Nga Frank Shkreli
Në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan si edhe në diasporë, po bëhen përgatitje programesh festive që do të realizohen në kuadër të 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Do të flitet dhe do të komentohet gjithashtu edhe për aktet, përpjekjet dhe zhvillimet që më në fund çuan në shpalljen e shtetit sovran dhe të pavarur shqiptar. Ky është një vit jubile i historisë së kombit shqiptar por është gjithashtu edhe viti i fillimit të së ardhmes së shqiptarëve.
Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë kaluar histori të vështira dhe kohë të errëta. Robëria shekullore osmane dhe pothuaj 50-vjetë komunizëm ua nxunë fytin dhe ua morën frymën shqiptarëve. Osmanlijtë kërcënonin zhdukjen e fisit ilir nga faqëja e dheut dhe komunizmi ndërkombëtar u përpoq të zhvishte kombin nga cilësitë dhe vlerat e larta kombëtare, duke i zëvendësuar ato me ideologjinë e proletariatit komunist ndërkombëtar, me qëllim që të krijonte ‘’njeriun e ri’’. Megjithë këto, fisi ilir nuk u mposht, por përkundrazi iu përvesh punës dhe luftës për liri duke mbajtur gjallë Shqiptarizmën dhe u rimkëmb duke hedhur rrënjë të reja si shtet dhe hapa të reja (ndoshta të ngadalshëm sipas disave) drejtë një të ardhme më të ndritur për kombin shqiptar. 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë i gjenë shqiptarët me Kosovën shtet të ri e të pavarur, ndërkohë që shqiptarët kudo në trojet e tyre gëzojnë më shumë liri e të drejta se kurrë më parë në historinë e tyre. Me të drejtë, ky është dhe duhet të jetë një vit festimesh dhe shfaqjesh krenarie për të gjithë, për sukseset dhe arritjet e shtetit shqiptar dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Sepse ky është një vit kur festohen kontributet e jashtzakonshme të rilindasve dhe patriotëve që shpallën pavarësinë, dhe të cilët në një mënyrë themelore me këtë akt, ata përgjithmonë ndryshuan fatin e shqiptarëve ndër shekuj duke hapur kështu rrugë dhe dyer të reja dhe duke shkruar një kapitull të ri në historinë e kombit.
Pa dashur të flas për zhvillimet politike që gjithmonë e kudo ngjyrosin festime e përvjetorë të tillë jubilarë, siç është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, dëshiroj të theksoj se ky duhet të jetë – për të gjithë shqiptarët kudo -- një vit frymëzimi e shprese, por edhe një vit shqetsimesh, po të merren parasyshë problemet me të cilat përballet sot jo vetëm shoqëria shqiptare por edhe shqiptarët kudo në trojet e tyre në Ballkan. Ky duhet të jetë një vit kur, jo vetëm politikanët, por e gjithë shoqëria, në çdo nivel-- përfshirë edhe median e cila ka një rol kyç në këtë mes – të ndërmarrë një rishqyrtim dhe do të thoja një rivlerësim të qetë e pa bujë, të kthjellët dhe serioz të karakterit dhe objektivave kombëtare në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë. Të këtij karakteri që ishte gjithmonë i rrënjosur në fisin e Arbërit dhe që rrjedhë nga populli shqiptar e që duhet të jetë gjithnjë forca, guximi dhe imazhi që duhet t’i paraqitet botës.
Janë të nevojshëm zëra dhe ide të reja, të shkëputura nga politika. Historia e kombit shqiptar është një histori vuajtjesh e torturash. Ka ardhur koha për pajtim, për shërim të plagëve. Kombi shqiptar dëshiron të besoj përsëri, të jetë përsëri krenar dhe të jetojë në të vërtetën.
Vendosmëria dhe trimëria e patriotëve shqiptarë, Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit me shokë, për të shpallur pavarësinë 100-vjetë më parë, avancoi në mënyrë dramatike të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve. Përpjekjet e patriotëve shqiptarë në fillim shekullit të kaluar për liri e pavarësi janë shënuar me djersë e gjak dhe shumë prej tyre kanë dhënë jetën për të siguruar lirinë që gëzojnë sot shqiptarët kudo.
Njohja dhe vlerësimi më i mirë i sakrificave të tyre, në këtë 100-vjetor të pavarësisë, do të ishte që shekulli i dytë i pavarësisë të jetë shekulli i shqiptarëve, i shqiptarëve jo të ndarë e në konflikt me njëri tjetrin, por shekulli i shqiptarëve të bashkuar e të vendosur për ta bërë Atdheun e tyre në frymën e rilindasve: të gatshëm për vepra të mëdha kombëtare, të guximshëm dhe plot shpresë për të ardhmen, të gatëshëm për të rrokë mundësitë që i dalin përpara, duke krijuar kështu një Shqipëri, çerdhe të përbashkët, për të cilën të gjithë do të jenë krenarë. Këjo mund të realizohet vetëm, ‘’Nëqoftse ne duam Atdheun, atëherë ne duhet të duam gjithashtu edhe bashkatdhetarët tonë’’, (Ish-Presidenti Ronald Reagan), për ndryshe në të kundërtën, zhduken mundësitë dhe harmonia e bashkjetesës kombëtare, pa bashkatdhetarë nuk duhet gjë Atdheu. Sot më shumë se kurrë, të gjithë ata që kanë fatin të jetojnë në liri, të kujtojnë sakrificat e burrave dhe grave që i sollën kombit pavarësinë, duke qenë të vetdijshëm se shpallja e pavarësisë ishte vetëm fillimi dhe se liria kërkon përgjegjësi. Nëqoftëse ia vlente që për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të luftonin, e të sakrifikonin brezat e mëparshëm, madje duke dhënë edhe jetën kundër pushtuesve të huaj, atëherë besoj – se tani në kohë paqeje -- ia vlenë që brezat e tanishëm të jetojnë, të gëzojnë, por edhe të mbrojnë e të kultivojnë lirinë për vete dhe për brezat e ardhëshëm, në një Shqipëri të nderuar e të përparuar, në familjen evropiane të kombeve, aty e ka vendin.
Ashtu siç doli faqebardhë Gjergj Kastrioti me trimat e tij, ashtu siç përballuan armiqët e kombit shqiptar burrat e Lidhjes së Prizrenit nga gjithë trojet shqiptare, ashtu siç mori guximin Ismail Qemali me patriotët e tjerë për të shpallur pavarësinë– ashtu edhe brezi i sotëm i shqiptarëve, në bashkpsunim dhe mirëkuptim me njëri tjetërin dhe duke u bazuar në mësimet, vlerat dhe porositë e të parëve, do të dijë të përballet me sfidat e 100-vjetorit të dytë.
Frank Shkreli
|