Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow Kush e hangėr referendumin e premtuar nga bashkėsia ndėrkombėtare?
Kush e hangėr referendumin e premtuar nga bashkėsia ndėrkombėtare? PDF Print E-mail
29 Mars 2007

BAROMETRI DIPLOMATIK
Prof.Dr.Mehdi HYSENI


*  “The minute you  start talking about what you’re going  to do if you lose, you have lost.”
    (George P. SHULTZ)


* Pas dështimit të dialogut të Vjenës, më 10 mars 2007, me t’u kthyer në Prishtinë, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi: “Kemi bërë shumë kompromise të dhimbshme, duke u treguar zemërgjerë.” (BallkanWeb,11.03.2007).
* Në lidhje me mesazhin e kësaj deklarate patetike  shtrohet   pyetja: - Atëherë, kush duhet ta ketë korrigjuar një gabim të këtillë historiko-politik, juridiko-kombëtar dhe ndërkombëtar, që thelbësisht është në diskurs me të drejtën historike dhe me të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës?
* -Çfarë të bëjmë në këtë çast të rëndë historik për vetëvendosjen e Kosovës? Kush na e lidhi kaq fort në nyjë të pazgjidhshme të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës? – S’ka dilemë se, përgjigjja këtyre pyetjeve nga ana e decentralistëve të Kosovës, do të jetë kjo: –Ç’do bënim më shumë, sesa këtë gjysmëhapi të kufizuar dhe të përkohshëm për Kosovën? - Kaq ishte kapaciteti dhe potenciali ynë politik dhe diplomatik  në arenën politike dhe diplomatike ndërkombëtare. Ose, në stilin e zhgënjimit të përgjumshëm apatik dhe apolitik të psherëtimës së fundit:“dynjallëk i rrjeshëm politik ky-nuk jemi ne fajtorë-askush nuk na ka pyetur”! Ky do të ishte “justifikimi politik” i “vepërs  historiko-politike kombëtare” të politikanëve të dështuar-vetëviktimave të vetëdijshme të “kompromiseve të shumta, të dhimbshme dhe zemërgjera”, të cilat  për hir të arritjes së “kompromiseve të shumta dhe të dhimbshme”, të vullnetshme, jo të zorit, as të imponimit, si rrjedhim i mosdijes  dhe i mosndërgjegjës së tyre politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës (në afat të paparashikuar) e kanë flakur nga agjenda e “rendit të ditës” së tryezës së gjelbër diplomatike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.                         
* Pra, ç’të bëjmë edhe ne dhe, populli ynë i përvuajtur dhe i kapitur nga pritja  100-vjeçare shekullore për të dalë nga kthetrat e përgjakshme të kolonializmit të Serbisë gjenocidale , kur edhe politika dhe politikanët tanë më tepër  u gjasojnë tregtisë dhe tregtarëve sesa të drejtës dhe drejtësisë. Mirëpo, megjithatë, edhe  unë, si  mijëra shqiptarë të tjerë, si viktimë e drejtpërdrejtë e terrorit dhe e gjenocidit kolonial serbomadh, të institucionalizuar në Kosovë, që nga vjeshta e vitit 1912 e deri në qershorin e vitit 1999, kam të drejtë dhe, për detyrë që ta pyes kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, se ato “shumë kompromise të dhimbshme dhe zemërgjera” në dëm të vetëvendosjes së jashtme të Kosovës,  ishin të vullnetshme apo të imponueshme? – Derisa  kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu  ato kompromise i ka cilësuar “ të shumta, të dhimbshme dhe zemërgjera”, atëherë, konkluzioni  del i qartë dhe i padiskutueshëm se ato “kompromise...” kanë qenë të palejueshme në aspektin e  mbrojtjes dhe të artikulimit të interesit të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror të Kosovës shqiptare.
* Sido që të jetë, “një punë e lënë për gjysmë, është me keq se hiqi”. Pa dyshim, kështu, do t’i komentonte “kompromiset e shumta, të dhimbshme dhe zemërgjera”, të palejueshme dhe të papranueshme të politikës zyrtare aktuale të Kosovës kundrejt interesit jetik të së drejtës së vetëvendosjes së Kosovës, Hakiu (karrocieri patriot) i Ismail Qemalit.

                                      *         *           *

 
Kjo deklaratë e Fatmir Sejdiut është e papritur (sidomos, kur mbajmë parasysh faktin se ai në deklarimet e mëparshme të tij për opinionin publik, ashtu edhe në takimin ndërkombëtar të Vjenës me palën serbe, pat deklaruar se “alfa dhe omega e kompromisit me Serbinë, është njohja e pavarësisë së Kosovës”),  por e qartë dhe e sinqertë  në aspektin politik, sepse për herë të parë, para opinionit publik vendor shqiptar e pohoi një të vërtetë të madhe (kështu që diç të tillë shokuese nuk  ka deklaruar, as “sinjalizuar” asnjëri nga decentralistët e “grupit të kontaktit” për Kosovën në Vjenë,  as Parlamenti, e as Qeveria e Kosovës në  konkluzionet e tyre politike lidhur me këtë çështje), se  “paria politiko-historike”  zyrtare e Kosovës ka bërë “ shumë kompromise të dhimbshme për t’u treguar sa më zemërgjerë” ndaj Serbisë kolonialiste dhe partnerëve të saj “kompromisaxhinj” në disfavor të së drejtës së vetëvendojes së Kosovës.
 
Në lidhje me mesazhin “helmues” të kësaj deklarate zyrtare të kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, shtrohen këto pyetje të pashmangshme : (1) Sa është numri i atyre “kompromiseve të shumta dhe të dhimbshme...”? (2) Pse u bënë ato kompromise, pa marrjen paraprake të pëlqimit të popullit shqiptar të Kosovës? (3) Pse dhe për interesa të kujt janë bërë ato kompromise? (4) Çka do të fitojnë shqiptarët dhe Kosova prej atyre kompromiseve absurde, antihistorike, antiligjore dhe antikombëtare ? (5) Kush do të mbajë përgjegjësinë dhe llogarinë para historisë dhe para popullit shqiptar, të mashtruar dhe të tradhëtuar në këtë rast konkret, për shkak të bërjes së atyre “kompromiseve të shumta dhe të dhimbshme...”? (6) Historikisht, moralisht, politikisht, ligjërisht, juridikisht  dhe demokratikisht..., etj., a mund të quhen kompromise domethënëse dhe të justifikishme ato “shumë kompromise të dhimbshme”, të bëra në kurriz të vetëvendosjes së Kosovës nga ana “grupit decentralist” (të cilët, pas çdo takimi, të zhvilluar në Vjenë me homologët e tyre kolonialistë të Beogradit, secili në mënyrën e vet të diletnatizimit politik dhe diplomatik, deklaronin botërisht para fotoreporterëve ndërkombëtarë: “po vjen pavarësia, po vjen pavarësia...!”. Mirëpo, epilogu  i  dialogut  të Vjenës, më 10 mars, 2007, provoi të kundërtën-dështimin ngase në Vjenë, në takimet dyvjeçare bjerrakohe të dy palëve në konflikt nuk është debatuar fare për statusin e Kosovës, por për “kompromise të shumta dhe të dhimbshme”, siç është shprehur në fund të bankrotimit të tyre, edhe Fatmir Sejdiu (kryetar i Kosovës)  në saje të “bekimit” të qeverisë, të parlamentit dhe të kryetarit të Kosovës? (7) Kush do  të përfitojë sot, apo nesër prej atyre “kompromiseve të shumta dhe të dhimbshme”, të bëra në disfavor të shqiptarëve dhe të Kosovës? (8)  Pse të bëhen ato kompromise të panevojshme dhe tragjike për fatin e nesërm të Kosovës, kur dihet se UÇK-ja, as populli nuk kanë luftuar dhe, nuk janë viktimizuar për t’i bërë koncesione favorizuesde vrasësit  dhe kolonizatorit të tyre shekullor-Serbisë dhe serbëve, por kanë luftuar dhe kanë flijuar  jetët e tyre vetëm për vetëm që Kosova ta fitojë pavarësinë e saj të plotë si shtet sovran dhe i lirë, ashtu sikurse të gjitha shtetet e tjera në Ballkan? (9) Pse këtë të vërtetë të politikës së juaj zyrtare mbi nënshkrimin dhe miratimin e “ shumë kompromiseve të dhimbshme” në dëm të së drejtës së vetëvendosjes dhe të pavarësisë së plotë të Kosovës,  botërisht përmes subjekteve të juaja politike, ende  nuk e keni njohtuar mbarë popullin shqiptar të Kosovës, por po gënjeni dhe po e mashtroni se  pavarësia e Kosovës “është çështj e kryerë”? (10) –  “Rrobaqepës” të dobët të fatit të Kosovës, pse nuk  jeni të  sinqertë dhe të vetëdijshëm për të kuptuar faktin  se, gjatë 8 viteve të shkuara (qeveritarë, parlamentarë dhe politikanë drejtues të Kosovës) keni qenë të obliguar, të  paguar dhe të autorizuar nga populli, që në emër dhe, për interesa të tij, të punoni në mbrojtjen dhe në avancimin e interesave të tyre vitale kombëtare dhe shtetërore, që pa dyshim do të çonin drejt krijimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, e jo të bëni pazare pa “hanxhiun”,  duke bërë “kompromise të shumta dhe të dhimbshme” në llogari të  ardhmërisë së Kosovës, duke u munduar që të tregoheni më internacionalistë  dhe më kosmopolitë sesa “mbeturinat politike” të komunzimit ortodoks sovjetik të  Nikita S. Hrushçovit, Brezhnjevit dhe Kosiginit..., etj.? (11) Me kë i keni bërë ato kompromise, kur e gjithë bota ka marrë vesh se Serbia e ka hudhur poshtë Planin e Marti Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, më 10 mars 2007?
 
 
Sikur të gjitha këto pyetje kardinale dhe të pashmangshme, me interes jetik dhe afatgjatë për jetësimin e vetëvendosjes dhe të pavarësisë së Kosovës, t’i kishte mbajtur parasysh “elita politike” zyrtare e Kosovës, sigurisht se tani, as qeveria, as parlamenti e as kryetari i Kosovës nuk do të ishin  “vetëviktimizuar” dhe nënshtruar verbërazi masave dhe kritereve  paliative të planit të Marti Ahtisarit, plan ky i cili parashikon zgjidhjen gjysmake dhe fragmentare të statusit të Kosovës-“pavarësinë e kushtëzuar” nën mbikëqyrjen e e Bashkimit Evropian (BE). Në këtë kontekst, mund të shtrohet edhe kjo pyetje: - Nëse “elita politike” qeveritare e Kosovës ka qenë e detyruar që, në saje të diktatit dhe të imponimit të bashkësisë ndërkombëtare, t’i bëjë të gjitha ato “kompromise të dhimbshme” në kurriz të pavarësisë së plotë të Kosovës, atëherë, para se  tamerrte një vendim të tillë të  njëanshëm dhe fatal, nolens volens  ka qenë e detyruar që në formë demokratike dhe ligjore, ta konsultojë popullin shqiptar përmes referendumit a plebishitit, e jo në mënyrë tekanjoze, skandaloze dhe ilegale, të nënshkruajë akte kapitullimi kundër vetëvendosjes së Kosovës, me qëllim që t’i arrinte ato “kompromise të shumta,të dhimbshme dhe zemërgjera” në favor të “projektuesve” të “pavarësisë së kushtëzuar”, nocion ky, që nuk figuron në asnjë doracak të së drejtës ndërkombëtare.
 
Duke qenë se Serbia ende nuk ka pranuar asnjë kompromis me palën shqiptare, as me atë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, Prishtinës zyrtare ende i kanë ngelur edhe ca  “minuta të fundit”, që të mendojë esëll dhe, të veprojë drejt dhe me urgjencë në ridefinimin  e strategjisë së saj të gabuar  dhe kapitulluese lidhur me pezullimin e menjëhershëm të “kompromiseve të shumta dhe të dhimbshme”, të cilat i ka  deklaruar (por nuk i ka theksuar në mënyrë taksative se cilat janë ato dhe, sa është numri i atyre kompromiseve të  shumta dhe të dhimbshme) kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ndryshe, me një  strategji  dhe politikë të tillë dështuese kompromisi, që përjashton pavarësinë  dhe sovranitetin e plotë të Kosovës, me të drejtë, nuk do të pajtohet Lëvizja Vetëvendosje-Populli i Kosovës. Këtë fakt relevant, duhet ta mbajnë parasysh nënshkruesit kapitullues të “kompromiseve të shumta dhe të dhimbshme” të Fatmir Sejdiut dhe të kastës së tij politike në Prishtinë.
 
Referendumi versus  kompromiseve të dhimbshme dhe të kushtueshme për mëvetësinë dhe vetëvendosjen e Kosovës
 
Vetëm referendumi është garancia e ligjshme dhe demokratike  e shpëtimit të vetëvendosjes së Kosovës. Prandaj, kjo do të ishte edhe rruga më racionale dhe më e shkurtër, e ligjshme dhe demokratike ( e bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara etj.), që do të ishte në funksion të zgjidhjes së drejtë të çështjes koloniale të Kosovës. Fundja, para disa vitesh  disa instanca relevante të bashkësisë ndërkombëtare (të paktën verbalisht) i patën premtuar “elitës politike “ zyrtare të Kosovës, se me t’u krijuar  dhe plotësuar kushtet dhe standardet e caktuara  nga bashkësia ndërkombëtare, populli shqiptar do të ketë të drejtë, që të organizojë referendumin, me ç’rast do të deklarohej për fatin e tij. Mirëpo, deri tani, një premtim i tillë  nga ana e bashkësisë ndërkombëtare (konkretisht nga ana e OKB-së) është shkelur në më mënyrë flagrante ngase në vend të organizimit të referendumit, erdhi në shprehje plani i Marti Ahtisarit, (që parashikon “pavarësinë e kushtëzuar” nën tutelën e BE-së), të cilin e miratoi si qeveria, ashtu edhe parlamenti i Kosovës, gjë që, hëpërhë ai është antitezë e përkohshme e së drejtës së vetëvendosjes. Si rrjedhojë, edhe për një kohë të paparashikuar, do të na lërë të ballafaqohemi me vatrën nevralgjike  të krizës gjeneruese potenciale të konfliktit shekullor serbo-shqiptar në Ballkan, pasojat e së cilës do të prekin edhe sigurinë, stabilitetin dhe paqen e Evropës.
 
Në vend të “kompromiseve të shumta dhe të dhimbshme”, të bëra nga “elita politike” qeveritare e Kosovës, patjetër dhe, në mënyrë imediate, duhet të vijë në shprehje përfillja dhe përligjja e së drejtës së vetëvendsojes së Kosovës, e cila do të realizohej në saje të  organizimit të  referendumit, ku në mënyrë ligjore dhe demokratike, populli shqiptar i Kosovës, do të thoshte fjalën e fundit për ardhmërinë e tij. Ky është çelësi i vetëm shpëtimtar si për Kosovën, që të fitojë cilësinë e subjektivitetit juridik ndërkombëtar si shtet më vete, ashtu edhe për Serbinë, që të lirohet sa më parë të jetë e mudnur dhe, përgjithmonë nga bagazhi dhe hipoteka e sundimit  të saj kolonial dhe hegjemonist mbi shqiptarët dhe mbi Kosovën dhe, më gjerë në Ballkan.
 
Ndërkaq, të të gjitha “alternativat” anashkaluese dhe shpërfillëse të aplikimit të referendumit a plebishitit  në funksion të njohjes së drejtës së vetëvendosjes së Kosovës, janë të dëmshme dhe, me rrizk të madh paparashikues, sepse nuk garantojnë pavarësinë e plotë të Kosovës, pavarësisht se çfarë “kompromise të shumta dhe të dhimbshme” kanë bërë, apo do të bëjnë qeveria, parlamenti dhe kryetari i Kosovës me strukturat e bashkësisë ndërkombëtare.
 
Duke qenë se ende nuk janë shteruar të gjitha mundësitë reale dhe instrumentet ligjore dhe demokratike, që Kosovës doemos t’i njihet e drejta e subjektivitetit juridik ndërkombëtar në saje të parimit dhe të së drejtës së vetëvendosjes së jashtme, atëherë do të ishte absurde dhe e papranueshme që qeveria, parlamenti dhe kryetari i Kosovës, t’i pranonin mbi supet e tyre ato “ kompromise të shumta dhe të dhimbshme për t’u treguar zemërgjerë” ndaj kujt dhe, pse kapitullim “zemërgjerë” dhe i “dhimbshëm”? – Pse, sipas “vesit detyrues” 100-vjeçar, vetëm ne shqiptarët, duhet të  nënshkruajmë dhe të pranojmë “shumë kompromise të dhimbshme” kundër vetëvetes?! – Deri kur do ta përçmojmë  dhe mohojmë vetëvetën, kur historikisht dhe botërisht dihet se  shqiptarët dhe Shqipëria Etnike nuk i ka borxh askujt, por të tjerët iu kanë borxhe të mëdha dhe të pashlyeshme atyre (Serbia, Mali i Zi, Greqia, dhe Maqedonia), sepse, ende  i mbajnë në varësinë e sundimit kolonial dhe shfrytëzues të tyre. Sërish, me qindra, mijëra herë, duhet të përsërisim pyetjen e pashmangshme: - Pse vetëm kombit shqiptar në Ballkan po i mohohet njohja e së drejtës së vetëvendosjes?! – Ndoshta, për shkak të faktit se njohja e ligjshme e së drejtës së vetëvendosjes së shqiptare bie ndesh me interesat ekonomike dhe financiare të ndokujt, si dhe me interesat e sistemit kolonialist shekullor të Serbisë, të Greqisë dhe të Malit të Zi etj.?
 
Në këtë kontekst, një paradigmë krahasuese, pse Malit të Zi me 6.20000 mijë banorë i është njohur pavarësia nga ana e bashkësisë ndërkombëtare (me gjithë faktin e njohur se kufijtë territorialë të tij janë të diskutueshëm, sepse gjysma e territorit “të sotëm malazez”: Hot, Grudë, Tuz, Plavë, Guci, Krajë, Ulqin e Tivar i përket territorit indigjen natyror të Shqipërisë Etnike,jo  Malit të Zi, i cili, më 1878, në saje të vendimeve të padrejta dhe ilegale të Kongresit të Berlinit, i kolonizoi dhe i aneksoi ato në “konton” e “territorit malazez”), kurse Kosovës me mbi 2.000.000 milionë banorë (mbi 90% shqiptarë) nuk i njihet e drejta e vetëvendosjes së jashtme?!
 
Pavarësisht nga “ kompromiset e shumta dhe të dhimbshme”, të bëra nga “elita politike” dështuese e udhëheqjes aktulae të Kosovës ( si pasojë e ushtrimit të sondës së trysnisë së politikës  së bashkësisë ndërkombëtare)  në kurriz të  decentralizimit-copëtimit të territorit të Kosovës shqiptare në favor të minortitet kolon serb, do të ishte gabim i madh, ripërsëritje e padrejtësisë së madhe historike dhe, mbi të gjitha, do të ishte e pandershme nga Evropa që, edhe kësaj radhe t’i mashtrojë dhe t’i sakrifiikojë shqiptarët dhe Kosovën për interesa dhe pazarllëqe të koniunkturës  tradicioanale serbo-sllave, pavarësisht se eurokratët e BE-së me Havier Solanën në krye  e kanë bindur garniturën udhëheqëse shqiptare të Kosovës, se ata kanë qenë “të detyruar”  t’i bëjnë ato “ shumë kompromise të dhimbshme” në favor të minoritet  kolon serb (8%) dhe të Serbisë
 
Pse Kosova të “shpërblehet” me “pavarësi të përkohshme dhe të kushtëzuar”, kur kjo nuk ndodhet në territorin e huaj serb, të pushtuar përkohësisht, por ndodhet në territorin autokton iliro-shqiptar të Shqipërisë Etnike? Pse, zvarritja e deritashme 8-vjeçare e referendumit? Kush e gllabëroi dhe e “fyshi”  referendumin e premtuar nga bashkësia ndërkombëtare? – Premtuesit, apo injoruesit e tij, apo që të dytë së bashku, për t’u pajtuar me çdo kusht me Serbinë kolonizatore gjenocidale?! – Pavarësisht se si është arritur një antikompromis i tillë i dhimbshëm “i përkohshëm” në kurriz të shpërfilljes së referendumit dhe të së drejtës së vetëvendosjes së Kosovës, pranimi i një “formule” të tillë, të panjohur si në kuptimin doktrinar, ashtu edhe në atë praktikën e së drejtës ndërkombëtare, mund të passjellë pasoja dhe përgjegjësi morale, ligjore dhe historike për  “përqafuesit” e saj të palës shqiptare.
 
Shtrohet pyetja, nëse  janë “konsumuar” të të gjitha mjetet dhe format ligjore të së drejtës  historike, demokratike  dhe juridike ndërkombëtare (gjë që kjo nuk është e vërtetë, sepse,  ende nuk ka ardhur në shprehje aplikimi i tyre i detyrueshëm  juridiko-demokratik sipas normave të parashikuara të së drejtës ndërkombëtare, dispozitave të Kartës së Kombeve  të Bashkuara dhe rendit juridik pozitiv ndërkombëtar), që shqiptarëve të Kosovës  pa të drejtë, (edhe në fillim të shekullit XXI, viti 2007) t’u imponohet “pavarësia e kushtëzuar” nën patronazhin e Evropës, si zgjidhje e kapshme për të arritur “kompromisin  historiko-politik” me Beogradin zyrtar, atëherë, edhe kjo “formulë e përkohshme” është e gabuar dhe e papranueshme, sepse si Kosova, ashtu shqiptarët, të prirur nga përvoja e hidhur historike 100-vjeçare, kanë të drejtë të dyshojnë në sinqeritetin dhe në objektivitetin e politikës monitoruese të BE-së mbi Kosovën (nëse brenda këtij viti, do  të miratohej Plani i Marti Ahtsarit nga ana Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara), sepse po kjo Evropë është ajo, që vetëm shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike në Ballkan ua ka mohuar të drejtën e vetëvendosjes këtu e 100 vjet më parë. Po kjo Evropë mban përgjegjësi morale, që  nuk i parandaloi dhe, nuk i sanksionoi me kohë, në mënyrë të merituar ligjore agresionet fashiste dhe gjenocidale të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1992-1999) kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Në këtë sens, po  të mos ndërhynte Amerika, nuk do të dihej, se kur do të përfundonin luftërat dhe agresionet gjenocidale të Serbisë në Ballkan. Prandaj, meqë kjo është e vërteta, nëse Kosovës, duhet t’i imponohet “pavarësia e kushtëzuar” sipas planit të Marti Ahtisarit, ( i cili, deri në  shqyrtimin e tij përfundimtar, është duke pritur në “sirtarin” e Sekretarit të Përgjithshëm të KS të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun) të cilin, tanimë e kanë miratuar qeveria, parlamenti, “grupi i unitetit” dhe kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, atëherë pse ajo “pavarësi e kushtëzuar”, të monitorohet nga BE-ja, e të mos supervizohet  drejtpërdrejt vetëm nga Amerika dhe NATO-ja, sepse këta dy organizma politiko-ushtarkë ndërkombëtarë i kanë meritat më të mëdha  për shpëtimin e Kosovës dhe të shqiptarëve nga katastrofa e  shkaktuar nga ana  Serbia pushtuese gjenocidale?
 
 
Fundja, pavarësisht nga bartja e funksioneve politiko-shtetërore dhe partiake (qoftë edhe “grupi i kontaktit”, qeveria, parlamenti apo kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu në rastin konkret) nuk kanë pasur kurrfarë të drejte,  që t’i bëjnë ato “shumë kompromise të dhimbshme dhe zemërgjera” në llogari të mohimit të së drejtës së vetëvendosjes, sepse një të drejtë të tillë e gëzon vetëm populli, sepse  shteti dhe sovranitrteti i tij i përket vetëm popullit, e jo asnjë partie politike a  subjekti politik qoftë në pushtet apo në opozitë. Sovraniteti i përket popullit dhe, askush atë nuk ka të derjtë ta vërë në pikëpyetje, sepse  kjo është e drejtë e patjetërsueshme e popullit.

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-04-10 23:24:15
Ploteshisht pajtohem dhe shqiptareve tuhet ti jepet e drejta


International
English
Faqe interaktive