Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Shqipëria dhe binomi Itali-Greqi
Shqipëria dhe binomi Itali-Greqi PDF Print E-mail
19 Mars 2007

nga Astrit Lulushi, SHBA

Në shekullin e XVII, Njutoni zbuloi ligjet e lëvizjes dhe gravitetit që përcaktonin marrëdhëniet mes planetëve dhe yjeve të sistemit tonë diellor. Sipas tij, kur një objekt është më i madh sesa objekti tjetër pranë, atëherë ky i fundit është satelit i të parit. Kur dy objekte pranë janë thuajse të barabartë në masë atëherë ata krijojnë një sistem binar, dyplanetar. Dhe pasi çdo objekt afektohet nga forca e tërheqjes dhe pesha e rëndesës së objektit pranë, lëvizja e objektit kryesor gjithashtu afektohet nga ai i objektit më të vogël.

Këto ligje të gjithësisë, tërhoqën menjëherë vëmendjen e politikanëve, të cilët shumë shpejt filluan t’i zbatonin ato për përcaktimin e marrëdhënieve mes vendeve si dhe në ndarjen e zonave të ndikimit mes fuqive të mëdha.

“Shtet satelit” është një term që hyri në fjalorin politik në shekullin e XIX dhe nuk ishte rastësi që kjo përkoi me fillimin e shpërbërjes së perandorisë osmane, shpërbërje që hapi rrugën për krijimin e shteteve të reja, veçanërisht në Ballkan, ku kufijtë e shteteve u caktuan mbi bazën e ndarjeve administrative të vilajeteve të krijuara sipas sistemit qeverisës osman, i ndarë kryesisht në zona ekonomike sesa etnike.

Kjo është edhe një arsye, që pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë (1829) dhe Serbisë (1878), shqiptarëve më 1912, u kishin mbetur vetëm pak territore për të formuar shtetin e tyre, që në fakt ishin edhe zotërimet e fundit osmane në Ballkan.

Prandaj, në syrin e politikanëve të Fuqive të Mëdha, por dhe atyre të shteteve fqinjë, Shqipëria nuk kishte si të shihej ndryshe veçse si shtet i vogël, pra një satelit, qëndrimi dhe zhvillimi i të cilit do të ndikohej nga sistemi “dyplanetar”, Itali-Greqi, Serbi-Jugosllavi. Dhe njëkohësisht, duke iu nënshtruar ligjeve të Njutonit, Shqipëria do të afektonte qëndrimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të këtyre shteteve ndaj saj, si dhe marrëdhëniet midis vetë shteteve anëtare të këtij sistemi "dyplanetar" tokësor.

Për shembull, Shqipëria iu gëzua mbështetjes së Italisë për pavarësi më 1912, por kjo nuk e pengoi atë t’i hidhte në det ushtarët italianë më 1920-n në Vlorë, kur kuptoi se qëllimi i përkrahjes së tyre kishte qenë përdorimi i vendit si një trampolinë në Ballkan. Mbreti Zog kërko  dhe mori ndihmë financiare e institucionale nga Italia në vitet 1930, por nuk pranoi të bëhej vasal i saj, gjë që solli pushtimin e vendit dhe arratisjen e tij. Po ashtu shfrytëzimi i territorit shqiptar nga Musolini në luftën italo-greke, nuk i kënaqi shqiptarët. Ata nuk donin të përdoreshin si vegël, "satelit", pavarësisht nga ndjenja e tyre ndaj Greqisë.

Gjithashtu mund të thuhet se kjo gjendje krijoi kushtet e para për një lidhje mes komunistëve shqiptarë e atyre grekë për të organizuar luftën kundër trupave italiane, lidhje që vazhdoi edhe më pas në vitin 1949, kur Shqipëria u bë vend strehim për komunistët e dëbuar nga Greqia.

Që nga largimi më 1939, mbreti Zog u end nëpër kryeqytetet e Evropës perëndimore për të kërkuar përkrahje për organizimin e luftës anti-fashiste në vendin e pushtuar. Por mesazhet nga kancelaritë e fuqive të mëdha ishin që Zogu të ndalohej të merrej me veprimtari politike e organizative të shqiptarëve në Shqipëri ose në botën e lirë. Ndërsa shumë monarkëve dhe kryetarëve të shteteve të pushtuara, u ishte dhënë statusi i qeverive në mërgim, mbreti Zog mbahej në Britani me statusin e një të mërguari të thjeshtë politik. (O. Pearson) Kjo për arsye se fuqitë e mëdha ishin në mëdyshje nëse pas luftës do të kishte më një shtet shqiptar ose jo, mëdyshje e krijuar kryesisht nga këmbënguljet ruse, grekë e serbë për përmbushjen e synimeve që nuk kishin mundur t’i realizonin më 1913 dhe 1918; copëtimin e Shqipërisë.

Ky qëndrim ndërkombëtar, krijoi atë boshllëk që u shfrytëzua nga rusët e jugosllavët duke krijuar e mbështetur lëvizjen komuniste në Shqipëri, si dhe për të përhapur më pas një frymë anti-perëndimore. Kjo dëmtoi gjithashtu popullaritetin e forcave të djathta, legaliste e balliste, dhe bëri që me largimin e pushtuesve naziste në vitin 1944, komunistët të përbënin forcën mbizotëruese në vend.

Kështu, Shqipëria doli nga lufta e dytë botërore me kupën e fitores në duar, kupë që nuk dinte se në çfarë kahu ta drejtonte për të përshëndetur; majtas apo djathtas.

Më 30 Nëntor 1944, Enver Hoxha i jep një intervistë gazetës Nju Jork Tajms, ku mes të tjerash thotë se Shqipëria u çlirua, por është e shkatërruar dhe tani pret ndihma. Por ndihmat për një arsye a një tjetër u vonuan. Më 2 Dhjetor 1944, ambasada britanike në Uashington në mesazhin që i dërgonte Ministrisë së Jashtme në Londër thoshte se “në këtë moment Enver Hoxha nuk është as komunist dhe as bashkëudhëtar, por është sinqerisht i etshëm për t’i dhënë vendit një drejtim perëndimor”.(O. Pearson). Por koha e tregoi se etja e E. Hoxhës për pushtet ishte më e fortë sesa ajo per lidhje me perëndimin.

Gjithashtu domethënës është fakti se gjatë gjithë kohës së regjimit komunist, kur kuptoi se po tërhiqej nga forca e gravitetit të Jugosllavisë, Shqipëria u tërhoq nga aleanca me të. Të njëjtat prirje a përfundime u vunë re edhe në aleancat dhe prishjen e tyre me Bashkimin Sovjetik e me Kinën.

Të gjitha këto zhvillimet historike tregojnë se Shqipëria kurrë nuk ka qenë e kënaqur me pozitën e caktuar nga të tjerët për të luajtur rolin e një “sateliti”. Një vend i vogël, me popull të ndershëm e krenarë, ndonjëherë naiv, në fakt Shqipëria duket se nuk është e vetëdijshme për këtë rol. Kjo për faktin se ajo gjithmonë ka hyrë në marrëdhënie me synime të drejta e të sinqerta dhe gjithmonë është tërhequr deri në vetizolim kur ka ndjerë se të tjerët kishin filluar ta përdornin si satelit, shtet klient a kukull.

Duke përbuzur statusin e satelitit, Shqipëria, i ngjan një mini planeti, që në një takim të ardhshëm, shkencëtarët pritet ta shpallin të barabartë me planetët e tjerë. Kjo varet nga rezultatet e vëzhgimeve të sjelljes së këtij mini-planeti dhe aftësisë së tij për të qëndruar në ekuilibër pa rënë në orbitën e asnjë prej planetëve pranë. Dhe ky takim "shkencëtarësh" për Shqipërinë është kur Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të mblidhen për të shqyrtuar anëtarësimin e saj, si vend i barabartë mes të barabartëve. Deri atëherë, çdo gjë varet nga Shqipëria; nga populli dhe nga ata që e drejtojnë atë.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive