Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Çeshtja Kombetare arrow Kujto, për të mos harruar kurrë !
Kujto, për të mos harruar kurrë ! PDF Print E-mail
06 Korrik 2012
Nga Frank Shkreli

Java që kaloi në Shqipëri dhe në Amerikë  ishte ''Java e Çamërisë'', gjatë së cilës me veprimtari të ndryshme u kujtua gjenocidi dhe dëbimi me forcë nga shtëpitë e tyre i mijëra shqiptarëve të Çamërisë në vitin 1944.  Ishte një javë për të përkujtuar vikimat çame, të vrarë e të shpërngulur me forcë, por ishte gjithashtu edhe një rast për të informuar publikun dhe ishte sadopak një përpjekje për të zbardhur të vërteten  mbi fatin e mijëra viktimave si edhe një rast për të venë në dukje vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat e njeriut për shqiptarët në Ballkan.
Organizuesit e ''Javës së Çamërisë'' duhet të përshëndeten, dhe këjo nismë e të tjera si këjo duhet të mbështeten dhe të inkurajohen nga të gjithë shqiptarët kudo dhe sidomos në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë duhet të nxitet zhvillimi i kujtimeve të tilla.  Historia e kombit shqiptar është e ngarkuar rëndë me gjenocide, masakra, shpërngulje të detyrueshme -- mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare -- kampe përqendrimi e punë të detyrueshme, shkaktuar nga të huajt kundër shqiptarëve në përpjekje për të zhdukur kombin shqiptar nga faqëja e dheut, por fatkeqsisht edhe nga shqiptari kundër shqiptarit, siç ishte politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës për të eliminuar ''armiqtë e brendshëm'' të regjimit të tij.  Si e tillë,  ''Java e Çamërisë'' për të përkujtuar viktimat shqiptare të fashizmit grek kundër një popullësie të pambrojtur dhe të pafajshëme, paraqet një sfidë morale ndaj një politike, që në themelin e saj ishte e ligshtë dhe ç'njerëzore.  Megjithëse  fatbardhësisht kanë vdekur nga të njëjtat dështime dhe si rrjedhim i politikave të tyre anti-njerëzore     komunizmi dhe fashizmi edhe sot duhet  të shkaktojnë trishtim, sidomos në radhët e atyre që kanë jetuar nën ato regjime.  Sisteme këto për të cilat jeta e njeriut, sidomos e kundërshtarit, nuk kishte asnjë vlerë.  Lenini thuhet të ketë  thënë se “vdekja e një përsoni është tragjedi, por vdekja e një million vetave është (vetëm) një statistikë’’.

Organizuesit e ''Javës së Çamërisë'' duhet të konsiderohen si roje të kujtesës të një historie të korruptuar dhe amorale.  Pjesëmarrësit janë pjesë e një bote të qytetëruar që e kupton rëndësinë e kujtimit të viktimave të pafajshme, qofshin ato rezultat i masakrave në Çamëri, në Tivar, në Kosovë, pëersekutimet komuniste në Shqipëri, apo kudo në trojet shqiptare.  Ishte një javë për të kujtuar viktimat dhe ngjarjet tragjike që shkaktuan numërin e madh  të  viktimave të pafajshëme, por për më tepër ishte një javë që duhet të shërbejë si një reflektim dhe mësim, që masakrat e shqiptarëve në të kaluarën – e sidomos gjatë shekullit të kaluar -- në Çamëri, në Shqipëri, në Kosovë, në Tivar e kudo tjetër,  të mos përsëriten më, ashtuqë këjo histori tragjike të mos jetë fati i brezave të ardhëshëm të shqiptarëve.
Për shumë veta këto ngjarje tragjike mund të jenë si një histori që ka ndodhur shumë, shumë kohë më parë dhe të cilat nuk na afektojnë, pasi sot kemi probleme të tjera.   Por, fatkeqsisht gjatë gjithë historisë, mendime e qendrime të tilla mospërfillëse ndaj një historie të tillë me ngjarje të rënda e tronditëse, kanë shkaktuar përsëritjen e tragjedive të tilla, ndoshta edhe më të përgjakshme se përpara.   Është shumë e rëndësishme që në veprimtaritë e organizuara për ''Javën e Çamërisë'' morën pjesë shumë të rinj nga Kosova dhe nga e gjithë Shqipëria.  Sepse masakrimi i një shqiptari, ose gjenocidi kundër një grupi shqiptarësh -- në cilën do kohë dhe nga kushdoqoftë -- është një shkelje e të drejtave të të gjithë shqiptarëve, në të gjitha kohërat.
Kombi shqiptar ka vuajtur shumë golgota gjatë historisë së tij dhe është jetike që brezi i ri, si ata që morën pjesë në ''Javën e Çamërisë'', të kujtojnë viktimat dhe të ruajnë gjallë kujtesën e tyre, të mësojnë historinë me qëllim që brezat e ardhëshëm të mos e përsërisin atë.   Tragjeditë nepër të cilat ka kaluar kombi shqiptar gjatë historisë së tij, e sidomos gjatë shekullit të kaluar -- shqiptarët jo vetëm që u ndanë në disa shtete kundër vullnetit të tij -- por si përfudnim, shumë prej tyre humbën pothuaj çdo gjë, mbi të gjitha jetën, por edhe familjet, shtëpitë, si edhe gjuhën, kulturën e shpesh edhe idenititetin kombëtar.   Nëqoftëse humbjet tragjike dhe kolosale të kombit shqiptar në jetë njerzish e pasurie, nuk meritojnë të kujtohen, sepse sipas disave ishte shumë kohë më pare dhe se kemi halle të tjera tani -- atëherë çka meriton të kujtomë në këtë jetë.  
 Dëshmitarët e gjallë ende flasin për tmerret që kanë parë me sytë e tyre, qoftë gjatë gjenocidit çam qoftë gjatë regjimit komunist: kanë parë shqiptarë të njohur e madje edhe anëtarë familje duke i vrarë në mënyrat më shtazarake, burra, gra e fëmij.   Shumë prej tyre ishin njerëz të thjeshtë të cilët nuk përbënin asnjë rrezik për regjimin.  A pyet njeri sot se pse u vranë këta?   Si është e mundur që vuajtje e krime të tilla kundër një populli të harrohen ose të mos përfillen.   Si është e mundur të heshtet para një tragjedie të tillë?   Nga historia duhet të mësojmë tmerret që kanë pësuar shqiptarët e pafajshëm nga regjimet fashiste e komuniste, jo vetëm për arsyen që të mos përsëriten më -- por gjithashtu të hapë mundësi që të ndërtohet një jetë më e mirë për të gjithë në të ardhëshmen, duke mos heshtur dhe duke mos u fshehur pas një perde gënjeshtrash.
Ky vit i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,  duhet të jetë një vit frymëzimi dhe shprese për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët. Por nuk ka të ardhme pa të kaluarën.   Nuk është e lehtë për asnjë popull të pranojë krimet ndaj popullit të vet, por duhet të vendoset e vërteta historike. Për shqiptarët, mohimi i historisë është më i rrezikshëm se sa një shoqëri humane e në pajtim me njëri tjetërin.  A është e mundur se asnjë person ose persona nuk do të japin llogari për ato që ndodhën?  A do të harrohen ato tragjedi  madje edhe pa një fjalë, ose një ditë e pse jo edhe një javë përkujtimore?   
Shqiptarët kanë pasur një histori shumë të turbulltë, por sot fatbardhësisht janë duke përjetuar një periudhë paqeje dhe përbëjnë një oazë stabiliteti në rajonin ku jetojnë.  Për një të ardhëme më të mirë,  të gjithë shqiptarët kudo, të bashkohen në këtë përvjetor e të celebrojnë patriotizmin e rilindasve, por edhe  të kujtojnë heroizmin, sakrificat dhe kurajon e të gjithë atyre bijve e bijave të kombit shqiptar  të cilët u vranë, u viktimizuan e u dhunuan nga komunizmi e fashizmi, si edhe ata, si shqiptarët nga Çamëria, që u shpëngulën me forcë nga trojet e tyre shekullore,   vetëm e vetëm sepse ishin dhe  dëshironin të mbeteshin shqiptarë e të ruanin lirinë dhe dinjitetin njerëzor, identitetin kombëtar dhe të drejtat e tyre themelore të njeriut.  Ata dhanë jetën për këto vlera të larta humane e kombëtare, të pakën të kemi kurajon e tu themi, “In Memoriam’’.

Frank Shkreli


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive