Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Ć‡eshtja Kombetare arrow Diplomacia nė shėrbim tė resantimanit
Diplomacia nė shėrbim tė resantimanit PDF Print E-mail
08 Maj 2007
Nga Arbën Xhaferri

Thonë se kur në mes palëve në konflikt rrënohen të gjitha urat dhe relacionet e natyrave të ndryshme, atëherë në skenë shfaqet diplomacia, që me trajta të ndryshme përpiqet t'i normalizojë marrëdhëniet e rrënuara. Por, ky është vetëm një aspekt i veprimit diplomatik.

Diplomacia vepron edhe në kontekste të tjera, kur marrëdhëniet mes shteteve dhe grupeve të ndryshme të interesit janë normale. Angazhimi diplomatik në këto raste synon t'i thellojë, ose t'i zgjerojë interesat e caktuara. Diplomacia shpeshherë është edhe në funksion të përhapjes së gënjeshtrave të vetëdijshme apo të paragjykimeve të pavetëdijshme.

Pas armiqësimit të skajshëm të serbëve me popujt e tjerë, veçmas me shqiptarët, pas shpërthimit të konflikteve të përgjakshme, pas nëpërkëmbjes së paimagjinueshme të të gjitha standardeve për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, pas shpërfilljes së të gjitha konventave të luftës, rolin korrigjues të gabimeve strategjike sërish e mori diplomacia serbe dhe ajo e shteteve të tjera që i mbështesin ambiciet, tradicionalisht neurotike dhe luftënxitëse serbe. Mirëpo, ky projekt nuk merr parasysh një fakt tashmë të verifikuar katërçipërisht: diplomacia, sado e aftë të jetë ajo, nuk mund t'i fitojë betejat e humbura, apo të destinuara për humbje, por vetëm t'i zbusë ato. Së këndejmi, krerët e politikës serbe nuk arrijnë të kuptojnë se Plani i Ahtisarit është një projekt që ofron zbutjen e pasojave nga humbja e betejave ushtarake, politike, morale dhe qytetëruese të serbëve gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Refuzimi i kësaj oferte, do ta vendosë detyrimisht Serbinë në një pozitë të izoluar dhe antagoniste me botën demokratike.

Këto veprime, aktivitete diplomatike nuk synojnë t'i korrigjojnë gabimet dhe vlerësimet e së kaluarës, ashtu si veproi populli gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, por riaktivizimin e tyre që në vete ngërthen rrezikun e rifillimit të konflikteve. Për ta kuptuar më mirë këtë rrezik duhet analizuar burimin e botëkuptimit të shtrembëruar serb për shtetin, të drejtën, moralin etj., që i vë ata në pozitë konfliktuale, jo vetëm me fqinjët, por edhe me të gjithë ata që e kontestojnë, ose me dyshim distancohen nga "të vërtetat" e tyre që në vazhdimësi shkaktojnë luftëra përmasash të ndryshme.

Kriza në Jugosllavi u shfaq lidhur me konceptet serbe për Kosovën. Ata një kohë të gjatë përhapin tezën se Kosova qenka djepi i Serbisë. Për ta kontestuar këtë ide duhet analizuar nocionin Serbi. Ideologët shovinistë serbë e perceptojnë Serbinë si kategori metafizike, ontologjike, që ka ekzistuar gjithmonë, që i ka pasur pikërisht këto kufij "të shenjtë" që nuk bën të kontestohen e le më të ndryshohen.

Ky kundrim metafizik i shtetit, i kufijve të tij, jo vetëm që vjen ndesh me natyrën e procesit historik, që zhvillohet në mënyrë dinamike duke i ndryshuar kështu regjimet, konceptet, kufijtë, por edhe me realitetet, të dikurshme apo të periudhës më të re.

Para ardhjes së sllavëve në Gadishullin Ilirik, në këto hapësira ka pasur shtete, kufij dhe popuj të tjerë. Ardhja e sllavëve dhe e invaduesve të tjerë, që vandalizuan çdo gjë, kulturën, artefaktet, popujt dhe natyrisht kufijtë, rezultoi me ndërrimin e realiteteve të atëhershme. Para serbëve, në Kosovë erdhi dhe sundoi gjatë një fis tjetër sllavisht-folës, bullgarët, të cilët gjatë administrimit të tyre imponuan edhe toponomastikën bullgare. Këto toponime bullgare të Kosovës që përfundojnë me prapashtesën "ec" sot ruhen vetëm në gjuhën shqipe, si bie fjala Rahovec, Lisec etj., dhe jo ato të variantit serb që përfundojnë me prapashtesën "ac" (Orahovac, Lisac etj). Kjo dëshmon se shqiptarët ishin aty, në territorin e Kosovës kur erdhën valë-valë sllavisht-folësit. Madje thuhet se vetë toponimi Kosovë ka prejardhje bullgare, ngaqë është bartë nga trojet e të parëve të tyre. Në afërsi të Pllovdivit ekziston një fshat po me këtë emër. Disa ekspertë, pohojnë po ashtu se edhe emri i Beogradit ka prejardhje nga gjuha bullgare - Bullgargrad.

Sipas historianit të njohur anglez, Noel Malkolm, serbët, prej momentit të ardhjes së tyre në Gadishullin Ilirik dhe deri te pushtimi përfundimtar osman më 1450, pra gjatë tetë shekujve ata kanë sunduar Kosovën vetëm dy shekuj, ndërkaq, khanët dhe carët bullgarë sunduan prej vitit 850 e deri në fillim të shekullit 11-të. Nëse këtij konstatimi i shtojmë pesë shekujt e sundimit osman edhe më shumë do të relativizohet argumenti historik serb për Kosovën. Kjo vlen jo vetëm për periudhën mesjetare, por për të gjitha periudhat historike, veçmas për etapën moderne kur filluan të krijohen shtetet ballkanike. Sipas fakteve të pamëshirshme historike, në territorin e Kosovës nuk është zhvilluar asnjë aktivitet politik dhe rrjedhimisht ushtarak për krijimin e shtetit të parë serb, të shkëputur nga Perandoria Osmane dhe e kundërta: të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar shtetin modern shqiptar janë zhvilluar në territorin e Kosovës, siç është bie fjala nisma e Lidhjes së Prizrenit. Diplomacia, çfarë do qoftë ajo nuk mund t'i mohojë këto fakte. Krahas kësaj, shteti i parë serb u krijua jo në territorin e Kosovës, por në atë të Rashkës, të Ras-it të atëhershëm. Vetë ky toponim, varianti i sotëm i tij ngërthen në vetvete një porosi, një të vërtetë të pakontrollueshme. Shndërrimi i "s" në "sh" është veti e gjuhës shqipe, si bie fjala Scupi- Shkupi, Scutari-Shkodra, Lissus-Lezha, Naissus-Nish, Astibo-Shtip, Scardum-Sharri dhe rrjedhimisht Ras-Rash. Objektet e para kishtare të ndërtuara nga serbët ishin në territorin e Rashkës, siç është Studenica, pastaj Manastiri i Zhiçës afër Kralevës, kisha e Sopoçanit në veri të Novi Pazarit etj. Kishat e para serbe në territorin e Kosovës filluan të ndërtohen pas invazionit të fiseve tatare dhe kumane, që në vitin 1290 e shkatërruan Manastirin e Zhiçës. Po të mos kishte ndodhur kjo, konstaton me të drejtë historiani Malkolm, ndoshta Kosova nuk do të shërbente si vendstrehim për serbët aziatikë, të mundur prej fiseve të ngjashme aziatike.

Mbreti mitik i serbëve, Dushani, që serbët parapëlqejnë ta quajnë Car Dushan, Perandori Dushan (Cezari-Cari), shtetin e vet të zgjeruar tej mase, e quajti si shtet i përbashkët i popujve të ndryshëm dhe natyrisht edhe i shqiptarëve.

Gjatë dy shekujve mesjetarë të sundimit serb në Kosovë, asnjë qytet i Kosovës së atëhershme nuk ka qenë seli e mbretërve serb, pos Shkupit. Këto detaje jepen vetëm në funksion të demaskimit të një premise të rrejshme diplomatike dhe një interpretimi të gabueshëm të historisë dhe shtetit. Pra, nocioni Serbi, si përkufizim i shtetit, nuk mund të trajtohet si një substancë e pandryshueshme ontologjike, që në këtë formë ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë. Krahas kësaj, Serbia e sotme është pasojë e politikës së balancave të interesave të ndryshme dhe se ajo, si e këtillë, nuk është pranuar me asnjë konventë eksplicite ndërkombëtare. Në aktet dhe konventat ndërkombëtare njihet subjektiviteti fillimisht i Jugosllavisë, pastaj i republikave të ndryshme jugosllave që morën bekimin e Komisionit të Badenterit për pavarësi. Serbia, asnjëherë në mënyrë eksplicite nuk e mori këtë bekim, në asnjë konferencë, të dedikuar për këtë qëllim, asaj nuk iu njohën kufijtë që ajo ia caktoi vetes. Serbia e fitoi këtë status në mënyrë negative, me shkëputjen e të tjerëve, me mohimin e sovranitetit të saj në territore të caktuara, si veproi herën e fundit Mali i Zi. Të gjithë e dinë se ku nuk është Serbia (Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia etj.), por shumëkush, madje edhe vetë serbët nuk dinë saktësisht se ku është ajo. Do të ishte fat për Serbinë, nëse ky proces i përkufizimit mohues të shtetit serb të përfundojë me pavarësinë e Kosovës.

Teza ideologjike serbe, që përmes aktivitetit diplomatik serbo-rus përpiqet të imponohet si argument, ka të bëjë me idenë, konventën për mos ndryshueshmërinë e kufijve. Ky argument vjen ndesh me dy të realitete të pamohueshme: kufijtë vazhdimisht janë ndërruar dhe kufijtë aktualë të Serbisë nuk janë njohur në mënyrë eksplicite nga faktori ndërkombëtar, por me akte të pavlefshme interne, siç ishte referendumi i sivjetmë serb për Kushtetutën, ku Kosova në mënyrë arbitrare shpallet si pjesë e Serbisë. Sikur kufijtë e Serbisë aktuale do të ishin të njohur ndërkombëtarisht dhe në mënyrë eksplicite, atëherë nuk do të kishte kurrfarë nevoje që të organizohej referendumi intern serb, që madje zgjati dy ditë, ngaqë qytetarët e Serbisë ishin të lodhur nga këto manipulime të vazhdueshme të krerëve shtetëror.

Sipas të dhënave statistikore mund të konstatohet pa kurrfarë hamendjeje se kufijtë vazhdimisht janë ndërruar. Në vitin 1945 kanë ekzistuar vetëm 51 shtete ndërkombëtarisht të pranuara, në vitin 1960, 100 shtete dhe në vitin 1995, 185 shtete. Ky fakt zbulon funksionin e vërtetë të Kombeve të Bashkuara. Ky institucion nuk ka mision që t'i ruajë, konservojë kufijtë aktual të shteteve, ashtu si gjithë ditën po trumbetojnë diplomatët serbo-rus, por të kontrollojë procesin e ndryshimit të kufijve, të pengojë sa është e mundur anarkinë dhe të mbështesë të drejtën e patjetërsueshme e popujve për liri dhe për barazi.

Historia e ekspansionit të serbëve fillon me dinastinë e Nemanjidëve (Nemanjiqëve). Prej vitit 1196-1355 ata shtetin e tyre të parë të vogël, në territorin e vogël të Rashkës e zgjeruan në veri deri në Beograd, në jug deri në Peloponez, në lindje deri në Kavallë, përfshirë këtu edhe Selanikun dhe në perëndim deri në Durrës, duke i pushtuar dhe shkatërruar territoret dhe kulturat e popujve të tjerë.

Ardhja e osmanëve rezultoi me prishjen e kufijve në këto hapësira. Osmanët formuan pesë vilajete, atë të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit, të Janinës dhe Selanikut. Në këto vilajete, pos në atë të Selanikut, pjesa dominante e popullsisë ishte shqiptare. Kjo situatë zgjati deri në fillim të kryengritjeve të para kundër sundimit osman. Kështu, bie fjala në vitin 1817, Serbia ishte sa pashallëku i Beogradit, në vitin 1833, Pashallëkut të Beogradit iu bashkua Shumadija e sotme, në vitin 1877, gjatë krizës së ashtuquajtur lindore iu bashkuan territoret e Nishit, duke i pastruar njëkohësisht ato nga elementi shqiptar që u shpërngul në territore tjera që mbetën nën sundimin turk. Sipas analizave të historianëve serbë, muhaxhirët shqiptarë, të shpërngulurit me dhunë nga rrethi i Nishit, sollën urrejtjen kundër serbëve në hapësirat e tjera shqiptare, duke shënuar në këtë mënyrë pikënisjen e armiqësive, deri më tani të pashërueshme shqiptaro-serbe. Zgjerimi i radhës i Serbisë ndërlidhet për me periudhën e Luftërave Ballkanike, në vitin 1913, kur ajo aneksoi, pushtoi Sanxhakun, Kosovën dhe Maqedoninë e sotme. Prej vitit 1913-1918, ajo u tërhoq nga Kosova dhe Maqedonia, ashtu si në vitin 1941-1945. Në vitin 1918, kur përfundimisht u shthur Perandoria Austro-Hungareze, Serbia, si trofe lufte e aneksoi Vojvodinën, Kosovën etj.

Nga kjo që u tha më lart, mund të konstatohet se kufijtë janë ndryshuar vazhdimisht dhe se ato nuk mund të caktohen arbitrarisht, ashtu si pretendon Serbia dhe as që ka vend për shenjtërimin e tyre. Sipas logjikës serbe, bota krishtere do të duhej të vazhdonte fushatën e kryqëzatave derisa të çlirohej vendi më i shenjtë i tyre, Betlehemi. Por, natyrisht, kjo nuk ndodh! Diplomacia serbo-ruse, në mungesë të argumenteve bindëse sajon fakte të paqena, të mbështetura në proekcione, anticipime fiktive, rrjedhimisht argumentin e frikës nga mundësia e precedencës, të efektit domino. Sipas këtij argumenti, nëse Kosovës do t'i jepet e drejta për pavarësi, që ata e cilësojnë si ndryshim të kufijve të një shteti sovran, atëherë do të shkaktohet shfaqja e një vargu të krizave të kësaj natyre në botë. Ky argument hipotetik është përdorur edhe në fillim të shthurjes të Jugosllavisë, por u pa qartë se shpërbërja e Jugosllavisë nuk ndikoi në stabilitetin e shteteve fqinje dhe nuk ndikoi në stabilitetin e rendit botëror. Nga ana tjetër ky argument ka një mangësi elementare morale, ngaqë dënon universalizimin e së mirës dhe afirmon universalizimin e së keqes. Sipas kësaj logjike duhet dënuar vendimin e 95% të banorëve të Kosovës, që pas vuajtjeve shekullore me të drejtë kërkojnë liri dhe të përfillet kërkesa meskine e 5% të popullatës së Kosovës, që parapëlqen të jetojë në kushte të mitit.

Diplomacia serbo-ruse pengon universalizmin e shembullit më pozitiv të çlirimit të një populli nga zgjedha dhe ankthi shekullor, dhe me gjasë parapëlqen të përgjithësojë modelin e tyre të zgjidhjes së konteksteve të këtilla, pra modelin e Çeçenisë, modelin e shkatërrimit, e polarizimeve fetare, e gjenocidit mbi një popull që kërkon lirinë dhe pavarësinë nga sundimi i huaj.

Diplomacia serbo-ruse e shfrytëzon rastin e Kosovës, jo për shkak të interesave të tyre strategjike apo ekonomike, madje as për shkak të urrejtjes antishqiptare, por për shkak të kontestimit të sistemit të vlerave perëndimore, ku përmes liberalizmit, demokratizimit, shtetit ligjor i zbuten antagonizmat ndëretnikë. Ashtu si Millosheviqi dikur, ashtu edhe përfaqësuesit e sotëm serbë bëjnë përpjekje diplomatike për ta mohuar të vërtetën, motivet humane të intervenimit të faktorit më demokratik në botë, të grumbulluar rreth NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, përkatësisht kundër keqpërdorimit të potencialeve të një shteti që në vitin 1918 u formua me bekimin e tyre. Pra, duke mohuar drejtësinë, përcaktimin unanim të qytetarëve të Kosovës për pavarësi, liri nga zgjedha, represioni serb, diplomacia serbo-ruse përpiqet të kontestojë moralin, politikën dhe vlerat perëndimore dhe në këtë mënyrë, të fitojë pretekstin për ta penguar procesin e krijimit të Unionit Evropian, anëtarësimin e shteteve të Evropës Lindore në NATO. Këto përpëlitje diplomatike dëshirojnë të ndërtojnë argumentin se SHBA, UE dhe NATO-ja janë fajtorë, se kanë gabuar kur intervenuan për ta penguar gjenocidin dhe se serbët dhe rusët kanë pasur të drejtë dhe kanë vepruar mirë, kur shkaktuan konflikte në Kroaci, Bosnjë, Kosovë, Çeçeni, Apkhazi, Oseti, Transdnjestër etj.

Është e qartë se këto tendenca janë në shpërputhje me realitetin, me tendencën historike dhe se nuk do të arrijnë sukses. Por, në këtë fazë, qëllimi i strategëve rusë nuk është pengimi i rrumbullakimit të procesit historik, por rikthimi i tyre në Ballkan. Në vijë të këtij përcaktimi ata do të përpiqen ta instrumentalizojnë rastin e Kosovës për ta shndërruar Serbinë, që shfaq shenja brengosëse të errësimit të arsyes në satelit të tyre, për ta penguar kështu procesin e zgjerimit të projektit të mbrojtjes dhe sigurisë kolektive, të prirë nga NATO-ja. Në këtë lojë, të paktën për të krijuar konfuzion mediatik, ose për të dhënë argumente për "profecinë" e tyre për pasojat rrënuese nga pavarësia e Kosovës, do të vënë në veprim rrjetin e tyre agjenturor dhe trazovaçë psikotikë që detyrohen ta shfaqin perfom/ansëne tyre prej palaços, siç ishte rasti me atë kryetarin e Himarës, Bollano.

Ky errësim i arsyes ka edhe motivin shtesë, që është ngushtë i lidhur me fenomenin e resantimanit që e kontaminon idenë e nacionalizmit fisnik. Kjo fjalë në fushën e politikës ka domethënien e psikozës, ku xhelozia e skajshme shndërrohet në urrejtje patologjike ndaj tjetrit, që për arsye të ndryshme shënon sukses si në planin individual, ashtu edhe kolektiv. Një kohë të gjatë politika serbe tregon shenja të resantimanit ndaj strategjisë perëndimore të krijimit të rendit të ri, të bazuar mbi parimet e demokracisë liberale. Në vend që ajo të bëhet pjesë përbërëse e këtij projekti, prijësit dhe krijuesit e politikës serbe e denoncojnë këtë tendencë perëndimore, si komplot ndaj popujve të tjerë. Ka edhe të tillë që bënin dhe sugjerojnë të bëhen aleanca, madje edhe me djallin kundër interesave amerikane dhe aleatëve të tyre.

Kjo ndjenjë e xhelozisë dhe e urrejtjes kolektive, e shoqëruar me bindjet proverbiale megalomane serbe i shtyri ata që të implikohen si shkaktarë të konflikteve të mëdha. Siç dihet ata e shkaktuan Luftën e Parë Botërore dhe vdekjen e miliona ushtarëve dhe qytetarëve të pafajshëm. Në këtë katrahurë humbën jetën edhe 150 mijë ushtarë amerikanë, ndërkaq me rastin e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë nuk patën asnjë humbje. Diplomacia serbo-ruse dhe rrjeti i tyre agjenturor e sulmon pikërisht rrëfimin më të suksesshëm të diplomacisë euro-amerikane, që natyrshëm u ndërtua rreth Kosovës. Ky rrëfim, siç konstaton me të drejt z.Veton Surroi, në vetvete ngërthen vetëm konotacione pozitive, atë të intervenimit human, të pengimit të gjenocidit, të simbolit ku harmonizohen doktrinat religjioze, që kudo tjetër shfaqen në trajta antagoniste. Botës i nevojitet kodi kosovar, i gjenocidit të parandaluar dhe kurrsesi ai Çeçenisë, i gjenocidit të suksesshëm.

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2008-01-21 14:49:48
I nderuar zotėri Xhaferi, 
 
Ju jam shumė mirėnjohėse pėr kontributin tuaj tė dhėnė, gjatė gjithė jetės tuaj pėr ēėshtjen kombėtare. Respekt tė veqantė pėr kėtė shkrim poashtu.  
Vetėm njė koment shkurtimisht: Sikur i gjithė njerėzimi tė vendoste trurin nė funksion, edhe njė analizė nė retrospektivė, mė e thjeshta e mundshme, do tė ishte e mjaftueshme pėr tė kuptuar se "ndėshkimi" nuk ėshtė i pėrhershėm, dhe se vuajtjeve duhet dhėnė fund. 
 
Me respekt tė veqantė, 
 
Dija


International
English
Faqe interaktive