Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Emigracioni arrow Ne nuk jemi vetëm
Ne nuk jemi vetëm PDF Print E-mail
06 Mars 2007

Jemi larg, shumë larg atdheut tonë, qindra, mijëra kilometra larg. Kemi ardhur në tokë të huaj me popuj, kombësi, kulturë të ndryshme të huaj. Edhe pse jemi ndeshur me vështirësitë e fillimit kemi ditur t'i përshtatemi shumë mirë vendit ku jetojmë. Kemi gjetur shokë, miq të shumtë..., që na bën të mos ndjehemi të huaj, të vetmuar...

Një njohje e rastësishme mes shqiptarësh në tren, duke pritur fëmijët në shkollë, një e dëgjuar të flitet shqip në rrugë, në një dyqan a gjetkë, një njohje në aktivitetet e ndryshme kombëtare, kulturore, që zhvillohen mes komunitetit të shqiptarëve... janë këto disa nga mundësitë që na ofrohen ne të bëhemi me shumë shokë e miq bashkatdhetarë.

Të gjithë jemi dëshmitarë kur marrim pjesë në një gëzim familjar që shoku, miku, bashkatdhetari ynë na ka ftuar të marrim pjesë në atë gëzim të tijin familjar, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve janë shokë dhe miq, të njohur në shtetin ku jetojmë dhe punojmë. Pamundësinë e pjesëmarrjes të të gjithë të afërmëve të mikut dhe shokut tonë për të ardhur në shtetin ku ne jetojmë, e plotësojmë ne, shokët dhe miqtë e tij.

Ashtu siç i gjendemi pranë mikut, shokut, bashkatdhetarit tonë në gëzimet e tij familjare, ashtu i gjendemi edhe në çastet më të vështira të jetës së tij, në raste fatkeqësish. Kurrë nuk do ta dëshirojmë t'i shkojmë bashkatdhetarit tonë në raste të tilla të hidhura, por edhe kjo është pjesë e jetës sonë dhe në këtë pjesë të jetës i lënduari ka më shumë nevojë për pjesëmarrje, për t'i lehtësuar sado pak dhimbjen e madhe që i ka rrënë.

Një shembull të shkëlqyer uniteti, ndarrjen e dhimbjes, lehtesimin e saj... bashkatdhetarët, shqiptarët e Amerikës e treguan atëherë, kur dhimbja e madhe i rra Familjes Bitri, ku humbën jetën 3 breza.

Është ky shembull i shkëlqyer uniteti që "tronditi" edhe opinionin e kombeve të ndryshme që jetojnë në Amerikë, duke na vlerësuar për çfarë bëmë, ndihmën dhe organizimin vullnetar për shërbimet funerale që i bëmë të ndjerrave dhe dërgimin e trupave të tyre në atdhe.

Shumë njerëz të kombeve të ndryshme e mësuan më mirë se ç'do të thotë të jesh shqiptarë. Kjo është krenaria jonë, të cilën nuk dëshirojmë kurrësesi ta ndjejmë në raste të tilla fatkeqësie.

Një tjetër fatkeqësi të rëndë Komuniteti Shqiptar anembanë kudo ndodhet dhe, veçanërisht Komuniteti Shqiptar i Amerikës përjetoi me dhimbje të madhe para pak kohësh edhe humbjen e djalit 23 vjeçar Eri Tare.

 Dhimbjes së madhe që ndjemë të gjithë për atë humbje tepër, tepër të madhe iu bashkua edhe hutimi, shokimi jonë. Askush nuk donte t'a  besonte, por gjëma e madhe e papritur kishte ndodhur.

Dhimbjes së thellë në shpirt që ndjenë gjithë familjarët e të ndjerit djalë Eri dhe veçanërisht nëna e tij fatkeqe Julika Prifti iu bashkua mbarë Komuniteti Shqiptar i kudondodhur, duke shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet e tyre nëpërmjet telefonave, e-mail-eve. Sigurisht, kjo ishte edhe një lehtësim dhimbje për gjithë familjarët e lënduar nga ajo vdekje. "...Nuk i kemi njerëzit tanë këtu..., të gjithë i kemi atje, në Shqipëri...", do të më thoshte atë ditë të dhimbjes së madhe, dita e funeralit, Rafaela Kondi (Prifti), tezja e Erit, të cilën e respektoj dhe e vlerësoj për kulturën dhe inteligjencën e saj të lartë...

Familja e lënduar Prifti në ato ditë dhimbje kishte më shumë njerëz se ç'mund të kishte edhe në Shqipëri sikur të ishte.

Komuniteti Shqiptar i Amerikës, veçanërisht ai i Nju Jorkut, ishte Ai, që "mbajti" peshën më të madhe për lehtësimin e dhimbjes. Pjesëmarrja e shumtë e bashkatdhetarëve të ardhur në ditën e shërbimeve funerale si dhe në ditën e dhënies së lamtumirës së fundit Erit, ia lehtësoi pak dhimbjen gjithë familjarëve të tij.

Nuk kam për t'i harruar kurrë fjalët e zotit Naum Prifti, gjyshit të të ndjerit djalë, që mezi i dilnin nga goja me sytë e tij të përlotur, ndërsa përqafohej me Kryetarin e "VATRËS" ing. Agim Karagjozi, i thotë: "Shikojeni, shikojeni... A mund të futet në dhe ky djalë...?"

Shpesh herë më trokasin në vesh kuja vajtuese e nënës Julika dhe gjyshes Rina...

Nuk kam për t'i harruar kurrë gjithë ata sy bashkatdhetarësh të përlotur atë ditë funerale të asaj gjëme të madhe. Në ç'do kohë më trokasin në vesh fjalët e zotit Petraq Pali kur më tha: "... Shikojeni sa gjynah..., sikur fle i bukuri djalë..., çfarë do hajë dheu..."

Ishin bashkatdhetarët shqiptarë ata, ishin mijëra duar që u shtrënguan me familjen e lënduar nga dhimbja e madhe, ishin mijëra sy të përlotur ata, që pak a shumë ia lehtësuan dhimbjen të lënduarëve.

Një dhimbje të madhe Komuniteti Shqiptar ndjeu edhe këto ditë Shkurti kur mësoi për ndarjen nga jeta të nënës së bashkatdhetares sonë Kozeta Zylo, aktiviste e kudogjendur mes Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Dhe si përherë në të tilla raste bashkatdhetarët tanë të kudondodhur nuk munguan t'i gjenden pranë Familjes Zylo. Telefonatat e shumta dhe e-mail-et e ardhur nga të gjitha vendet ku ka shqiptarë lehtësoi pak dhimbjen e madhe që po kalonte Familja Zylo në Nju Jork.

Humbja njëherë e përgjithmonë e njeriut tënd, veçanërisht e prindit, nënës, është e pazëvendësueshme, por "ardhja" e bashkatdhetarëve të shumtë në Familjen Zylo në ditët e dhimbëshme, nëpërmjet telefonatave dhe mesazheve ngushëllues nëpërmjet e-mail-it ishte një "ndihmë" lehtësim dhimbje.

Vdekja e nënës së zonjës Zylo, të ndjerës Liri Gjoni, ishte e papritur, pasi ajo kishte ardhur në Nju Jork para pak muajve për të marrë pjesë në gëzimin e tyre familjar, martesën e mbesës së saj, zonjushes Klodiana Zylo. Nuk ishte fat...

Shërbimet funerale të ndjerës iu bënë në: 

"First Evangelical Free Church", Bay Ridge, Brookly, NY.

Është e njëjta Kishë që hapi dyert për pritjen e bashkatdhetarëve të shumtë për grumbullimin e ndihmave në përcjelljen e 3 trupave të Familjes Bitri, ku bashkëshortët Qemal dhe Kozeta Zylo ishin kryesorët e atij organizimi për grumbullimin e të hollave për transportimin e kufomave në Atdhe.

Në raste të tilla fatkeqësie është pothuajse e njëjta situatë, dhimbje dhe lot. Nuk ka rëndësi nëse e njeh apo jo të ndjerin-ën, ndërsa e shikon të shtrirë në arkivol gjysëm kapak hapur, siç ishte vendosur e ndjera Liri Gjoni në krye të sallës. Në të njëjtin vend pak nga e djathta ishte vendosur një ekran i madh ku jepeshin foto të shumta të ndryshme nëpër vite nga jeta e të ndjerës me njerëzit e saj të dashur. Ishin ato dy pamje prekëse, e ndërsa sytë të shkonin njëherë mbi foton e madhe të të ndjerës kur shfaqej në ekran, të dukej se ishte aty pranë mes nesh e na përshëndeste dhe ajo përshëndetje kthehej menjëherë në dhimbje, ndërsa e shihnim të shtrirë në gjumin e saj të përjetshëm.

Menjëherë, sapo hyje në sallën mortore, në krah të djathtë të saj ishin fletushkat me fotografinë e të ndjerës ku shkruhej programi i shërbimit përkujtimor. Ato i shpërndante amerikani Manny Otavino. Gazetari me karrierë 25 vjeçare pranë OKB-së Xhim Makswell kishte përgatitur buletinin. Heshtjen e varrit e thyente muzika funebre e luajtur në piano nga Jonathan, një djalë amerikan.

Edhe pse ishin minutat e para të fillimit të ceremonisë morrtore, bashkatdhetarët kishin ardhur më herët, t'i qendronin pranë Familjes Zylo. 

Albana Mëlyshi Lifchin ishte ndër të parat që kishte ardhur dhe me sytë e përlotur kishte zënë vend në një nga stolat e sallës. 

Bashkatdhetarë të tjerë të shumtë vazhdojnë të vijnë me radhë që në minutat e para të fillimit të ceremonisë mortore. Bashkatdhetari ynë i nderuar, i palodhuri, i kudogjenduri, i papërtuari, penëarti që nuk i mungon kurrë Komunitetit tonë në raste të ndryshme, gazetari i mirënjohur Beqir Sina, ishte edhe ky ndër të parët bashkatdhetarë pjesëmarrës. Vijnë me radhë ku dhimbja i dallohet në fytyrat e tyre Kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane, Prof. Dr. Skënder Kodra, Sekretari i kësaj Akademie Dr. Namik Shehu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Engjellushe, producenti i Televizionit Shqiptar "Kultura Shqiptare" në Nju Jork, zoti Adem Belliu i shoqëruar nga kolegu i tij Edmond Sherifi, zonja Shqipe Biba, miku i Familjes Zylo z. Edmond Ismailati, z. Besnik Fecanji, arbëreshi, pjesëmarrë në shumë aktivitetet të komunitetit tone z. Genario, bashkatdhetarë të tjerë të shumtë dhe, ndërsa i bënin homazhe të ndjerës, ktheheshin dhe ngushëllonin ata, anëtarët e Familjes Zylo që kishin zënë vend në stolat në rreshtin e parë...

Edhe Familja Zylo ashtu si Familja Prifti, si shumica e mbarë bashkëatdhetarëve të gjithë të afërmit e saj i ka atje, në Shqipëri, por në ditët e dhimbjes së madhe nuk ishte e vetmuar; miq dhe shokë bashkatdhetarë të shumtë iu gjendën pranë për lehtësimin e dhimbjes...  Për këtë kemi më shumë nevojë në ditë të tilla të dhimbëshme dhe të vështira...

E prekshme ishte edhe fillimi i ceremonisë mortore kur Pastor Steve Galegor bëri hyrjen e lutjeve, duke e shoqëruar me këngë nga librat e shenjtë.

Mbesa e të ndjerës Valbona Zylo ishte më shumë se prekëse. Me zërin e saj që i dridhej dhe sytë që nuk i pushuan së lotuari, shprehu dhimbjen për humbjen e gjyshes së saj, duke kujtuar copëza jete të kaluara me të. E përlotur, Valbona lexoi edhe një poezi që nëna e saj Kozeta ia dedikonte nënës së saj, të ndjerës Liri.

Edhe miq dhe të afërm të familjes Zylo sipas dëshirës shprehën dhimbjen e tyre. Kështu folën Edmond Ismailati, Hajrie Stringa, Lindita Fekushi, Shqipe Biba...

Në pamundësi për të marrë pjesë në atë ceremoni mortore u lexua fjala ngushëlluese e të përndershmit At Artur Liolin, ku ndërmjet të tjerash At Liolin shkruante: 

"...Në këto ditë fillimi të Kreshmës së Madhe do ta kujtojmë në Meshat Liturgjike në Katedralen tonë dhe do ndezim qiri për 40 ditë me radhë përpara faltores së Jezu Krishtit, siç e kemi zakon..."

U lexua gjithashtu edhe një tjetër ngushëllim nga një shoqe e të ndjerës, që për koincidencë edhe atë e quajnë Liri, Liri Cabiri, Profesore e lëndëve inxhinierike me banim në Çikago. Në fjalën e saj, përveç shprehjes së dhimbjes së saj, zonja Cabiri nuk la pa përmendur edhe aktin e mbesës së të ndjerës, zonjushes Valbona Zylo, e cila për dy muaj i ndërpreu studimet PhD për t'i qendruar pranë gjyshes së saj.

Një tjetër zonjë u çua dhe shprehu ngushëllimet e saja në gjuhën angleze. Ishte zonja Krystyna Prystupa; polake-amerikane, bashkëshortja e mjekut në spitalin e Rochesterit...

Edhe Presidentja e Shoqatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane Dr. Anna Kohen, në pamundësi për të ardhur, pasi kishte leksion për hebrejtë, kishte dërguar ngushëllimet e saja...

Arbëreshi Genario recitoi një poezi në gjuhën italiane të titulluar "Madre", "Nënë" dhe të përkthyer nga një bashkëatdhetare.

Në fund, pasi i dhamë lamtumirën e fundit të ndjerës Liri Gjoni hymë në sallën e madhe për të pirë kafen e përshpirtjes.

Mes njerëzve të shumtë, zonja Krystyna Prystupa gjen rastin dhe i afrohet zonjës Engjellushe Shehu. "Jeni njohur më parë ju shqiptarët me njëri tjetrin? Kështu veproni gjithmonë për raste të tilla...?"- e pyet.

"Edhe jemi njohur më parë, por më shumë jemi njohur këtu në Amerikë" - ia kthen përgjigjen zonja Shehu. "Kështu veprojmë përherë, në çdo rast i ndodhemi pranë bashkatdhetarëve tanë..."

"Ju lumtë dhe jeni për të marrë shembull si komunitet. Do shkruaj në gazetë për këtë unitetin tuaj..." i thote përsëri polakja-amerikane...

Një tjetër bashkatdhetar, i cili nuk nguron dhe më lejon t'ia shkruaj emrin në këtë shkrimin tim, Mehmet Dajlani, na thotë: "Kemi ndjekur aktivitete të shumta edhe në gazetë kemi lexuar për aktivitetet e shumta të komunitetit, veçoj këtu promovimet e librave. "Po t'i vësh re,- na thotë, - në promovimet e librave janë pothuajse të njëjtët njerëz që marrin pjesë, diskutojnë... dhe shumë mirë bëjnë, sepse nderojnë krijuesin dhe krijimtarinë e tij me pjesëmarrjen e tyre. Por ne të gjithë kemi nevojë për njerëz, si në raste gëzimi ashtu edhe në raste hidhërimi, madje në këtë të fundit duhet t'i jemi më pranë njeriut të lënduar. Nuk më vjen mirë - thotë zoti Dajlani që,-  shumë shumë pak nga ata të njëjtët njerëz që shkojnë në promovime librash kanë ardhur sot këtu... ndoshta kanë edhe të "drejtë" të mos vijnë, sepse aktivitetet funerale nuk pasqyrohen në media...

- Është ditë jave- i them- dhe njerëzit edhe punojnë...

Më pa në sy me një shikim.... E kuptuam të gjithë në sytë e tij përgjigjen që do na jepte...

 

Mes shokëve, që disa nga ata unë i shikoja për herë të parë, ndërsa mbanim në dorë kupën e kafesë, përballë meje, disa hapa më tej pash një djalë. Kush e di se në ç'botë kishte hyrë tek rrinte i menduar, i hutuar; shikimin e kishte hedhur në tokë... Ishte Arben Bitri, vëllai i të ndjerës këngëtare Anita Bitri. Nuk e di pse m'u dhimbs shumë në ato çaste, ndërsa e shikoja të menduar. Çohem, i afrohem dhe e përqafoj. "Nuk dua të shoh të mërzitur Beni..." - i them.

Këto fjalët e mija, sikur ishin një pult komandimi për 'të; menjëherë nga sytë e tij filluan dhe rrodhën lotë. Me zë të dridhur më thotë: "Nuk e mendoja kurrë se do vija përsëri në këtë vend të shenjtë që i jam mirënjohës... Jeni të mrekullueshëm. Bravo Komunitetit tonë, që i ndodhemi njëri tjetrit në raste të tilla të dhimbëshme... Uroj të jetë përherë ky unitet, të vazhdojë përherë kjo harmoni..."

 

Dhe vërtet, ne shqiptarët jemi të mrekullueshëm dhe për këtë krenohemi, krenohemi, se nuk jemi vetëm ashtu siç erdhëm në fillim. Jemi mes miqsh dhe shokësh, dimë t'i ndodhemi pranë njëri tjetrit në gëzime dhe fatkeqësi, dimë të ndajmë të gjithë së bashku gëzimet dhe hidhërimet.

Uroj që për gëzime dhe vetëm për gëzime t'i shkojmë njëri tjetrit...

 

Pierre-Pandeli Simsia



Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive