Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Kosova arrow KOSOVA MIDIS PAVARËSISË DHE AUTONOMISË SERBE(!)
KOSOVA MIDIS PAVARËSISË DHE AUTONOMISË SERBE(!) PDF Print E-mail
26 Qershor 2007

BAROMETRI DIPLOMATIK
Prof.Dr.Mehdi HYSENI


(*) Sipas ish-kryeministrit të qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi "Për  Kosovën pavarësi, kurse për Mitrovicën Veriore autononi serbe "("Beta", 24.06.2007).

(*) Idepropozim i mirëseardhur dhe i kapshëm ky  për Kishën Ortodose Serbe të Artemije Radosavleviqit dhe për Beogradin zyrtar, por  si të vihet deri te konkretizimi  i tij, kur dihet se Kosova nuk është firmë as pronë private e dr. Bajram Rexhepit, as e PDK-së, as  e LDK-së etj., as e Artemijes, as e Beogradit, as imja, por është e mbarë popullit indigjen shqiptar dhe e Shqipërisë Etnike.

 Tanimë,  me të hudhur poshtë Planin e Marti Ahtisarit(të gjitha versionet e tij të ndryshuara dhe të riformuluara në formë të një  projektrezolute të KS të Kombeve të Bashkuara) nga ana e Serbisë dhe e Rusisë, erdhi në shprehje edhe shtyrja e afatit disamujor e debatimit ndërkombëtar  të statusit të Kosovës në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, edhe pse presidenti i SHBA-së, George W. Bush pati deklaruar prerazi në  Romë, në Tiranë dhe në Sofje (më 9 dhe më 10 qershor 2007), se nuk do të ketë shtyrje të mëtejme të tij, duke  nënvizuar se : " The U.N. Security Council must act now on a plan to grant Kosovo supervised independence." (Reuters,9.06.2007).

Me gjithë mbështetjen e fuqishme dhe të parezervë të SHBA-së dhe të disa aleatëve të saj të BE-së, zgjidhja e statusit të Kosovës, do të mbetet pezull, edhe për një kohë të paparashikuar, kuptohet derisa Rusia  dhe Amerika të bijnë në  ujdi mes tyre. Ndoshta, por gjasët janë minimale (në veçanti për shkak të problemit të Kosovës), që më 2 korrik  2007, në takimin e Mejnit në SHBA-së, George W. Bush dhe Vladimir Putin, do të arrijnë ndonjë marrëveshje me  rëndësi historike jo vetëm për Amerikën dhe Rusinë, por edhe në kuptim më  gjerë për tërë bashkësinë  ndërkombëtare,  sikurse ajo e ish-presidentit, Ronald Regan  dhe e Mihail Gorbacov në Rekjavik të Islandës, më  1987, me ç'rast  diplomacia amerikane-sovjetike harmonizoi qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre lidhur me mbylljen e  kaptinës së luftës së ftohtë dhe të garës së ethshme në armatimin bërthamor midis dy superfuqive botërore  (SHBA-BRSS).

Në këtë vështrim, pozicionet e SHBA-së dhe të Rusisë për Kosovën janë diametralisht të kundërta, sepse, e para, së  bashku me shumicën e shteteve perënidmore të BE-së, botërisht është deklaruar për njohjen e pavarësisë së  mbikëqyrur ndërkombëtare të Kosovës, kurse e dyta, prerazi e ka hudhur poshtë një zgjidhje të këtillë të statusit të  ardhshëm të Kosovës, sepse pavarësia e Kosovës nuk i konevnon interesave konvergjente kolonilaiste dhe imperialte  të Rusisë dhe të Serbisë në Ballkan, dhe më gjerë.

Pra, sa iu përket pikëpamjeve dhe qëndrimeve të politikës zyrtare të SHBA-së, të BE-së, të Rusisë dhe të Serbisë  lidhur me statusin e Kosovës, hëpërhë ato janë tejet të qarta, domethënë të papjatueshme dhe kontradiktore. Mirëpo  ky hendek i thellë politiko-diplomatik dhe startegjik midis Amerikës dhe Rusisë lidhur me Kosovën, nuk është i  papritur ngase Rusia që nga viti 1878 e deri me përfundimin e luftës së ftohtë (1989), ishte "tutori" i  paprekur-xhandari i Ballkanit (sikurse dikur që ishte "xhandar" i Evropës, në krye të Aleancës së Shenjtë të  Evropës,1815). Thjesht, me shekuj, e edhe sot, Rusia e mbron interesin sllav në Ballkan. Historikisht, po të mos  ishin  luftërat dhe mbështetja direkte  e Rusisë, në hartën e Ballkanit  nuk do të figuronte kurrfarë Serbie. Kjo është  arsyeja kryesore, pse edhe sot, në rastin e Kosovës, Rusia me të gjitha mjetet dhe format e mbështet interesin  kolonial dhe imperialist të Serbisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan.

Kontradikta e logjikës politike

Sa më sipër, të gjitha kombinacionet dhe opcionet serbo-ruse dhe amerikano-evropiane  për Kosovën tashmë janë  transparente ( koncepti i parë ruso-serb, do të thotë antipavarësi-regres, që do të shpjerë në luftën e pashmnagshme, kurse koncepti i dytë amerikano-evropian, do të thotë pavarësi e kushtëzuar-progres, që shpie drejt  kompromisit politik të zgjidhjes së problemit të Kosovës në mënyrë dhe, me mjete diplomatike, paqësore dhe  demokratike të palëve në konflikt).

Mirëpo, përkundër këtyre eopcioneve të huaja serbo-ruse-antipavarësi dhe amerikano-evropiane-pavarësi e  kushtëzuar, ende nuk  janë  krejtësisht të qarta konceptet dhe opcionet e politikës zyrtare të Kosovës lidhur me  zgjidhjen përfundimtare të Kosovës. Inkonsistenca dhe varibiliteti i konceptit të politikës dhe të politikanëve shqiptarë  pasyqyrohet sipas kësaj logjike të gabuar historike, etnike, politike dhe juridike të qeverisë dhe të parlamentit të  Kosovës, të cilat kanë nënshkruar dhe ratifikuar  pranimin e "pavarësisë së mbikëqyrur"  ndërkombëtare mbi Kosovën  (variant ky, ende i diskutueshëm në planin ndërkombëtar ngase ka mbetur ende pezull në KS të KB-së, për  shkak të kundërshtimit të diplomacisë ruse dhe serbe).

Duke qenë se opcioni " pavarësi e kontrolluar ndërkombëtare" është shtyrë për një afat të pacaktuar, si rrjedhim i  obstruksioneve  dhe i  iracionales së diplomacisë së Rusisë së Vladimir Putinit, të diktuara nga Beogradi zyrtar dhe  Kisha Ortodokse Serbe, natyrisht se  edhe politika zyrtare e Kosovës, ka filluar t'i "përpunojë" varientet e mundshme  për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por jo mbi bazën e qëndrueshme dhe të justifikueshme (historike, kombetare, politike dhe juridike ndërkombëtare) të VETËVENDOJES, por sipas diktat të drafteve  të  konceptuara dhe të imponuara  ndërkombëtare, që Kosovës shqiptare i garantojnë copëtimin administrativo-territorial dhe politik, si  dhe  vazhdimësinë e vasalitetit neokolonial nën  Serbinë gjenocidale.

Paralajmërimin e "një loje" të këtillë të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për ardhmërinë e Kosovës, fatkeqësisht e  pasqyron edhe kjo kontradiktë e gabuar e logjikës politike e ish-premierit të qeverisë së Kosovës, dr.Bajram Rexhepi,  kur thotë se : "  Mund të presim  jo më gjatë se dy-tre muaj, e më pas, nëse Rusia përdorë veto-në e saj në KS të  KB-së kundër Planit të Marti Ahtisarit, atëherë Kuvendi  i Kosovës, do të shpallë pavarësinë e Kosovës…në kuadrin e sistemit integrues të Kosovës, serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës, do t'iu njohim autonominë  thelbësore",(Beta,24.06.2007).

Për arritjen e kompromisit politik me Serbinë, kjo ide e nënkryetarit të PDK-së, Bajram Rexhepi, është e qëlluar dhe e  dobishme vetëm për politikën strategjike të Beogradit. sepse kjo vërtet, është në frymën e përligjjes së së kërkesave  të deritashme të serbëve të Mitrovicës Veriore, të cilët qe tetë vjet efektivisht ( de facto dhe de jure) e kanë  shkëputur  atë nga  sistemi juridiko-administrativ ndërkombëtar i UNMIK-ut, dhe veprojnë  e jetojnë me ligje dhe kushtetutë të Serbisë. Mirëpo, në anën tjetër, shikuar nga aspekti i interesave jetike të palës shqiptare dhe të  Kosovës, ky propozim-ide i Bajram Rexhepit është absurd dhe i papranueshëm, sepse me njohjen e autonomisë së  theksuar serbëve, kjo praktikisht do të thotë legalziimin  e copëtimit dhe të  shitjes së një pjese më vitale të territorit  të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike.

Nëse do të vinte në shprehje njohja e autonomisë së serbëve të Mitrovicës Verioire, ashtu siç ka pohuar dr. Bajram  Rexhepi, atëherë s'ka dyshim se, nuk mund të bëhet fjalë për kurrfarë "tipi" të pavarësisë së Kosovës, sepse me këtë  rast, do të kërkonin " me të drejtë" autonomi edhe serbët e tjerë kolonë, të "bunkerizuar" nëpër eksklavat e  viseve të tjera të Kosovës shqiptare (Graçanicë, Plemetin, Prilluzhë, Kllokot,Lipjan, Shtërpce, Kamenicë, Gorozhdevc, Istog..etj.).

Pavarësisht nga ky propozim i Bajram Rexhepit, si dhe i propozimeve të tjera të ngjashme dhe të barasvlershme me   të, politika zyrtare e Kosovës (qeveria dhe parlamenti, nëse ekzistojnë në praktikë), nuk duhet të pranojnë asnjë   "version pavaresie" të këtillë të Kosovës, sepse ky do të thotë copëtim me vetëdishirë  të territorit indigjen shqiptar të Kosovës në favor të serbëve kolonë (7%) dhe të Serbisë kolonialiste, gjë që Serbia, edhe është duke bërë përpjekje  maksimale me Rusinë që Kosovën ta copëtojnë territorialisht në "mënyrë paqësore" në emër të mbrojtjes së  sovranitetit të saj kolonial, duke u thirrur në respektimin dhe në zbatimin e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe  të Kartës së kombeve të Bashkuara.

Për t'iu ikur të të gjitha varianteve dhe drafteve antipavarësi Kosovës, sajuara nga Serbia dhe nga Rusia, si dhe nga  vetë decentralistët dhe grupet kapitullante shqiptare të Vjenës, Qeveria  dhe Parlamenti i Kosovës, nëse hyjnë sërish  në bisedime me Serbinë, si rrjedhim i trysnisë së faktorit ndërkombëtar, paraprakisht, duhet të ridefinojnë objektivat e politikës së tyr strategjike lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, kursesi t'i përsërisin kërkesat e mëparshme. Për  shkak të refuzimit të Planit të Marti Ahtisarit dhe shtyrjes së afatit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, ( prapavija dhe  blerja e kohës janë sheshit në funksion të copëtimit të territorit të Kosovës-mohimit të drejtës historike dhe juridike  ndërkombëtare të vetëvendosjes së shqiptarëve (mbi 2 milionë) mbi Kosovën e Shqipërisë Etnike) qeveria dhe  parlamenti i Kosovës, duhet të kërkojë organizimin e një konference ndërkombëtare nën drejtimin direkt të SHBA-së,  të OKB-së, të BE-së dhe NATO-s, ku do të merrnin pjesë jo vetëm Rusia, Serbia, por edhe të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit.

Vetëm  po qe se plotësohet ky kusht i domosdoshëm nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pala shqiptare mund të paraqitet në debatin ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ndryshe, çdo rifillim i kontakteve zyrtare me  Serbinë në çfardo niveli qoftë, dhe me çfarëdo mediatori ndërkombëtar qoftë, pala shqiptare do të pësojë debakël  historik, politik, diplomatik, kombëtar dhe ndërkombëtar, sepse rivazhdimi i dialogut të ri me palën serbe për  Kosovën do të thotë: "lamtumirë pavarësi-mirëdita Serbi".

Në qoftë se aktorët e bashkësisë ndërkombëtare, të involvuar në zgjidhjen e krizës së Kosovës, kundërshtojnë  kërkesën historiko-politike të qeverisë së Kosovës për organizimin e një Konference ndërkombëtare, (ku në intinerarin  e debatit të saj, nuk do të jetë vetëm statusi i Kosovës, por edhe i shqiptarëve të Anamoravës, të Iliridës,  të Camërisë dhe të Malësisë së Madhe të Mbishkodrës), atëherë qeveria dhe parlamenti i Kosovës (pa pritur edhe dy-tre muaj ose dy-tre vjet, sipas magnitudës parashikuese-prolonguese  të "termetit politik" të fuqive të mëdha, me  qëllim që në kohë të pacaktuar, ta mbajnë "peng" pavarësinë e Kosovës), menjëherë, duhet ta shpallin referendumin  gjithëpopullor për deklarimin e pavarësisë së Kosovës. KJo është forma e vetme e ligjshme, e arsyeshme,  demokratike dhe paqësore për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të statusit të Kosovës.

Pse Referendumi urgjent?

Edhe njëherë, Parlamenti i Kosovës, që tash, duhet të organizojë REFERENDUMIN, jo shpalljen e pavarësisë, në asnjë mënyrë, sepse, ajo mund të ketë vetëm karakter fiktiv në aspektin jurdiko-ndërkombëtar.

Ndërkaq, organzimi  urgjent i referendumit si institut  relevant jurdiko-demokratik ndërkombëtar  ka përmbajtje më të  gjerë dhe më të thellë ligjore dhe demokratike paqësore për të dalë nga qorrsokaku i pat pozicioneve dhe  i  formulave të ndryshme të koniunkturave të diplomacisë ndërkombëtare në disfavor të pavarësisë së Kosovës.

Referendumi është përgjigjja më racionale dhe më e justifikueshme  poltiko-jurdike dhe diplomatike paqësore si për  palët në konflikt, ashtu edhe për faktorët e tjerë evro-ndërkombëtarë, të involvuar në çështjen e Kosovës.

Derisa nuk vjen në shprehje organizimi i referendumit në Kosovë(edhe pas 100 vjetësh të sundimit të egër kolonial  dhe gjenocidal të Serbisë, 1912-1999), kjo do të thotë se ende ekzistojnë frezerva, dyshime, kurtha dhe plane të  rrezikshme versus pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës si në sfondin e politikës vendore shqiptare, ashtu edhe në  atë të diplomacisë ndërkombëtare.

Për më tepër, organizimi i referendumit në Kosovë, do të ishte testi dhe prova më konkrete, edhe  për njohjen e miqve tanë, të cilët botërisht janë deklaruar se e mbrojnë  dhe, janë të gatshëm për njohejn e pavarësisë së  Kosovës,  edhe për kundërshtimin e armiqve kolonialistë shekullorë serbomëdhenj, si dhe për mbështetësit e tyre ruse.

Edhe sa qinddra-mijëra here, edhe sa dekada, duhet ta apelojmë "elitën politike" shqiptare të Kosovës se pa bërjen e referendumit nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje, që do të ishte në funksion të artikulimit të statusit të pavarësis  së Kosovës. Duhet të ritheksojmë se, të gjithë ata faktorë, institucione dhe orginazata të bashkësisë ndërkombëtare,  që e sugjerojnë, e mbështesin dhe, që në fund i njohin rezultatet e referendumit, do të thotë se de facto dhe de jure  e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndryshe, pezullimi dhe refuzimi i mëtejmë i mbajtjes së referendumit në Kosovë,  prima facie do të thotë vënien në pikëpyetje të së drejtës së vetëvendosjes dhe të njohjes së Kosovës si subject  juridiko-ndërkombëtar.

Për të mos dalë situata politike prej dore (ashtu siç po e përgatisin "kulaqin toksikologjik" serbomëdhnejtë me  "muzhikun" rus, Vladimir Putinin, që Kosovën ta "libanizojnë"  në emër të njohjes së autonomisë politike dhe  territoriale të minoritet serb(7%), duke filluar me pjesën veriore të Kosovës, si dhe të enklavave të tjera serbe në  Kosovë, do thotë copëtim  dhe rikolonzim klasik  i territorit etnik shqiptar të Kosovës), "elita politike" = qeveria dhe  paralamenti i Kosovës, duhet të shpallin Referendumin me procedurë urgjente, e  jo të shterohet në kërkimin e  "formulave akrobatike" të  politikës gjimnastikore se si minoritet serb (7%), duhet t'i njihet  "autonomia thelbësore",  ashtu siç është shprehur logjika humanitare e politikës mjekësore e  ish-premierit të qeverisë së Kosovës, Dr. Bajaram  Rexhepi, e cila ipso facto  pasqyron  dhe vërteton kontradiktën e logjikës politike, historike, kombëtare  vendore, si dhe hipokrizinë e organizuar të diplomacisë ndërkombëtare, e cila në vend të njohjes së drejtës  vetëvendosjes së Kosovës sipas normave  dhe parimeve të së dfrejtës ndërkombëtare dhe  të Kartës së Kombeve të Bashkuar, ka përfillur masa palliative dhe gjysmake për "zgjidhjen" e problemit kolonial 100-vjeçarë të Kosovës?!

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive