Balli Kombëtar prezanton kandidatët e tij për zgjedhjet e 23 qershorit |
|
|
|
06 Qershor 2013 |
Kandidatë të bashkimit në Vlorë dhe në Fier
Në datën 19 maj Balli Kombëtar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar prezantoi në Tiranë kandidatët që kryesojnë listat e 12 zonave zgjedhore. Ky aktivitet hap edhe fushatën elektorale të Partisë Ballit Kombëtar e cila ashtu si në zgjedhjet e kaluara do të ketë moton: "Koha na dha të drejtë".
Kryetari i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi në fjalën e tij theksoi se objektivi kryesor i Ballit Kombëtar është bashkimi kombëtar, bashkim i trojeve shqiptare në një Shqipëri Etnike , siç është përcaktuar në Dekalog. Objektiva të tjerë janë kthimi i pronave tek pronarët e vërtetë dhe përkrahja Kishës Autoqefale shqiptare.
Në kuadrin e fushatës së tij Balli Kombëtar ka zhvilluar takime në Vlorë dhe Fier.
Kryetari i Ballit Kombëtar Vlorë z. Ridvan Mersini pasi prezantoi kandidatin e bashkimit z. Përparim Shametaj, u shpreh optimist për rezultatin në qarkun e Vlorës dhe rikthimin në rezultatin e viteve 1994-1996 ku PBK kishte fituar 13 mijë vota. Z. Mersini u bëri thirrje të gjithë ballistëve dhe dashamirësve të Ballit Kombëtar që në këtë moment kritik të votojnë vetëm për Ballin Kombëtar dhe për asnjë parti tjetër.
Kandidati i qarkut të Vlorës z. Përparim Shametaj në fjalën e tij tha se pjesëmarrja e Ballit Kombëtar në parlamentin shqiptar është tashmë një domosdoshmëri jo vetëm për Ballin por për të gjithë nacionalizmin dhe të djathtën shqiptare.
Kandidati i Fierit z. Kujtim Cakrani tha se vendosi të kandidojë për Ballin Kombëtar sepse në këta 22 vjetët e fundit, shtresa e nacionalistëve dhe e të përndjekurve politikë nuk është përfaqësuar asnjëherë në parlamentin shqiptar dhe se ai do të jetë zëri i saj në parlament.
Qarqet ku Balli Kombëtar ka më shumë shpresa të fitojë janë Vlora, Fieri Korça dhe Shkodra, pa përjashtuar edhe ndonjë surprizë nga qarqe të tjerë . Por, siç e theksuan edhe drejtuesit e Ballit Kombëtar si dhe kandidatët, për të arritur fitoren do të duhen shumë punë dhe sakrifica për të sensibilizuar elektoratin për rëndësinë e veçantë të këtyre zgjedhjeve. Një sfidë të veçantë do të paraqes edhe ruajtja e votës nga manipulimet që rëndom ndodhin në proceset elektorale në Shqipëri.
Më poshtë lista e krerëve të listave të kandidatëve të PBK sipas qarqeve:
Berat: BEHAR VELMISHI
Dibër: FATMIR DOKSANI
Durrës: VERA ZAIMI
Elbasan: ESMERALDA XHOMAQI
Fier: KUJTIM CAKRANI
Gjirokastër: PETRIT POLLO
Korçë: ARBEN HOXHA
Kukës: ESAT BYTYÇI
Lezhë: SONIDA KADIA
Shkodër: GEZIM BREZA
Tiranë: ADRIATIK ALIMADHI
Vlorë: PERPARIM SHAMETAJ
Video-kronika të hapjes së fushatës së Ballit Kombëtar:
Tiranë:
http://www.youtube.com/watch?v=cqSGaSWC3vs
Vlorë:
http://www.youtube.com/watch?v=0g2huD_9L9s
Fier:
http://www.youtube.com/watch?v=mPrlyFOPb6w
A.M
|