Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kulturë arrow Optimizmi metafizik i një libri që nuk humbet
Optimizmi metafizik i një libri që nuk humbet PDF Print E-mail
08 Maj 2007

nga Astrit Lulushi

Shekulli XIX njihet si periudha më e suksesshme e romanit historik. Kjo edhe për faktin se me këtë zhanër u morrën shkrimtarët më të mirë të periudhës së romantizmit si Valter Skot, Viktor Hygo, Aleksandër Dyma etj. Në këte vazhdë mendohet se hyn edhe Leon Kahun (1841 – 1900), i njohur më shumë si studiues orientalist.

Romani “Hasan Jeniçeri” nga Leon Kahun, u botua nëFrancë më 1891 dhe që lexuesit në shqip i bie në dorë vetëm pas afro 120 vjetesh, falë perkthimit të studiuesit e shkrimtarit Fotaq Andrea.

 

Kur ky libër lexohet një herë, vështirë të mos pëlqehet. Por kur libri lexohet për herë të dytë, pasi të shtyn t’a  lexosh, vështirë të mos pajtohesh me mendimin e shprehur nga Apolineri se Faik Konica e mbante “Hasan Jeniçerin” e Leon Kahunit si librin më të mirë shkruar deri atëherë mbi historinë shqiptare. Dhe ata që e njohin Konicën dhe natyrën shkrimeve te tij, nxiten e futen edhe më thellë duke zbuluar se “Hasan Jeniceri” është jo thjesht roman, por një libër filozofik, nje satirë e hollë që shumë lehtë mund të vihet në radhen e librave si  “Udhetimet e Guliverit” i Suiftit apo “Kandidi” i Volterit.

Tek “Hasan Jeniceri”, Leon Kahun, i paraqet botës, veçanërisht publikut francez të kohës, Kandidin shqiptar,  përfaqësuesin e zhgënjyer të optimizmit metafizik, doktrinë e krijuar nga filozofi gjerman Leibnitz (shek. XVIII) që  i kërkonte njeriut të pajtohej me fatin dhe tek cdo e keqe të përpiqej të gjente të mirën. Leibnitz e më pas  Rusoi përpiqeshin kështu të shpjegonin përse ndodhnin fatkeqësitë dhe përse Zoti, kur ishte aq i mirë, i lejonte  ato të ndodhnin. Sipas tyre, Zoti është një qenie e mirë dhe se bota e krijuar prej tij është më e mira botë e mundshme.

Por ky lloj optimizmi e revoltoi Volterin, i cili brenda 48 orëve shkroi romanin Kandidi ku me sarkazëm tregon se cfare krijohet kur njeriu mendon se “cdo gjë që ndodh është per të mirën e më të mirës së të gjitha botëve të mundshme”.

Tek Hasan Jeniceri, Kahuni na sjell shembullin e optimizmit metafizik; atë të “një shqiptari që kishte luftuar me  tërbim turqit për lirinë e tij të shenjtë, por që në rrjedhën e kohës i nështrohet fatit te tij të mbijetesës dhe bëhet  vëlla me turkun brenda familjes së fuqishme ushtarake, sic ishte Oxhaku i Jeniçerëve, duke i shërbyer tani me  devotshmëri e përkushtim” (F. Andrea, Parathënie “Hasan Jeniçeri” Tiranë 2005). Por ashtu si Kandidi, i cili e  mohon vlerën e optimizmit metafizik, megjithëse i merr një kohë e gjatë para se të arrijë në këtë perfundim, edhe  shqiptari Hasan Jeniçeri “ndodhet shpesh në udhëkryq midis Lindjes e Perëndimit, thurr ëndërra të bukura e shpesh tradhëtohet dhe në fund për mbijetesën e tij, përsëri forcën e gjen tek vetvetja, tek tiparet e karakterit të tij”.(F. Andrea, po aty)

Ngjashmëria midis Kandidit dhe Hasan Jeniçerit është e dukëshme. Të dy ata merren me forcë nga ushtri të huaja, kthehen në ushtarë, arratisen, tradhëtohen dhe pas shumë vuajtjesh e udhëtimesh në vende të largëta, arrijnë në përfundim të ngjashme, se natyra dhe njerëzimi tashmë janë krijuar, prandaj atyre u duhet të bashkëjetojnë dhe për një bashkëjetesë në harmoni ata duhet të nisen drejt njeri-tjetrit për t’u takuar në gjysmë të rrugës; pra as bota dhe as njerëzit nuk duhet të ndryshojnë, por të dy duhet të ndryshojnë, përndryshe konflikti krijohet. Kjo duket se është baza e optimizmit metafizik nga i cili Kandidi edhe Hasan Jeniçeri mbetën të zhgënjyer, pasi njëra palë nuk iu permbajt rregullit të ndryshimit. Dhe zhgënjimi i tyre shndërrohet në heshtje, hidhërimi, sarkazem. Në fund, Kandidi ul kokën e vazhdon te punojë në kopështin e tij, ndërsa Hasan Jeniçeri hedh shikimin lart në qiell e thotë: "Zot na ndihmo!".

Megjithatë Volteri, ashtu si edhe Kahuni tek “Hasan Jeniçeri”, nuk thonë se çfarë lloj optimizmi parapëlqejnë apo çfare duhet të bëjë njeriu në raste të tilla. Në fakt këto pyetje i shtrohen lexuesit për t’iu përgjigjur. Dhe ndoshta kjo është edhe arsyeja që këto vepra vazhdojnë t’i qëndrojnë kohës.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive