Faqe kryesore arrow Ã‡eshtja Kombetare arrow Rruga e partisë sonë
Rruga e partisë sonë PDF Print E-mail
09 Mars 2007

Prof. ABAS ERMENJI

Balli Kombëtar nisi më 1939 si lëvizje kryengritëse me qëllim të dyfishtë : a) të çlironte vendin nga pushtimi i huaj, dhe b) të ndihmonte ardhjen në fuqi të një regjimi demokrat me baza popullore, ku të bëhej i mundshëm zbatimi i një vargu reformash ekonomike e shoqërore që do të sillnin lirinë e vërtetë të masavet, përtëritjen e fuqivet të Kombit dhe ngritjen e jetës Shqiptare në një shkallë më të lartë. Si i tillë, Balli Kombëtar pështetej në atë botë të re mendimesh që ish formuar në Shqipëri gjatë periudhës midis dy Luftrave Botërore. Dhe merrte përsipër të përmbushte atë çka populli shqiptar quante e mbante si aspiratat me të drejta të tij.


Ish e natyrshme që, pas Luftës së parë botërore, kur Shqipërija ish kthyer në shtet të pamvarur, mendimi politik shqiptar të hynte në një udhë të re : - në udhën e përpjekjeve të brëndëshme për liritë demokratike, për barasi e drejtësi shoqërore. S'ka gjë më të natyrëshme nga kjo, në jetën e popujve. Kur një popull gjendet ndënë zgjedhën e huaj i kalon në harresë problemet e brëndëshme të tij dhe mundohet t'i përmbledhë të gjitha fuqitë në një drejtim : - në luftën kundër armikut të jashtëm, për të fituar pamvarësinë. Po kur ky qëllim arrihet, energjitë luftonjëse të popullit kthehen në përpjekje të brëndëshme për të çdukur shtypjet e çfrytëzimet e padrejta që disa klasa ushtrojnë mbi të tjerat, dhe për të arritur në një ekuilibër shoqëror sa më të mirë. Eshtë në natyrë të njerëzve që të luftojnë pa pushim, për të fituar sa më shumë bukë, dritë, liri e të drejta.

Po të hedhim një sy mbi vijën që ka ndjekur mendimi politik shqiptar prej shekullit të XIX-të e gjer në ditët tona, do të shohim qartë se ai ka rrahur të njëjtën udhë llogjike, nëpër të cilën është përshkuar, më përpara, edhe histori e popujve të tjerë. Patriotët Shqiptarë të shekullit të XIX-të, si dhe ata të fillimit të këtij shekulli, nuk njihnin tjetër luftë përveç luftës kombëtare, dhe s'u interesonte gjë tjetër përveç pamvarësisë politike të Shqipërisë dhe kufijve të saj. Ata ishin rritur ndënë influencën e lëvizjeve nacionaliste të shekullit të XIX-të dhe mbushur me frymën patriotike të asaj kohe.

E dimë se në një pjesë të Evropës, ndjenjat nacionaliste s'kanë qenë kurrë më të flakta se sa në shekullin e XIX-të. Idetë sociale që punonin atëhere Evropën e Perëndimit, dhe që muarë forcë të re, sidomos pas Kryengritjes Frënge të 1848-ës, u-kthyen në ide e lëvizje kombëtare tek popujt e Evropës së Lindjes e të Jugë-Lindjes, që vuanin ndënë zgjedhat perandorake të Turqisë Otomane, të Austro-Hungarisë dhe të Rusisë Cariste. Dëshira e lirisë dhe e pamvarësisë kombëtare u-bë për ata popuj një fe e dytë, siç e dëshmojnë letërsitë e tyre të asaj kohe, që frymëzohen përgjithërisht prej ndjenjash patriotike. Në këtë qerthull popujsh të Evropës që përpëliten e nxehen në flakën e dashurisë kombëtare, nga gjysma e dytë e shekullit të XIX-të, bën pjesë edhe populli i ynë. Letërsia e jonë lind me dashurinë e Atdheut, dhe zhvillohet po me atë burim frymëzimi gjer në një pjesë të këtij shekulli.

Mirëpo aspiratat e popujvet ndryshojnë sipas nevojave, njëlloj si dëshirat e njeriut. Një dëshirë që arrihet, mbetet në zemër si pasuri e fituar, por nuk është më dëshirë, dhe s'të heth më tutje, as frymëzon dot poezi. Ashtu janë edhe aspiratat e popujvet ; kur disa prej tyre përmbushen, mbeten si pasuri e fituar dhe u lëshojnë vendin të tjerave që çfaqen në horizont. Kjo u-vërtetua tek ata popuj t'Evropës që e fituan vonë pamvarësinë kombëtare. Porsa e shkundën zgjedhën e huaj, u-gjendën menjëherë përpara problemesh të brëndëshme, nga zgjidhja e mirë e të cilave mvarej lirija e vërtetë, harmonia shoqërore dhe siguria kombëtare e tyre.

Idetë Sociale që punonin me kohë Evropën e Perëndimit, përshkojnë pastaj, me shpejtësinë e erës, popujt e rimëkëmbur t'Evropës së Lindjes e të Jugë-Lindjes, ku, mbi fanatizmin kombëtar të vjetër, shartojnë kuptimin e ri të lirivet, të drejtësisë shoqërore e të përparimit.

Në këtë pikëpamje, Shqipëria nuk munt të mbetej e veçuar prej botës që e rrethon. Pse s'ka mur as kufi aq të fortë midis kombeve, sa të ndalojë qarkullimin e ideve. Jeta e popujve sot rrihet e vërtitet në planin social. Lufta e organizuar e masave për më shumë bukë, liri e të drejta, që është shprehja e qytetërimit shkencor të kohës, do të mbetet ndoshta në histori si karakteristika e këtij shekulli.

Menjëherë, pra, pas 1920-s, me rimëkëmbjen e Shqipërisë në shtet të pamvarur, nisin përpëlitje mendimesh të reja, më parë në djalërinë e shkollave, pastaj hapen në masat. "Luftë për reformën agrare, për liri e drejtësi shoqërore", ish kryefjala që fluturonte gojë më gojë në djalërinë e asaj kohe. Dhe këto mendime e këto aspirata vinë duke u-forcuar, diku me zhurmë e diku në heshtje, gjer më 1939. Kontrasti që bënte jeta ekonomike e shoqërore e Shqipërisë me pikëpamjet sociale të reja, u jepte më shumë forcë këtyre aspiratave. Mendimi politik Shqiptar merrte një tjetër formë ; pa humbur asgjë nga fanatizmi patriotik i vjetër, pasurohej me idetë e kohës, me idetë e përparimit e të zhvillimit shoqëror. Një nacionalizëm abstrakt është një fjalë e pangjyrë që s'ka më kuptim në ditët t'ona. Sidomos kur kjo fjalë përdoret për të mbuluar merçenarizmën a interesa klikash, dhe e mbajnë si etiketë ata që s'kanë ç't'i tregojnë popullit veçse uniformat e grisura në shërbim t'imperializmës së huaj. "Nacjonalizmë" duhet të thotë dashuri për Kombin, dashuri për popullin, dhe s'munt të jetë nacjonalist ai që e do Shqipërinë t'a çfrytëzojë si çiflik dhe popullin Shqiptar t'a përdori si bujk. Kohët e provuan se s'munt të ketë liri të Shqipërisë pa liri të Shqipëtarëvet, dhe ai që mendon se munt të bëhet Shqipëria shesh klikash e tarafesh, sheh ëndrra me sy hapët.

Megjithëse këto mendime ishin pjekur në botën Shqiptare, nuk kishin mundur të konkretizohen në parti, pse gjendja politike e Shqipërisë nuk kish lejuar formimin e lirë të partive. Kur Balli Kombëtar dolli në skenë si e para lëvizje Shqiptare që pështetej mbi këto mendime, Atdheu i ynë kish rënë prapë ndënë zgjedhën e huaj, dhe duheshin bashkuar të gjitha fuqitë e Kombit në një luftë të vetme për çlirimin e vendit. Prandaj themelonjësit e Ballit Kombëtar nuk deshën të ngrehin një "parti" por një "organizatë" politike, me një program social të shprehur në vija të përgjithëshme, ku munt të grumbulloheshin grupe e masa sa më të gjera. Në politikë, fjala "organizatë" ka një kuptim më të gjerë nga fjala "parti". Kjo e fundit paraqet diçka më të kufizuar, me një program të përcaktuar mirë e me anë të prera. Megjithë këtë, Dekallogu i Ballit Kombëtar, në pakë vija, përmblithte mendimet bazë mbi të cilat do të ngrihej Shqipëria.

Me hyrjen e komunizmit në skenë, historia rrodhi ndryshe.

Balli Kombëtar në mërgim, i vetëdijshëm për misionin e tij historik, qëndronte si kështjellë e mendimit të lirë Shqiptar. Megjithëse më pastaj qe kthyer në parti, ruante akoma vijat e vjetra t'organizatës, pse ish duke lozur gjithnjë rolin e tij si i vetmi front demokratik Shqiptar në kundërshtim me komunizmin.

Po kur tani më vonë u-formua Komiteti Kombëtar "Shqipërija e Lirë", me pjesëmarrjen e grupeve të tjerë politikë, i cili i ngarkoi vehtes barrën të drejtojë luftën antikomuniste Shqiptare, Balli Kombëtar gjen kohën dhe volinë e duhur të përcaktojë vijat e tij si parti. Në një mbledhje t'antarëve në mërgim, mbajtur në Napoli në 27 Nëntor 1949, Balli Kombëtar u jep parimeve themelore të Dekallogut formën e një programi të përcaktuar e të prerë, dhe tregon qartë pikëpamjet politike të tij në fushën ekonomike e shoqërore.

Thamë se idetë politike të reja, që ishin zhvilluar në Shqipëri gjatë kohës midis dy Luftrave Botërore nuk kishin mundur të marrin formë partije. Përveç partisë komuniste që u-krijua me inisiativën e të huajvet, disa të rinj intelektualë - Shqiptarë të mirë e njerëz të nderçim - patën menduar të mëkëmbin në Shqipëri ndonjë parti progresiste, nga ato të tipit t'Evropës së Perëndimit. Pas mendimit t'onë, një parti e tillë nuk do të munt të hapte rrënjë në Shqipëri, por do të mbetej si një bimë e varfër, e kufizuar në një numur të vogël intelektualësh, e më në funt do të merrte formën e një klubi. Partitë lindin e zhvillohen mbi strukturën e popujve - dhe çdo popull ka një strukturë të veçantë që mvaret nga gjeografia ose rrethi fizik, nga faktori bio-psikologjik dhe nga e kaluara historike e tij.

Pothuaj se të gjitha partitë që pasqyrojnë sot jetën politike t'Evropës së Perëndimit, e kanë pikë-nisjen nga shekulli i XIX-të, dhe kanë lindur nga konfliktet midis punës dhe kapitalit. E dimë se revolucjoni industrior i kohëve të reja arriti, nga gjysma e dytë e shekullit të XVIII-të, t'a ndërrojë krejt fytyrën e jashtëme të qytetërimit, dhe i dha një lëkundje e një përzjerje të pashembullt strukturës shoqërore të disa popujve. Grumbulloi nëpër qendra industrie numur të madh punëtorësh krahu, të cilëve u dha edhe mjetet e shpejta të mësimit, të komunikimit dhe të lëvizjevet. Këta punëtorë përqafojnë, në një formë a në një tjetër, idetë e reja sociale, organizohen e lëvizin si një masë e tmerrshëme që e trondit kur të dojë jetën e atyre kombeve, dhe hyjnë në skenën politike si një faktor i ri. Shumë ide a pikëpamje politike të vjetëruara ndyshohen e bien poshtë, lufta midis punës dhe kapitalit del përmbi gjithë konfliktet shoqërore të tjerë, dhe prej ngrehjes që bëjnë këto dy forca - njera nga e djathta e tjetra nga e majta - ka marrë trup e formë ajo shkallë partish që na tregon sot jetën politike të Perëndimit.

Në Shqipëri, gjendemi përballë një strukture shoqërore tjetër. Aty, në vend të konfliktit midis punës dhe kapitalit, kemi konfliktin midis bujkut dhe latifondistit, kemi përpjekjet e popullit për të fshirë gjurmët e feodalizmës, sepse Shqipëria është një vend funt e krye bujqësor. Interesat e bujkut me ato të punëtorit të fabrikës, si edhe konflikti i tyre me kapitalin në nj'anë, me çifligarët n'anën tjetër, nuk janë të një natyre; prandaj ato parti që kanë dalë për të mprojtur interesat e masës punëtore nuk u përshtaten gjithnjë interesavet të masës bujke. Punëtori përpiqet të ketë pagesë më të madhe, orë pune më pakë, liri e të drejta politike, dhe një shkallë sigurije shoqërore më të lartë. Bujku mundohet të ketë një copë tokë të tijnë ose më shumë tokë nga ç'ka, liri në punën e tij, dhe të drejtat politike që e sigurojnë kundrejt klasave të tjera. Punëtori lufton kundër kapitalistit që ka vënë mjetet e prodhimit, në ndërmarrjen industriore, dhe lot një rol aktif n'organizimin e punës. Bujku kundër çifligarit që e ka përvehtësuar tokën me mynyra feudale kur kish në dorë sundimin e vendit, dhe merr pjesën e prodhimit duke ndejtur. Puna e punëtorit të krahut është mekanike, e përpiktë si maqina, dhe munt t'organizohet në vija gjeometrike. Kurse bujku krijon jetë, dhe duhet të ketë dashuri për tokën që punon ; puna e tij s'mund të përmblidhet në vija gjeometrike, pse lidhet me kohën, me stinët, me fazat e ndryshme të jetës bimore që ai zhvillon nëpër duar. Sado thellë që të futet teknika në bujqësi, s'munt t'i a fshijë kurrë natyrën e saj të veçantë e t'a bëjë të njëjtë me industrinë : - këto mbeten gjithnjë dy degë të ndryshme t'aktivitetit krijonjës të njerëzisë. Njëra ngjall jetë, dhe tjetra kthen lëndë në sende të përdorëshme.

Natyra e punës vetë i jep klasës bujke një strukturë shoqërore e një psikologji të sajnë, që e dallojnë prej punëtorisë së fabrikave. Bujqit jetojnë të përhapur në një sipërfaqe të gjerë, gjithmonë në të njejtin truall, dhe janë të lidhur pas traditave, zakoneve, vatrës së familjes, dashurisë së tokës. Familja për'ta është celula shoqërore e pakëputëshme, dhe dashuria për tokën është ajo që u jep ngjyrë gjithë gëzimeve të tyre. Prandaj çdo doktrinë a parti politike që kërkon t'a vërë jetën e bujqve në të njëjtat vija me ato të puntorëve, ose që kërkon t'a fusi në një regjim ushtarak - sikurse komunizmi sot - s'bën tjetër veçse e shtyp dhe i këput çdo rrugë shpëtimi. Provën e kemi n'ato vende ku ka shkelur komunizmi. Klasa e fshatarëve është ajo që i paraqet qëndresën më të fortë tiranisë së kuqe, n'Evropën e Lindjes e të Jugë-Lindjes, dhe është bërë pararoja e lirive dhe e shpirtit demokratik të njerëzisë.

Në Shqipëri, pasi s'ka kapitale as industri me kuptimin e plotë të fjalës, numuri i punëtorëve të krahut është fare i pakët dhe nuk çon peshë në jetën shoqërore e politike të vendit. Eshtë masa fshatare a bujke ajo që përbën sot më se 80% të krejt popullsisë. Po edhe në qoftë se në t'arthmen do të zhvillohet ndonjë farë industrije, të gjitha shenjat janë për një industri bujqësore. Pra, bujqësia mbetet gjithmonë boshti ekonomik rreth të cilit do të sillet jeta kombëtare e jona.

Sa për grupet e zejtarëve, të profesionistëve të lirë a t'intelektualëve, dihet se ata nuk përbëjnë dot klasë në kuptimin ekonomik të fjalës. Por interesat e tyre janë gjithmonë të lidhura me ato të masave që punojnë e prodhojnë. Pse, sa m'e lartë të jetë shkalla e jetesës së popullit punëtor e bujk, aq më shumë punë do të ketë për zejtarin, tregëtarin, agronomin, inxhinierin a mësuesin, aq më shumë këndonjës do të ketë për shkrimet e romancierit a të gazetarit, dhe aq m'e këndëshme e m'e lumtur do të bëhet jeta përgjithësisht.

Balli Kombëtar ka qënë i vetëdijshëm për të gjitha këto probleme, kur çpallte me Dekallogun se :

- "Luftojmë për një Shqipni të rregullueme ekonomikisht dhe shoqërisht në mynyrë që të mos ketë shfrytëzues dhe të shfrytëzuem, do me thanë të mos ketë njerës qi jetojnë në shpinë të së tjerëvet ; të mos ketë bujk pa tokë të vetën të mjaftueshme, punëtorë krahu dhe mendjeje pa banesë dhe jetë të sigurueme... Për nji Shqipni ku nuk do të kenë vend dallkaukët, servilët, feudalët dhe të gjithë ata qi e pengojnë zhvillimin e përparimin e Shqipnisë së rilindun."

Por këto parime, të shprehura në vija të përgjithëshme në një kohë kur lufta e jonë drejtohej kundër një pushtonjësi të jashtëm, duheshin zhvilluar në një program të përcaktuar e të përpiktë tani që lufta e jonë vihet në planin social të mbrëndshëm. Këtë detyrë e përmbushi Balli Kombëtar në mbledhjen që mbajti në Napoli më 27 Nëntor 1949, duke i dhënë programit të tij shoqëror e ekonomik të pajtuarshëm me nevojat e vendit.

Gazeta FLAMURI Shkurt 1950


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-03-11 18:02:33
Eshte bere shum mire qe ka gjetur nje vend te pershtatshem shkrimi Rruga jone i Prof. Abas Ermenjit ne Ballin e Kombit. Kete rruge e ka ndjekur edhe po e ndjek me vendosmeri edhe sot Balli Kombetar ne mergim e ne Shqiperi. Kjo eshte rruga, qe duhet t'a shpetoje Kombin shqipetar nga cdo e keqe dhe qe con drejte demokracise se vertete edhe bashkimit te popullit shqiptar sot te shkaperderdhur ne shum ane. 
Nihat Bakalli

Koment nga GUEST më 2007-03-19 10:14:07
komentet jane te pakta nese flitet per kapitalin intelektual,kombetar te njeriut qe nderroj historin e shqiperis,por ndihem i priviligjuar te kujtoj me mall kete tribun Kombetar. 
Me respektin me te madhe per te 
Gazmend Islami 
Nürnberg


International
English
Faqe interaktive
Sondazhe
Cilën strategji duhet të ndjekë aktualisht Kosova?