Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Aktualiteti arrow U festua ceremonia e fluturimeve direkte Nju Jork-Tiranë, Nju Jork-Prishtinë.
U festua ceremonia e fluturimeve direkte Nju Jork-Tiranë, Nju Jork-Prishtinë. PDF Print E-mail
10 Prill 2007

Nga Pierre-Pandeli Simsia

 

Ditën e Mërkurë më 4 Prill 2007 Komuniteti Shqiptar i Amerikës përjetoi çaste të bukura, emocionante dhe të paharuara. Në një nga sallat e mëdha të bukura dhe luksoze të Restorantit "Per Un' Angelo", në Wantagh, Long Island, Nju Jork u zhvillua ceremonia e përurimit të fluturimeve ajrore direkt Nju Jork-Tiranë, Nju Jork-Prishtinë dhe anasjelltas. Këtë lajm të shumëpritur nga të gjithë kishte disa javë që reklamonte Gazeta Shqiptaro-Amerikane "ILLYRIA", si dhe forumi shqiptar në internet "STËRKALA". Pjesëmarrës të shumtë jo vetëm nga Nju Jorku, por edhe nga shtetet e tjera Connecticut, Nju Xhersi, Pensilvania, në atë ceremoni gëzimi dhe të shumëpritur nga të gjithë ne bashkëatdhetarët shqiptarë në fytyrat e të gjithëve shprehej qartë gëzimi për atë ëndër të gjithëcecilit, ndjeheshin më shumë se të emocionuar.


Restorantit "Per Un' Angelo", në Wantagh, Long Island, Nju Jork është pronë e pronarëve shqiptaro-amerikanë Tomë Ulaj dhe Eli Gjezo. Restorani "Per Un' Angelo", në Wantagh, Long Island, Nju Jork  është tepër luksoz dhe shumë i preferuar nga shqiptarë dhe të huaj, por të "zotët e shtëpisë" me plot shije kishin krijuar një ambient disi më të këndshëm dhe të veçantë, ku siç ndodh përherë në festa, ceremoni të tilla, sallën e madhe e kishin "pushtuar" ngjyrat e Flamurit tonë kuq e zi. Çdo tavolinë kishte katër peceta të kuqe dhe të zeza të hapura në formë luleje dhe të vendosura në katër gota. Nuk mungonin edhe ngjyrat e Flamurit Amerikan, e bardha, bluja dhe e kuqja. Në sfond ishin vendosur dy Flamujt e dy vendeve tanë; Flamuri Amerikan dhe Flamuri Shqiptar.

Ndërmjet zbukurimeve të shumta që ndodhen në ambientet e atij restoranti, në mure vareshin reklama e fluturimeve direkt  Nju Jork-Tiranë, Nju Jork-Prishtinë.

Të gjithë jemi dëshmitarë për peripecitë në aeroportet e ndryshme evropiane, në pritje me orë të tëra, pasi kemi fluturuar tetë dhe më shumë orë nga Amerika, për të hipur në avionin tjetër për në Atdhe. Nuk janë të paktë edhe ata pasagjerë shqiptarë që kanë pritur 24 orë të tëra në aeroportet evropiane për të fluturuar vetëm 2 orë për në Shqipëri, pasi avioni nga shtetet nga vijnë është nisur me vonesë, kështu që edhe mbërritja e tyre në ato aeroporte ka qenë e vonë. 

Duket se ajo pritje e gjatë morri fund dhe për këtë kanë meritë të madhe bashkëatdhetarët tanë të nderuar, të zotët e shtëpisë së atij restoranti, Familjet Ulaj dhe Gjezo, si dhe zoti Tomë Gjoka, të cilët me përgjegjësi dhe vendosmëri  të madhe, me përkushtim për t'i ardhur në ndihmë gjithë bashkëatdhetarëve të tyre, në bashkëpunim me Shoqërinë ATA (American Trans Air) mundësuan fluturimet direkte nga Nju Jorku për në Atdhe.

Bashkëatdhetarë të shumtë vijnë me radhë dhe hyjnë në sallën e madhe të ceremonisë. Botuesi i gazetës Shqiptaro-Amerikane "ILLYRIA", zoti Vehbi Bajrami i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Eugene ishin ndër të parët që kishin ardhur. Vijnë me radhë bashkëatdhetarë të tjerë, të njohur dhe të panjohur, zoti Luigj Shkreli, një ndër shqiptarët e parë që ka ndihmuar bashkatdhetarët e tij emigrantë të ardhur në Amerikë,  Biznesmeni i suksesshëm shqiptaro-amerikan, zoti Florion Krasniqi, Producenti i Televizionit "Kultura Shqiptare" ne Nju Jork zoti Adem Belliu, Producenti i Radios "Emigranti" zoti Bekim Xhaferi, zonja Muzafere Beka, përfaqësues nga TV Shqip, Chicago Intercom Ventures, zotërinjtë Drilon Qehaja dhe Tony Hoti, Zonja Shpresa Uli, zotërinjtë Gjon Ivezaj, Kolë Cacaj, Mark Gjokaj, Nosh Camaj, Hysen Ulaj, Eli Xhani,  Harri Rizo, Terri Gjezo, e shumë të tjerë. 

Fjalën e hapjes e mbajti një përfaqësues i Shoqërisë Ajrore ATA, i cili, pasi falenderoi dhe përshëndeti pjesëmarrësit, foli për rëndësinë e madhe që ka kjo nismë...

Pastaj folën me radhë bashkëorganizatorët e kësaj nisme të rëndësishme, zoti Tomë Ulaj, Eli Gjezo, Tomë Gjoka.

Bashkatdhetarë të tjerë të ndryshëm e morrën fjalën duke falenderuar nismëtarët, njëkohësisht, duke shprehur gëzimin dhe emocionet e tyre për atë ëndërr të vjetër.

Çdo diskutim, në fund u shoqërua me duartrokitje dhe me thirrjet për Kosovën e pavarur. Dhe vërtet, festën e madhe të fitores, festën e Kosovës së pavarur ne do ta festojmë atje, duke fluturuar direkt Nju Jork-Prishtinë.

 

Ja si u shprehën disa nga të pranishmit në atë ceremoni.

 

Tomë Ulaj: "...Më shumë është dëshira e madhe se diçka... Më 9 Qershor do të fillojë fluturimi i parë nga Nju jorku për në Tiranë dhe më 11 Qershor fluturimi nga Nju   

Jorku për në Prishtinë... mesazhi im është: "Mirësejugjej o shqiptarë të bëjmë fluturime të rehatshme..."

 

Eli Gjezo:  "...Pas një pune intensive dhe të lodhshme, netë pa gjumë, ndjehem e lumtur që u realizua ëndra e të gjithë neve, fluturimi direkt nga Nju Jorku për                                      në atdhe... i uroj të gjithëve që do kenë mundësi të fluturojnë me këtë lionjë ajrore, Udhë të mbarë..."

 

Tomë Gjoka, këshilltar, organizator i kësaj shoqërie ajrore: "Profesioni im është pilot... dhe ndjehem i lumtur sot, që bashkë me bashkëatdhetarët e mi shqiptarë zonjën Eli Gjezo dhe Tomë Ulaj realizuam ëndrën e çdo shqiptari këtu në Sh.B.A. për të fluturuar direkt në Tiranë dhe në prishtinë. Ne si shqiptarë, duhet të bashkëpunojmë më tepër që të krijojmë një shoqëri ajrore shqiptare tonën, me shumicën e kapitalit shqiptar, se edhe  Shoqëria "Albania Air Line" nuk është shqiptare, shumica është kapital i huaj.

 

Florion Krasniqi: " Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët e Amerikës, por edhe të Kanadasë, sepse ky fluturim direkt i kursen kohë, pare, i jep çdo mundësi të mirë... Ka shumë njerëz që fluturojnë me familje, me njerëz në moshë të madhe, me fëmijë të vegjël... ky fluturim i lehtëson shumë... Është një inisiativë për t'u vlerësuar... Mendoj se, jo vetëm për stinën e Verës do të ketë kërkesa për bileta, por edhe për stinët e tjera, sepse Kosova sot është e përfshirë nga biznesi dhe shumë dhe sot në kosovë punojnë mijëra njerëz të huaj, mendoj se në çdo kohë numri i kërkesave për bileta do të jetë i madh..."

 

Luigj Shkreli: "... Dua t'i uroj me gjithë zemër gjithë nismëtarët qëna krijuan mundësinë e fluturimeve direkte nga Amerika për në atdhe. i uroj të gjithëve "Udhë të mbarë, së shpejti Kosova e pavarur..."

 

Shpresa Uli: "... Është kënaqësi e të gjithë neve për realizimin e asaj ëndre të herëshme, fluturimi direkt nga Nju jorku për në Atdhe. Duhet të jemi përherë të bashkuar dhe të gjithë duhet t'i bashkohemi kësaj kompanie ajrore..."

 

Muzafere Beka: "Gëzimi është i madh. Nuk gjej dot fjalë të them, sepse vetë kjo ëndër e të gjithë neve flet më shumë se ç'duhet të fali ç'donjeri nga ne... Urime..."

 

Eli Xhani: " Dua të falenderoj organizatorët e kësaj inisiative të vështirë, zotin Tomë Ulaj, zonjën Eli Gjezo, zotin Tomë Gjoka që ia dolën mbanë me sukses. Urimi im që dhe urimi i çdo shqiptari është: Urime, j'u lumtë, faleminderit që na krijuat këtë lehtësi fluturimi për në atdhe..."

 

Bekim Xhaferi: "Është kënaqësi e madhe të ndodhesh në ambient shqiptar si ky i tanishmi. Kënaqësisë i shtohet edhe gëzimi dhe urimi për nismëtarët për këtë lehtësi që na bënë, duke udhëtuar direkt për në atdhe... urime..."

 


Në fund organizatorët Tomë Ulaj dhe Eli Gjezo shtruan një darkë për të gjithë të pranishmit, ku nën tingujt e organos dhe klarinetës të luajtur me mjeshtëri nga Edi Xhani dhe Sokol Asllani u kënduan, dhe u vallëzuan këngët dhe vallet e bukura shqiptare.

Për informacion më të zgjeruar dhe mundësinë e rezervimit të biletave për të fluturuar direkt nga Nju Jorku për në Tiranë dhe Prishtinë vizitoni web-site në internet:

                          

                                                http://adriaticeagleair.com/


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-04-18 16:02:41
Edhe une bashkohem me gezimin e te gjithe shqiptareve per kete mundesi kaq te madhe e te bukur te fluturosh direkt ne atdheun tone Shqiperine. Ju uroj te gjitheve mbaresi. Jam nje nene qe jetoj ketu ne USA dhe kjo gje me gezon mjaft dhe shyqyr them qe edhe ne si shqiptare do te kemi tani linjen tone direkte per ne atdhe. Ju falenderoj Z.Tome Ulaj dhe Eli Gjezo.

Koment nga GUEST më 2007-04-18 16:07:02
Eshte me te vertete ngjarje e rendesishme qe ne shqiptaret edhe pse komb i vogel tashme kemi mundesi te udhetojme direkt per ne Atdhe,pra te kemi linjen tone ajrore.Udhetimi me i shpejte do tu jape mundesi shqiptareve te Amerikes qe ta ndjejne Atdhehun me afer.E ndersa udhetimet per raste gezimi si te thuash jane te planifikuara,kjo linje do tu vije ne ndihme shqiptareve per rastet e fatkeqesive tek te afermit qe kane lene me Atdhe pasi dihet nga te gjithe se per arsye te udhetimit te gjate shpesh njerezit nuk kane mbritur ne kohe per te percjelle ne banesen e fundit te afermit e tyre.Falenderime atyre qe bene te mundur funksionimin e kesaj linje ajrore. 
 
Elio Gora  
New York

Koment nga GUEST më 2007-05-29 10:37:32
JU PERGEZOI PER KETE BASHKEPUNIM DHE ARRITJR TE MADHE QE KENI MUNDESUAR PER BASHKEATDHETARET 
NE AMERIKE PO DHE NE VISET TJERA.DASHTE ZOTI QE DHE NE VLLEZERIT E JUAJ TE VEPROJME ASHTU SI JU DUKE E BASHKUAR SE PARI KAPITALIN NJERZOR DHE KSHTU E FESTOJME ME MIRE PAVARSINE E KOSOVES. 
PRA URIME DHE NJE HERE NGA SALI IDRIZI (VENEZIA),ITALI.

Koment nga GUEST më 2007-09-14 11:12:52
pergezime per ket lidhje te re , sipas mundesis foto nga ceremonia ,nese mund ti shikojmë


International
English
Faqe interaktive