Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Aktualiteti arrow Nė Berat pėrurohet sheshi Robert Schuman
Nė Berat pėrurohet sheshi Robert Schuman PDF Print E-mail
19 Qershor 2007
Qyteti 2400 vjeçar i Beratit që pritet të njihet nga UNESCO  si pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe banorët e tij ditët e fundit  përjetuan një ngjarje tjetër të rëndësishme. Në sheshin në qendër të qytetit përpara Albtelekomit është vendosur busti i njërit prej arkitektëve të Bashkimit Evropian themeluar në Romë më 1950, Robert Schuman. Robert Schuman do të qendrojë përjetësisht në qytetin e kulturës së lashtë, në qytetin muzeal, në Berat. Me vendosjen e bustit edhe sheshi tani mban emrin "Sheshi Robert Schuman". Në ceremoninë e vendosjes së bustit dhe emërtimin e sheshit me emrin Schuman, krahas përfaqësuesëve të pushtetit vendor, morrën  pjesë edhe senatori Xavier de Villepin, Presidenti i Fondacionit Schuman  Jean-Domenique Giuliani, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të Qevesirë Shqiptare dhe politikanë të tjerë. Berati me arkitekturën e tij të famshme dhe të rrallë, me kulturën e tij të lashtë, me mikpritjen, gjelbërimin... e tij, befason çdo  mysafir, vendas dhe të huaj.

Një befasim të tillë ndjenë edhe kësaj radhe miqtë e huaj. Ja si është shprehur Senatori Xavier de Villepin: "Ky është një  homazh shumë i bukur që i bëjmë sot autoritetit të mrekullueshëm dhe mikpritës të Beratit dhe Robert Schumanit, njërit nga themeluesit të ndritur, që së bashku me Adenaurin, Monen de Gasperin vendosën  themelet e Bashkimit Evropian. Dëshiroj të vë theksin mbi një vlerë që është shumë e shtrenjtë për vendin tim, ajo e diversitetit kulturor dhe gjuhësor. Diversiteti i gjuhëve, kulturave dhe folklorëve që përbëjnë familjet tona evropiane është një pasuri e kontinentit tonë. Thesaret kulturore dhe shpirtërore që strehon qyteti i Beratit janë dëshmia e saj më e mirë. Përtej përpjekjeve që duhet të bëjë akoma Shqipëria, prirja e  vendit tuaj është integrimi përfundimtar në institucionet e BE dhe  për këtë Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Francës" Ndërsa në përshëndetjen e tij Presidenti i Fondacionit Schuman Jean-Domenique Giuliani, në emër të këtij fondacioni tha: "Duke vendosur statujën e Schumanit në këtë shesh në qendër të këtij qyteti  të mrekullueshëm të lashtë dhe historik, ju nderoni me këtë rast  një francez të madh, gjithashtu edhe një evropian shumë të madh.

Mesazhi i Schumanit dhe kolegëve të tij është dhe sot e kësaj dite  aktual, është mesazh paqeje, nuk ka urrejtje, nuk ka konflikte. Banorët e kësaj toke të vjetër prej 25 shekuj e dinë mirë për  çfarë po flas. Evropa ishte lodhur  me luftrat dhe konfliktet e gjata dhe kishte ardhur  koha që në fund të shekullit të 20-të të mbyllej një kapitull jo  i ndritur i Evropës. Për një kohë të gjatë kemi ngatërruar  patriotizmin me nacionalizmin. Kemi ngatërruar  dashurinë për atdheun që  është normal dhe i ligjshëm me nacionalizmin që është i ashpër  dhe konfliktual. Sa  më shumë të jemi patriotë aq më shumë jemi dhe  evropianë. Shqiptarët dhe beratasit i përkasin Evropës prej  shumë  shekujve dhe ky gjest që ju po na bëni, nuk do të tradhëtohet".

Po pse pikërisht Berati?
Gjatë periudhës që zoti Besnik Mustafaj ishte shefi i Diplomacisë Shqiptare kishte zgjedhur Beratin si qyteti më i lashtë për ta prezantuar në Evropë. I pranishëm në atë ceremoni të rëndësishme në Berat, zoti Mustafaj tha: "Robert Schuman nuk ka mundur të vinte në Shqipëri kur ishte gjallë, sepse e tillë ishte historia e Shqipërisë atëhere dhe sot i vetmi vend evropian që kishte mbetur pa simbolin e tij ishte Shqipëria. Unë, midis të gjithë qyteteve shqiptare nuk gjeta një qytet më të përshtatshëm se Berati dhe ja pse: ja ku kemi përballë këtë kishë dhe këtë xhami, (Në qendër të qytetit të Beratit qendrojnë madhështore pranë njëra tjetrës xhamia e quajtur "Xhamia e Plumbit" dhe kisha e madhe e quajtur "Kisha e Vakëfit") kemi qytetërimin mesjetar me qytetërimin modern. Pavërisht se këtu jemi përfaqësues të forcave të ndryshme politike, ne bashkohemi te mendimi i Schuman-it, se Shqipërinë dhe atdheun e kemi të përbashkët dhe së bashku duhet ta ndërtojmë dhe se vetëm duke ndërtuar mirë atdheun tonë ne gjejmë vendin tonë në Evropë".
Për vlerësimin dhe nderit të madh që i bëhet Shqipërisë dhe Beratit me përjetësimin e Robet Schumanit në vendin tonë përshëndetën edhe pushtetarët vendorë, Prefekti i Beratit, zoti Roland Bejko dhe Kryetari i Bashkisë së Beratit, zoti Fadil Nasufi. Përshëndeti edhe Kryetari i Komisionit të Integrimit në Parlamentin Shqiptar, zoti Ilir Meta. Vendosja e bustit të Schuman-it dhe emërimi i sheshit me emrin e tij është një nder i madh që i bëhet qytetit të lashtë muzeal të Beratit dhe qytetarëve të tij, është nder i madh për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, si vend dhe popull evropianë që jemi dhe që i përkasim Evropës.
 
Robert Shuman ishte njëri prej arkitektëve të Bashkimit Evropian themeluar në Romë në vitin 1950, ku përfaqësuesit e Italisë, Gjermanisë, Francës dhe tre vendeve të Beneluksit u mblodhëbn më 9 Maj 1950 në Romë dhe ajo ditë dhe datë u konsiderua si dita e Evropës së Bashkuar. Arkitekti i Bashkimit Evropian Robert Schuman ka qenë Ministër i  Jashtëm i Francës në vitet 1948-1952. Në vitin 1960 është zgjedhur President i Parlamentit Evropian.
 
Pierre-Pandeli Simsia


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive