Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Sikur Rilindja të kishte qenë ndryshe
Sikur Rilindja të kishte qenë ndryshe PDF Print E-mail
12 Qershor 2007
Astrit Lulushi, SHBA

Kur Evropa ndodhej në periudhën e rilindjes së saj, (shek.XIV-XV) shqiptarët, me vdekjen e GjergjKastriotit, u  tronditën keqaz. Si njeriu i trullosur nga një goditje e rëndë, ndërsa Evropa hynte në epoken e dritës, shpresat e tyre për një të ardhme po shuheshin.

Me jehonën “rilindje” që vinte nga Evropa ata ranë në gjumë të thellë, për të mos thënë se u hodhën në veprime të pavetëdijëshme me të cilat ndoshta mbajtën gjallë e ndihmuan rilindjen e popujve të tjerë.

Kur shqiptarët u përmendën pas afro 5 shekujsh, (shek.XVIII-XIX), cdo gjë u dukej e errët; ata e ndjenë veten të hutuar. Të gjitha sa kishin bërë gjatë kësaj periudhe mbanin emrin e dikujt tjetër; atë të perandorisë osmane,  dinastisë egjiptiane apo pavarësisë greke.

Si dikur në perandorinë romake, kur paraardhësit e tyre, ilirët, mendonin si gjithë të tjerët, se romakët ishin e ardhmja dhe u vunë me zell në shërbim te tyre, edhe në fund te shek.XV, arbërit, ata që nuk ikën, menduan se perandoria osmane këtej e tutje ishte bota. Fakti që shume vezirë e zyrtarë të lartë osmanë ishin me prejardhje  shqiptare tregon se ata besonin në një gjë të tillë. Kjo ishte periudha e ëndërrës së keqe. Varet nga këndvështrimi.

Por kur shqiptarët u zgjuan nga ky gjumë , ata e kuptuan se kishin humbur shumë kohë, gjatë së cilës të tjerët  kishin përfituar. Emri shqiptar as që përmendej, ndërsa territoret e tyre, megjithëse në Evropën e lashtë,  cilësoheshin si më të panjohurat krahasuar edhe me ato të kontinetit më ri, Hemisferës Perëndimore.

Vec të tjerash, kur dolën nga kjo ëndërr, shqiptarët kuptuan se ishin ndryshe nga popujt pranë. Gjuha që u ishte ndaluar dhe që fqinjët e cilesonin “barabare”, vinte nga lashtësia, ndërsa në zakonet e tyre studiuesit shihnin  gjurmët e periudhës homerike, zanafillë e një prej qytetërimeve më të herëshme.(H. F. Tozer)

Gjithashtu atyre u vinin të mjegullta kujtimet se dikur kishin qenë grup, të lidhur komb. Ata kishin rënë në gjumë  nën jehonën e fjalës “rilindje” që vinte nga Evropa dhe ishin zgjuar nga zëri i brendshëm që thërriste “komb”.  Dhe  sikur për t’a qetësuar këtë zë të ndërgjegjes, ata e bashkuan atë me jehonen e dikurshme dhe krijuan  shprehjen që do të hynte në historinë e tyre si “Rilindja Kombëtare”.

Dhe e tillë kjo shprehje mbeti; thjesht  kombëtare, pasi kurrë nuk arriti të merrte përmasat e një rilindjeje të vërtetë e të gjërë me karakteristikat e saj të plota “humaniste, ekonomike e kulturore, sic kishte qenë rilindja evropiane”.(A. Toynbee)

Me shpalljen e pavarësisë, shumë udhëheqës të rilindjes kombëtare shqiptare menduan se ia arritën qëllimit, duke i dhënë popullit një shtet, para se t’a kuptonin se tani që e kishin, nuk dinin c’të bënin me të.

Një nga të paktët që e kuptoi këtë gjendje ishte Faik Konica.  Konica e filloi veprimtarinë e tij si revolucionar. Që
në numrin e parë të “Albanias” ai bëri thirrje për lufte pa mëshirë kundër osmanllinjëve. Por në programin e tij që  ia paraqiti perandorisë austro-hungareze, më 1900, Konica shprehte pikëpamje evolucionare. Sipas tij, një  Shqipëri e pavarur do të përfitonte më shumë nëse mbetej nën sovranitetin e Sulltanit, por me një adminstratë osmane  të reformuar, e cila pa dashje do të krijonte kushte ku shqiptarët të ecnin drejt pavarësisë instinktivisht dhe jo të nxitur nga propaganda. Konica shkruante se  miqtë e vërtetë nuk ishin ata që i nxisnin shqiptarët me oratori, por ata që dëshironin hapjen e shkollave dhe arsimimin e tyre. Duke theksuar se shqiptarët janë më të prirur për t’i shkuar pas individit më shumë sesa ideve, Konica bënte thirrje për kurimin e kësaj sëmundjeje, pra që shqiptarët të mos e bënin një gjë për të kënaqur këtë apo atë individ, por sepse donin të mirën e vendit.(S. Skendi)

Kur komitët shqiptarë filluan të dilnin maleve për të luftuar turkun më 1907, Konica shprehu pakënaqësinë e
tij, pasi mendonte se edhe nëse shqiptarët dilnin fitimtarë ndaj osmanllinjëve, ata nuk ishin gati për të formuar shtetin e tyre. Popujt e tjerë të Ballkanit gjithashtu nuk ishin gati për shtet, thoshte ai,  por ata kishin përkrahës të fuqishëm. Shqiptarët, së pari duhet të civilizohen, shkruante Konica në  gazetën e tij, Albania. Nëse atyre u duhen të paktën 20 vjet për t’u qytetëruar, dhe nëse këto 20 vjet i përdornin për të luftuar, atëhere ata kurrë nuk do të qytetëroheshin, mendonte Konica. (J. Kastrati)

Një tjetër udhëheqës i Rilindjes që mendonte njësoj si Konica, ishte Ismail Qemali. Të dy ata u takuan për herë të parë më 1900 në Bruksel, ku I. Qemali shërbeu për një farë kohe si diplomat i perandorisë osmane. Atëhere,  Qemali botoi edhe një shkrim në gazetën Albania të Konicës, ku theksonte se arsimimi, zhvillimi ekonomik e mbi  të gjitha përparimi ishin të domosdoshën për krijimin e një shteti shqiptar.

Por bashkëpunimi midis këtyre dy burrave nuk zgjati shumë. F. Konica mendonte se Qemali ishte shumë politikan, ndërsa I. Qemali e shikonte Konicën si një njeri të vështirë t’u marrë vesh.

Kjo pikë e karakterit të Konicës do të vihej tërthorazi në dukje pak vite më vonë, kur ai e ndjeu veten të përjashtuar nga një zhvillim shumë domethënës sic ishte Kongresi i Manastirit për krijimin e alfabetit shqip,  pavarësisht nga meritat e shumta që i njiheshin atij në fushën e zhvillimit të shqipes. Lidhur me këtë cështje,  Konica është shprehur se ftesa për në këtë kongres i mbërriti shumë kohë pasi kongresi kishte përfunduar. Kjo të shtyn të spekullohet se organizatorët ndoshta qëllimisht e dërguan ftesën me vonesë duke menduar se një pjesmarrje e Konicës në Kongresin e Manastirit do t’a bënte edhe më të vështire arritjen e një marreveshje për përzgjedhjen e alfabetit të gjuhës shqipe, marrëveshje e cila edhe kur u arrit, u deshën vite që të zbatohej ose të pasqyrohej në shkrime si një alfabet i njësuar.

Prandaj është e kuptueshme që në të njëjtën periudhë (1908) Konica shprehej tepër i pakenaqur në nje letër dërguar mikut të tij, Lef Nosi lidhur me Kongresin e Manastirit.(R. Elsie) “Megjithëse një gjë dua t’ua bëj të qartë, se më mirë se kaq nuk mund të ishte bërë. Prapseprapë, fati i Shqipërisë është se në atë vend kurrë nuk do të  ketë përparim. Cdo gjë që është thënë duket se ka shkuar kot. Armiqtë e qytetërimit kanë vërshuar në krye për t’i mbyllur derën arsyes, gjykimit dhe shkëmbimit të ideve”

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-08-14 15:56:14
esht e mir qe edhe te tjeret te din per historin e trojeve shqiptare, se jam shum i lumtur kur e lexoj historin e rilindjes shiptare.


International
English
Faqe interaktive