Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Historia arrow Kur individualistët kolektivizohen
Kur individualistët kolektivizohen PDF Print E-mail
29 Maj 2007

Nga Astrit Lulushi, SHBA

Historia e shqiptarëve të Amerikës, është një histori organizatash, institucionesh, shoqatash e grupimesh, por edhe individësh dhe bashkësitë shqiptare gjenden sot pikërisht në rajonet ku këto organizata e shoqata kanë patur ose kanë qëndrat e tyre, Boston, Nju Jork, Detroit, Chikago etj.
Përsa u përket individëve, që për arsye kryesisht ekomonike e gjeografike u vecuan nga këto grupime, sot përmenden thjesht se janë me prejardhje shqiptare. Por kur këta janë bërë të famshëm si amerikanë, shqiptarët përsëri krenohen me ata që kontributin e tyre për cështjen kombëtare e dhanë në një formë a menyrë ndryshe nga të tjeret, duke krijuar nje emër të mire si shqiptarë dhe vepra të dobishme për njerëzit mbarë.

Megjithëse të dhënat e shumta tregojnë se shqiptarët mbrojnë me shpirt kulturën, traditat, zakonet, gjuhën dhe përkatësine kombetare, fakti është se ata edhe asimilohen më lehtë se të tjerët në shoqërinë amerikane. Shtrohet  pyetja: Cilat janë karakteristikat kulturore dhe etnike që i bëjnë ata të “shkrihen në kazan”, kur dihet historia e tyre  mijëra vjecare e mbijetesës qoftë edhe mes të huajve? Mos është individualizmi që i bën ata të mendojnë gabimisht se janë të mbrojtur nga asimilimi?


Individualizmi relativisht është edhe egocentrizëm, por mund t’a bëjë një person të ruajë individualitetin e tij vetëm brenda grupit, sepse jashtë, ai bëhet pre e asimilimit apo integrimit. Kjo ndodh në përgjithësi me të gjithë  evropianët në Amerikë, të cilët janë më të prirur ndaj individualizmit, në krahasim me popujt e tjerë që karakterizohen nga etnocentrizmi kolektiv si afrikanët, të ardhurit nga Karaibet, hispanikët dhe vecanërisht hebrenjtë.(K. Macdonald)

Por, shprehja proverbiale se shqiptarët janë individualistë lë të kuptohet se ata janë me pak të prirur për  t’u organizuar, bashkuar e formuar një grup. Ndoshta kjo natyrë individualizmi duhet parë edhe si një prej shkaqeve të  vonesës së tyre për krijimin e shtetit më 1912, shteti i fundit i krijuar në Ballkan pas shpërbërjes së plotë të perandorisë osmane në fillim të shek. XX. Në fillim të shek. XXI, Kosova pritet të bëhet shteti i fundit i dale nga shpërbërja e plotë  e Jugosllavisë. A mund të mendohet se në këtë proces zvarritës, një rol ka luajtur edhe individualizmi? Dy ngjashmëri radhazi, nuk mund të thuhet se përbëjnë një rastësi.

Për një individualist, interesi personal është motoja që e hedh atë në veprim, dhe kur individualistët krijojnë familje, fis, grup, komb, ose shtet, ata karakterizohen nga ndjenja të tilla të theksuara si vetmbështetja “mbështetja në  forcat e tona”, pavarësia “edhe bar do të hamë”, sedra që nuk toleron asnjë kundërshtim, krenaria e zbrazet dhe  egocentrizmi. Grupe të tilla individualistësh dallohen për mikpritje,  mirësjellje e qëndrim pozitiv ndaj të huajve ose pjestarëve të grupeve të tjera.(E. Fehr & Gachter)

Historikisht dihen aleancat apo miqësitë, shpesh të pasuksesshme, të shqiptarëve me kombe a vende të tjera, edhe kur këto lidhje ishin në dëm të interesave të një grupi ose të një popullate brenda kombit. E njëjta dukuri  vihet re edhe në marrëdhëniet e individualistëve brenda grupit ose në lidhjet me grupet e tjera. Individualistët janë  të prirur për të mos rënë dakord me politikat e grupit ku bëjnë pjesë. Ata tregojnë pak angazhim apo besnikëri  brenda grupit dhe mendojnë se fati i tyre nuk është i përbashkët me atë të anëtarëve të tjerë të grupit.(H. Triandis)  Dhe në kushte të tilla krijohen elitat, ndarjet klasore dhe lufta mes tyre.  Gjithashtu kur lindin mosmarrëveshje me grupe të tjera, individualistët janë të prirur të mendojnë se për këtë  janë fajtorë një ose dy individë, por jo i gjithë grupi tjetër.

Sipas një teorie të shkencës ekologjike, individualizmi është rrjedhojë e rrethanave mjedisore. Për shembull, për  shkak të kushteve të vështira gjatë epokës së akullnajave, banorët nordikë u zhvilluan në grupe të vogla të izoluar  nga njëri tjetri. Kjo ndodh sepse në kushte të rënda ekologjike, përpjekjet e nje grupi, fisi, familje, individi,   përqendrohen më shumë per t’u bërë ballë ose përshtatur  rrethanave të vështira sesa per t’u lidhur ose për të  rivalizuar me grupet e tjera. (F. Lenz) Nga kjo gjithashtu del se izolimi dhe individualizmi shoqeror ushqehen nga kushtet e veshtira, përfshi prapambetjen, varfërinë;  mjedise ideale në Rusinë e vitit 1918, apo në Shqipërinë e viti  1944, ku idetë komuniste (kolektiviste, kooperativiste) u paraqitën si shpëtimtare.  Dhe kur njerëzit u indoktrinuan  për t’a parë individualizmin si dështim, atëhere për 50 vjet, iu vunë punës për shkatërrimin e vetvetes.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive