Faqe kryesore arrow Arkivi i artikujve arrow Ă‡eshtja Kombetare arrow Tabu të panevojshme
Tabu të panevojshme PDF Print E-mail
11 Korrik 2007

Astrit Lulushi, SHBA

Presidenti Bush foli në Tiranë dhe sa nuk e tha hapur se Kosova është e pavarur, ndërsa politikanët, të vet-ngashëryer, rrinë e presin se cdo të thotë Këshilli i Sigurimit. Amerika gjithmonë ka treguar se ajo është me ta, ndërsa ata presin pranë radiove e televizorëve se cfarë do të thotë ky apo ai analist.

Shqiptarët, shpesh janë shquar për mos kuptimin e mesazheve, duke filluar që nga koha kur “i sëmuri i Bosforit”, perandoria Osmane, zuri shtratin dhe ata i qëndronin pranë për t’a shëruar; luftën e parë ata e kthyen në luftë të brendëshme cifliqesh; pastaj erdhi lufta e dytë kur nuk ishin të sigurt se cilin aleat të zgjidhnin;  apo në kohën e shpërberjes së Jugosllavise, ku ata e filluan këtë shpërberje duke u dhënë rastin të tjerëve të fitonin pavarësinë,  ndërsa për vete kërkon republikë apo autonomi të zgjeruar; dhe së fundi sic ishte rasti i regjimit komunist, kur ata ende shpresonin tek “gllasnosti  e perestrojka”, ndërsa të tjerët, si në Rumani, ekzekutonin diktatorët.

 

Edhe pse Heidegerin e lexojnë, rrjedhojat e ndryshimeve teknologjike nuk duan t’i shohin, ndoshta edhe kur  Heideger thotë se “njerëzimi ndodhet në kuptimin teknologjik të qënies ku cdo gjë përballë nuk qëndron më si  një objekt dhe ai nuk është më zotërues, por dëshmues i saj….. Atje ku është rreziku, rritja ndodh/fuqia ruhet, që  don të thotë se keshtu do të ndodh kur thelbi i teknologjisë të kuptohet si zbulues i qënieve; si mënyre e zbulimit të së vërtetës, të asaj që s’mund të mbulohet”.

Po t’i pyesësh, shumë prej tyre thonë se “janë më të mencurit” se “i duan ndryshimet”, por vetëm si individë, pasi si grup ata nuk duan të ndryshojnë, të paktën jo mendësitë. Kjo është pasqyra që ata shohin veten, nën një dritë të vendosur po prej vetes. Duan të dëgjojnë vetëm fjalë të mira, si ato që u thuen fëmijëve per të perkedhelur natyrën e tyre foshnjore. Për ta e vërteta është tabu. Por bota i sheh ata drejtpërdrejt, me të gjitha dritë-hijet dhe jo nga kendvështrimi i përzgjedhur. Ajo nuk i mat njerezit me hijen e diellit të mëngjesit, sic e masin veten ata.

Tabu janë edhe ndarjet fetare mes tyre. Për to kurrë nuk duhet folur, vecse kur lavdërohen marrëdhëniet e mira. Kurrë nuk duhet thënë “sundim turk”, pasi turqit e sotëm fyhen. Por edhe nëse thuhet “pushtim osman” kjo sa më rrallë sepse myslimanët fyen. Madje edhe kur emri i heroit kombëtar zihet në gojë, në se quhet “Gjergj Kastriot” myslimanëve u prishet qejfi, dhe kur quhet vetëm“Skënderbe” të krishterët mbeten qejfprishur. “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”, kjo është e pranueshme, e dale nga një mirëkuptim i heshtur. Por rreth saj nuk duhet folur; është tabu.

Edhe pse për 50 vjet, askush nuk u lejua të përmendte fjalën Fe, edhe pse një brez i tërë u rrit e u edukua me urrejtje për besimin fetar, tabuja është gdhendur aq thellë sa për këtë arsye duket se ende nuk është kryer një regjistrim i saktë i popullsisë, për të vërtetuar apo hedhur poshtë shifrat 70%, 20%,10 %, të përbërjes fetare të popullsisë. Ose ndoshta “ariun e kanë parë, por nuk duan ta zgjojnë”

Por tabuja shtrihet edhe më tej në politikë, deri në zgjedhjen e kryetarit të shtetit, Presidentit. Gjithë kjo “tollovitje” bëhet dhe askush nuk thotë të vërtetën, se qëllimi është ruajtja e harmonisë fetare, që tre postet kryesore drejtuese të ndahen mes tre besimeve; Nëse kryeministri është mysliman, kryetari i parlamentit katolik, atëhere presidenti medoemos duhet të jetë orthodoks. Përjashto periudhën e sundimit arbitrar, në historinë   shtetit shqiptar ka patur vetëm një rast, kur udhëheqësi i vetëm i vendit ka qënë një orthodoks, megjithëse nën  hijen e dy bashkëpuntorëve të ngushtë, një mysliman e një katolik. Me fitoren e revolucionit të qershorit, 1924, tre udhëheqësit kryesorë; Noli, Gurakuqi, Prishtina e kishin vështirë që njëri prej tyre të qeveriste i vetëm. Një gjë të tillë njëri-tjetrit edhe mund t’ia lejonin, por ata mendonin se si do të interpretohej ajo nga udhëheqësit fetarë.  Këshilli i Regjencës, që merrej me caktimin e kryeministrit, de fakto ishte shpërndare.  Sotir Peci, anëtar ortodoks  I Regjencës, i tërhequr në atë kohë në Korcë pas trazirave që kishin përfshirë vendin, ishte i vetmi përfaqësues  de jure i këshillit. Gjon Coba, përfaqësues katolik në Regjencë kishte dhënë dorëheqjen, ndërsa dy përfaqësuesit myslimanë, Xhaferr Ypi dhe Refik Toptani ishin larguar bashkë me Zogun. Peci si i vetmi anëtar i Regjences, emëroi Fan Nolin si kryeministër. Por duket se kjo u pa si vendim i një anshëm po të kihet parasysh se Peci ishte jo vetëm ortodoks por edhe shqiptaro-amerikan, ashtu si Noli. Për të treguar se për marrjen e vendimit nuk ishte  nisur nga këto përkatësi, Peci përgatiti 4 letra, vetëm njërën me vrimë, i palosi që letrat të dukeshin njësoj dhe i ftoi të 4 ata që donin postin e kryeminstrit që të tërhiqnin nga një secili. Thuhet se Noli tërhoqi letrën i fundit, dhe kur e hapi pa se kishte fituar. “Njeriu i Perëndisë kurrë nuk humbet” mendohet të ketë thënë Noli me shaka dhe që balanca fetare e pushtetit të ruhej, Gurakuqin e emëroi në krye të ministrisë së rëndësishme të Financave ndërsa H. Prishtinën si këshilltarin e tij më të ngushtë.
 
Për zgjedhjen e presidentit sot politikanët debatojnë, nxjerrin lista me emra kandidatësh, por ndryshe nga struci që duke futur kokën në rërë mendon se askush nuk i sheh, politikanët e dinë rezultatin dhe ajo që bëjnë është vetëm farsë. Për të mos prekur tabunë, që nuk është më tabu, ata pengojnë zhvillimin e jetës normale të vendit duke krijuar tensione të panevojëshme, u japin shpresa të kota dhe djegin politikisht njerëzit e aftë. Madje disa  bëjnë thirrje edhe për zgjedhjen e presidentit me vota popullore kur e dinë mjaft mirë se një kandidat ortodoks a  katolik ndoshta nuk ka asnjë gjasë të fitojë votën e një elektorati me shumicë myslimane, të pakten jo me këtë mendësi që ekziston. “Tabuja” vazhdon, ndërsa populli nuk është naiv, vetëm politikanët janë të papjekur.

 


Komente nga lexuesit


International
English
Faqe interaktive