Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow KulturĂ« arrow Kur "ndihmo veten" nuk përfillet
Kur "ndihmo veten" nuk përfillet PDF Print E-mail
26 Qershor 2007
Astrit Lulushi, SHBA

Një rrugë quhet e lehtë, jo vetëm kur është e hapur, e shtruar e pa trafik por edhe, kur njerëzit në të ecin te shkujdesur, pa mendje, me mendjelehtësi. Në këtë rast, rruga është e njerëzve të papjekur. Historia tregon se rruga e lehtë është më e shtrenjta, dhe shpesh rruga e deshtimit.

Kur thuhet se një njeri, grup, shoqëri, komb, shtet, ka zgjedhur një rrugë të lehtë zhvillimi, në fakt ata ua kanë lënë të tjereve të mendojnë për fatin e tyre, ose kjo e drejtë u është mohuar. Kështu kur një bujk nuk mendon se cfarë do të korrë  në vjeshtë, sigurimin e ushqimit ai ia lë në dorë dikujt tjetër, tregut, dhe kur shumë të tillë si ai nuk mendojnë, atëherë  tregu sundohet nga importi. Kur një biznesmen nuk mendon për përmirësimin e prodhimit dhe shërbimit ai falimenton.

Në një farë mënyre, "ndihmuar" edhe nga taksat e larta, ai heq dorë nga pavarësia ekonomike. Dhe kur shumë vetë si  ai nuk mendojnë, atëhere papunësia krijohet, së bashku me kushtet për hapjen e "rrugëve të lehta" (informaliteti,   mashtrimi, korrupsioni e krimi) për sigurimin e fitimit dhe jetesës. Po kështu, kur një qytetar heq dore nga veprimtaria  shoqërore që fillon me mos-shfrytëzimin e të drejtës për të votuar, ai nuk mendon duke e vendosur fatin e tij në duart e të tjereve. Sa më shumë shtetas të tillë, aq më pak të përzgjedhur do të jenë udhëheqësit e tyre. Nëse mungesa e  zgjedhjeve me siguri nxjerr në krye një diktator, pjesmarrja e pakët në votime krijon propabilitetin që ai që fiton të  kthehet në diktator e autokrat. Po ashtu edhe ligjet e miratuara në raste të tilla, do të perfaqësonin mendimin apo  vullnetin e dikujt për të qeverisur dikë tjetër që nuk kishte marrë mundimin të mendonte a votonte.

Thuhet se sunduesit e urrejnë atë që mendon. Kjo ndoshta sepse të mosmenduarit krijon boshllëkun i cili mbushet menjëherë nga njerëz që janë gati të mendojnë për të tjerët, për t'i udhëhequr e sunduar ata, njësoj si bagëti. Emanuel  Kant (1724-1804) thoshte se dija e nxjerr njeriun nga papjekuria qe i ka imponuar vetes. Me këto ai i bënte jehonë  Horacit (65-8 p.e.r.) i cili thoshte " sapere aude"  "guxo të dish", dhe të mendosh në mënyrë të pavarur. Për këta  filozofë, papjekuri do të thoshte paaftesi për kuptuar pa ndihmën e të tjerëve. Kur vihet re tek njerëzit në moshë të  pjekur, kjo quhet papjekuri intelektuale dhe e vet-imponuar, pasi shkaktohet jo nga moskuptimi, por nga mungesa e  kurajos për të menduar. Plogështia për të menduar, por edhe frika apo vetpërmbajtja për të shprehur atë që mendon  jane arsyet përse shumë njerëz edhe pse në moshë të pjekur, thoshte Kant, prapseprapë mbeten të papjekur gjatë  gjithë jetës, pasi tjerët mendojnë per ta. Një grup i përbërë nga njerëz të tillë mund të shtyhet në "rrugën e lehtë", të   udhëhiqet në drejtim të gabuar ose të marrë tiparet e atij që e udhëheq.

Kështu mund të shpjegohet, përse një popull nën pushtim ose tirani, kur nuk guxon as të mendojë dhe jo pastaj të shprehë atë që mendon, ndryshon mendësinë, tiparet dhe zakonet e veta duke marrë ato të sunduesit. Po ashtu kur një vend,  komb, popull, grup politikanësh, pret ndihmën e të tjerëve për marrjen e një vendimi apo zgjidhjen e një problemi, pa  zbatuar më parë parimin "ndihmo veten" duket se është viktimë e vetvetes; plogështisë mendore, papjekurisë intelektuale.

 


Komente nga lexuesit

Koment nga GUEST më 2007-07-11 15:26:50
Ndjek me kenaqesi e gezim shkrimet e zotit Lulushi,shkrime te pjekura e erudite.Te mos harrojme se ne vendet ku zhduket periodikisht (me dhune apo ikje)elita,i quajturi pull gjenetik,varferohet vazhdimisht.Vec kesaj kastes sone,te te ikurve(apo debuarve?!),dhe jemi rreth 1100000,te ikur vetem pas 1990,i eshte privuar e drejta ,ne menyre te qellimshme,per te marre pjese ne jeten shpirterore e politike te vendit.Por ve re me dhimbje se edhe shume nga njerezit tane(te stervuajtur)qe filluan me guxim luften per te ndryshuar vendin ,jane tashme te zgenjyer e terhequr.Me teper se teori,mendoj se duhet organizim dhe shenja te dukshme qe njerezit te mos e humbin shpresen.U SHKATEROFTE KOMUNIZMI. me respkt - Shqip+ari


International
English
Faqe interaktive