Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Aktualiteti arrow Ai erdhi dhe ata ia dhanë fjalën
Ai erdhi dhe ata ia dhanë fjalën PDF Print E-mail
19 Qershor 2007
Astrit Lulushi, SHBA

Mesazhi kryesor i presidentit Bush për Shqipërinë ishte; “konsensusi politik”. Dhe jo pa qëllim. Këshilltarët e tij me siguri i kanë treguar, por edhe ai vetë mund të ketë dëgjuar se ka disa vite që politikanët shqiptarë sa herë që  ndodhen përpara marrjes së një vendimi shpesh duket se harrojnë cdo gjë, përvec interesave të ngushta personale e partiake. Kështu ka ndodhur e kështu vazhdon sa herë që ngrihen cështje; që nga caktimi i një date për zgjedhje, pranimi i një rezultati, apo emërimi i një presidenti.

Udhëheqësit shqiptarë në shenjë nderimi ndaj mikut duket se ia dhanë fjalën presidentit Bush se këshillën e tij do t’a zbatojnë, që do të thotë se për hir të interesave madhore do të përqafojnë konsensusin. Por a do të mund të  gjejnë ata një gjuhe të përbashkët për të mos bllokuar rrugën e përparimit? Kjo rrugë është e vështirë, ndërsa pa konsensus bëhet e pamundur.

Dihet se për shqiptarët, fjala e dhënë, është fjala e nderit. Ajo ndryshe quhet Besa; dikur fjalë e shenjtë, shkelja e së cilës as që mund te mendohej. Më 1444, Skënderbeu u përpoq shumë për të siguruar Besën e princave  rivalë, dhe kur ia dhanë fjalën, ata e mbajtën deri në fund, deri atëhere kur askush nuk kishte mbetur; kur prijesi  vdiq dhe kur shume prej atyre që kishin dhënë Besën në Kuvendin e Lezhës u vranë, u zunë rob ose u  shpërndanë në dhe të huaj. Dhe pa beslidhësit, Besa nuk kishte si të ekzistonte.

Sami Frashëri (1850-1904), si rilindas që ishte, u përpoq t’a ringjallte ndjenjën e Besës në vetedijen e shqiptarëve  kur më 1875 shkroi dramën “Besa, një tragjedi shqiptare”, ku ai tregonte mbi një prind i cili ndodhej përpara dilemës; “të shkelte fjalën apo të therrte djalën”. Por drama e botuar në Stamboll duket se kishte edhe  një qëllim tjetër; për të treguar jo vetëm se Besa ishte një traditë shqiptare, por se ajo ishte rrënuar qëllimisht  nga armiqtë e tyre. Këtë shqiptarët tani e dinin, prandaj Drama ishte shkruar në gjuhën turke, që pushtuesit t’a lexonin.

Gjatë periudhës së vështirë të pushtimit otoman, kuptimi i Besës kishte filluar të shtrembërohej. Turqit talleshin me të, duke krijuar aforizma të tilla si; ‘‘koka mbi supe në Stamboll dhe prona në Shqiperi kurrë nuk janë të  sigurta”. Në periudhën e perandorisë osmane, një sulltani i mjaftonte një shpifje apo intrigë, për t’i prerë kokën  edhe ndihmësit më të afërt. Në trojet shqiptare, ku grindjet e gjakmarrjet krijoheshin ose nxiteshin nga cmira dh  etja për pasuri e pozitë, asgjë nuk ishte e sigurt; as prona, as jeta; njëlloj si në tirani.

Kur një popull sundohet me dhunë e diktaturë, viktimat e para, pas njerëzve, duket se janë vlerat e traditës. Besa është një prej tyre dhe për t’a shkatërruar, pushtuesit e diktatorët përpiqen t’a paraqesin atë si qesharake.  Studiuesi Robert Elsie thotë se në një fjalor Turqisht – Anglisht ka gjetur se “arnavut besa” shpjegohet si “një  marrëveshje, që është e sigurt se do të shkelet shpejt”. Kjo shprehje të bën jo vetëm të qeshësh hidhur, por  edhe të mendosh se ndryshimi i kuptimit të fjalës “Besa” nga pushtuesit, tregon se ata kishin frikë prej saj.

Eshtë thënë se gjatë historisë, shpesh shumë shqiptarë u kanë shërbyer pushtuesve, madje me zell e përkushtim. Por kjo derisa ata fitonin mirëbesimin e pushtuesve dhe pastaj e përdornin këtë pozitë për të përmbushur qëllimet e tyre personale, kolektive a kombetare. Dhe të dhëna nga historia e shkruar ka plot, duke  filluar nga Kastriotët, Ali Pashë Tepelena, Bushatllinjte e shumë të tjerë. Ata u vunë në shërbim të pushtuesit, dh  pasi fituan grada e poste, u hodhën në veprime per realizimin e një qëllimi më të madh, atij kombëtar. Po kështu  shumica e Punëtorëve të Rilindjes ishin në shërbim të perandorisë osmane, si gjeneralë, pashallarë,  guvernatorë, diplomatë e deputetë, në kohën kur u hodhën në perpjekje e luftë per realizimin e ëndërrës së  kaherëshme, për krijimin e një shteti shqiptar dhe bashkim kombëtar. Pushtuesit i quanin ata të pabesë, por nga  këndvështrimi i popullit të pushtuar ata ishin besnikët më të mëdhenj.

Edhe periudha e pushtimit gjatë luftes se dyte boterore në Shqipëri ka plot shembuj të ngjashëm të njerëzve me  ndikim. Në shumë raste këta ishin figura të njohura për atdhetarizëm, përshi nismëtarë të shpalljes së pavarësisë  së shtetit shqiptar. Këta që më pas do të damkoseshin si “tradhëtarë e bashkëpuntorë”, me urtësinë  dhe qendrimet e tyre të moderuara, e shikonin pushtimin si një periudhë kalimtare, dhe duke flijuar dicka  synonin të ruanin atë që do të mbetej përgithmonë; vendin e popullin. Jo pa qëllim, ata që vepronin ndryshe,  duke flijuar gjithcka në shërbim të një ideali të huazuar, quheshin “të papjekur e ciliminj”, jo sepse ishin kryesisht  të rinj në moshë, por sepse sic do të shihej më vonë, ata do të tregoheshin të paaftë e të  papërgjegjshëm kur të merrnin në duar fatet e popullit dhe vendit, duke shkaktuar dhimbje e viktima të  panevojëshme e duke shkelur e shkatërruar cdo vlerë të traditës, përfshi Besën.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive