalluar i Ballit Kombëtar në Australi, z. Petrit Kello, rizgjedhjet në Melburn të Australisë, të Komitetit të Ballit Kombëtar janë mbajtur edhe në vitet 1954, 1956 dhe 1958. Në rizgjedhjet e Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar të  vitit 1958, për Sekretar  zgjidhet Bilal Kalaja, arkëtar  Xhevdet Dosti, anëtar Celnik Doko, Qerim Zyka etj.

Duhet theksuar, se zgjedhjet e Ballit Kombëtar nëpër qytete të ndryshme të Australisë, janë mbajtur rregullisht në mënyrë demokratike, si në në Sydey, Mareba, Brisbane e tjera qytete. Në këtë kontekst vlenë të përmendet se i pari Komitet Krahinor në Brisbane është mbajtur në vjeshtën e tretë të vitit 1969, në shtëpinë e Pjetër Kalasë, në të cilën kanë marrë pjesë këto antarë të Ballit Kombëtar:
Pjetër Kalaja, Tefik Turani, Hamdi Konodi, Kole Kalaja, Mark Kalaja, Hajridin Pepi, Orhan File Baçka, Petrit Kello, Zef  Kalaja, Abedin Hyseni, Pal Drobec, Refat Hysen Kamenica, Rapush Abedin Sadikaj, , Ndoc Kalaja, Muar Halilaj, Hysni Rushiti, Isai Pepij e tj. Nga mbledhja në fjalë, Sekretar i Komitetit është zgjedhur:  Z. Ndoc Simon Kalaja, kurse anëtar: Orhan Backa, Pal Dobrec, Refat Hyseni dhe Petrit Kello.   

Nga Komiteti i lartëcekur i Ballit Kombëtar, një numër i anëtarëve si: Refat Hysen Kamenica, Kol Leka, Petrit Kello e disa tjerë, janë dalluar për ka veprimtaria e tyre kombëtare, duke dhënë kontribute të veçanta si për afirmimin e çështjes kombëtare në administratën australiane, ashtu edhe në senzibilizimin e  çështjes mbarë kombëtare, në veçanti të Kosovës, përmes protestave dhe  demonstrative të organizuara në disa qytete të Australisë, me të cilat raste i kanë përkrahur kërkesat e demonstrative të vitit 1968 të organizuar në Prishtinë dhe Tetovë, kërkesat e demonstratave të vitit 1981, si dhe duke dhënë kontribute të veçanta financiare,  në të gjitha fushat e kombëtarizmës shqiptare.   

Vlenë të theksohet, se me konsolidimin e rradhëve të Ballit Kombëtar në Australi, formimit të Komiteteve në disa qytete, klubeve, shoqatave të ndryshme, ato filluan  veprimtarinë e tyre kombëtare përmes organizimit të manifestmeve të ndryshme. Në këtë kontekst rëndësi të veçantë  i kanë dhënë shënimit të Ditës së Flamurit, të cilën ngjarje e kanë shënuar  në mënyrë të veçantë, duke e bërë festë tradicionale, e cila Ditë që simbolizon Pavarësinë, shënohet edhe sot nga mërgata e Australisë.

Në shënimin e Ditës së Flamurit, përveç që kanë marrë pjesë veprimtarët e dalluar të çështjes shqiptare në këtë Kontinent, ato kanë ftuar edhe shumë personalitete të Administratës Australiane dhe të qyteteve ku është organizuar manifestimi të marrin pjesë, me të cilin rast janë informuar të pranishmit me historikin e shkurt të popullit shqiptarë, përpjekjet e tyre shekullore për çlirim dhe pavarësi, si dhe për padrejtësit që i është bërë popullit shqiptarë nëpër  Kongrese dhe Konferenca ndërkombëtare në copëtimin e territoreve të tyre etnike nga shtetet fqinje në krye me Serbinë.

Shënim i Ditës së Flamurit nga mërgata shqiptare e Australisë, ka qenë një rast i mirë për afirmimin dhe sezibilizimin e çështjes mbarëkombëtare jo vetëm përmes personaliteteve të administrates australiane, por edhe përmes mjeteve të informimit, të cilat manifestime gjithëmonë kanë qenë të përcjellura.

Duhet të vihet në pah, se kur bëhet fjalë për veprimtarin e devotshëm të çështjes shqiptare në mërgim, Profesor Vasil Andonin, ai jo vetëm që e ka mbajtë timonin e  Ballit Kombëtar dhe gazetës “Flamuri”, por rregullisht i ka vizituar edhe veprimtarët dhe organizatat politke të Ballit Kombëtar në Evropë, Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në momentin kur veprimtarët e Ballit Kombëtar të Australisë, ndiheshin si të harruar, ato në muajin prill të vitit 1976 i viziton njëri nga  veprimtarët e respektuar të Ballit Kombëtar Zotëri Sylejman Meço. Mërgata shqiptare e Australisë e organizuar nga Balli Kombëtar, me gëzim të veçantë dhe në mënyrë madhështore i organizuan pritjen zotëri Sylejman Meços në Melburn. Në mesin e atyre që kishin dal ta  presin, ka qenë edhe Sekretari Krahinor i Viktorisë Z. Xhevdet Dosti. Gjatë qëndrimit të Z. Meços në Melburn, atë e ka thirrë Zotëri Demir Veizi, simpatizant i Ballit Kombëtar, njeri i pasur, pronar hotelesh, të banojë  në hotelin e tij, të cilit i ka siguruar dhomë fjetje, dhomë pritje, zyrë pune, të gjitha gratis deri sa  të qëndrojë në Melburn. z. Sylejman Meço, duke qenë i etshëm dhe i mallëngjyem të takojë sa më shumë mërgimtar dhe simpatizantë të Ballit kombëtar, nga Melburni shkon ne Perth të Australisë i cili  vendoset në shtëpinë e Qamil Agushit, te vllau i Ali Agushit. Gjatë qëndrimit të tij në Perth  ka mbush 70 vjet, të cilën ditëlindje  jubilare, veprimtarët e Ballit Kombëtar, në krye me familjen Agushi ia kanë shënuar në mënyrë madhështore. Nga  Perthi z. Meço viziton Sidnejin, të cilin me këtë rast e shoqëron  ballisti veteran Zotëri  Mehmet Zyka. Nga  Sidnej, z. Meço viziton Brisbonën, të cilin po ashtu mërgimtarët e presin në mënyrë madhështore, me të cilin rast zotëri Meço  vendoset në shtëpinë  bujare me tradita kombëtare të zonjës dhe z. Rifat Hysenit. Gjatë qëndrimit të z. S. Meço në Australi, çdo ditë janë mbledhur  mërgimtarët shqiptar rrethë tij, për të dëgjuar rrethanat politike që janë duke u zhvilluar në atë kohë, si dhe për  veprimtarinë e Ballit Kombëtar në mërgim. Gjatë bisedave të tilla, njëri nga mërgimtarët e  ka pyetur zotëri Meçon se kush është më aktiv nga krerët e Ballit Kombëtar të SHBA-së ? Zotëri Meço pa  hezituar është përgjegjur, se më aktivi është Hafëz Jusuf Azemi, i cili me tërë qenien e tij shpirtërore punon për  zgjidhjen e çështjes Kombëtare. Zotëri Meço nga Brisbone kthehet  në Melburn, nga i cili qytet  udhëton për në SHBA. Ndarje z. S. Meço nga mërgimtarët e Ballit Kombëtar të Australisë, edhe pse ka qenë shumë e dhimbshme dhe prekshme, por ka qenë edhe shumë i frytëshëm për mërgimtarët, të cilët kanë mbetur shumë të kënaqur me  bisedat e zhvilluara lidhur me veprimtarinë e  Ballit Kombëtar në mërgim, sidomos në SHBA, duke ju dhënë shpresë e moral për luftën politike që bënë Balli Kombëtar në  mërgim sipas kërkesave të kohës, për afirmimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes mbarë kombëtare, si në administratën Amerikane, ashtu edhe në organizatat ndërkombëtare. Takimet e veprimtarëve të Ballit Kombëtar të Australisë me z. Sylejman Meçon u kanë lënë mbresa të thella dhe të pa harruara , të cilat i kujtojnë me pietet  edhe sot e kësaj dite.  

Mërgata shqiptare e Australisë, jo vetëm që i përkrahu gjithëmonë kërkesat e shqiptarëve të Kosovës politikisht dhe  financiarisht, por ato i përkrahën moralisht dhe financiarisht edhe Ushtrinë Çlirimtare të Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës, si dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare të Iliridës.
Mërgata shqiptare e Australisë, sidomos  anëtarët e Ballit Kombëtar, edhe pse larg vendlindjes, me vështërësi të mëdha kanë marrë informata për ngjarjet që janë zhvilluar në territoret etnike shqiptare, si dhe për gjendjen familjare të tyre në vendlindje, ato jo vetëm që nuk i harruan familjet, por  as nuk u kursyen  dhe gjithëmonë në mënyrë kontinuele, shpesh duke e ndarë  edhe kafshatën e gojës nga familja e ngushtë e tyre,  kanë zhvilluar një aktivitet  kombëtar pa interese personale, lidhur me afirmimin dhe ndërkombëtarizimin e  çështjes së pa zgjidhur mbarëkombëtare si përmes administratës  shtetërore të Australisë, organizatave  ndërkombëtare, ashtu edhe në senzibilizimin e çështjes së Kosovës para opinionit  australian për mes organizimit të demonstratave paqësore si në vitin 1981, 1989, 1998 dhe 1999. Mërgata shqiptare e Australisë, në veçanti anëtarët e Ballit Kombëtar, jo vetëm që u ka dhënë përkrahje  kërkesave të shqiptarëve në ish Jugosllavi, në veçanti në Kosovë, e cila pa rezerva e ka përkah Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si në aspektin politik ashtu edhe financiar, ato për ta zbutur sa do pak gjendjen e vështirë  ekonomike të vëllezërve të tyre, të cilët kanë qenë nën ish regjimet komuniste, kanë organizuar edhe akcione për mbledhjen e mjeteve financiare, si për familje të caktuara, institucionet e arsimit, ashtu edhe për Ushtritë Çlirimtare.
Sot mërgata shqiptare e Australisë, në një mënyrë e ndien vetën të vetmuar dhe të lënë pas dore nga të dy shtetet shqiptare, pasi as Shqipëria dhe as Kosova deri më sot, nuk kanë hap ambasadat e tyre zyrtare në këtë kontinent. Mërgata shqiptare e Australisë, edhe pse gjendet në një pozitë të tillë, edhe më tutje në kuadër të mundësive ekonomike dhe politike japin kontributet e tyre kombëtare si në lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe kontribute financiare në zbutjen e varfërisë në trojet Etnike Shqiptare.

26 nëntor 2011                                                                                         Kumtesën e përgaditi
   Prishtinë                                                                                             Prof. Dr. Riza Sadiku, d.v.


  Petrit Kello, ka lindur në Blinisht të Shqipërisë me 4 janar 1934. Nga Shqipëria për shkak të regjimit të egër komunist të E. Hoxhës është larguar në Greqi me 27 mars 1950, në të  cilin vend ka jetuar nëpër kampe të ndryshme të refugjatëve deri me 19 gusht të vitit 1951. Prej gushtit të vitit 1951 deri më 3 nëntor 1952 ka jetuar në Gjermaninë perendimore si ushtarë i KKSHL, me 7 nëntor 1952 ka arritë në Australi, ku jeton edhe sot,       e-mail dërguar më 30 prill 2009, Brisbone.
 Po aty
 Dr. Riza Sadiku, Lidhja Kosovare, Prishtinë, 2006
 Infoarkiv, 24 korrik 2011
 Gjërësisht shiko Buletinin e Lidhjes të Shqiptarëve në Australi, 1949-1951, Perth, Western Australia.
 Petrit Kello, e-mail dërguar më 30 prill 2009, Brisbane, Australi, fq. 3
 Ali Agushi, me profesion ka qenë arsimtarë i gjuhës shqipe nga rrethi i Korçës, një kohë ka thënë mësim edhe në Normalen e Prishtinës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka luftuar kundër okupatorit në kuadër të njësive të Ballit Kombëtar. Për aktivitetin e treguar për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike, zgjidhet Kryetar i Rinisë i Ballit Kombëtar në Berat dhe rrethinë.Në fund të vitit 1944, me një numër të forcave nacionaliste-kombëtare tërhiqet në Itali, kurse në vitin 1948, emigron në Perth të Australisë.
 Bahri Bregu, ka kryer liceun e Korçës, kurse karierën e fillon si mësues në Devoll. Mori pjesë në nisjet e Ballit Kombëtar të cilat udhëheqëshin nga Profesor Safet Butka. Ndër kohë ka shkuar në Univerzitetin e Vjenës, për të krye fakultetin e tregtisë, por përfundon si refugjat në Itali, në Australi emigron në vitin 1949, informatat përmes e-mail-it I dhe Petrit Kello, 3 maj 2009, Melburne Australi, fq.4
 Petrit Kello, e-mail dërguar më 30 prill2009, Brisbane, Australi, fq.3
 Po aty
 Gjërsisht  shiko: Dr. Riza Sadiku, Lidhja Kosovare, 2006, Prishtinë
 Petrit Kello, e-maill dërguar më 3 maj 2009, Brisbane Australi, dq.4
 Said Demneri, është shkolluar në Tiranë, veprimtarë i dalluar i rinisë të Ballit Kombëtar, organizator i disa demonstratave të okupatorëve nazi-fashist, kryetar i Rinisë të Ballit Kombëtar në Tiranë, në Australi është shpërgul në vitin 1949. Shënimet idha Petrit Kello me e-mail, 3 maj 2009, fq. 4.
 Hysni Cico, anëtar i flakët i Ballit Kombëtar, luftëtar i shkëlqyer kundër forcave pushtuese dhe atyre komuniste, dy herë është plagosur nga forcat komuniste, në Australi është shpërgul në vitin 1949, informatat i dha Petrit Kello.
 Halil Balla, është shkolluar në Tiranë, ushtar besnik i Ballit Kombëtar, krah i djathtë i Said Demnerit, në Australi është shpërgul në vitin 1949, informatat i dha Petrit Kello, 2009, Brisbane.
 Po aty
 Petrit Kello, informat dërguar me e-maill, 4 maj 2009, Brisbane.
 Petrit Kello, po aty
 Dr. Riza Sadiku, Kontributi i Lidhjes Kosovare në afirmimin e çështjes shqiptare  në megrim, E djathëta  
     Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike 3,  Prizren-Shkodër 2006, fq. 204-214
 Petrit Kello, veprimtar i devotshëm i Ballit Kombëtar dhe i çështjes  shqiptare në Australi., Shënimet janë  e  
    përgaditur  nga dora e tij, të dërguara me e-mail më 30 prill 2009, Bribane, Australi.
 Dëftesat financiare të Petrit Kellos, dërguar me e-mail autorit të këtij artikulli, Brisbane, 2011.


 
Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?