Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow Në Montreal u zhvillua aktiviteti më i madh sportiv i shqiptarëve të Montrealit,kupa e futbollit
Në Montreal u zhvillua aktiviteti më i madh sportiv i shqiptarëve të Montrealit,kupa e futbollit PDF Print E-mail
21 Korrik 2013

Ekipi Prishtina u shpall ekipi më i mirë i vitit

Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada

U bë viti i tretë që shqiptarët e Montrealit ia kushtojnë një ditë futbollit, sportit më popullor në vendin e tyre. Madje, këtë vit ata i kushtuan dy ditë.
Montreal, 16 qershor 2013
Dita e 16 qershorit ishte paraparë të ishte ditë feste për shqiptarët e Montrealit, festë që grumbullon të gjithë dashamirësit e futbollit, futbollistët amator por edhe familjet e tyre. Dhe shqiptarët, iu përgjigjën thirrjes për të qenë të pranishëm në këtë ngjarje. Por, natyra nuk ishte në anën e tyre. Gjatë të pesë orëve që zgjati aktiviteti, shiu nuk rreshti së rëni dhe ai shoqërohej nga një i ftohtë jo i zakontë për një ditë mes-qershori. Por, pjesmarrësit në fushë nuk u dorëzuan dhe kanë luajtur pa ndërprerje. Dhe me ta, në fushë, ishin edhe arbitrat e palodhur dhe përfaqësuesit e një këshilli disiplinor që ishte ngritur me qëllim mbarëvajtjen e aktivitetit. Edhe pse shi, ndeshjet u zhvilluan në dy grupe të përbër nga katër ekipe secili, një formulë e futur në aktivitetin e këtij viti.

 Kupa e futbollit Montreal 2013

 

Ekipet pjesëmarrëse ishin 8: Kastrioti, Prishtina, Tirana, Skënderbeu në një grup dhe Flamurtari, Ferizaj, Besëlidhja, Vllaznia në grupin tjetër. Dy ekipet më të mira të çdo grupi kaluan në gjysmë finalen që u vendos të luhej në datën 7 korrik 2013.

Laval, 7 korrik 2013

Shiu i 16 qershorit dhe ai i ditëve që pasuan nuk i kishte dekurajuar as pjesmarrësit as familjet e tjera shqiptare të ftuara të kalonin një ditë në formë pikniku. Fatmirësisht, koha të djelën e 7 korrikut ishte me ne. Sipas planit, u zhvilluan ndeshjet gjysmëfinale që nxorën fitues Kastriotin dhe Prishtinën. Në mbyllje të dy ndeshjeve të para gjysmëfinale, një grup fëmijësh u futën në fushë për t’i dhënë ngjya edhe më të bukura aktivitetit. Tek e fundit, ata do t’a marrin stafetën një ditë…

Vendi i tretë i takon …

Para se të fillonte aktiviteti, disa ishin skeptik përse do të duhej një ndeshje për vendin e tretë por ndoshta kjo ishte ndeshja më e ngarkuar me emocione dhe të papritura nga të gjitha ndeshjet e tjera. Pas barazimit 2:2, mes Besëlidhjes dhe Ferizaj, fituesi duhet të përcaktohej me penallti. U deshën të gjuhen mbi 10 penallti për të përcaktuar fituesin që u shpall Beslidhja.

Prishtina kampione

Kur e pyeta Naserin (Neser Veseli) se nga janë futbollistët e Prishtinës, më tha janë të gjithë shqiptarë për t’më lënë të kuptoja se nuk ka rëndësi se nga është origjina e tyre. Qesha dhe i thash se jam kurioz më shumë se për statisika. Dhe e vërteta, pavarësisht se ekipi ka emrin e kryeqytetit të shtetit të dytë shqiptar, djemtë që e përbëjnë janë sa nga Tepelena e Fieri aq edhe nga Prishtina e Peja. Më e bukura, Jasmini është nga Plava, nga shqiptarët e Malit të Zi. Flet shqip? – Jo më përgjigjet Naseri, -Janë asimiluar, – shton jo pa trishtim Naseri… Pra, ndonëse ekipi ka emrin Prishtina, ai është mbarë kombëtar e pse jo edhe pak ndërkombëtar pasi në portë qëndronte një kanadezo-afgan…

Respekt për më të mirët dhe më aktivët

Organizatorët kishin marr masa që të gjithë të kënaqeshin që nga fëmijët për të cilët ishin marr masat të kishin dhuratat e tyre e gjerë tek më të mëdhenjtë që kishin dhurata për pjesëmarrjen plus disa dhuratave nga bizneset. Sidoqoftë, duhet falenderuar pjesmarrja e disa personave që i dhanë seriozitet dhe siguri aktivitetit. Dua të përmend arbitrat, Dr. Gëzim Bytyqi që erdhi nga Ottawa dhe gjykoi  5 orë në shi, por edhe të palodhurin Arjan Rizaj, që gjykoi ndeshje në të dy ditët. Falenderime për zotërinjtë Myrteza Halili, Besnik Qendro, Avni Shkupolli dhe Nehat Kaloshi që ndihmuan aq shumë në sigurimin e një transparence dhe vlerësimin sa më mirë të ndeshjeve si dhe dallimin e talenteve respektivisht golshënuesit më të mirë dhe futbollistit më të mirë të turneut. Nuk dua të le pa përmendur z. Hysni Marku, krytarin e Bashkësisê së Shqiptarëve të Kebekut në Montreal, për interesimin, këshillat dhe ndihmën në mbarvajtjen e aktivitetit. Falenderime drejtuesve dhe organizatorëve të të gjutha ekipeve dhe çdo futbollisti për angazhinin në fushë dhe jashtë saj.

Aktivitet i arrirë …

Këto dhe fjalë të tjera të mira ishin përshtypje që n’a i shprehën pjesmarrësit në fund të aktivitetit. N’a vjenë mirë kur i dëgjojmë, por duke qenë një nga organizatorët nuk mund të mos përmend ndonjë mungesë. Kështu, është për të ardhur keq që, megjithë punën e bërë për të transmetuar mesazhin se kupa e futbollit para së gjithash ka qëllim bashkimin, miqësimin dhe argëtimin e shqiptarëve të Montrealit dhe pastaj ajo është matje forcash, një mesazh i tillë nuk ka mundur të përçohet tek të gjithë. Pra, në këtë kontekst është e pashpjegueshme, fyerja që iu bë një djali të riu (i cili erdhi me kënaqësi për të ndihmuar) që do të jetë e ardhmja e shqiptarëve këtu. Si një nga organizatorët, i kërkoj ndjesë atij për këtë veprim të disa pjesmarrësve dhe premtoj se, nëse unë do të jem përsëri mes organizatorëve të aktiviteteve të këtij lloji, ngjarje të tilla nuk do të përsëriten.

Faqet e verdha dhe “Shqiptari i Montrealit” sërish në takim

Tradita e kupës së futbollit përkon me një traditë tjetër që po mundohemi të krijojmë ajo e prezantimit dhe njohjes me faqet e verdha të bizneseve shqiptare të Montrealit dhe rrethinave dhe një gazete modeste me emrin “Shqiptari i Montrealit” që deri më sot ka parë dritën katër herë. Sa mirë do të ishte që të njohim sa më shumë shqiptarë sipërmarrës. Por ka edhe të joshqipfolës që duan të bashkëpunojnë me komunitetin tonë si rasit i z. Amirouche Benmerar (algjerian) apo dhe Izabela Przystal (polake) që ishin kujdesur të sillnin dhurata për fëmijët shqiptar pjesmarrës në aktivitet.

Të gjithë brezat …

E bukura e një aktiviteti si kupa e futbollit është se ajo grumbullon të gjithë moshat. Fatmirësisht, disa nga ekipet kishin menduar të tërhiqnin të rinjë që ata të marrin stafetën nesër. Kështu, në fushë kishte shumë të rinjë por më i riu, Denis Metai, nuk ka mbushur ende 15 vjeç. Ai aktivizohet në hockey por edhe në futboll (soccer). Përgëzime të gjithë të rinjëve dhe veçanërisht Denisit që iu dha mirënjohja si pjesmarrësi më i ri i aktivitetit. Po ashtu, edhe veteranët nuk i munguan kupës. Nuk ka nevoj për shifra por z. Laze Leskaj është veteran si në futboll edhe jashtë tij. Ai është një nga emigrantët më të hershëm por edhe nga më të njohurit pasi duke qenë se punon për një organizëm qe ndihmon emigrantët e rinjë, ai në një farë mênyre është bërë një Nënë Tereza e shqiptarëve të Montrealit. Urime pra z. Laze për mirënjohjen që i bën organizatorët e kupës.

Përfaqësuesi i Republikës së Kosovës

Golshënuesi më i mirë i Turneut u shpall Ismet Palamar i cili ka lindur në Pejë. Kur i bëra një foto si një nga golshënuesit më të mirë të ndeshjeve në grupe dhe kandidat i mundshëm për mirënjohjen si golshënuesi më i mirë i turneut, m’u drejtua në anglisht dhe më tha se ai përfaqëson Republikën e Kosovës. Ai nuk flet shqip dhe është produkt i ish-Jugosllavisë ku nuk ishte e rrallë kur takoje familje të përbëra nga prindër që i përkisnin gjuhëve dhe rracave të ndryshme. Kështu ai nuk flet shqip (ndonëse mundohet të thotë shprehje praktike nga shqipja) por këmbngul të thotë se është shqiptar.


“Të huaj” në kupën e shqiptarëve

Ne mblidhemi bashkë, të gjithë shqiptarët dhe organizojmë një kup futbolli. Por në të përditëshmen tonë, jemi të rrethuar nga të tjerë që nuk flasin gjuhën tonë, por që kanë respekt për ne për ato vlera që ne i kemi në punë dhe në jetë. Prandaj, duket se dhe ata duhet të kenë vend në një kup shqiptare. Shumë nga ekipet ishin kujdesur të kishin edhe të tjerë, joshqipfolës në ekipet e tyre dhe shumë prej tyre shkëlqyen edhe në fushë. Kështu, lojtari më i mirë i takoi pikërisht këtij grupi. Ai ishte Amine Bounila Merci les amis!!!
 Në fund nuk n’a ngelet veç të urojmë mirë u pafshim në aktivitetet e ardhëshme!

Foto-reportazhi i plotë tek Tribuna Shqiptare:

 

 http://tribunashqiptare.net/?p=16972

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive