Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow Po i pėrgatitet njė shah-mat Rusisė
Po i pėrgatitet njė shah-mat Rusisė PDF Print E-mail
19 Mars 2007

Shkruan: Mr.sc. Arburim ISENI

Marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe Serbisë kanë ngelur ende të ngushta pavarsisht ndryshimeve në udhëheqësi të të dy shteteve. Ruajtja e vazhdueshme e këtyre marrëdhënieve të mira rrënjët e veta i ka në traditat e njejta kulturore që i kanë të dy shtetet. Të dy shtetet mburren më shumë nga traditat Sllave që i kanë të njejta, përfshirë këtu edhe alfabetin Kirilik, fenë e tyre krishtere ortodokse dhe vëllazërinë e tyre Sllave, gjë që i bënë që këta të dallohen nga perendimi. Prandaj, nuk duhet të çuditemi se përse Rusia, edhe pas rënies së bllokut të saj Sovjetik ka vazhduar t’ja mbaj anën Serbisë edhe gjatë viteve të rënies së saj nga blloku Sovjetik – veçanërisht sa i përket kundërshtimit të çështjes së Kosovës, e cila tashmë pas tetë vitesh ka hyrë në agjendën e bisedimeve serioze për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar. Prapseprap, nuk duhet atribuar vendimin e Rusisë se e gjoja e mbrojka Serbinë në vendimin e saj që ta mbaj Kosovën nën jurisprudencën e saj, kur dihet qartë se të dy vendet Kosova dhe Serbia kanë kultura krejtësisht të dalluara, dhe këtë e din shumë mirë edhe vet Rusia.

Në fakt, mbështetja e Moskës për Beogradin ka të bëjë më shumë me politikën e brendshme të vet Rusisë se sa ta mbështesë Beogradin në kuptimin e drejtë të fjalës dhe gjithashtu mendimi i saj për një zgjerim më gjithëpërfshirës ideologjik në botë. Në shumë mënyra, Kremlini tani po merret me Kosovën dhe po mundohet që situatën momentale të Kosovës ta atribuojë në atë formë siç po e atribuon ajo Çeçeninë brenda territorit të vet, territor autonom brenda Rusisë. Sikurse Rusia dhe Serbia që kanë gjëra të përbashkëta, edhe Çeçenia dhe Kosova kanë gjithashtu shumë gjëra të përbashkëta – së paku sa i përket marrëdhënieve të tyre të tashme me qeveritë e tyre federale. Edhe Çeçenia edhe Kosova kanë popullësinë e vet që dallon tepër nga maxhoranca e shteteve ku ato janë të lokalizuara. Në vend të fesë Ortodokse, maxhoranca e popullatës në Kosovë dhe Çeçeni kanë fenë Islame; në vend të kulturës Sllave sejcila Republikë i ka traditat e veta, përfshirë këtu gjuhët jo sllave. Për më tepër, deklarata e këtyre dy vendeve për pavarësi ka rezultuar në lufta të ashpra. Dallimi më i madh, siç duket, është arritja e Rusisë që ta mbaj deri tani Çeçeninë të përfshirë brenda kufijve të saj pa mos u ballafaquar me ndërhyrjen ndëkombëtare. Kosova, megjithatë, ka qenë gjatë kohë dhe vazhdon të jetë temë e diskutimeve ndëkombëtare, edhe atë më së shumti në fund të vitit 1990 kur NATO e kishte zbatuar të ashtuquajturën “luftën humanitare” me qëllim që ta detyroj udhëheqësin serb Sllobodan Millosheviçin të pranoj një marrëveshje paqësore. Rusia, në ndërkohë, ishte kërcënuar se do t’i kundërpërgjigjet NATO-s. Presidenti i atëhershëm i Rusisë Boris Jeltcin kishte deklaruar në prill të vitit 1999 se, citoj: “Ua kam bërë me dije NATO-s, Amerikanëve dhe Gjermanëve që të mos na detyrojnë të ndërrmarrim veprime ushtarake, sepse përndryshe do të kemi sigurtë një luftë Evropjane dhe ndoshta edhe botërore." Por siç duket kërcënimet e Rusisë ngelën të kota prej momentit kur NATO filloi kampanjën e bombardimeve nga mesi i qershorit të vitit 1999. Në të kohë qe vërtetuar se Rusisë i kishin ngelur shumë pak opcione veprimi. Jo vetëm që Rusia në atë kohë në vitin 1998 u gjetë në lëkundje dhe kolaps ekonomik, por edhe se Jelcini ballafaqoheshte me akuza nga shteti i vet dhe me problemet e tij që i kishte me shëndetin. Për më tepër, armatën Ruse e kishte kapluar një huti, që ishte ende e shkretuar nga lufta në Afganistan që ndodhi në vitin 1980 dhe shpërbërja e Republikave të Unionit Sovjetik Rus në vitin 1991. Sidoqoftë, shumë serb u ndjenë të braktisur nga aleati i tyre Sllav. Bile edhe në nëntor të vitit 2005, gjatë bisedimeve në Moskë në mes të Presidentit Rus Vlladimir Putin, presidenti serb Boris Tadiç tha se mosveprimi rus shkaktoi që konflikti Jugosllav i vitit 1999 të keqësohet edhe më shumë: citoj "Roli i Rusisë në rregullimin e konfliktit është i paanë. Rusia duhet të qartësojë më mirë qëndrimin e saj ndaj Serbisë, mbi të gjitha qëndrimin e Serbisë në Këshillin e sigurimit të Kombeve të Bashkuara. " Sot, mes gjitha atyre murmuritjeve perendimore për përfitime ultranacionaliste më 21 janar 2007 në zgjedhjet e Serbisë, Rusia e kishte bërë shumë të qartë qëndrimin e saj. Kremlini lëshoi një deklaratë me datën 24 Janar 2007 duke u kërcënuar se do ta përdor veton e vet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në qoftë se anëtarët tjerë të Grupit të Kontaktit, ku përveç Rusisë përfshihen edhe Franca, Britania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Gjermania, e marin në shqyrtim një rezulutë në Kombet e Bashkuara në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Putini i kishte bërë të qarta qëndrimet e tij duke folur prej anash dhe duke e klasifikuar këtë çështje si çështje të brendshme të Serbisë, citoj: “Rusia mendon dhe beson se është e papranueshme që vendimi në lidhje me satusin e Kosovës të imponohet nga jashtë.” Moska është shumë e vetëdishme ndaj implikimeve të mundshme për pavarësinë e Kosovës, posaçërisht ajo është e vetëdishme për një precedent tjetër të rrezikshëm. Në qoftë se fuqitë e jashtme mund të diktojnë statusin e territorit brenda sovranitetit të një shteti të vetëm, atëherë çfarë do ta parandalonte rastin e Kosovës për t’u shëndrruar në një precedent? Në rastin me Rusinë, e cila do të kishte me thënë se thirrja për Çeçeninë e pavarur nga Rusia me të drejtë se nuk do të lejonte t’i përgjigjej një forme të këtillë të ndikimit ndërkombëtarë, njësoj sikurse po lejohet të ndodh me Kosovën. Kremlini gjithashtu është i shqetësuar rreth efekteve të një precedenti që do të mund të ndodhte “jashtë Rusisë, por në afërsi të saj,” e veçanërisht vatrat e krizës siç janë Abkhazia dhe Ossetia e jugut në Xhorxhia dhe rajoni i Transdniesterit në Moldavi. Edhepse Rusia kishte për qëllim që mos të çaj fare kokën për këto rajone dhe për lëvizje tjera për pavarësi brenda shtetit të saj, nuk do ta çmoj që Kombet e Bashkuara të përfshihen në ate që ende ndjehet se është sferë tradicionale e ndikimit. Rusia ka krijuar tani një standard të dyfishtë në veprimet e saja. I ka lejuar vetes që të inkurajojë lëvizjet për vetvendosje në territoret e saj brenda sovranitetit të vet, mirëpo nga ana tjetër kategorikisht ngel kundër që shtetet tjera ta vëjnë veten e tyre në pozitën siç e ka lejuar ajo. Me politikën e saj momentale, Rusia i ka lejuar vetes fuqinë që t’iu ndihmojë shteteve më të dobëta në përkrahje për të diktuar në integritetin e tyre territorial, mirëpo nga ana tjetër me sukses ka mbajtur përqëndrimin e NATO-s sa më larg nga përqëndrimi i vëmendjes për të ndërhyrë në Çeçeni me verzionin e saj që e ka tani për Kosovën. Deri tani, Rusia ka qëndruar stoike në përpjekjet që po bëhen nga anëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit për ta bindur Rusinë për ta pranuar rezulutën e cila do të shpiente drejt pavarësisë për Kosovarët. Në rast se kjo rezulutë miratohet në Kombet e Bashkuara mbi këtë çështje, atëherë Rusia do të detyrohet të përcaktohet për një zgjidhje. Në rast se do ta përdor veton e saj, fuqinë që ka pasur për ndikimin e çështjeve tjera pran Këshillit të Sigurimit, siç janë ambicjet nukleare të Iranit, Rusia e rrezikon më tepër veten duke e armiqësuar veten me komunitetin ndërkombëtarë. Sidoqoftë, në rast se Rusia nuk e përdor veton e saj, atëherë rezuluta mund që ta dobësoj autoritetin e Rusisë jo vetëm ndaj fqinjësisë së saj nga jashtë, por edhe me Çeçeninë. Deri më sot, Rusia ka arritur që të bëjë devijime për ta vonuar këtë proces. Grupi i Kontaktit gjithashtu u vonua në njoftimin e planit për pavarësinë, ku i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Kosovën Marti Ahtisari ishte i caktuar që ta paraqesë në fund të vitit të kaluar. Ahtisari u pajtua që të pres edhe pak me prezantimin e planit të tij, derisa të mbahen zgjedhjet në Serbi, dhe përfundimisht ai e kishte shpalosur planin për Kosovën më 26 janar, plan ky i cili edhe dejure për momentin e solli pavarësinë e njëmendët për Kosovën. Pothuajse menjëherë delegacioni Rus me këtë rast bëri thirrje për një shtyerje shtesë të këtij plani. Diplomati Rus me të marrë pjesë në takimin e Vienës insistoi që vendimet e zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara nuk duhet të merren përderisa Serbia të jetë e aftë të formojë një qevëri pas-zgjedhore. Pavarësisht se Rusia i jep Serbisë edhe një shans në shtyerjen e këtij plani, prapseprap, Serbët poashtu edhe Rusia duhen të sjellin një vendim të regjur, vendim ky i cili pjesërisht do ta testonte edhe njëherë miqësinë Serbo-Ruse. A do ta prezantojë Rusia edhe njëherë veten para Serbëve si një partnere jovepruese duke ia lejuar Kosovës të fitojë pavarësinë e saj, apo do ta vërtetojë aleancën e saj ndaj shokut të saj Serbisë pranë partnerëve të saj perendimor duke e përdorur veton? Përgjigja e kësaj pyetje u kuptua edhe njëherë kur Ahtisari ua kishte prezantuar planin e tij për Kosovën të dy palëve me 2 shkurt, 2007. Tani meqë bisedimet në njëfarë mënyre kanë mbaruar me qëndrime diametralisht të kundërta nga të dy palët, pritet që Këshilli i sigurimit pranë Kombeve të Bashkuara të vendos për marrjen dhe votimin apo jo të rezulutës së pritur e cila do t’ia jepte Kosovës pavarësinë substanciale dhe sovranitetin e plotë, si shteti më i ri dhe demokratik në Ballkan, dhe nëse ndodh kjo atëherë do të përmbyllet edhe kaptina e fundit e luftërave dhe të gjitha aspiratave të popujve që jetojnë në Ballkan gjë që për këtë unë s’kam asnjë dyshim.

Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-03-26 19:45:35
Jam nga lugina e Presheves. Pergezime per autorin per kete analize shume te qelluar dhe te sakte. 
 
Me respekt, 
 
Florent Demiri

Koment nga GUEST më 2007-03-26 19:46:59
Shume mire


International
English
Faqe interaktive