Faqe kryesore arrow Diktatura Komuniste arrow Përvjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës
Përvjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës PDF Print E-mail
28 Shkurt 2012

Nga Frank Shkreli
 


Më ka takuar që në shumë raste, në biseda të ndryshme me individë,  dhe pjesëmarrës në ngjarjet dramatike të para 20-vjetëve në Shqipëri, të bëhet pyetja se cila ishte data ose cili ishte momenti që në të vërtetë shënoi rënjen e komunizmit në Shqipëri?  Siç mund të pritej,  përgjigjet ishin të ndryshme, por për mendimin tim, rrëzimi i bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha ishte simboli më domethënës së komunizmi në Shqipëri, siç njihej deri atëherë, kishte  marrë fund.  Ishte fundi, të pakën fundi simbolik, i një tiranie ndaj së cilës, shqiptarët atë ditë shprehën dënimin dhe zemërimin e tyre ndaj sistemit komunist --që autori dhe komentatori i njohur amerikan, Uilliam Bakli e pat quajtur si '' abuzuesi më i keq i lirisë në historinë e njerëzimit''. 

Edhe sot e kësaj dite nuk më dalin nga mendja fotot dhe filmi që pasqyronin  dhe dokumentonin pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve në sheshin para bustit në Tiranë, si dhe aktiviteti i policisë gjatë asaj proteste, duke shtënë në ajër, dhe duke shpërndarë gaz lotsjellës kundër turmës.  Por skena më e tmershme vizive mu duk se ishte vënja në veprim dhe ngacmimi i qenëve kundër protestuesve.

Enver Hoxha dhe regjimi i tij kishin shumë ''armiqë'' të mbrendsëm dhe të jashtëm.  Por viktimat e tij ishin ''armiqët e mbrendshëm'', armiqët e klasave, mijëra prej të cilëve u vranë, e shumë prej tyre vdiqën në rrjetin e gjërë të kampeve të punës e të përqendrimit anë e mbanë Shqipërisë.  Ndërkohë, ai nuk kursente as aleatët e tij, ish-ndihmësa, diplomatë e ushtarakë, si edhe anëtarë të Partisë Komuniste, shumë prej  të cilëve gjithashtu u vranë ose vdiqën edhe ata nepër kampe të përqendrimit.
 
Përvjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, është gjithashtu një ditë që duhet mbajtur mend dhe përkujtuar si rrëzimi i bustit të një diktatori që i kishte shpallur luftë popullit të vet, si rrëzimi i një monumenti vrasjesh të njerëzve të pafajshëm, si rrëzimi edhe i një ideje që përfaqësonte diktatorin dhe regjimin, i cili për pothuaj 50-vjetë përdori dhunën shtetërore, për të kryer krime kundër njerëzimit dhe më në fund, të konsiderohet si rrëzimi simbolik i regjimit komunist që monopolizonte tmerrin dhe dhunën mbi jetën politike e shoqërore të Shqipërisë.  Por, në të njëjtën kohë, në këtë përvjetor të rëndësishëm historik, le të mbahen mend e të kujtohen jo vetëm tmerret dhe krimet e këtij sistemi, por edhe viktimat (të gjallë e të vdekur) të regjimit komunist, ata të cilët me kurajon dhe trimërinë e tyre të pashoqët njerëzore e civile dhe me besimin e tyre të fortë në të vertetën dhe në dinjitetin njerëzor,qëndruan barrikadë kundër një ndërmarrjeje kriminale të një klike komuniste, për pothuaj një gjysëm shekulli. 
 
Nga hallet e travajët e jetës së sotëme post-komuniste si edhe nga lufta politike për pushtet, jo vetëm që duket se sikur brutaliteti i komunizmit dhe i regjimit hoxhist është harruar, por fatkeqsisht nostalgjikët e atij sistemi,  me libra e botime të ndryshme përpiqen të bindin brezin e sotëm dhe të ardhëshëm duke e paraqitur  atë sistem gjithnjë si zgjidhjen e problemeve të kohës, megjith koston njerëzore dhe materiale.  Prandaj është e nevojshme që në këtë përvjetor të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, dhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të fillojë një debat që në vend ku ishte busti i diktatorit, të ndërtohet një monument i viktimave të filozofisë dhe politikës komuniste, e cila kishte premtuar të zhdukte dallimet klasore, por që në të vërtetë zhduku fizikisht klasa të tëra njerëzish të pafajshëm, fatkqesisht përfshirë edhe ajkën intelektuale të kombit shqiptar.
 
 Ndërtimi i një monumenti viktimave të komunizmit në Shqipëri, jo vetëm që do të nderonte ata për vuajtjet dhe sakrificat e tyre, por do tu kujtonte përgjithmonë brezave të ardhëshëm heroizmat e këtyre dëshmorëve të denjë të kombit shqiptar dhe do të përbënte një testament moral, politik dhe patriotik në këtë përvjetor, se jo vetëm që busti i Enver Hoxhës nuk ekziston më, por edhe hija e tij është zhdukur nga jeta politike dhe shoqërore e vendit.  Një monument i viktimave të komunizmit  në Tiranë, do të shprehte, njëherazi, edhe vullnetin serioz politik e shoqëror, mbarëkombëtar -- se si komb liridashës, shqiptarët  nuk do të lejojnë që një sistem si komunizmi, ose një sistem i ngjashëm me të,  të  mos kërcënojë dhe të mos rreizkojë kurrë më kombin shqiptar.

Frank Shkreli


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?